More
    KreuOpinionDy ese nga Louise Glück

    Dy ese nga Louise Glück

    Kultura e shërimit

    Kur flasim për fuqinë restauruese të artit, duhet bërë dallimi midis përvojës së lexuesit dhe përvojës së shkrimtarit. Për lexuesin, një vepër arti mund të bëjë një lloj mantre: duke i dhënë formë shkatërrimit, poezia e shpëton lexuesin nga një errësirë pa formë ose gravitet; është  ishull në rënie të lirë; bëhet shoku i tij në hidhërim, shpëtimtari, një provë që prej vuajtjes mund të nxirret në njëfarë mënyre kuptim. Por marrëdhënia e poetit me krijimin e tij më duket tjetër.

    Ne jetojmë në një kulturë gati fashiste për sa i përket optimizmit me detyrim. Ideja se spektakli i kalvarit të vuajtjes shihet si diçka shumë e turpshme: shtysa për të shtypur, mohuar ose për të paraqitur vetëm një pjesë të sprovës së vuajtjes shfaqet në dy ekstreme – kulti i shëndetit të përsosur (si fizik ashtu edhe psikologjik) dhe, në ekstremin tjetër, gjë që  mund të quhet pornografi e plagëve, përmbytja në dukje e pafund e kujtimeve dhe poezive dhe romaneve të rrënjosura në hamendësimin se ekspozimi i vuajtjeve duhet të krijojë art autentik dhe të fuqishëm. Por nëse vuajtja është kaq e vështirë, pse duhet të jetë e lehtë shprehja e saj?

    Trauma dhe humbja nuk janë, në vetvete, art: ato janë si gjysma metaforash. Në fakt, lloji i veprës për të cilën e kam fjalën, sado e vërtetë të jetë përvoja vetjake, është e molepsur nga një lloj entuziazmi paraprak. Duket shumë e lehtë për të qenë në njërën nga ekstremet më dramatike; tepër e lehtë për të mohuar humbjen si vazhdimësi, si fakt të pandryshueshëm. Këto ekstreme propozojnë një rrëfim të ngadhënjimit vetjak, një rrëfim të mbushur me shënjues si “rritje” dhe “shërim” dhe “vetë-realizim” i cili kulmon në deklaratën e shprehur qartë ose gjithëpërfshirëse të shpirtit të së tërës, sikur humbja të ishte thjesht katalizator për vetë-përmirësim. Por ndërsa fuqia e humbjes vihet në dyshim ose mohohet, po ashtu edhe folësi ngjan të duket se është tërësisht i sajuar, jonjerëzor.

    Përvoja ime me vuajtjet e rënda, qoftë në jetë apo në punë, më ka treguar se gjatë periudhave të tilla s’bëj thuajse asgjë, por përpiqem të mbijetoj, me premisën se po mbijetova, së paku do të jem e pranishme nëse diçka ndryshon. S’kam asnjë ide për veten duke u përpjekur të ndikoj në këtë ndryshim. Po ashtu s’besoj se aftësia e veçantë e artistit për qëndresë është funksion i fuqisë restauruese të artit. Përvoja e artistit me veprën e vet ndërkëmben panikun me mirënjohjen. Ajo që është e përhershme, që mua më duket burimi i qëndresës (ose fuqisë) është aftësia për përfshirje të thellë, të orientuar. Një përfshirje e tillë bën një lloj largimi nga vetja; buron tek artisti nga një besim i thellë në rëndësinë e artit (megjithëse jo domosdoshmërisht tek arti i vet, por tek prania gjatë krijimit).

    Në kohë të ndryshme, artisti përherë nxirret nga ajo jetë me anë të përqendrimit; ai jeton për njëfarë kohe në një gjendje pezullie e cila është është kërkim, pushim që përbën gjithashtu një tension të mprehtë. Besimi dhe investimi në art, në ëndrrën e nyjëtimit, e projekton vazhdimisht në të ardhmen, në çastin hipotetik ku errësira gjithëpërfshirëse krijon kufijtë dhe formën e saj. Me mallin për të kaluarën, zëvendësohet terrori me urinë; ideali i restaurimit zëvendësohet me idealin e zbulimit. Drejt secilit qëllim, artisti, ashtu si analisti, forcon refuzimin e vetë-mashtrimit, i cili është më shumë veprim pragmatik, sesa pozitë morale pasi e vetmja përparësi e mundshme e vuajtjes është se  mund ta përballojë vështrimin në thellësi.

    Shkrimtari i madh i krimeve Ross Macdonald thotë se ai, “si shumë shkrimtarë”, “nuk mund të merrej drejtpërdrejt me përvojat ose ndjenjat e tij”. Për Macdonald-in, një tregimtar “duhej të ndërhynte, si plumbi mbrojtës, midis tij dhe materialit radioaktiv”. Për poetin, koha mjafton, pasi paraqet një perspektivë të ndryshuar. Por ato vepra arti zanafilla e të cilëve mund të gjendet drejtpërdrejt në ngjarje të veçanta – pavarësisht se sa kohë pas faktit të ndodhur krijohet – e përfshin artistin në një marrëdhënie të veçantë me këto ngjarje. Poezia është një hakmarrje ndaj humbjes, e cila është detyruar të marrë një formë të re, një gjë që s’kishte ekzistuar në botë më parë. Vetë humbja bëhet, atëherë, edhe mbledhje edhe zbritje: pa të, nuk do të kishte ekzistuar kjo poezi, ky roman, kjo vepër në gur. Dhe mund të ndodhë të kesh një ndjenjë të çuditshme të tradhtisë ndaj të kaluarës ndërsa absolutja e humbjes bëhet e paqartë, xhelati bëhet mirëbërës. Dyfishimi i tillë i ndërlikuar i funksionit nuk më duket diçka e restauruar. Dhe mjeti i transformimit, në çdo rast, është koha, të cilën nuk mund ta detyrosh apo ta bësh të nxitoj.


    Origjinaliteti amerikan

    Ne jemi të famshëm si kombi i të dënuarve të arratisur, djemë të rinj, pakicave të persekutuara dhe kërkuesve të mundësive. Kjo famë është vendase dhe racore: miti i Amerikës së bardhë për veten. Padyshim që s’përshkruan amerikanët vendas dhe afro-amerikanët, megjithëse ata teorikisht janë të lirë të jenë pjesë e nocioneve mitike të Amerikës për fuqinë dhe vetë-krijimin, por kjo kërkon veprime të qëndrueshme tradhtie ose mosbesnikërie ndaj origjinës prej së cilës ata duket s’kishin dëshirë të përbashkët të arratiseshin. Shtypja, për këto grupe, nuk përkufizoi të kaluarën, ajo e zëvendësoi të kaluarën, e cila u shndërrua në një magnet për mallin e pashuar.

    Miti shtjellon vetveten në imazhe dhe rrëfime të vetë-shpikjes, nxit, guxon dhe fiton vlerësimin për guximin dhe qëndrueshmërinë. Nëse anglezi e imagjinonte veten si trashëgimtar të një tradite të madhe, amerikani e imagjinonte veten si babai themelues. Ky ndryshim reflektohet në retorikën politike: fuqia agresive amerikane (zakonisht e quajtur mbrojtje) dhe aftësia për të përfituar (ndonjëherë e quajtur vetë-përmirësim) krahasuar, le të themi,  me gjuhën e thirrjeve publike që lidh Çërçillin me Henrin V, një gjuhë që sugjeron që në mënyrë që anglezi të ngadhënjej, ai duhet të shfaq vetëm virtytet e traditës së tij. Këto thirrje ishin veçanërisht të mrekullueshme në kohën e luftës, rastet kur klasat zakonisht të përjashtuara ftohen të bëhen pjesë e traditave të mbështetura në përjashtimin e tyre.

    Ashtu si shumica e miteve, edhe ky ka një farë baze. Pati shtegtime të tilla. Dhe zhvendosjet e popullatave emigruese ishin në thelb, shpëtim nga burgosja, izolimi, rreziku, ose përjashtimi dhe do ta kshin të vështirë të forconin durimin stoik mbi këtë nismë. Virtytet themelore të kësaj bote të re vareshin nga mohimi, prerja e lidhjeve, shpikja dhe pohimi. Por domosdoshmëritë e vetë-krijimit s’mund të pritet që ta lidhin shoqërinë si një e tërë në mënyrë po aq të efektshme sa ruajtja e një tradite të përbashkët. Më e mira që mund të thuhet është se këto domosdoshmëri mund të përbëjnë një ambicie të përbashkët ose praktikë të zakonshme; por në të vërtetë janë e kundërta e një të tëre të unifikuar. Dallimi individual shprehet si dallim nga e kaluara, nga kufijtë e njohur më parë të së mundshmes ashtu si dhe nga bashkëkohësit. Megjithatë, ngadhënjimi i vetë-krijimit kërkon pohim, provë. Ata predikojnë, të paktën me imagjinatë, një shoqëri ose audiencë aq koherente sa të njoh dhe të mbështesë të renë. Kjo “e reja” krijon një lloj ngjitësi, duke ngjitur bashkë (përkohësisht) pararendësit e ndryshëm në një rrjet ose sistem: një fantazi ose projeksion të vlerave të përbashkëta. Mënyra si ndodh kjo, dhe me çfarë kufizimesh, shpjegon cilësitë e veçanta të asaj që Amerikanët e quajnë origjinalitet, termi për të cilin kanë lëvdatat më të mëdha.

    Vepra origjinale, në letërsinë tonë, duhet të duket se po hap shtigje, për të krijuar dinasti. Kjo do të thotë, duhet të jetë e aftë të përsëritet. Ajo që e quajmë origjinale duhet të shërbejë si një model, të krijoj një lidhje koherente me të ardhmen dhe, njëkohësisht, edhe pse më pak thelbësore, të pohoj koherencën e së kaluarës së tejkaluar. Ajo nuk e refuzon edhe aq shumë traditën, sesa e projekton atë në të ardhmen, me vetveten si paraardhës. Origjinaliteti, gjurma e vetvetes së shpikur, varet nga krijimi i efekteve të përsëritshme. Ndërkohë, shumë nga ajo që është thellësisht origjinale, dhe nuk ka gjasa, për një larmi arsyesh, të shkaktojë një imitim të gjerë, anashkalohet, ose quhet një gjë më e vogël, unike – e vlefshme, pa dyshim, por një rrugë pa krye. Origjinali kërkohet me gjakim të zjarrtë, të gjitha parullat e shkëlqyera të lavdërimit janë gati ta mirëpresin. Por për ta mirëpritur brenda disa kufijve të caktuar, me risinë zyrtare të gati çdo lloji, e cila vlerësohet më shumë se mendja e stërholluar.

    Kjo s’do të thotë që dhuntitë e tjera nuk ngjallin admirim. Aftësia teknike e shkrimit vazhdon të duartrokitet, edhe pse kryesisht tek ata që kanë lindur diku tjetër. Një Seamus Heaney amerikan s’mendoj se do të pranohej dhe vlerësohej shumë shpejt dhe me zjarr. Po kështu Szymborska, arti i së cilës (në përkthim) duket një shembull i shkëlqyer i inteligjencës së paimitueshme. Diçka, qoftë dëshira e zjarrtë ataviste apo njohja e pashmangshme, i mban ata, dhe disa të tjerë, të sigurt këtu. Amerikanët nuk janë kaq mirë në këtë drejtim. Veçanërisht uniken, të paimitueshmen.

    Ana e errët e vetë-krijimit është ndjesia themelore dhe e qëndrueshme e mashtrimit. Një terror i ndërsjelltë i mangësisë brenda vetes mund të shpjegojë gatishmërinë e audiencës amerikane për ta shpërfillur, për ta quajtur art të madh atë që ajo nuk e kupton. Ndërsa poetët amerikanë pozicionohen gjithnjë e më shumë kundër logjikës dhe vëzhgimit, audienca amerikane (shpesh një audiencë  shkrimtarëve të tjerë) e pranon këtë me hidhërim.

    Nën moton e guximshme “unë krijova veten” të mitit amerikan, sot e keqja thotë: “Jam një gënjeshtër”. Dhe gënjeshtari dëshiron të shmanget, t’i shmanget gjykimit dhe censurës, për të mos u kapur. Arti letrar i kohës sonë pasqyron ankthin e shpikur të njeriut, po ashtu e pohon. Je mashtrues, kështu ngjan sikur thotë. Ti adje as nuk di të lexosh. Dhe për shkrimtarët, ky moskuptim kureshtar, duke qenë i parakohshëm, është i lidhur me pohimin, dhe në sipërfaqe ngjan nxitës, sikur “të kuptosh” do të thotë “të shterosh”.

    Liria e pafund dhe pa kufinj ka si kosto edhe një lloj paranoje: vetja që s’ndërtohet nga brenda, rritet si pemë, por më tepër sajohet ose improvizohet, lëviz para dhe prapa në të njëjtën kohë – ky un është kureshtar, i paqëndrueshëm, dhe i pasigurt. Kur imagjinata është e pamasë (si në rastin e gjeniut apo manisë), ndjenja bezdisëse e gënjeshtrës ndoshta tretet. Kur nuk është, pika e dobët mbrohet fort. Pjesë e kësaj mbrojtjeje është bindja se të gjithë të tjerët janë njësoj jo-autentik. Ose, përndryshe, për të përcaktuar autencitetin, të vërtetën e një momenti historik, i pakontrollueshëm. Zëri individual, i pazëvendësueshëm njerëzor është dy herë në pozitë të pafavorshme. Ai nuk mundet, si shpikje apo truk fromal, të imitohet, të përjetësohet. Së dyti, për aq sa shpërfaq pamëshirshëm një vee, një qenie njerëzore që s’është e ndërtuar apo e sajuar intelektualisht, reaguese ndaj një bote të rrezikshme si e njëjta ku banon, ajo në mënyrë të nënkuptuar qorton strategjitë dhe qëndrimet e paracaktuara të shpikjes.

    Thelbësore tek miti i Amerikës për veten është imazhi i një bote më të mirë, një përkthim i vizionit teologjik në diçka pragmatike dhe tokësore. Kjo ide nuk është unike për demokracinë amerikane, dhe dështimi, ose së paku naiviteti i përsëritjeve të saj të shumta s’e ka bërë të detyrueshëm rishikimin e premisës themelore. Në periudhën tonë, këto përpjekje të ndryshme për një botë më të mirë bëjnë shumë premtime për individin, jeta e të cilit do të çlirohet nga shtypja. Ideja e pavarësisë individuale – mundësia që çdokush mund të bëhet i shquar, të arrij të ketë pasuri ose lavdi – kjo ëndërr e dallimit individual është bërë një atribut përcaktues i demokracisë. Ndonjëherë ngjan se ndërsa demokracia ka më shumë të meta, ky premtim i një uni të paparë, bëhet më pasionant, më i nevojshëm.

    Por njeriu i bërë vetë, si çdo figurë pushteti, varet nga pranimi i gjerë, bashkëmoshatarët duhet të pranojnë arritjet e tij. Në një epokë në të cilën e ardhmja ngjan me një teori shpresëdhënëse më shumë sesa me një fakt të caktuar, në të tashmen kjo bëhet edhe më e vërtetë. Cilësitë që vazhdojmë të vlerësojmë, çasti dhe masa e përhapjes, duhet të shfaqen menjëherë. Hiperbola kritike e konfirmon këtë trysni, nuk e krijon. Kultura dhe epoka jonë kombinohen për të mbështetur arketipin amerikan: artisti duhet të duket si një renegat dhe në të njëjtën kohë të prodhojë, qoftë aksidentalisht apo duke projektuar, një produkt estetik, një shumësi gjestesh të perceptuara menjëherë si të reja dhe gjithashtu të afta për t’u përsëritur.

    Kostoja e kësaj trysnie ka qenë e pamasë, për të shpërfillurit (tek të cilët ajo nxit një pavarësi të cënuar që lehtësisht kthehet në ngurtësi të përhershme) dhe për të admiruarit, si Lowell në të kaluarën e afërt, të aftë për të kuptuar zbulimet e tyre reale të dobësuara nga imitimet e menjëhershme dhe shpesh dredharake. Të dallosh origjinalin nga kopja bëhet gjithnjë e më e vështirë.

    Dalëngadalë, përmes këtij procesi, artisti i ri dhe i guximshëm del të ketë kufizime. Ashtu si bota e re nuk arrin të ruaj veten, dhe bota e njohur e rikonfiguron veten përmes një larmie ndryshimesh kulturore dhe historike. Asnjë nga këto s’ka ndonjë ndikim në fuqinë e mitit. Mendoj se e kundërta është e vërtetë. Ashtu si të gjitha mitet e të mundshmes, fantazia dëmshpërblyese se mund të krijohet një un i ri që mbijeton për shkak të dështimeve të saj, për artistët, ngaqë kjo fantazi i drejtohen imagjinatës, është shumë e qëndrueshme dhe e dobishme. Ajo ushqen shpresën, fakti se ka dështuar në të kaluarën i lë hapësirë vetes dhe gjeniales tek krijuesi.

    Marrë nga përmbledhja me ese: Origjinaliteti amerikan: ese mbi poezinë,
    Farrar, Straus dhe Giroux, 2017.

    Përktheu Granit Zela

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË