More
    KreuOpinionRexhep Ferri: Rrëfimi i fatit të keq

    Rexhep Ferri: Rrëfimi i fatit të keq

    1.

    Jeta është fat dhe tragjedi, me sfida e ngjarje të njohura dhe të panjohura.

    Me dashuri.

    Në anën tjetër, me mashtrime.

    Për këtë faqe të historisë së anatomisë, për moralin e kam edhe një pyetje:

    Përveç premtimit edhe diçka tjetër.

    Jashtë kontrollit kthehemi rrotull e rrotull të shohim se çka kemi humbur.

    S’është e thënë se mashtrimet janë për ta gjetur veten.

    Ku jemi?

    Pse të shqetësohemi?

    Mund të mendojmë gjithçka.

    Dhe, të ardhmen ta shohim ëndrra.

    Pushojmë pak.

    Ku të ndalemi?

    Ku të shkojmë?

    Jemi në kohën e pamjeve ku çdokush mundohet të përfitojë diçka, me grabitje e kënaqësi të frikshme.

    Ndonjëherë mendojmë se kështu ka qenë gjithmonë.

    Për historinë e pashkruar në botë, ka shumë vetmi.


    2.

    Po thonë, me matematikë çdokush e gjen veten.

    Shohin gjëra që nuk i kemi parë.

    Njerëzit flasin.

    Ashtu si jemi, një pëllëmbë më thellë hyjmë në ëndrrat e njëri tjetrit.

    Për të gjetur diçka të fshehur.

    Gjithmonë ka qenë gjithmonë.

    Nuk duhet të jemi kot.

    Kush kërkon, shkon për t’u rrëfyer.

    Më larg se e kaluara.

    Deri në një pikë që na e kthen kokën mbrapa.

    Me shejtanin nëpër dynja.

    Para e mbrapa.

    Majtas e djathtas.

    Të gëzuar e të trishtuar.

    Si mund ta gjej një mik?

    T’i them mirëdita vetes.

    Kriza moderne, si duket, nuk po na sheh si po na mban kjo tokë.

    As kohën kurrkush nuk po e kupton.

    Kënd ta pyes, ku po shkojmë.

    Nuk ka kthim prapa.

    Njeriu, duke thënë jo i lanë mëkatet.

    Për botën e kësaj bote.

    Ka diçka që nuk shkon.

    Pse të shqetësohemi?

    Asgjë s’mund ta themi drejtpërdrejt.

    Njeriu ka mbetur vetëm.

    Për botën e kësaj bote ka diçka që nuk shkon.

    Ç’do të thotë kjo?

    Për ta parë veten në pasqyrë, në emër të Zotit.

    Në Pesë rrugët e Zotit.

    Hëna si hëna e njeriu si njeriu për një lojë të hesapeve të veta, tregtari i flamujve tri herë e vret dashurinë.

    Është vështirë për ta kuptuar.

    Dëshira është botë e fshehur.

    Shpejtësia e dritës nuk ka më rregulla.

    Nëpër terr mos e mendoni veten qendër të botës.

    Patriotizmi i rrejshëm po bëhet profesion.

    Keqpërdorimi nuk bëhet hesap.

    -Kush je ti nën maskë? – hijen e zgjatur e pyeta.

    -A s’po e sheh se çfarë patrioti jam?!

    -Hapi sytë mirë.

    -Hajt histori, hajt, deri ku, as ti s’e din.

    Njerëzit me dy fytyra,, tri palë letra i kanë në xhep.

    Për ta shkatërruar edhe planetin, kanë folur edhe dje.

    Historia qeshi.

    At Gjergj Fishta, nga kodra në kodër tha:

    “O kaçel kape lahutën… nuk mbajmë zi pa dalë fare!”


    3.

    Çfarë jete e maskuar po na pret.

    Nuk mund të ikim nga kjo çmenduri.

    Kurrë nuk kemi qenë më të pasur.

    Kemi përvetësuar shumë natyra dhe kemi zbritur deri te dilemat: çka është bukuria e jetës?

    Maskat filluan të qeshin.

    Mos më ik larg.

    Ta lëmë anash hapin e ngjyrës që kalon në ngjyrën e tjetër.

    Njeriu çfarë vlere ka.

    Koha është diçka tjetër.

    Edhe loja e të gjitha lojërave diçka tjetër.

    Premtimi, premtimi.

    Fjala, fjalë.

    Nuk ndryshon.

    Mund ta vrasim.

    Jam në hënë.

    Një studente  që e kishte në dorë një letër krejtësisht të bardhë në dorë më pyeti:

    -Profesor, shikoje vizatimin tim.

    Unë për ta shpëtuar të bukurën heshta.

    Ajo me hapin e sorkadhes vjen më afër dhe thotë:

    “Pak gjëra dua për jetën. Me qenë yll. Me ra prej qiellit. Me t’u plotësuar një dëshirë”.

    Për të njohur dimensionin e jetës, kuptimin e të kuptuarit nëpër ndryshime, për rregullat e jetës si realitet.

    Përgjigjen që nuk e kuptoj e lash pak më larg.

    Diçka tragjike derdhet në det.


    4.

    Mendoja se kush jam.

    Për asgjë nuk kam përgjigje.

    Për dy mijë vjet të shkuara, gjithsesi të pakuptueshme.

    Tani po shihemi më mirë se kush është njeriu.

    Edhe pse shijet po ndryshojnë.

    Historinë e pa shkruar e kemi.

    Pa kërkesa.

    Pa fyerje.

    Në emër të tokës.

    Në emër të kohës.

    Çfarë do të bëjmë vetëm?

    Kujt t’i kërkojmë falje?

    Zotit apo Njeriut.

    Për shenjtërimin, më falni.

    Shekulli në të cilin po jetojmë, është shekulli i shumë gjurmëve, kërkesave, mashtrimeve, vrasjeve.

    I vrasjeve për të cilat s’ka dëshmitarë.

    Historikisht varrezat humbin.

    Jetë është një shfaqje teatri.


    5.

    Për të shpëtuar nga numri magjik, ende nuk e dimë se kush jemi.

    Qëllimi është për një jetë tjetër.

    Me helmin e gjarprit puthemi.

    Mos qani!

    Mos qeshni!

    Mos besoni!

    Me një bekim në heshtje.

    Kur nuk ndodh asgjë.

    Bukuria është një mallkim.

    Me një dritë jetëshkurtër.

    Kur i humbim mundësitë.

    Për nesër, kur bëhet vonë, marrim një mbidozë.

    Kemi diçka që duam.

    Mund të flasim për rrezikun.

    Kontrollojeni trurin.

    Takohemi.

    Si duket, s’e ka fajin truri.

    Çka është historia?

    Si të ishte e dikujt tjetër.

    Gjarpri i shërimit e di ku shkojmë.

    Si marrim frymë.

    Jo ashtu, po kështu.

    Me do sadriazema që nuk e dinë se çka është liria.

    Tani ajo shihet nga larg dhe nga afër.


    6.

    Kërkesat e kohës së tashme s’kanë se ku të shkojnë më larg.

    Trimat kanë vdekur.

    Mund ta kuptoni.

    Jeta vlen për çdo gjë.

    Kur nuk ka pyetje: kush jemi dhe ku po shkojmë…

    Nëpër shkretëtirë e kuptojmë frikën.

    Për më shumë nuk di.

    Kurrkush nuk e ka mbyllur këtë histori.

    Për ideologji dhe interesa personale, po na vjen një ditë që kërkon të bëjmë diçka.

    Për një qetësi të thellë, mbylli sytë dhe prit.

    Duhet të zbresim nga qielli.

    Për Rrëfimin e Fatit të Keq deri në fund më ke.

    Nuk ka dritë.

    Nuk më sheh as hëna.

    Dua të mendoj se kush jam.

    Kam frikë edhe kur nuk kam frikë.

    Si gjithmonë jemi në kohën e tregtarëve të flamujve.

    Thonë se janë patriota, besa Zotit janë tregtarë flamujsh…


    7.

    Në kërkim të vetvetes më vjen edhe të rrezikoj.

    Le të shkojë si të shkojë.

    Kemi arritur deri aty ku nuk e dimë se kush jemi e pse jemi.

    Të keqen na e solli era.

    Ta shohim si po shkon jeta.

    Pritni pak.

    Po vërehet se po na mungon besimi.

    Kjo vlen për të gjithë.

    Jeta është jetë, pak më shumë se fjalë.

    Çaush Çaushi me dy alltia në brez shkoi te Gomari i Artë për ta pyetur si bëhet lufta.

    Si jetohet pas luftës?

    Kur jeta bëhet e pakuptueshme.

    Nuk kemi më me çka të krahasohemi.

    Në çdo kohë për anën e errët të Hënës, ndoshta është e njëjta histori.

    Pse jemi kaq të paqëndrueshëm.

    Para pasqyrës, në shekullin tonë, për kombin e shtetin flitet në Pazar.

    Drama është për zjarrin.

    Ikni larg!

    Historia e shkruar është e pa shkruar.

    Mos e dëgjoni as mikun e as armikun.

    Tani është koha ta shohim se kush jemi.

    Për kohën e ardhshme shihemi më vonë.

    Kam parë gjithçka.

    Ta kisha një besim të pagabuar, nuk do të kisha nevojë për orientim.

    Çka mund të themi tjetër?

    Prekeni Tokën.

    Do të më kuptoni…

    Shtator, 2020

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË