Dy vjet më parë Presidenti Eisenhower konceptoi një plan të mbështetur në një ide e cila në thelb është e mirë. Ideja ishte se rrethanat botërore, dilemat universale të njerëzimit në këtë kohë, janë ato që janë, thjesht dhe vetëm sepse burra dhe gra, individë të racave, gjuhëve dhe kushteve të ndryshme shoqërore s’mund t’i diskutojnë me njëri-tjetrin këto probleme dhe dilema që janë më së shumti të tyre, por duhet të përpiqen të bëjnë vetëm përmes organizatave zyrtare të qeverive të tyre kundërshtare dhe siç duket të papajtueshme.
Kjo do të thotë, që individëve në të gjitha sferat e jetës duhet t’u jepet mundësia të flasin me individët në kampin e kundërt kudo në tokë – punëtori me punëtorin, shkencëtari me shkencëtarin, mjekët, avokatët, tregtarët, bankierët dhe artistët me kolegët e tyre që kanë pikëpamje të kundërta, kudo.
Agjë të gabuar s’ka tek kjo ide. Padyshim që asnjë artist – piktor, muzikant, skulptor, arkitekt, shkrimtar – s’do ta kundërshtonte sepse kjo – përpjekja e njeriut për të komunikuar me njeriun pavarësisht nga raca, ngjyra ose gjendja shoqërore – është pikërisht ajo që çdo artist është rrekur ta bëjë tashmë gjatë gjithë jetës, dhe do të vazhdojë ta bëjë derisa të marrë frymë.
Ajo çfarë e ka penguar këtë shenjohet nga frazeologjia e konceptit të vetë Presidentit: punëtor me punëtor, artist me artist, bankier me bankier, manjat me manjat. Çfarë e ka penguar këtë për mendimin tim ishte një e keqe e qenësishme tek vetë kultura jonë; një cilësi e keqe e qenësishme (dhe mbase e domosdoshme edhe pse s’e besoj këtë të fundit) në kulturën e çdo vendi të aftë të durojë dhe mbijetojë gjatë kësaj periudhe të historisë. Ky është besimi mistik, gati fetar, që njeriu si individ s’mund të flasë me njeriun tjetër si individ, sepse individi s’mund të ekzistojë më. Një besim se s’ka më një vend ku individi mund t’i flasë me qetësi inditvidit tjetër për gjëra të tilla të thjeshta si ndershmëria me veten dhe përgjegjësia ndaj të tjerëve, mbrojtja e të dobtëve, dhembshuria dhe keqardhja për të gjithë, sepse gjëra të tilla individuale si ndershmëria, keqardhja, përgjegjësia dhe dhembshuria s’ekzistojnë më dhe vetë njeriu mund të shpresojë të vazhdojë vetëm po hoqi dorë dhe mohoi individualitetin duke u bërë pjesë e një grupi të veçuar në mënyrë arbitrare, dhe të organizuar si regjim, i cili pozicionohet kundër një grupi tjetër të veçuar në mënyrë arbitrare, i organizuar si regjim, të dy duke mbushur të njëjtën atmosferë dhe në të njëjtën kohë me abstragime të dykuptimshme si “demokraci e popujve”, “të drejtat e pakicave”, “drejtësi e barabartë” dhe “mirëqenie sociale” – të gjitha sinonimet që heqin turpin nga papërgjegjësia duke mos ftuar por madje duke i detyruar të gjithë të bëhen pjesë e saj.
Pra, në këtë rast – dua të them se ashtu si popullit – edhe artistit, i cili tashmë e ka kaluar jetën duke u përpjekur t’u kumtoj për njeriun – problemet dhe pasionet e zemrës njerëzore, si të mbijetojmë ose gjithsesi t’i durojmë ato, i është kërkuar nga Presidenti i vendit për të pohuar atë mitologji të cilës ia ka kushtuar tashmë jetën duke e mohuar: mitologjia se një njeri i vetëm s’është asgjë, dhe mund të ketë peshë dhe thelb vetëm kur organizohet brenda anonimatit të një grupi ku ai ia dorëzon shpirtin e tij individual duke u kthyer në numër.
Do të ishte vërtetë e trishtueshme nëse vetëm në momente të tilla si kjo – dua të them, pranimi zyrtar nga vendi të cilit i përket i vlerës së përkushtimit jetësor të artistit – artistit t’i duhej të kalonte me të gjitha energjitë e tij në atë që mund të quhet gati një vullnet universal për organizim ushtarak, një vullnet universal për të zhdukur njerëzoren nga njeriu edhe në masën e çlirimit të tij jo vetëm nga përgjegjësia morale, por edhe nga dhimbja fizike dhe vdekshmëria duke e shndërruar atë individualisht në çdokënd tjetër, s’ka rëndësi në cilin, për sa kohë që është zhdukur si pjesë e njërit prej tyre,duke u bërë pjesë e një grupi të njohur kombëtar ekonomik nga profesioni, tregtia ose profesioni ose në niveli të tatimit mbi të ardhurat ose, nëse s’ofron asgjë tjetër, duke u kthyer në numër në një listë të ndërmarrjeve financiare. Tragjedia e tij është se sot ai duhet ta luftojë këtë trysni, të humb një pjesë të vetes, dhe nëse është artist, i duhet një forcë e shumë e madhe individuale kundër këtij vullneti universal për ta fshirë humanitetin e tij individual, që të jetë artist. Dhe kjo na shpie më në fund tek ideja që dua të sugjeroj, e cila më duket se është një dilemë që e kanë të gjithë shkrimtarët e rinj sot.
Mendoj se ndoshta të gjithë shkrimtarët, ndërsa janë “të nxehtë”, duke punuar me shpejtësinë më të madhe pasi ndiejnë nevojën e jashtëzakonshme për të thënë diçka, s’i lexojnë shkrimtarët më të rinj, ata që shkruajnë më pas, ndoshta për të njëjtën arsye që vrapuesi i garave të shpejta apo të gjata s’ka kohë të interesohet se kush është pas tij apo edhe edhe ngjitur me të, por vetëm të shoh kë ka përpara. Kjo ishte e vërtetë në rastin tim të paktën, kështu që kishte një zbrazëti prej rreth njëzet e pesë vjetësh gjatë së cilës s’kisha pothuajse asnjë njohuri për letërsinë bashkëkohore.
Kështu, kur pak kohë më parë fillova të lexoja letërsinë që shkruhet tani, e bëra jo vetëm me mosdije, por edhe një lloj pafajësie, freskie, atë që mund ta quani pikëpamje dhe interes të dëlirë, pa paramendime. Sidoqoftë, përshtypja që mora nga historia e parë që lexova më është përsëritur kaq shpesh qysh atëherë, sa do ta paraqes si përgjithësim.
Kjo do të thotë se shkrimtari i ri i sotëm, për shkak të gjendjes së tashme të kulturës sonë të cilën u përpoqa ta përshkruaj, është i detyruar të punojë në një lloj zbrazëtie të racës njerëzore. Personazhet e tij nuk jetojnë, marrin frymë, luftojnë, në atë sprovë dhe zemëratë të humanitetit të thjeshtë, si të paraardhësve që ishin mjeshtrat nga të cilët mësuam zanatin tonë: Dickens, Fielding, Thackeray, Conrad, Twain, Smollett, Hawthorne, Melville, James; ata kanë legjione personazhesh që jo vetëm u mëkuan, por edhe u rritën në gjirin e sprovës dhe zemëratës së qenieve të thjeshta njerëzore, ekzistenca e të cilëve ishte pohim i një optimizmi të pashërueshëm dhe të paepur – të burrave dhe grave si ata vetë, të kuptueshëm dhe të rrokshëm edhe kur ishin antipatik, madje edhe në çastin kur ata po vrisnin, plaçkitnin ose po tradhtonin, pasi kishin të njëjtat epshe të thjeshta njerëzore, shpresë dhe frikë të pandërlikuar nga organizimi shoqëror si regjiment ushtarak apo detyrimi i grupit – sprovë dhe zemëratë e njerëzores prej të cilës mund të gjenin shtegdalje jo vetëm të pafrikësuar por edhe me kënaqësi dhe pa kërcënimin e të lënduarit pasi më e keqja që mund t’u ndodhte do të ishte një kokë e përplasur me një tjetër kokë njeriu, një bërryl ose një gju që të lëndon por sidoqoftë ishte gju ose bërryl tjetër njeriu që e bënte këtë – sprovë dhe zemëratë e njerëzimit që pranoi dhe besoi dhe funksionoi, jo sipas pikëpamjeve, por sipas parimeve morale; ku e vërteta nuk ishte aty ku ti po qëndroje, nga po e shihje, por ishte një cilësi ose diçka e pandryshueshme që mund dhe të rrëzonte përtokë nëse s’e pranoje ose të paktën ta respektoje.
Ndërsa sot personazhet e shkrimtarit të ri janë të detyruar të mos funksionojnë me individualitet, por në izolim, s’ndjekin shoqërine e pafund të anktheve dhe shpresave të të gjitha zemrave njerëzore në botë të mbrujtura me disa të vërteta të thjeshta, të kuptueshme dhe parime morale, por ekzistojnë vetëm brenda një zbrazëtie faktesh të cilat ai s’i zgjodhi dhe s’mund t’i përballojë dhe prej të cilave s’mund të arratiset njësoj si insekti brenda një kupe të përmbysur.
Më lejoni ta përsëris: s’i kam lexuar të gjitha veprat që brezi i sotëm ka shkruar; ende s’ kam pasur kohë. Kështu që duhet të flas vetëm për ato vepra që i njoh. Tani po mendoj për atë që vlerësoj më të mirin: Rojë në thekërishten buzë greminës, mbase sepse ky roman shpreh plotësisht atë që po rrekem të them: një i ri, ati i asaj që do, duhet që një ditë të jetë burrë, më inteligjent se disa dhe më i ndjeshëm se shumica, (ai as s’do ta quante instiktivisht sepse s’e e dinte që e zotëronte) një burrë i cili ngaqë Zoti mbase e kishte vendosur atje, e donte burrin dhe dëshironte të ishte pjesë e njerëzimit, një burrë i cili u përpoq t’i bashkohej racës njerëzore dhe dështoi. Për mua, tragjedia e tij është jo se ishte, siç mbase mendonte, jo i fortë ose trim sa duhej apo se s’e meritonte të pranohej si pjesë e humanitetit. Tragjedia e tij ishte se kur u përpoq të hynte në racën njerëzore, s’kishte asnjë racë njerëzore atje. S’kishte asgjë për të përveç gumëzhimës shurdhuese dhe të pandryshueshme brenda mureve prej qelqi të kupës së tij derisa të hiqte dorë ose të shkatërrohej vetë nga gumëzhitja shurdhuese, shkatërruese brenda tij. Sigurisht, mendja të shkon menjëherë tek Huck Finn, një tjetër i ri tashmë baba i asaj që një ditë së shpejti do të bëhet burrë. Por në rastin e Huck-ut gjithçka ndaj së cilës ai duhej të luftonte ishte përmasa e tij e vogël, të cilën koha do t’ia gjente ilaçin; me kalimin e kohës do të rritet si çdo njeri me të cilin duhej të përballej; dhe madje ashtu siç ishte, gjithçka që bota e të rriturve mund të bënte për ta dëmtuar atë ishte t’ia tërhiqte pak hundën; humaniteti, raca njerëzore, po e pranonte tashmë dhe do ta pranonte; gjithçka që duhej të bënte ishte vetëm të rritej në të.
Kjo është dilema e shkrimtarit të ri siç e shoh unë. Jo vetëm e tij, por të gjitha problemet tona, janë për të shpëtuar njerëzimin që të mos çshpirtërohet ashtu si tredhet hamshori, derri i egër apo demi; për ta shpëtuar individin nga anonimati para se të jetë tepër vonë dhe njerëzorja të jetë zhdukur nga kafsha e quajtur njeri. E kush mund ta shpëtojë njerëzoren e njeriut më mirë sesa shkrimtari, poeti, artisti, pasi kush më shumë duhet t’i frikësohet humbjes së tij sepse njerëzorja e njeriut është lëngu i jetës së artistit.
Fjalim i mbajtur në Universitetin e Virxhinias, 1958
Përktheu: Granit Zela