Përkthyesi është shkrimtar. Shkrimtari është përkthyes. Sa herë i kam hasur këto pohime? – në një bisedë midis përkthyesve që po protestonin sepse nuk u ishin shënuar emrat në treguesin e e autorëve të një botuesi; ose në veprën e teoricienëve të letërsisë, madje edhe të poetëve (“Secili tekst është unik, por në të njëjtën kohë është përkthimi i një teksti tjetër”, – vërejti Octavio Paz). Të tjerë pretendojnë se për shkak se gjuha është referuese, çdo tekst i shkruar është një përkthim i botës të cilës i referohet.
Gjatë muajve të fundit, ditën time të punës e kam ndarë midis shkrimit në mëngjes dhe përkthimit pasdite. Ndoshta krahasimi i dy veprimtarive do të ishte një mënyrë e mirë për ta testuar ekuacionin shkrimtar-përkthyes.
Po shkruaj një roman. Filloi të paraqitej si mundësi shkrimi ndoshta një vit para se të filloja ta shkruaja. Dy ide të paqarta që ishin përplasur mes tyre për njëfarë kohë u bashkuan dhe morën një formë të vogël. Njëra: një burrë i moshuar, dikur i shquar në qarqet kulturore, ka ndërprerë çdo kontakt me kolegët dhe ka reshtur së ndjekuri lajmet ose mediat në çfarëdo lloj forme; jeton si një lloj vetmitari urban, vëzhgues i mprehtë, por, si të thuash, i painformuar. E dyta: dikujt i vjen, krejt papandehur, ftesa për të marrë pjesë në varrim, në një vend të huaj, pas vdekjes së një kolegu, shoku dhe rivali jashtëzakonisht të shquar të shumë viteve më parë.
Bërja e vetmitarit tim të plakur marrës të asaj ftese dukej interesante, por e pamjaftueshme. Diçka për t’u nisur për diku. Pastaj, ca kohë në bllokimin e plotë nga Covid-19, më erdhi në mendje: Po sikur funerali të përkonte me një krizë në vendin e huaj për të cilin heroi ynë i moshuar, duke shmangur me përpikëri të gjitha lajmet, s’dinte asgjë? Kjo dukej nxitëse. E ndieva se kishte një përvojë që duhej të çlirohej dhe të bëhej ca argëtuese – dhe vendosa ta provoj ta hedh në letër.
Ndërkohë, po përkthej nga italishtja një vepër të Roberto Calasso-s të quajtur Il libro di tutti i libri (Libri i të gjithë librave). Ky projekt filloi ndryshe. Pati një telefonatë që më kërkonte të merrja përsipër punën. Kishte një periudhë reflektimi, pasi është 473 faqe e gjatë dhe proza e Calasso-s s’është e lehtë. Kisha përkthyer libra nga ai vite më parë dhe nuk ishte e lehtë.
A kisha energji? A dëshiroja vërtet ta shfrytëzoja kohën time në këtë mënyrë? Lexova diku tek njëqind faqet e para; meqenëse libri përfshin një ritregim interesant të Dhjatës së Vjetër dhe meqenëse isha rritur në një familje tepër fetare ku Bibla lexohej në mëngjes, mesditë dhe mbrëmje, dukej diçka që mund të harmonizohej në mënyrë të frytshme me të kaluarën dhe burimet e mia. Pas kësaj, pati një negociatë të gjatë mbi kushtet, derisa më në fund u nënshkrua kontrata. Tani e di saktësisht se sa tekst duhet të përkthej çdo javë për të përmbushur afatin tim, dhe sa para do të paguhem dhe kur. Kjo të qetëson.
Nuk kam kontratë për romanin. S’ka afat. S’ka siguri që do ta përfundoj ose se do të botohet. S’e kam idenë sa do të paguhem nëse botohet. S’e kam të qartë se çfarë do të përfshihet në të, ose sa do të zgjasë. Gjithçka është eksplorim, rrezik. Gjë që është emocionuese, por jo qetësuese. Ka ditë kur ke frikë se do të lënë nervat.
Nëse s’e shkruaj këtë roman, askush tjetër s’do ta shkruajë. Askush s’do ta dijë se çfarë s’është shkruar. Nëse s’e përkthej Calasso-n, shpejt, dikush tjetër do të më zëvendësojë. Kur përkthej, ulem në një tryezë të madhe matanë bashkëpunëtorit tim italian, i cili po punon gjithashtu me një përkthim. Punojmë në kompjuterët tanë, herë pas here duke i bërë njëri-tjetrit pyetje në lidhje me fjalët në gjuhët tona përkatëse, duke bërë një kafe ose një çaj, duke shkëmbyer ndonjë shaka. Është miqësi e këndshme që na ndihmon të mbushim orët. Por për të shkruar, tërhiqem në dhomën tonë të lirë, larg telefonit ose internetit dhe shkruaj me dorë në një libër ushtrimesh. Kjo krijon një atmosferë të nevojës së heshtur. Ekziston mundësia e përhumbjes së plotë, e cila mund të më bëjë të shkruaj shumë shpejt, por edhe e zbrazëtisë dhe zhgënjimit, kur asgjë nuk ecën. Ka edhe mërzi.
Edhe Calasso shkruan me dorë, me një kaligrafi gati të padeshifrueshme. Kapitull pas kapitulli, ai komenton përkthimin tim, me shkrim dore, në cepat e faqeve të shtypura që sekretari i tij m’i dërgon në formatin PDF. Bën përmirësime të mira; Calasso e njeh mirë anglishten, mund të dallojë një gabim semantik nga një çështje e stilit, dhe shënimet e tij, kur kam arritur t’i zbërthej, më ndihmojnë me punën që kam përpara. Ka çështje që lidhen me referimet biblike por edhe me tonin dhe regjistrin, meqenëse Calasso ka një zë të fortë, të veçantë dhe mua më duhet të gjej versionin tim në anglisht: te tingëlloj intelektual pa qenë pompoz, me modelime të ligjërimit por pa qenë ligjërim bisedor. Më duhet të gjej një mënyrë për të përdorur një fjalor të stërholluar në një mënyrë miqësore për lexuesit. Me përjashtime të rastit, ai bie dakord me zgjedhjet e mia stilistike, unë pajtohem me të për të gjitha çështjet semantike.
Askush s’do ta shohë romanin tim kapitull pas kapitulli. Mund t’u dërgoj disa fragmente miqve, siç bëj kur shkruaj letërsi artistike. Por mendoj se do të ishte gabim. S’dua të kem të dhëna apo reagime. Vetëm unë e di potencialin që pashë në ato ide të para. Duhet ta kthej vetë në faqe të shkruara.
Duke folur për referimet, Calasso ka përcaktuar se cilin përkthim anglisht të Biblës duhet të përdor për emrat e përveçëm dhe emrat e vendeve. Atë tekst e kam të hapur në kompjuterin tim, së bashku me një fjalor dygjuhësh, një fjalor njëgjuhësh italian dhe një fjalor anglisht. Pranë meje është një pirg prej ndoshta treqind faqesh të fotokopjuara me tekste nga të cilat citon Calasso. Kam gjithçka që më duhet.
Për romanin tim, herë pas here kërkoj në Internet imazhe të dekorit të një hoteli luksoz, të themi, shfletoj duke kërkuar disa detaje që mund të përdor, pa pasur idenë më të vogël se çfarë mund të jetë kjo. Atëherë a është vërtet e mundur, pyes veten një mëngjes, të kem një fluturim nga ky aeroport në atë tjetrin, kaq vonë në mbrëmje? Google thotë “jo”. Por a ka rëndësi? Ky është roman, apo jo? Mendohem dhe shkruaj. Humbas shumë kohë.
Asnjë s’humbet duke përkthyer. Në fillim, hap origjinalin e Calasso-s në PDF. Kopjoj dhe ngjit dy paragrafë, pastaj filloj të kompozoj versionin tim anglisht menjëherë mbi italishten e tij, duke lëvizur para dhe prapa midis të gjitha teksteve të mia të ndryshme të referimeve dhe duke fshirë fjalitë e tij ndërsa i zëvendësoj me të miat. Është punë e përpiktë, e cila teston deri në cakun më të fundit italishten dhe anglishten time. Duhet të ruaj shprehësinë dhe freskinë e zërit rrëfimtar, pavarësisht se kontrolloj vazhdimisht drejtshkrimin e emrave të tillë si Ahijah Shiloniti, ose Rabbah bar Abuha, ose Mbreti Manasseh dhe i nipi Josiah. Dhe duhet ta jap saktë ngjyrimin. Kjo është qasja e Calasso-s ndaj Biblës, jo e imja. Ai ka menduar shumë për të dhe ka pasur reflektime të sakta dhe sfiduese. “Le të shmangim fjalën “opinion”, – komenton ai në cepin e faqes së kapitullit që i dërgova. Ka të drejtë: faraonët s’kanë opinione.
Dhe s’kam energji për më shumë se disa orë punë të kësaj natyre. Është si të japësh gjak. Nga ana tjetër, gjithmonë mund të bëj përkthim për dy orë; në fakt, duhet t’i bëj për të përmbushur afatin. Data e botimit është caktuar; një mekanizëm editorial pret të nisë punën.
Duke shkruar romanin tim, ndonjëherë heq dorë pas gjysmë ore. S’po shkon askund; është shumë mllefosëse. Ose pres tre, katër, pesë orë, derisa të vijë bashkëpunëtori im dhe ta pyes ndërsa po bëj plane për vaktin e ngrënies. S’e kisha kuptuar si kishte fluturuar koha.
Shpesh, idetë më të rëndësishme për romanin vijnë vetëm pasi kam reshtur së shkruari – qoftë në dëshpërim, ose sepse më thërrasin detyrimet e realitetit, mbase duke mbajtur radhën në supermarket, ose duke e nxjerrë makinën nga garazhi – Po sikur kolegu në varrimin e të cilit po shkon ai, të ketë qenë i dashuri i ish-gruas? Ose dyshohet gabimisht si i tillë? A është kjo rruga që duhet të ndjek? A është një roman për rivalitetin?
Kur ndaloj së përkthyeri, thjesht ndaloj. Punë e kryer. Por përkthimi mund ta furnizojë me ide romanin. Calasso thekson se Abrahami dhe Moisiu nuk e filluan karrierën e tyre patriarkale derisa të ishin përkatësisht shtatëdhjetë e pesë dhe tetëdhjetë vjeç. Para kësaj, dimë shumë pak për ta. Heroi im është në të shtatëdhjetat. A mundet që faza kryesore e jetës së tij po fillon tani?
Asnjë ide e romanit tim nuk ndikon tek përkthimi.
Shkruaj në mëngjes sepse orët e para pas mëngjesit ofrojnë një ndjenjë të potencialit dhe hapjes. Dita është gati për të bërë çfarë të mundesh. Çdo gjë mund të ndodhë. Mendja ime s’është e ngarkuar nga leximi i postës elektronike, me telefonata dhe gjëra të tilla. Faqja para meje është e zbrazët, rruga përpara iluzore dhe është shumë e lehtë të shpërqendrohesh nga diçka konkrete: një letër që duhet shkruar apo një formular që duhet plotësuar, disa aktivitete që të krijojnë ndjesinë e lehtë të zotërimit dhe arritjes. Më duhen këto orë pa ngarkesë.
Përkthimi, sado sfidues, s’është kaq i pasigurt. Në të vërtetë, përkthimi është pikërisht lloji i problemit konkret që e rrok lehtë mendjen time. Ky aliteracion këtu, ai cilësor atje. Ndërsa lexoj paragrafin që sapo kam përkthyer, vetëvlerësimi shtohet. Calasso është rrëfimtar i shkëlqyer, idetë dhe vëzhgimet e tij janë kaq të mprehta. Kur ke arritur në gjysmë të rrugës dhe ke berë një përkthim të denjë ti ndjen se bërë diçka të shkëlqyer. E ke bërë, për më tepër, ke lënë pas krahëve errësirën dhe shpërqendrimin e mallkuar të lajmeve të orës një, ngrënien e makaronave dhe piselli-t (bizeleve), kohën e një ekspresi dhe saviodardi-t (biskotave).
Kur përkthej, kryesisht merrem me mënyrën e shprehjes, stilit. Përmbajtjen e ke aty. Po kur shkruaj, mendoj se çfarë të shkruaj, dhe ajo vlen bashkë me stilin që përdor.
Pastaj vjen rishikimi. Në fund të çdo pasditeje, lexoj atë që kam përkthyer dhe bëj disa korrigjime. Në fund të çdo kapitulli (secili rreth pesëdhjetë faqe), vendos versionin tim në të majtë të ekranit dhe origjinalin në të djathtë dhe kaloj nëpër të dyja, fjalë për fjalë, rresht për rresht, për të kontrolluar nëse kam humbur ndonjë gjë dhe aspekti kuptimor është në rregull. Gjithmonë gjej një ndajfolje që më ka kaluar pa e vënë re, një nënrenditje që s’kam arritur ta rrok. Pastaj lë mënjanë origjinalin dhe lexoj përsëri versionin tim për stilin, duke përmirësuar diçka tek sintaksa, ritmet, tingujt, regjistri.
Pas disa faqeve të romanit – një skenë, një fazë rrëfimore (s’i kam riparë ende të gjithë kapitujt) – kaloj atë që kam shkruar nga letra në kompjuter. Pak a shumë. Por jo ndonjë gjë që s’më pëlqen. Mund të përfshijë diçka tjetër, shkurtoj, ndryshoj, rishkruaj. Ndonjëherë, shkruaj gjëra që s’janë fare si versioni im i parë. Një lloj teksti paralel. Dialogët marrin drejtime të ndryshme. Herë të tjera, thjesht i rishoh plotësisht. Ose i mbaj saktësisht siç ishin. Të nesërmen në mëngjes, para se të filloj të shkruaj, rilexoj atë që hodha në kompjuter një ditë më parë, duke u zhytur në ritmin dhe ndjenjën e saj, duke kërkuar vrullin që do të më shtyjë nëpër faqet e panjohura përpara. Ndoshta ndërsa jam duke e bërë këtë, bëj një ndryshim që shndërron gjithçka.
Pra, nëse romani im, siç mëton Octavio Paz, do të jetë në mënyrë të pashmangshme një përkthim i teksteve të tjera ose, siç do ta donin të tjerët, një përkthim i botës, s’e kam idenë ndërsa e shkruaj se cilat janë këto tekste ose çfarë bote do të jetë. James Joyce ka pohuar se s’kishte krijuar asgjë në shkrimet e tij, gjithçka e kishte marrë nga jeta; megjithatë edhe ata që ishin pjesë e botës dhe jetës së tij s’mund ta kishin parashikuar kurrë krijimin e jashtëzakonshëm të Uliksit. Në dallim me këtë, është mjaft e qartë se çfarë do të ketë në përkthimin tim të Il libro di tutti i libri. Sidoqoftë, mirë apo keq, unë bëj punën.
Në gjysmë të rrugës, i dërgoj imejl botuesit të Calassos për të siguruar redaktorin e tij se jam brenda afateve. Po atë mbrëmje, i ulur në një kafene me pamje nga uji, në Milano duke pirë një lëng, shoh, duke ecur krah për krah, duke shtyrë një karrocë fëmijësh, çiftin e ri dhe fëmijën e sëmurë që do të ndryshojnë jetën e heroit tim.
I gjeta! Ndoshta.
Përktheu: Granit Zela
(New York Times, shtator 2020)