More
    KreuIntervistaOana Mihaela Glasu: Shqipja është gjuha e zemrës sime dhe duhet t’i...

    Oana Mihaela Glasu: Shqipja është gjuha e zemrës sime dhe duhet t’i kthej diçka vendit që më priti aq mirë

    Intervistoi Bujar Hudhri

    Gjatë një bisede me përkthyesin e shquar Marius Dobrescu e pyeta nëse shihej horizont ndonjë Dobrescu i ri, nga shqipja në rumanishte. M’u përgjigj: “Po, një ish-studente rumune në Tiranë e cila ka disa vjet që përkthen nga letërsia shqipe. Është poeteshë dhe shkruan rumanisht dhe shqip. Mund të them se i plotëson të gjitha kushtet për të qenë një përkthyese shumë e mirë. Emri i saj është Oana Mihaela Glasu.” Një vlerësim i madh për ju, apo jo? A mund të na tregoni si erdhët në Shqipëri dhe pse vendosët të mësoni shqip?

    E lexova atë intervistë një të premte në mbrëmje, sapo u shfaq, në ExLibris, dhe jo vetëm më nderoi vlerësimi i z. Marius Dobrescu, pasi erdhi nga një njeri i letrave, i diplomuar në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Tiranë, si dhe një përkthyes i shkëlqyer, mjeshtër në përkthimin e veprës së Ismail Kadaresë, por edhe më dha shtysë për të vazhduar dhe për të besuar se ajo që po bëj është e mirë për gjuhën shqipe, letërsinë apo kulturën, me të cilën ndihem akoma shumë e lidhur. Them mjeshtër i përkthimit të Kadaresë, sepse është e natyrshme që pas një numri kaq të madh të vëllimeve të përkthyera (minimumi 28) të bëhesh një specialist dhe një njohës i dalluar i shkrimtarit me të cilin merresh.

    Nuk përtoj dhe nuk mërzitem asnjëherë të tregoj si erdha në Shqipëri. Arrita në Tiranë në vitin 1996, si pjesë e një protokolli bashkëpunimi midis Ministrive të Arsimit nga vendet tona, sepse shqipja konsiderohej gjuhë e rrallë dhe folësit e saj ishin shumë të paktë. Po u referohem njohësve që kryejnë arsimin e lartë e që më vonë bëhen albanologë dhe mendoj se ne, rumunët e asaj kohe, ishim gjenerata e parë që rifilluam këtë traditë, pas 20 vjetësh që kur u diplomua vetë Marius Dobrescu. Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë që ndoqa ishte regjistruar si opsioni i vetëm në programin e studimit për të cilin kisha fituar bursën, por më vonë kuptova se, në fakt, gjuha shqipe ishte ajo që më zgjodhi, me të cilën u dashurova dhe mbeta e apasionuar përgjithmonë. Ndoqa pak leksione në fillim për shkak të ngjarjeve të vitit 1997, por mësova duke u shkrirë me shqiptarët, duke dashur të bëhem një prej tyre, duke jetuar me ta – jo vetëm teorikisht ose në mënyrë të kufizuar, aq sa mund të ofronte një ditë leksionesh. Merrja fletoren e stilolapsin dhe pyesja se çfarë do të thoshte kjo apo ajo; diskutimet e mia ishin njëkohësisht me shqiptarë nga Veriu dhe Jugu i vendit dhe në këtë mënyrë mësoja të shprehem në dialekt, në varësi të bashkëbiseduesit. Në kuptimin e gjuhës letrare u përpoqa të vidhja sa më shumë nga pedagogët, por edhe nga librat, leximet. Në njëfarë mënyre, isha duke mësuar saktë në një mënyrë autodidakte edhe nga kujtesa vizuale, sepse doja të shkruaja në mënyrë të përsosur, ngaqë kisha vërejtur se shkruhet ashtu siç flitet. Dhe rastet ishin të shumta, nga sportelistët e konvikteve te dokumentet zyrtare në situata të caktuara.

    Nëse për shkrimtarët është krejt normale pyetja përse shkruajnë, a mund t’ju pyesim se përse përktheni?

    Është hera e parë që pyetem përse përkthej, sepse njerëzit zakonisht më pyesin pse e dua Shqipërinë dhe shqiptarët. Ju falënderoj që më dhatë mundësinë t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Kam lexuar më shumë sesa kam folur në vitet që jam larguar nga Tirana. U largova nga Shqipëria me libra, miqtë e mi më dërguan gjithmonë të tjerë dhe mjetet moderne që kemi sot më afruan edhe më shumë me letërsinë shqipe. Kështu, duke parë që disa shkrimtarë shkruajnë shumë mirë, si poezi ashtu edhe prozë, doja t’i ndaja me dashamirët rumunë të letërsisë ato që lexoja. Dhe fillova me poezi, të cilat i postova në Facebook. Me kalimin e kohës vlerësimet që poeti X apo Y mori nga lexuesit rumunë më bënë të kërkoja emra të tjerë dhe stile të tjera, që më vonë arrita t’i botoja në mjaft revista kulturore në Rumani. Diçka e tillë po ndodh sot: çfarë kemi nga Shqipëria për numrin tjetër? Pastaj bashkëpunova për shumë vjet me një revistë lokale, në të cilën botoj edhe studime gjuhësore ose artikuj të ndryshëm kulturorë për Shqipërinë. Nuk mund të bëj aq sa do të doja ose për aq njerëz sa do të doja, megjithëse i jam përkushtuar shumë kësaj pune, sepse armiku im i madh është koha. Kur përkthej, bashkë me tekstin dua të përcjell edhe frymën e atij që e shkroi dhe dua që ai të kuptohet në rumanishte ashtu siç e ndiej unë në origjinal. Shqipja është gjuha e zemrës sime dhe duhet t’i kthej diçka vendit që më priti aq mirë. Përkthej nga shqipja në gjuhën e vendit tim të lindjes për të bërë të njohur letërsinë, kulturën dhe njerëzit e saj.

    Mund të na tregoni përvojën tuaj të parë si përkthyese; filluat me prozë apo poezi?

    Në vitin 1997, rreth një vit pasi kisha filluar studimet për gjuhë-letërsi shqipe, në fund të vitit shkollor u përktheva studentëve të gjuhëve të huaja që bënin rumanisht ca hartime nga shqipja në rumanishte. E para fare si përvojë, kjo më duket se ka qenë. Deri në fazën e përkthimeve artistike jam marrë shumë me studime dhe duke bërë krahasime, patjetër kisha nevojë t’i përktheja. Më vonë fillova me poezi në varg të lirë, tregime dhe arrita te romani.

    A është kusht që përkthyesi të jetë poet apo prozator?

    Nuk mendoj se është një kusht sine-qua-non. Përkthimi nënkupton zotërimin e gramatikës së gjuhës sate shumë mirë, por edhe të gjuhës tjetër me të cilën punon. Pastaj duhet të kesh një leksik të pasur, të zhvilluar, i cili mund të merret vetëm nga shumë lexime të grumbulluara me kalimin e kohës. E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, ka nevojë për pak talent. Ashtu siç ka nevojë për pak dhunti. Por, nëse përkthyesi është vetë një krijues, atëherë kjo mund të nënkuptojë vetëm një plus, një vlerë e shtuar për produktin përfundimtar.

    Përkthimi kudo në botë nuk shpërblehet siç duhet, megjithatë, duhet të ketë edhe një kënaqësi shpirtërore pse përkthyesit vazhdojnë të punojnë. Si e ndieni ju këtë kënaqësi?

    Kjo është e vërtetë! Jo vetëm përkthyesit, por edhe të drejtat e autorit paguhen dobët, nëse u referohemi botuesve të mirëfilltë që botojnë libra, sepse edhe këtu ka një diskutim. Janë mbi 30.000 shtëpi botuese të regjistruara në Rumani, për shembull, por shumica e tyre kanë rolin e shtypshkronjës, domethënë ta pranojnë dorëshkrimin pa korrigjim, pa një redaktor teksti. Ata ta botojnë dhe ta japin librin, të cilin e paguan vetë, natyrisht. Ka pak shtëpi botuese që bëjnë punën e tyre, në kuptimin që respektojnë autorin ose përkthyesin, dhe jo gjithmonë bëhet fjalë për ndonjë përfitim domosdoshmërisht financiar. Mendoj se është e rëndësishme që botuesi të të bëjë të ndihesh si shkrimtar përmes asaj që bën për ty ose veprës që ka botuar për ty. Personalisht, siç më pëlqen të them (shqiptarët tani e dinë këtë), punoj për kënaqësi shpirtërore dhe ndjenja e lumturisë që marr nga letërsia, ose vlerësimi im për një autor apo një tjetër, janë të paçmueshme. Dhe kjo lumturi më përkthehet në një dashuri të madhe. Kuptohet, për letërsinë që ai shkruan. Gëzimi im më i madh është lumturia e tjetrit kur ia kthej shkrimin në gjuhën time dhe rumunët njohin shpirtin e tij. Në tërësi, mendoj se do të ishte e pamundur që tregu botues i një vendi, siç është yni, të mbështesë financiarisht tarifat e duhura. E thjeshtë, sepse shkruhet shumë në krahasim me leximin, që do të thotë shitje.

    Jeni shumë aktive në rrjetet sociale dhe keni shumë friends shqiptarë në Facebook që ju bëjnë “like” për postimet e krijimtarisë dhe përkthimeve tuaja. Është një fjalë shqipe shqiptohet pothuaj njësoj si kjo fjalë angleze: “lajkë”. Ndaj pyetja e natyrshme do të ishte: Si i dalloni “like”-t nga “lajkat” e autorëve shqiptarë që kanë dëshirë të përkthehen nga ju?

    Qesh tani kur përgjigjem! Facebook-u është një hapësirë ​​publike për t’u shprehur. E dobishme, e shpejtë si mjet komunikimi, por në disa raste mund të bëhet edhe e rrezikshme, deri në masën që një autor të ushqehet me këto pëlqime të cilat kurrë nuk mund të kenë vlerë objektive ose të përfaqësojnë një masë të saktë vlerësimi. Një autor ose një tekst mund të ngrihet shumë më lart se këto emotikone subjektive, ashtu siç mund të vendoset në një nivel shumë më të ulët. Kam parë pseudoshkrimtarë që mbledhin 500 pëlqime menjëherë dhe tekste të jashtëzakonshme me 5 vlerësime. Sidoqoftë, mendoj se gjëja më e rëndësishme është të lexojmë tekstin ose autorin, përtej këtij konkursi ose humbjes së kohës për të parë kush të dha like, kush jo dhe pse. E njëjta gjë vlen edhe për komentet. Shumë pak janë të sinqerta, domethënë komentuesi provon se të ka lexuar dhe shprehet me vetëdije. Sa për mua, arrij të bëj dallimin mes lajkës dhe pëlqimit. Është e vërtetë që jam shumë e njohur dhe kam shumë miq nga ditët e qëndrimit tim në Tiranë gjatë studimeve, të cilët i dua dhe më mungojnë; këto ndjenja janë reciproke dhe shumë nga vlerësimet e postimeve të mia lidhen me këtë aspekt. Për shkak se vitin e kaluar aktiviteti im në internet ishte shumë i bazuar në promovim, kur kam përkthyer ose kam botuar një poet në një revistë, veçanërisht autorin e romanit “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, pa dyshim që interesi për t’u ndjekur është rritur, në kuptimin që të tjerët donin të tërhiqnin vëmendjen time. Ishte shumë e rrallë që dëshirat tona të përkojnë, pasi zakonisht jam unë ajo që zgjedh. Besimet e mia në lidhje me një tekst ose autor bazohen në atë që unë ndiej, perceptoj ose kam intuitën për atë që mund të prodhojë përkthimi midis audiencës rumune. Në kuptimin e poezisë më rrëmben metafora, por edhe saktësia e të menduarit të thellë, kurse në roman gjithmonë kërkoj përsosjen estetike ose artin e ndërtimit të portreteve. Për kohën time të kufizuar, cilësia ka shumë rëndësi. Tre rreshta poezie mund të lënë gjurmë më të thella se 10 strofa dhe një roman i mirë ndihet që në fjalinë e parë. Në të njëjtën kohë, kategorikisht, hedh poshtë letërsinë që seksualizon fjalët dhe nuk dua të kuptohem se kundërshtoj erotizmin natyror, të përshkruar në tablonë letrare, por dua të them atë që grafomania prodhon sot për të tërhequr vëmendjen, kur diçka është shumë dhe aq e keqe. Po, këto lajkat më ndodhin, unë i kuptoj ato, i ndiej. Për të qenë shumë e drejtpërdrejtë, refuzoj më shumë sesa pranoj dhe, sinonim i lajkës, ky like pas një kohe zhduket vetë. Nga këtu nuk e di se çfarë ndodh, nëse ai që e refuzoj më mban friend në listë, sepse as nuk e di sa miq kam dhe nuk ka imponime, madje as virtuale, për një marrëdhënie miqësore.

    Marius Dobrescu është, si të thuash, përkthyesi zyrtar i Kadaresë, ndaj nuk ka kuptim pyetja se përse nuk keni përkthyer nga ky autor i shquar shqiptar. (Madje, ky fakt është i mirëpritur për autorët e tjerë që ju do të përktheni.) Jam kurioz di, në fillimet tuaja, a keni krahasuar ndonjë libër rumanisht të Kadaresë me variantin shqip, thjesht për marrë përvojë si përkthyese?

    Marius Dobrescu është përkthyesi i vetëm dhe më i miri i Kadaresë. Po, është zyrtarisht ai që mban të drejtat e autorit në Rumani për veprën e shkrimtarit të shquar dhe ne shpesh e quajmë atë “përkthyesi i Kadaresë” e jo me emër. Së pari, është çështje e deontologjisë që të mos ndërhysh në punën e një përkthyesi tjetër, veçanërisht kur e di faktin, siç e thashë në fillim, se ai është një specialist i atij autori. Pastaj, përkthimet e Marius Dobrescut janë shembullore dhe nuk mendoj se ai apo ato do të kishin nevojë për riinterpretim. Për shembull, kam lexuar “Kronikë në gur” në shqip dhe më vonë, pas një kohe, e kam lexuar romanin edhe rumanisht. Ishte njësoj. Me një fjalë, mbivendosja e Marius Dobrescut me tekstin origjinal nuk lë hapësirë ​​për vërejtje. Asnjëherë nuk kam menduar të kontrolloj, të bëj analizën e çfarëdo lloji midis teksteve. Në përkthimet e mia ose, le të themi, te përkthimi im më i rëndësishëm, që nënkupton romanin e lartpërmendur, evitova krahasimet, ndikimet, nuancat ose interpretimet e sekuencave. Arsyeja është se gjithmonë preferoj të kem një komunikim të drejtpërdrejtë me autorin që po përkthej, kur diçka nuk është shumë e qartë për mua. Dhe nuk gabova duke e bërë këtë, sepse, në këtë mënyrë, përmes shpjegimeve të ofruara nga autori për një fjalë apo një frazë, arrita të shkoj përtej kuptimit të fjalës, në mendjen apo zemrën e autorit. Dua të them se ky komunikim i drejtpërdrejtë, për mua, do të thotë gjithashtu të njohësh llojin, temperamentin, karakterin e autorit, gjëra thelbësore për dhënien e një teksti, si përkthim, natyrisht, përveç talentit ose stilit, gjithashtu përparësi.

    Nuk e di si do të ishte sikur të ekzistonte një curriculum vitae në paraqitjen e këtij përkthimi të parë e aty të ishte emri i Kadaresë dhe cili do të kishte qenë ndikimi apo perceptimi për mua në këtë pozicion të ri, atë të përkthyesit. Besoj shumë në fatin e njeriut dhe veçanërisht të një libri, sidomos kur yjet rreshtohen për suksesin e tij. Është e vërtetë që përmes përkthimit ne njohim një vepër të huaj dhe suksesi i saj në gjuhën në të cilën është përkthyer varet shumë nga cilësia e përkthimit, sepse nganjëherë përkthimi është ai që mund të shkatërrojë një autor. Që në fillim kam menduar në aspektin e prezantimit të shkrimtarit dhe romanit të tij në rumanishte, për vlerën e tekstit, për respektin ndaj gjuhës shqipe dhe autorit, dhe më interesonte më pak cilësimi im i ri, si një plan personal, përmes të cilit as sot nuk jam duke kërkuar ndonjë afirmim. Madje as pas reagimeve pozitive dhe lavdëruese ndaj cilësisë së përkthimit.

    Ju keni përkthyer dhe promovuar një autor si Thanas Medi, vepra e parë e të cilit u nderua me çmim kombëtar në Tiranë. A mund të na flisni për këtë përvojë?

    Për marrëdhënien time me Thanas Medin si shkrimtar, ose për përkthimin e romanit të tij të vlerësuar me çmimin e madh nga vendi i tij, nuk mund të flas në të kaluarën, sepse bashkëpunimi ynë vazhdon me përkthimin e një romani tjetër të tij, si dëshirë imja, por edhe me kërkesë të botuesit Eikon, i cili dëshironte të bënte një seri botimesh për veprën e këtij shkrimtari. (Bëhet fjalë që Eikon të botojë edhe librat e tjerë.) Zbulova rastësisht një shkrimtar të madh shqiptar, të cilit i kërkova romanin “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”. Fjalia e parë premtoi vërtet një libër të shkëlqyer, por nuk fillova menjëherë përkthimin. Pas gjithë magjepsjes që prodhoi teksti për mua, pësova një bllokim. Kishte kaq shumë bukuri në këtë libër, sa më mbyti. Pastaj lexova tregimin “Këpucët” në Facebook dhe e kontaktova menjëherë për të më lejuar ta përktheja dhe ta botoja. Ky tregim bëri xhiro në shumë revista në Rumani. Pastaj përktheva tri histori të tjera, ndërkohë që kisha arritur larg me përkthimin e romanit. Ajo që mund të them sot, kur romani arriti te lexuesit rumunë, por edhe te kritikë ose shkrimtarë të caktuar, të cilët tashmë janë shprehur dhe të tjerët do të vazhdojnë ta bëjnë këtë, është se mendimi im për Thanas Medin filloi të bëhet mendimi i shumë rumunëve dhe ne këtu e njohim atë vetëm me shkrim. Kam përkthyer “Fjala e fundit…” në rumanishte, por e kam lënë shkrimtarin në çdo fjalë, nga fryma kur lexojmë deri në një thellësi të shpirtit të tij, për të cilin vetëm ai e dinte se si dridhej kur shkroi, por kritiku Christian Crăciun, për shembull, arrin të futet atje dhe të kuptojë saktësisht se çfarë dëshironte autori të mbetej nga ky libër. Fakti që në Rumani vepra e tij shikohet në kuptimin e letërsisë së madhe dhe vetëm nga një libër tani për tani, forcon bindjen time që zgjedhja ishte shumë e mirë. Tekstet e tij nuk lexohen, por ndihen, sepse cilësia e tij e madhe e transformimit të një ndjenje të veçantë në një kolektive i kthehet individit në të njëjtën masë subjektive gjatë leximit. Gjithkush e gjen veten në personazhin ose gjendjen që i përshtatet dhe këtu mendoj se ndodh një shndërrim alkimik në mënyrë të pavullnetshme. Jam e lumtur me gjithë suksesin e shkrimtarit deri më tani në vendin tim dhe e di që ai do të vazhdojë të rritet. Më vjen mirë gjithashtu që me shfaqjen e romanit në gjuhën rumune shqiptarët e rizbulojnë dhe e kërkojnë librin e tij në libraritë e Tiranës, ku fatkeqësisht nuk gjendet më, por jam e kënaqur me interesimin për shkrimtarin e tyre. Promovimi. Është një subjekt i gjerë dhe një vepër e veçantë që vjen në mbështetje të një shkrimtari. Sepse ai ishte këtu një i huaj, nuk dihej asgjë për të dhe duhet ta ndërtosh imazhin e tij në një mënyrë të qëndrueshme dhe të përhershme. Ky mbetet një nga kapitujt më të vështirë për mua, por nuk mund të bëhet ndryshe. Unë shkoj kudo në Rumani gjatë kësaj periudhe me shtëpinë botuese për ta prezantuar atë, për të organizuar lexime publike, përkthej dhe botoj pjesë nga romanet e tjera etj. Thanas Medi hyri vonë në letërsinë e madhe, por ai erdhi të qëndrojë dhe emri i tij meriton të përpiqesh për atë që, ndoshta, ne do ta vlerësojmë më vonë që ai i la letërsisë universale.

    Cilët nga autorët shqiptarë njihni më mirë dhe a keni përkthyer prej tyre?

    E njoh më së miri Kadarenë, sigurisht, sepse e lexoj më shumë. Si në rumanishte ashtu edhe në shqipe. Kudo në botë, secili prej nesh jemi pak a shumë të shënjuar në një moment nga ai idhull që lexojmë gjatë gjithë jetës, ose nga ai model në letërsi, qoftë yni apo i huaj. Është absolutisht normale dhe ndodh pothuajse në mënyrë të pavullnetshme, si efekt i depozitave të informacionit për secilin prej nesh. Fakti që e lexova në gjuhën shqipe gjithashtu më ndihmoi të identifikoja ose të dalloja shkallën në të cilën ndërhyn një ndikim i caktuar te shkrimtarët shqiptarë dhe cila është pika ku ata shkëputen nga modeli i tyre dhe ndjekin rrugën e vet në letërsi. Kjo është një analizë personale, të cilën e bëj pa një qëllim të caktuar dhe për të cilën nuk tregoj ndonjë konsideratë kritike për dikë. Në përgjithësi, lexoj letërsi bashkëkohore shqiptare, sepse segmente të publikut rumun në duart e të cilit përfundojnë revistat në të cilat botoj autorë shqiptarë duan të vazhdojnë të lexojnë nga i njëjti autor ose diçka nga shqipja. I kam përkthyer dhe botuar me poezi ose tregime disa shkrimtarë, si: Agron Tufa, Besnik Mustafaj, Rexhep Shahu, Petrit Ruka, Ramiz Gjini, Zhaneta Barxhaj etj. Agroni dhe Zhaneta janë tashmë të përfshirë në një antologji. Një prozë e Odise Kotes do të dalë së shpejti dhe ndoshta e merr vesh tani duke lexuar ExLibris, sepse ishte një surprizë për të. Unë marr me postë ose në format pdf romane, vëllime të shumë shkrimtarëve, por është e pamundur t’i përballosh. Po punoj për romanin e dytë të Thanas Medit dhe në përgjithësi, 10 orë në ditë i kushtoj përkthimit. Është një përpjekje, por edhe një kënaqësi. Gjë që rritet gjithnjë e më shumë kur vëren reagimet ndaj krijimtarisë së tij nga ana e rumunëve.

    Problemi më i vështirë për përkthyesin është se si të gjejë botues. E keni të vështirë që t’i botoni autorët shqiptarë? Meqenëse jemi në Ballkan dhe paragjykimet ekzistojnë, apo jo?

    Këtu ka dy aspekte. Sa u takon revistave, nuk është aq e vështirë, sepse atyre u duhen shkrime, artikuj, që të shtypen. Në Rumani shumica e revistave kanë seksione të tilla si: Universalia, Meridiane ose seksioni i të ftuarve, të gjitha të destinuara për letërsinë e huaj në përgjithësi, shkrimtarë të huaj, përkthime… Ato shtypen nga njëra anë me fonde nga Ministria e Kulturës, Lidhja e Shkrimtarëve dhe nga ana tjetër, me fonde private si sponsorizime. Kuptohet që artikujt nuk paguhen nga autorët, as autorët nuk marrin ndonjë shpërblim, por, për ato që po përjetojmë sot, habitem që ato revista dalin akoma. Për vëllimet me poezi, tregimet ose romanet situata ndryshon. Këtu ka nevojë për botues seriozë që ta pranojnë tekstin në kuptimin e botimit të tij, por aspekti më i rëndësishëm mbetet promovimi i librit dhe autorit. Promovimi është bërë një institucion më vete dhe për një autor të huaj, aspak i njohur për publikun, është vital.

    Sa i përket botimit të autorëve shqiptarë, asnjëherë nuk më kanë refuzuar, përkundrazi, akoma më kërkojnë tekste dhe nuk ka paragjykime. Para së gjithash, redaktorët e revistave bëjnë një përzgjedhje dhe kur unë marr përgjigjen që teksti i shkrimtarit filan do të botohet, përveç gëzimit, kam parasysh faktin që përkthimi ka kaluar testet e cilësisë, sepse përndryshe kompromisi editorial do të ishte i madh dhe  askush nuk e merr përsipër. Së dyti, gjithmonë bëj një prezantim për shkrimtarët që botoj dhe gjithashtu i dërgoj një letër qëllimi kryeredaktorit, ku flas për gjuhën shqipe dhe njerëzit e kulturës në Shqipëri. Gjithmonë i zgjidhja vetë tekstet që i përktheja, sepse më pëlqenin dhe sepse e dija që ato do të tërhiqnin vëmendjen e lexuesve rumunë, domethënë ishin të përshtatshme për përkthim, pa pasur nevojë për përpjekje, vetëm për dashurinë ndaj artit.

    Dorëshkrimin e romanit që përktheva ua dërgova disa botuesve dhe ca prej tyre m’u përgjigjën menjëherë, duke dashur ta botonin. Zgjodha shtëpinë botuese Eikon në Bukuresht, sepse është një fenomen në tregun botues rumun. Ajo është një nga të paktat që shkon me libra në të gjithë territorin për të promovuar autorët, domethënë organizon turne në shumë qytete ose rajone dhe mbërrin gjithmonë në vendlindjen e autorit, në shenjë respekti të lartë për të. Për “Fjala e fundit…” ajo erdhi në qytetin tim të shtunën e kaluar dhe shumë njerëz zbuluan gjëra interesante rreth shkrimtarit ose romanit. Shtëpia botuese punon me një grup kritikësh, të cilët shpesh shoqërojnë karvanin e librit në panaire, ngjarje kulturore dhe kronikat e tyre kanë rolin e udhëzimit të lexuesit, për ta ndihmuar atë të zgjedhë librin e duhur. Një aspekt tjetër është se nuk boton çdo gjë, kështu që edhe këtu ndërhyn përzgjedhja, me fjalë të tjera, cilësi dhe jo sasi. Për një shkrimtar të huaj mendoj se ka shumë rëndësi të përkthehet nga një njeri i lindur në gjuhën e shtetit ku edhe duhet të botohet, të promovohet, të shitet, sepse ky është një aspekt vlerësimi, por edhe një lidhëse urash midis kulturave të dy vendeve.

    Studiuesit e gjuhës kanë gjetur shumë pika takimi midis rumanishtes dhe shqipes. Rumunët dhe shqiptarët janë kushërinj të një gjaku, ka thënë personaliteti i shquar i Rumanisë, Nikolae Jorga. Si njohëse e shkëlqyer e këtyre dy gjuhëve, cili është mendimi juaj?

    Mendimi im është i njëjtë dhe kjo nuk është një gojëdhënë, por një e vërtetë që unë e kam jetuar, përjetuar, studiuar në 7 vitet e kaluara në Tiranë. Lidhjet midis popujve tanë janë të lashta, në sfondin dako-thrako-ilir, por do të përmend vetëm disa aspekte. Dëshmia e parë e mbërritjes së një numri masiv (15.000) shqiptarësh (mes tyre shumë arumunë) në Rumani daton që nga viti 1595. Ata ishin kryesisht ushtarë, tregtarë, personalitete dhe arritën të integroheshin shpejt në mjedisin politik dhe kulturor rumun për shkak të afiniteteve të gjuhës dhe zakoneve. Deklarata e historianit të famshëm Nicolae Iorga është shumë e vërtetë. Shqiptarët dhe rumunët janë kushërinj të një gjaku. Në vitin 1915 Iorga zbuloi tekstin e parë shqip (Formula e Pagëzimit) dhe në vitin 1919 ka shkruar historinë e parë të Shqipërisë në frëngjishte. Marrëdhëniet tona gjithmonë janë mbështetur në një miqësi të madhe, një mbështetje e pakushtëzuar nga Rumania e cila në shekullin XIX u bë djepi i Rilindjes Shqiptare, pasi shumë prej atyre që do të kontribuojnë me vendosmëri në formimin e shtetit shqiptar emigrojnë këtu: Naum Panajot Veqilharxhi, Dora d’Istria, Jani Vreto, Nikolla Nacio, Lasgush Poradeci, Viktor Eftimiu, Asdreni, Ibrahim Temoera etj. Disa konsiderata gjuhësore që mund të nxjerrim nga studimet e përbashkëta të dy studiuesve në këtë fushë, Eqerem Çabej dhe Grigore Brâncuși, mendoj se e forcojnë mjaft deklaratën e Iorgas, në kuptimin që rumuni Brâncuși konsideronte se shqipja dhe rumanishtja karakterizohen, brenda bashkimit gjuhësor ballkanik, nga një farefisni e ngushtë. Kjo farefisni shihet, siç dihet, në të gjithë sistemin e dy gjuhëve, në përbërjen fonetike, në strukturën morfologjike, në ndërtimin sintaksor, në frazeologji, në fjalëformim dhe në leksik, kurse shqiptari Çabej mendonte se afërsia është aq e madhe, saqë gjuhëtari shpesh ka përshtypjen se ka vetëm një lëndë të gjuhës përpara. Nga karakteri i këtij afiniteti mund të thuhet me njëfarë sigurie se në historinë e tyre populli shqiptar dhe populli rumun ishin në afërsi të njëri-tjetrit, në disa vende ata mund të kenë jetuar në simbiozë.

    Na flisni pak për rutinën e punës suaj: a përktheni çdo ditë? Përktheni pasi ktheheni nga puna, në mëngjes herët apo natën vonë?

    Absolutisht përditë, me shumë pak përjashtime. Në shtëpi, në punë, në park, kudo. Kuptohet që për poezitë ose tregimet koha është më e shkurtër, por për romanin punoj mesatarisht 10 orë në ditë, siç e thashë. Ndodh që për një sintaksë ose përshtatje të topikës të humbas gjithë ditën dhe të mos shkruaj asgjë tjetër. Ose më ndodh të zgjohem natën, sepse atëherë kam një moment më të mirë të krijimit. Përkthimi është gjithashtu një krijim. Në thelb, rishkruaj gjithçka që nga fillimi, por libri do të mbetet gjithmonë i autorit. Përkthej poezi ose tregime kur lodhem nga romani ose frymëzimi më lë. Është mënyra ime se si pushoj… Pjesën tjetër të kohës ua jap detyrimeve të tjera, të cilat gjithashtu janë të shumta.

    A mund të ndani sekretet e punës suaj me lexuesin tonë: kur e ndieni zërin e autorit që po përktheni, në leximin e parë, të dytë…? E lexoni fillimisht deri në fund romanin që do të përktheni dhe pastaj nisni punën, apo, për mos shuar kureshtjen, e përktheni ndërkohë që po e lexoni?

    E lexoj nga fillimi dhe jo një herë. Pastaj rifilloj kapitujt dhe diskutoj me autorin fjalët që nuk i kuptoj, pasi mbase janë dialektore ose mbase nuk i kam dëgjuar kurrë. Tashmë kam thënë që një tekst i mirë më tërheq nga fjalia e parë ose vargu i parë. Nga këndvështrimi im, është e vështirë, nëse nuk përjashtohet mundësia, që një tekst letrar të përkthehet në shikim të parë. Në përkthimin gojor është e mundur, në rastin e një romani mendoj se është kundër rregullave. Kur po lexoja romanin e Thanas Medit, në mendjen time fjalitë në rumanishte ndërtoheshin aty për aty dhe rridhnin vetë, por, kur po përktheja, duhej të bëhesha një me autorin, të shkrihesha me të. Kjo është arsyeja pse bashkëpunimi autor-përkthyes ishte shumë i dobishëm për mua, sepse jo vetëm që zëvendësoja fjalët, por riprodhoja autorin me të gjitha ndjenjat ose mendimet e tij në rumanishte. Që të kisha sukses në këtë, duhej të zhytesha në kuptimet ose thellësitë e të menduarit të autorit në kohën kur u krijua libri. Për shembull, isha e interesuar në situata të caktuara se çfarë po mendonte autori duke përdorur një fjalë të caktuar. Ose, në shumicën e kohës, për të zhvendosur veten plotësisht në lëkurën e autorit, ishte edhe më e nevojshme. Do t’ju tregoj një sekret të vogël. Përtej talentit, stilit të veçantë, leksikut të larmishëm, mendimit filozofik ose interpretimit të jashtëzakonshëm psikologjik të karaktereve njerëzore, proza ​​e Thanas Medit bazohet në diçka absolutisht thelbësore, siç është ritmi. Ai është një autor lirik dhe e kuptova që në fillim se, nëse humbas ritmin, e humbas librin. Ose do të dukej si një poezi me ritëm të ndërprerë dhe në fund, mund të dilte vetëm një katastrofë.

    Meqenëse jeni vetë poete, si arrini t’i ndani këto dy akte krijimtarie? E planifikoni apo kjo ndodh në mënyrë intuitive?

    Mund të them që bazohem më shumë në intuitë sesa në plane. Nëse e do atë që bën, arrin të pajtosh ndjenjat e së njëjtës kornizë të shfaqjes së krijimit.

    Lidhur me krijimet e mia, poezinë time, kam shkruar për një kohë në shqipe, sepse kam menduar direkt kështu, por edhe sepse miqtë shqiptarë nuk e kuptonin me përkthimin e Facebook-ut, dhe kjo funksionon për të dyja gjuhët. Rumunët gjithashtu më pyesin të njëjtën gjë kur përkthimi në Facebook është i mangët dhe deformon shumë përmbajtjen. Ndihem më afër kësaj gjinie letrare, sepse ajo, poezia, ka qenë diku në mua për një kohë të gjatë dhe mbase mosha, pjekuria e të menduarit, më përcakton të shprehem tani. Pastaj është çështja e stilit tim të ndërtimit, duke qenë një person i prirë drejt hermetizmit dhe natyrisht, në këtë kuptim doja të eksperimentoja në shqipe, si përvojë, interpretim dhe veçanërisht si ndikim për lexuesit shqiptarë.

    Një përkthyes letrar përkthen kulturën e një vendi, jo thjesht gjuhën. Si i ruani lidhjet me Shqipërinë?

    Gjuha është një instrument për të dhënë kulturën e një kombi, që do të thotë tërësia e modeleve të mendimit, qëndrimit dhe veprimit që karakterizojnë një popullatë ose një shoqëri. Ajo përfshin përbërësit idealë – besimet, vlerat, simbolet, modelet e veprimit – dhe përbërësit materialë.

    Lidhjet e mia me Shqipërinë mbahen përmes komunikimit të përditshëm me miqtë (dhe kam shumë), por kryesisht përmes këtij plani kulturor të realizimit të njohurive personale, përvojës gjuhësore, si dhe një afrimi të pakufishëm ndaj gjithçkaje që do të thotë vlera të këtij vendi, i cili më adoptoi për një kohë, por mbeti vendi im i dytë, përgjithmonë. Gjatë viteve kam botuar artikuj të shumtë në revistën Oltart në lidhje me traditat, personalitetet, ngjashmëritë e gjuhës, pasi gjithmonë kam konsideruar që një vend me njerëzit ose kulturën e tij duhet t’i bëhet i njohur botës me të gjitha më të mirat, më të çmuarat dhe jo përmes përshtypjeve të rreme ose të ekzagjeruara televizive. Në përgjithësi, bëj ose shkruaj vetëm atë që ndiej, dhe ndiej dashuri të madhe për Shqipërinë e shqiptarët gjithashtu!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË