More
    KreuLetërsiBotime të rejaGëzim Aliu: Arti i romanit “Bartësi i shpirtrave të përzënë” të...

    Gëzim Aliu: Arti i romanit “Bartësi i shpirtrave të përzënë” të Adil Ollurit

    Titullin e romanit “Bartësi i shpirtrave të përzënë”, Adil Olluri e ka marrë nga një tregim që gjendet në librin e tij “Shumë rrugë dhe një rënie”, botuar më 2013. Ky libër, që ishte edhe sprovë e kaluar me sukses e Ollurit në fushën e prozës tregimtare, fillon me një tregim parabolik, “Panairi i ëndrrave”, por gjashtëmbëdhjetë tregimet pasuese trajtojnë tema nga përditshmëria, sociale e politike, por edhe erotike. Janë tri gjëra që e shquajnë tregimin e Ollurit: trajtimi i temave që quhen të vogla, por që i takojnë thellësisë së shpirtit njerëzor; stili, do të thotë gjuha, njëkohësisht e pasur me figuracion, por edhe e tillë që ndërton rrëfim të kuptueshëm, ku vërehen nganjëherë edhe kompozita të qëllimshme, që përdoren për efekt stilistik dhe e treta, një shtresë që e përshkon tërë prozën tregimtare të këtij autori e që prek sidomos storiet dhe personazhet, është ajo që do ta quaja realizëm emocional. Përfshirja e autorit thellë në palcën e botës së fiksionit e mundëson edhe lindjen e këtij emocionaliteti. Do të thotë, ‘distancimi’ nga temat e motivet e trajtuara është zbritur në shkallën më të ulët të mundshme, sigurisht qëllimisht. Por, kjo nuk e prish minimumin e domosdoshëm të asaj që do ta quaja ekuilibri artistik i veprës letrare.

    Paksa më ndryshe qëndron puna me veprën e dytë në prozë të këtij autori, me romanin “Bartësi i shpirtrave të përzënë”. Duke qenë se temë kryesore e këtij romani është përzënia e shqiptarëve nga Kosova gjatë pranverës së vitit 1999, lexuesi pret shkallë të lartë emocioni e përfshirjeje autoriale, ndërkaq lexuesi kritik, si puna ime, edhe ka frikë se kjo do ta shkatërrojë ekuilibrin artistik të veprës, duke e rrëshqitur në patetikë nacionale e sentimentalizëm, pse jo edhe në ankime për padrejtësitë historike të fqinjëve, siç ndodh shpesh në letërsinë shqipe, sidomos në vjershërim, po edhe në prozë. Por, kjo, për fat, nuk ndodh. Edhe pse tema është mjaft e ndjeshme, rrëfimi mbahet “i ftohtë”. Nëse mbështetemi në teori, narratori në këtë roman rrëfen për të krijuar skena e për t’i shfaqur para lexuesit; pra, autori nuk i përzihet shumë narratorit për të dhënë mendime e për të komentuar. Mendimin e qëndrimin autorial lidhur me temën e trajtuar, kush e do, mund ta nxjerrë nga tërësia e veprës, posa ta përfundojë atë.

    Dhe, ky është hap cilësor përpara në krijimtarinë artistike të këtij autori të letërsisë bashkëkohore shqipe.

    Si e arrin Olluri ekuilibrin artistik në romanin e tij të parë?

    Janë disa elemente, mendoj unë. Por, këtu po i përmend këto: ndërtimi i personazheve, sidomos i personazhit kryesor, rrëfimi eksperimental në vetën e dytë dhe mungesa e patetikës dhe sentimentalizmit.

    Personazhi kryesor i romanit është një mësues letërsie, shkrimtar i dështuar, një njeri i squllët e frikacak, që ka drojë edhe nga mendimet e veta. Tërë jeta e tij shquhet nga pikëpamjet e veprimet e tij “heroike”, që burojnë nga një frikë pothuajse e lindur. Kështu, Olluri, e trajton një fragment tragjik të luftës, shpërnguljen me dhunë, duke e vendosur një “hero frikacak” në qendër të romanit. Por, kjo nuk do të thotë që të gjithë janë sikur ai. I vëllai i tij është trim, që përfshihet në luftë, por si tyxhar, që përfiton nga kriza. Për ta mbajtur ekuilibrin artistik të veprës, në roman përmendet si shkarazi edhe një hero i vërtetë, i vëllai i gruas së shkrimtarit të dështuar, që ka dalë në mal për të luftuar kundër pushtuesve. Do të thotë, në një hapësirë letrare mjaft të kursyer, i gjejmë tri karaktere: heroin frikacak, karakterin përfitues të luftës dhe luftëtarin e lirisë. Përveç këtyre personazheve që përbëjnë shembuj të marrëdhënieve të ndryshme ndaj luftës, në roman kemi edhe një varg personazhesh të tjera. Në të vërtetë, thelbi i këtij romani janë personazhet e ndërtuara shpejt, saktë e që shpalosin një veçori psikologjike të caktuar, shpesh të shpërfaqur në kontrast; për shembull, derisa personazhi kryesor është karakter i squllët, e shoqja e tij është karakter i fortë; derisa fqinji serb i moshuar i del në ndihmë familjes së shkrimtarit të dështuar, tjetri fqinj serb mobilizohet dhe i terrorizon; derisa i vëllai i shkrimtarit është përfitues lufte, i vëllai i gruas së tij është luftëtar i lirisë. Kontrasti është përdorur me efikasitet gjithandej romanit për të bërë shquarjen e karaktereve të ndryshme. 

    Rrëfimi në vetën e dytë është eksperimental. Kur narratori i vetës së dytë është po ashtu i përfshirë në botën e storieve të rrëfyera, atëherë ai është edhe personazh. Në këtë rast, përveç vetës së dytë, ai e përdor edhe vetën e parë, kur i referohet vetes, por edhe vetën e tretë, kur u referohet personazheve të tjera. Mirëpo, pikënisja e rrëfimit të tij është veta e dytë që lidhet me një personazh të caktuar, më saktë, me personazhin kryesor. Kur narratori i vetës së dytë nuk është i përfshirë në botën storieve të rrëfyera, ai nuk është edhe personazh, kështu që referimi ndaj vetes natyrisht që mungon. Prandaj, veta e parë nuk përdoret nga ky tip narratori, por veta e tretë përdoret. Pra, ai i drejtohet personazhit kryesor me Ti/Ju, kurse personazheve të tjera që lidhen domosdoshmërisht me të, me Ai/Ajo ose Ata/Ato. Olluri e zgjedh mënyrën e dytë, me narratorin që nuk është i përfshirë në botën e rrëfyer, por që di shumëçka për personazhin kryesor. Megjithatë, perspektiva e narratorit, shkaku i përdorimit të vetës së dytë, është e ngushtuar. Narratori është domosdo i lidhur me ndërgjegjen dhe veprimet e personazhit kryesor dhe gjithçka tjetër duhet të kalojë nëpër këtë ‘filtër’. Afrimi i narratorit te kufijtë e mundësive për rrëfim të motivuar mund të vërehet nganjëherë, por kurrë aq sa për ta prishur ekuilibrin artistik të romanit. Kjo arrihet përmes ‘bashkëpunimit’ të narratorit me autorin e nënkuptuar, që megjithatë mbahet gjithmonë mirë i maskuar. Përveç kësaj, nga fillimi e deri në fund, narratori i romanit “Bartësi i shpirtrave të përzënë” nuk “gabon” duke e përfshirë veten dhe nuk gabon duke rrëfyer për personazhet e tjera, (përveç krye-personazhit), në vetën e dytë, por gjithmonë në të tretën. Prandaj, autori është kujdesur që rrëfimi në vetën e tretë të jetë i varur gjithnjë nga rrëfimi i vetës së dytë. Do të thotë, nuk ka rrëfim për të tjerët pa fokusim te krye-personazhi. Kjo qasje është mirëmbajtur përgjatë tërë rrëfimit dhe eksperimenti del i suksesshëm.  

    Elementi i tretë që e mban ekuilibrin artistik të këtij romani është trajtimi i një teme mjaft domethënëse për historinë më të re të Kosovës, pa e ngarkuar, siç e thashë më lart, me patetikë nacionale, sentimentalizëm, ankesa e rënkime. Skeleti i romanit ngjan me dramat antike: ka një prolog ku shkrimtari frikacak nuk arrin ta shpëtojë fqinjin serb nga duart e të vëllait që tashmë, pas çlirimit, nga tyxhar profesionist, është bërë dyer-thyes profesionist; ndërkaq, tri aktet pasuese janë kthim në të kaluarën. Akti i parë është storia në banesë, para përzënies; Akti i dytë është storia e rrugëtimit me trenin e stërmbushur, storie që shpalos dimensionin e dhunës së ushtruar nga pushtuesit, kulmi i së cilës arrihet përmes një ëndrre ku shkrimtari burgoset e pushkatohet, mjet që sado që mund të interpretohet si shmangie nga realiteti të cilit i referohet romani, megjithatë shkon pikërisht në vijë me karakterin tutës të personazhit dhe është në funksion të mbajtjes së ekuilibrit. Të mos harrojmë që, në fillim të Aktit të dytë, ndodh një pushkatim i një profesori universitar, që ka referencë reale. Akti i tretë, ndërkaq, është storia e arritjes në kufi, në Bllacë, ku njeriu dhe njerëzorja më nuk njihen si koncepte. Epilogu nuk gjendet si pjesë tekstore në fund, por është inkuadruar brenda Aktit të tretë në trajtë të një cope shkrimi të një dorëshkrimi të personazhit, që e ka marrë me vete, e ku ai shprehet krejt sinqerisht për impotencën e tij kreative, që i shkakton vuajtje të fortë.

    Në të tri këto akte narrative, asnjëherë nuk kemi rënie në vlerësime patetike e as sforcim të sentimentalizmit, as ankime, edhe pse narratori na rrëfen për dhunën, rrahjet, torturimet, vrasjet, vuajtjet.

    Kur autori arrin që për këto tema të shkruajë pa inflacion të ndjenjave e emocioneve, pa patos e rënkime, atëherë mund të themi që ai e ka krijuar një vepër të pjekur. Pjekuria e një vepre që trajton tema të tilla, edhe ngjall emocion të këndshëm estetik te lexuesi e posaçërisht te lexuesi kritik.  

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË