More
    KreuIntervistaVirion Graçi: Kam dëshmuar përjetimet e mia

    Virion Graçi: Kam dëshmuar përjetimet e mia

    Pëllumbat i vrasin natën… një titull alegorik për të zbuluar historinë apo disa histori? Çfarë ju nxiti të shkruanit këtë roman?

    Më tepër ky titull është mendim, në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës. Pëllumbat, këta shpendë të bukur që zbukurojnë sheshet e parqet publike në vendet e qytetëruara, por edhe banesat private, pullaze e ballkone, bëhen sinonim i vetë fatit tonë, i dëshirave dhe ëndërrave tona të bukura të cilat shpesh, në errësirën e një ekzistence kolektive zhytur në errësirën e poshtërsive, intrigave, shthuren natën, sakrifikohen, përgënjeshtrohen pa mëshirë. Besoj se romani zbulon mjaft histori, histori fatesh specifike njerëzore, pra, sjell në jetë personazhe artistikë sikurse, shpresoj t’ia kem dalë mbanë, flet hapur e qartë edhe për epoka të rëndësishme nëpër të cilat është tezarur si në zgrip humnere jeta jonë si shqiptarë. Nxitja për ta shkruar? Ç’do roman flet për mungesën e lumturisë, ka shkruar dikur një romancier i madh..

    Përse keni nisur këtë roman jo autobiografik me një epigraf kushtuar djalit tuaj?

    Si autor i këtij romani i shërbej si ciceron kohës sonë kohëve që do të vijnë duke dëshmuar përjetimet e mia, mendimet e mia, bilancet e mia intelektuale-shpirtërore për realitete komplekse historike të cilat harresa, xhurma, propaganda, zhdukja e provave materialeve – fizike si dhe shkujdesja mund t’i fshinë duke i lënë teren miteve të rreme, herojve të rremë; nga ana tjetër mund të mbulohen e të harrohen padrejtësisht njerëz e modele që duhet të meritojnë vëmendje, dashuri, amëshim Fakti se ia nis tim biri këtë lloj rrëfimi artistik është premtimi im për sinqeritet, për ndershmëri.

    Na tërheq që në hyrje shënimi që ky roman të lexohet si një fikison dhe përkimet me ngjarje a persona konkretë janë të rastit., ndonëse të pashmangshme? Përse kjo vrejtje?

    Të tilla shënime janë taksativë në botën e librit fikshën, ne ende nuk kujtohemi të përdorim nga këto siguresa të zakonshme kundër keqkuptimeve të lexuesëve a kundër keqinterpretimeve të qëllimshme të spekultantëve mediatikë.

    Në qendër të romanit janë dy vëllezër jeta e të cilëve vjen nga anë të ndryshme të historisë. Cili është sipas jush raporti midis njeriut si individ dhe historisë? Po raporti i të vërtetave vetjake me historinë e përgjithëshme të shoqërisë?

    Pyetja juaj do të donte si përgjigje një punim monografik në filozofi. Meqë romani im, si çdo krijesë artistike e bën subjektin njerëzor masë, gur prove e metër matës të botës së madhe, mund të shohim te personazhet e mi të përmendur prej jush edhe tipa të përvetshëm por edhe mishërime fragmentare të epokave nëpër të cilat ata janë mbrujtur, kristalizuar, afirmuar e transformuar.

    Në pjesën e tretë të librit ju tregoni për fëmijë-burra të cilët vihen në kërkim të etërve të humbur. Cila është domethënia e kësaj gjetjeje në mendimin tuaj e në funksion të historisë romanore?

    Ashtu duket në plan të parë, në lexim të përgjithshëm; mua më pëlqen të përjetohet/lexohet/interpretohet kjo pjesë si epilogu i stërgjatë i zhgënjimeve të cdo brezi që vjen në skenën e historisë duke dashur të ndreqë a të zhbëjë gabimet kapitale të brezave pararendës; në këtë ambicie brezat debutues bëjnë disa mëkate themelore, mëkati i krenarisë ribërëse është i pari ndër ta, por jo më i qortueshmi.

    Një personazh krejt i veçantë është nëna, Neta, dikur vajzë shumë e bukur, guximtare në dashuri e fatkeqe, tragjike në jetë aq sa, e moshuar ka humbur kujtesën. Është kjo figura kyçe e romanit? Është një heroinë e pranishme e vizatuar nëpërmjet mungesës së saj?

    Po, Neta është figura kyçe e romanit: në planin e parë, si roman me histori dashurie mes dy të rinjeve, çka është vërtetë romani, ajo është vajza që dashuroi me sinqeritet, me guxim, flijueshëm; në planin simbolik, kur në moshë të thyer ka humbr kujtesën ajo nuk është më vetëm njeri, vetëm personazh por shndërrohet në simbol, në shenjë përfaqësuese për gjendjen tonë në udhëkryqet e kohëve të reja.

    Përsëritet shpesh shqetësimi për mungesën e lexuesve. Jeni dhe ju i këtij mendimi? Ka vend për letërsi të mirë? Për letërsi shqipe?

    Lexuesi ynë nuk e ka tradhëtuar librin, as librin e mirë shqiptar; ritmet e leximeve mund të njohin ulje-ngritje por libri do të jetë te ne ashtu si ka qenë: një formun i shenjtë ku bashkëjeton vlera estetike me vlera të tjera etike-morale e humane. Bilancet, anketat janë përditshmëri, libri i mirë nuk mplaket edhe kur është i detyruar të presë lexuesit më gjatë se zakonisht.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË