More
    KreuLetërsiShënime mbi libraKoha e Partisë dhe koha e parasë te “Metamorfoza e një kryeqyteti”

    Koha e Partisë dhe koha e parasë te “Metamorfoza e një kryeqyteti”

    Nga Minella Aleksi

    Në qoftë se mbajmë parasysh që në një roman me temë midis reales dhe trillit artistik personazhet paraqiten të ndërthurur thellë në raportet mes tyre e po aq me realitetin social ku jetojnë, duke u shndërruar nga figura të thjeshta në karaktere tipa, atëherë mund të themi se me “Metamorfoza e një kryeqyteti” autori Ylljet Aliçka ka arritur që të japë një krijim artistik autentik.

    Lexuesi moshatar me autorin konstaton në roman se mbrapa personazheve janë njerëz realë, të cilët për imagjinatën e lexuesve që kanë jetuar vitet e diktaturës janë gati-gati të prekshëm si njerëz realë, i urrejnë, i përçmojnë apo i duan ata, varësisht nga eksperiencat jetësore personale. Tregimi i ngjarjeve zhvillohet në sekuencën e tyre kohore, në një raport të ngushtë midis fenomenit artistik dhe procesit real në jetë, duke nxitur dhe duke mbajtur të fortë tek audienca dëshirën për të ditur se çfarë ndodh më pas. Lënda artistike e strukturuar në  shtrirje kohore e gjeografike të jep imazhin e një sfere, qendra e së cilës gjendet kudo ku personazhet veprojnë e zhvillohen, ndërsa perimetri i saj nuk përcakton kufij asgjëkund. Në kohën e Partisë në qendër, marrëzitë absurde institucionale dhe ndërnjerëzore në sistemin diktatorial nuk kishin kufij; të tilla u manifestuan edhe në kaosin e lirisë. Mendoj se ky përbën mesazhin që përcjell autori.

    Në mënyrë të vetvetishme lexuesi  imagjinon dhe tronditet kur gjen te karakteret një silogjizëm shoqëror për të dyja kohët, para e mbas ndryshimit të sistemit komunist. Në kohën para, audienca përjeton situatën kur njeriu adaptoi gjendjen me dy qenie brenda të njëjtit trup. Një qenie me sjellje indoktrinare, false, fasadë dhe tjetra, njeriu real në nevojë mbijetese. Në diktaturë asnjëherë nuk dihej se deri ku do të shtrihej sindroma e terrorit, nuk imagjinohej dot se në çfarë drejtimi do të lëvizte trajektorja persekutuese ku rrathët e frikës përhapeshin si rrathët mbas një guri të hedhur në ujë. Ndërsa koha pas, e zhvillimit kaotik, i shfaq karakteret si qenie që dominohen më shumë nga instinktet biologjike sesa nga arsyeja e lojës së bazuar në ligj dhe në virtyt. Për fat të keq, lexuesi ndien thellë konfirmimin e shprehjes: njeriu drejtohet më mirë me anë të veseve sesa të virtytit. Autori i drejtohet Kujtesës për të bërë të kuptueshëm për lexuesin kaosin e përvojave shumë të hidhura para dhe mbas rënies së komunizmit, për të zgjuar dhe për të zhvilluar gjykimet tona të përditshme, për të kthjelluar vetëdijen mbi atë se kush jemi, për të gjetur çelësin e personalitetit dhe për të rizbuluar balancën e jetës shoqërore. Si dy anët e medaljes, koha e Partisë dhe koha e parasë kanë të përbashkët shfaqjet më monstruoze të qenies biologjike dhe asaj sociale që quhet njeri.

    Thuhet se stili e shpreh njeriun dhe pa asnjë dyshim, stili e shpreh autorin. Kur thashë më sipër “një krijim artistik autentik”, kisha parasysh se gjatë leximit kupton menjëherë se te “Metamorfoza e një kryeqyteti” është i një shkalle më të maturuar i njëjti stil, ka vulën e origjinalitetit të autorit te filmi “Parullat”. Pra, ka krijuar një stil origjinal, ku me ndihmën e ironisë dhe të sarkazmit e ruan të plotë efektin paradoksal. Përmes rreshtave në faqet e romanit nuk është e vështirë që të identifikosh vetë autorin, botëkuptimin e tij mbi elementet e natyrës njerëzore shqiptare, mbi pasojat e shkatërrimit të arsimit dhe të vlerës së punës si faktorët bazë ekuilibrues të një shoqërie. Përjetohet me dëshpërim gropa e madhe ku arsimi, si pasaporta për të ardhmen e shoqërisë, ka rënë. Ndodh jo rrallë që autori e vendos lexuesin përpara një dileme, çfarë do të bënte ai po të ishte në një situatë të atillë.

    Mendoj se shtrirja sekuenciale kohore mbart tension që shprehet përmes konflikteve të karaktereve sipas një trajektoreje që gradualisht ecën natyrshëm drejt fundit. Dialogët me karremat e mashtrimeve, impaktet e triumfit dhe të humbjes, me rikthimet e shpresës në vorbullat e raporteve mes personazheve mbështesin dhe realizojnë një kualitet të mirë artistik. Në këto raste suspensi, kjo ndjesi lënie varur, anksioze, ndjesi pasigurie për çfarë do të ndodhë, e injekton mjaftueshëm ambiguitetin, e ushqen misterin.

    Nuk duhet harruar se dinjiteti apo misteri i lëvizjes së një ajsbergu qëndron pikërisht te fakti se vetëm një e teta e tij qëndron mbi ujë. Shumë pak ambiguitet do ta ndryshojë vëmendjen e lexuesit, ia heq atij mundësinë e pyetjeve dhe impresioneve kuptimore. Në të kundërt, shumë ambiguitet lexuesin do ta ngatërrojë, vëmendja e tij nuk do të zotërohet në përhumbje ngazëlluese. Autori ka gjetur një optimum estetik. Nuk ndodh si atëherë kur shumë pak e shtyn një derë që mbetet e pa mbyllur në fund, aq më shumë kërcet ajo kur e përplas atë në mërzi e sipër.

    Mendoj se romani për shkak të shtrirjes kohore historike ka si destinacion parësor lexuesin e moshës së re e atë mesatare. Krahas vlerës artistike, do t’ia rekomandoja një lexuesi të njohur apo edhe një shkrimtari debutues, edhe sepse në roman autori i ka rritur dhe i ka shndërruar karakteret duke mishëruar shprehjen popullore që thotë se: ritmi me të cilin maturohet një njeri është në proporcion të drejtë me paturpësinë që arrin të tolerojë. Kur e mbyll, në fund, ndien keqardhjen e autorit që në kryeqytetin e vendit të tij paturpësia është kthyer në virtyt.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË