More
    KreuLetërsiBibliotekëTre tregime nga Agron Tufa

    Tre tregime nga Agron Tufa

    DITA TJETËR PAS VDEKJES

    Ishte krijesa ime. I bukur. I bardhë. Sykaltër. Si i ati. Për të rroja. Për të merrja frymë. Për të duroja punën e kuajve, sharjet e policëve, ngacmimet e kapterëve, etjen, urinë, braktisjen. Pjetri im i vogël! Ishte 3 vjeç kur u sëmur. As doktor, as ilaçe… Të paktën të më linin t’i rrija te kryet. Tan ditën e lume me trupin në mal e mendjen te djali. Si ta parandjeja, atë ditë, duke hyrë në pyll, bëra përpjekjen e mbrame, të dëshpëruar. Iu luta kapterit të më linte të kthehesha te djali. “N’dorën tande, zotni…”. Ai më kqyri si t’më kishte pritë gjatë t’i bija atij shtegu. Mandej treti vështrimin diku larg.

    – E sheh atë njollën jeshile, buzë përroi?

    – Shkurret e gjineshtrës?

    – Po, – tundi kokën. – Shko hyr midis shkurresh dhe më prit… Të të gjej të zhveshur! – tha, me ton urdhërues.

    – Unë e kam një burrë, zotni… Nuk due me njoftë burrë tjetër, sa asht gjallë ai.

    – Ashtu? Një burrë kriminel! Po ku e ke? Ty po të vdes djali! Si të duash, – tha dhe ktheu shpinën.

    Parandjenja se nuk do ta gjeja gjallë tim bir u vërtetua sapo shkela në kamp. E shtrëngova në gji kurmin e tij të ftohur, duke qarë pa zë, e rrethuar me plakat zemërmira. Dha shpirt loçka e vogël pa nanën e vet pranë. Ku shkojnë vallë këta shpirtra të pafajshëm, pa u ngopë kurrë me nanat e tyre? E ndieja se shpirti i tim biri endej aty, përrëth meje, në kazermë. E varrosëm po atë natë. Me fenerë. Kur ra bilbili i zgjimit të nesërmen, në orën 5.00, isha mbledhë kruspull nga dhimbja: as në ëndërr, as në zhgjëndërr. Në fakt, po kuvendoja me shpirtin e Pjetrit tim të vogël.

    – Po ti, qelbësirë reaksionare?! Pse s’del në rresht?

    Tund e shkund krevatin si i çartur.

    – I ka dekë djali, mor kapter…, – provoi të ndërhyjë plaka përbri, por ai e ndërpreu vrazhdë:

    – Mirë ka bërë! Bir krimineli ka vdekur.

    U ngrita ashtu, e mpirë, somnambul, në rresht për punë…


    VARRI I DYQINDTË

    Jam varrmihësi i kampit. 14 vjeç. Ma ngarkuan këtë punë si më i madhi, që në Turan. Për një copë bukë misri më shumë. Një varr – një copë bukë misri. Shpesh e papjekur; shpesh me miell të ndezur. Villja, në fillim. Gjysmën e ha vetë, gjysmën ia ruaj mamës dhe motrës së vogël.       

    Sot është ditë e shënuar: hapa varrin e dyqindtë. Po pushoj buzë varrit të hapur, por ende s’ka vdekur njeri. Polici më urdhëron t’i hap. Deri në mbrëmje dikush do të vdesë. E sigurtë. E shumta, deri në mëngjes.

    “Varri duhet të jetë gati”, – thotë polici, “se ju, reaksionarët, nuk e deklaroni të vdekurin, që të merrni një copë bukë më shumë”. “Ju”, – thotë ai, – “edhe me të vdekurit tuaj, kërkoni ta dëmtoni pushtetin popullor”. Por unë e pyes kot, kinse për përmasat e varrit:

    – Për kë e kam hapur këtë varr zotni polic?

    – Për surratin tënd, reaksionar, – ma kthen.

    Ani. E marr si shaka. Përreth varrit të sapohapur vërtiten kalamajtë. Vajzat kureshtare pyesin:

    – Po tesh, more, kush ka dekë?

     Hidhem në gropë dhe shtrihem.

    – Kqyreni, e kam bâ bukur, a? Si për vete…

    – Uuuuuuu! Ça ban mor ashtu? De, mor, se asht keq!

    Në buzët e varrit mblidhen trumba kalamajsh të habitur. Bërtasin:

    – Ngrehu, ngrehu, se erdh roja! Erdh polici e tesh po t’myt n’dru!

    – Ani, – u them, po s’luaj vendit.

    Rrethi i kalamajve largohet dhe unë hap sytë: në teh të gropës, përballë, njëmend shoh policin. Dalloj kjartë se si i dridhen mustaqet prej tërbimi. Marr të ngrihem, por ai bën shenjë me dorën e majtë:

    – Rri aty, mos lëviz!

    Heq pushkën prej supit dhe më merr shenjë. “Shaka do të jetë”, mendoj dhe e ndjek krejt i qetë, pa treguar asnjë grimë frike. Deri në grimën kur papritmas buçet krisma.

    Britmat e fëmijëve përreth sa vijnë e shuhen, shurdhohen. Mbetet vetëm mendimi i mbramë, me të cilin shkrihem njësh me dheun e freskët, që njomet nën brinjë: i dyqindti…


    Kur kendonin gjelat e trete

    PALLTO BLU ME KATRORË TË BARDHË

    Stofin na e dërgoi nga Vjena një mik i tim eti. Ishte një blu-saks i ëmbël me katrorë të bardhë. Prej copës dolën dy pallto, një e madhe, për babin, dhe një e vogël, për mua. I veshëm. Sa bukur na binin! Dolëm të dy shëtitje. Pasdarke i bëmë bashkë detyrat. Mandej më mori gjumi.

    U zgjova në mesnatë prej ca zhurmash e rrapë-llimash periodike, sikur diçka shembej, vithisej periodikisht. Hap sytë me vështirësi dhe shoh mes njerëzve të shtëpisë uniforma oficerësh të Sigurimit. Fytyrën e njërit prej tyre, me sytë me rrathë, që me gjasë qenka dhe shefi, se ku e kisha parë…

    – Fli, bir i babit… Kthehu nga ana tjetër, – më thotë dhe më ndihmon të kthehem me fytyrë nga muri. – Thjesht një sqarim kanë, – shton me të butë, pasi jam kthyeu nga muri. Dhe njëmend: i ndjeva kur dolën në korridor, kur zbritën në shkallë, në oborr… e fundit u largua dhe zhurma e makinës.

    – Ku është babi, – pyeta fill pas zgjimit gjyshen e kruspullosur në minder.

    – E morën mbrëmë, – tha ajo. – Po ti mos u merakos, xhan, shko në shkollë… kur të kthehesh, babin do ta gjesh në shtëpi.

    Po im atë nuk u kthye atë natë. As të nesërmen.

    Në shtëpi hynin e dilnin thuajse hajdutçe dy-tre njerëzit më të afërm të farefisit. Mami u bë thuajse memece. Nuk fliste. Mezi belbëzonte me të mëdhenjtë. E ndjeva se diç e rëndë dhe e keqe po na ndodhte. Këtë, si duket, e kishte nuhatur edhe motra ime 3 vjeçare, ngase ajo, papritmas, iu ngjit mamit pas fustani dhe kurrë më nuk e lëshoi

    Të pasnesërmen vesha pallton, por nuk shkova në shkollë. Ia mbajta drejt burgut të Tiranës. Pikërisht gjatë rrugës për tek Selvia ku gjendej burgu, më ra ndërmend se ku e kisha parë shefin e atyre oficerëve të sigurimit që morën babin në mesnatë. Fytyrën e tij e kisha parë para një jave. Hyri në shtëpinë tonë me dy djem të tjerë, të gjithë me kostume. Tha se donin të kontrollonin muret e banesës sonë, mos kanë ndonjë plasaritje. Tha se po i kontrollonin të gjitha banesat e vjetra ngase pritej të binte një tërmet i madh e i fuqishëm.

    Ndërkohë kisha hyrë në oborr dhe një polic më çoi drejt një zyre në katin e parë.

    – Kë kërkon ti, shok, – më pyeti në zyrën e tij oficeri i rojes me një shirit të kuq në parakrah.

    – Tim atë, – thashë, – Manush P. E morën parmbrë-më në mesnatë për të sqaruar diçka dhe nuk është kthyer… A ndodhet këtu?

    – Prit pak, – tha dhe u lidh me dikë në telefon.

    E pyeti për tim atë. Pastaj një copë herë dëgjoi zërin nga ana tjetër, të cilin e shoqëroi me një varg gjatë “ëhë, ëhë-ëhës-shë”. Pastaj uli telefonin dhe tha:

    – Shok, shko dil e prit në oborr. Do merret informacion e do t’ju komunikohet.

    Dola. Kalonin orët. Asnjë përgjigje. Befas pashë të dilte me vrull në oborr pallton e gjatë të tim eti. Më brofi zemra si e çakërdisur. Thirra fort:

    – Babi! Baaabiii!

    Çudi! Nuk e ktheu kokën derisa iu afrua derës së hapur të një xhipi të zi. Hyri në makinë dhe, para se të mbyllte derën me xhama të errët, kheu kokën. Mandej uli dhe xhamin e xhipit dhe m’i kalli në distancë sytë e tij me rrathë. Shtanga. Ishte fytyra e shefit të Sigurimit, ai që pati ardhur të kontrollonte banesën tonë, e më pas, ai që mori babin në mesnatë.

    Pse vallë ai mbante pallton e tim eti?

    Kur arrita në shtëpi, më përqafuan dhe qanë. S’kishte nevojë për fjalë.

    – Kur? – pyeta i tronditur.

    – Mbrëmë, në mesnatë… bashkë me 21 të tjerë…

    Diç e pezullt më mbeti në grykë, që atë ditë, – një lëmsh i pazgjidhur, që më torturon ende, – sa herë ndesh burra me pallto blu me katrorë të bardhë…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË