More
    KreuLetërsiBibliotekë"Nuk ia kemi qitur pikën", ese nga Rexhep Ferri

    “Nuk ia kemi qitur pikën”, ese nga Rexhep Ferri

    1.

    Po vjen dikush.

    Me mashtrime e me gabime.

    Jam vetëm. Krejt vetëm…

    Të gjitha këto katrahura kush mund t’i mbajë mend?

    Ma prishin mendjen.

    Ma prishin gjakun.

    Sa për pse, s’dua të mendoj shumë.

    Për vetëgabime, vetëmohime, s’ka nevojë për shpjegime.

    Nuk dua të jap përgjigje të gabuar.

    Është e vërtetë.

    Të gjithë kemi frikë.

    Për thellësinë e vet, deti kthehet.

    Në lëkurën time edhe unë po kthehem.

    Nuk dua të jem dikush tjetër.

    Koha e keqkuptimeve qenka dritare e vdekur.

    Naivitet i pastër.

    Deri te pasqyra, analizë e dyshimtë.

    Edhe kur e humbim, edhe kur e kërkojmë.

    Jeta i ka ligjet e veta.

    Bisedat e veta.

    Bindjet e veta.

    Për të gjitha ndryshimet, kur jemi mendjelehtë.

    S’po mund të besoj.

    S’po mund të ndalem.

    Dy mijë vjet janë pak për t’i harruar.

    Qytetarëve u kujtohet Darka e fundit e Leonardo da Vinçit kur Jezu Krishti tha:

    “Njëri nga ju do më tradhton!”

    Kjo tradhti vjen deri te personazhet e ditëve tona.

    Në kasaphanën e hajdutëve, ku harami i katundit tonë e preu bardhoken e Anton Pashkut.

    2.

    Për kohën që nuk e kishim, kot kemi besuar se ëndrrat janë kujtime të gjalla.

    Kush humb, humb.

    Ne menduam se fituam.

    Ende nuk po besoj.

    Mashtrimi shkoi më larg se ëndrra e vonuar.

    Me kohën e kohërave të shpejta ende nuk po mund ta kuptoj se kush jam.

    Vetes i thashë: gjeje fillimin, mesin, fundin.

    Për kohën e ardhshme ra një heshtje.

    Dreqi ta hajë!

    Kishim qenë shumë të etur e të uritur.

    Natyrshmëria ku shkoi?

    Buzëqeshja e fytyrës si na humbi?

    Idealistët, pas idealit, kaluan përtej ardhmërisë.

    Të pyesësh çfarë po ndodh me ne është pak e besueshme.

    Kot presim farë përgjigjeje nga të vdekurit.

    Jo fashizmi, fashizmi.

    Jo komunizmi, komunizmi.

    Jo bizantizmi, bizantizmi.

    Jo anadollizmi, anadollizmi.

    E jo atdhetarizëm, pa atdhetarizëm e pa atdhe.

    Kur e ëndërrojmë të panjohurën.

    Kur e harrojmë kuptimin e fluturimit nga Maja e Lekës.

    Faleminderit pasqyra ime.

    Hënën e mesnatës e pyeta: ku ishe?

    Sa di unë, me ju kisha lënë një takim, më tha.

    Kur asgjë nuk ndodh, portreti i njeriut vjen si pyetje, si pikëpyetje, i thashë.

    Ajo qeshi.

    Aty ku peizazhi largohet, çka pret, dhe tha:

    Mos harro, deri këtu unë.

    Më vonë ta shohim ku ia kemi qitur pikën.

    3.

    Për aq sa jemi, me hyrje e dalje në jetën e Prometeut, në këtë shekull

    të pakuptueshëm, sa për ta kaluar radhën njeriu e kërkon kohën e vet.

    Nëse historia e çel gojën, prisni sa të shkoj në Shkodër, te Kel Marubi,

    të marr një fotografi dokumentare.

    Ideja e fundit nuk është fundi.

    Diçka kam thënë.

    Diçka kam harruar.

    Lufta në të cilën kemi qenë le të na kujtohet.

    Me profilin tonë të papërfunduar e me lirinë që e fituam

    dhe që e humbëm pa e parë e pa e përjetuar.

    Për shijen aristokrate të sojlive tanë nuk do të vonohem.

    Nuk do të ngutem.

    Rebeli i mutit, ku po shkon, vetes i thashë.

    Për mendjen tënde në Pazar ka më shumë pyetje se përgjigje.

    Në këto orë të liga, mes nesh dhe lirisë ndoshta na ka lënë dëshira që të kuptojmë se kush po shet e kush po blen pa paguar asnjë grosh.

    Kjo histori, çfarë historie.

    Kur jeta nuk ta kthen përgjigjen, kush e ka menduar se jemi kaq mendjelehtë?

    Unë ende s’e kam parë veten.

    Kush dreqin duhet të jetë ai tjetri?

    I provova të gjitha besimet.

    Me rrezikun e çmendurisë e shtrëngova grushtin.

    Para pasqyrës e theva hundën.

    Nga inati e mbylla gojën.

    Për botën e botës së vogël, çdo lumë derdhet në det.

    Deti në oqean.

    Oqeani, nga temperatura mbi njëqind, avullohet.

    Ngrihet lart, deri te retë e bardha.

    Deri te retë me diell e shi.

    Nga retë e ngjeshura bie në tokën e bekuar si shi, shi, shi…

    Në tokën e vet.

    Për njerëzit e uritur e të etur.

    4.

    Për fatin tonë të keq, nga lufta e më shumë nga paslufta,

    s’kemi çka të presim e as çka të themi.

    Sa për kohën, gjithmonë e kemi humbur kohën.

    Ndoshta na ka harruar Zoti apo ne e kemi harruar Zotin.

    Historikisht, për ta kuptuar njëri-tjetrin kurrë nuk do të takohemi.

    Mes nesh, çfarë besimi, keqkuptimi…

    Për asgjë më pak, për asgjë më shumë na ka humbur besimi.

    Ishte ëndërr.

    Ishte maskë.

    Ndonjëherë nuk shoh asgjë.

    Njeriu, edhe pse ka zemër, ende nuk e ka të qartë çka kërkon.

    S’ka rëndësi kush fiton.

    Kush humb.

    E kotë, të besosh.

    Njeriu nuk duhet të bëjë krejt çka mund të bëjë.

    Atëherë, kush e zotëron.

    Luftërat janë fat i të çmendurve…

    Si do ta kalojmë këtë shekull me të gjitha këto çmenduri e rrugaçëri

    të qytetarllëkut të rrejshëm?

    Të heronjve të vetëshpallur heronj.

    I kanë zënë të gjitha pozitat.

    S’ka zot që i ndal.

    Dikush humb.

    Dikush fiton.

    Dikush grabit.

    Koha është për të festuar.

    Largohuni nga rruga, dikush më tha.

    Djalli po lufton krimin.

    Njeriu s’ka se çka të kërkojë më shumë.

    Ju kam shqetësuar duke ju thënë se një ditë do të bëhet mirë.

    Harroni premtimet.

    Në kohë të liga, jeta nuk ka përgjigje.

    Provokimet flasin vetë.

    Në këtë fushë të mejdanit çdo gjë është e mundur.

    E pabesueshme, por e mundur.

    Ne të shqiptarhanes nuk e njohim mirë historinë tonë.

    Historinë e kemi të shkruar nga kënga mashtruese.

    Për ta bërë mjegull e mjegull.

    Në vend të njeriut të ditur e të mirë, për të na prirë, gjithmonë e kemi qitur njeriun e dhunshëm e të egër nga fama e rrejshme.

    Në këtë botë, pa asnjë qëllim.

    Me një demokraci të dhunshme.

    Kur asgjë reale nuk është reale.

    Nuk thuhet kot: njeriu është i pakuptueshëm.

    Si nuk po e kuptoni.

    Ku po e sheh ti se ka ligje?

    Do të ishte mirë po të kishte ligje.

    Mrekulli pas mrekullie…

    5.

    Shpesh më është dashur t’i kthehem pasqyrës, për ta ruajtur gjakftohtësinë.

    Në kujtimet e mia edhe lirinë po e përjetojmë si kohë lufte.

    Këtë skenar të një situate të keqe shpesh e shohim si ëndërr të frikshme.

    Nuk e kam të qartë pse.

    Besim s’kam as në tokë e as në qiell.

    Për trimërinë tonë, pasqyra e ditëve tona qeshi.

    Nuk është e lehtë për ta kuptuar a ka kufi a s’ka kufi.

    Nga pritja e gjatë, njeriut iu ka zbutur gjaku.

    Pyeteni zjarrin.

    Përfundimisht hirin.

    Nuk po më kujtohen shekujt.

    Po kthehem aty ku isha.

    Me një lidhje gjaku ku mund të shkosh më larg?

    – Pas çdo lufte, njeriu harron se ku e ka vendin. Mendon se iu ka afruar Zotit, –

    si në shaka më tha Dervishi që flinte nën Urën e Vezirit.

    Pas ëndrrës dhe ëndrrës me vizion të qartë, njeriu me vlera kërkon diçka që i kujtohet.

    Për moralin njerëzor.

    Hiq më larg se sot “Njeriu e ka harruar fjalën e vet për rifitimin e anës njerëzore që e ka humbur”.

    6.

    Si tregtarë kufijsh.

    Si tregtarë flamujsh.

    Në krah të majtë me djallin.

    Njeriu dy herë nuk e sheh veten të njëjtë.

    Nga shqetësimi kërkon të gjejë një dëshmitar.

    Kur gjërat vijnë e shkojnë me kohën e vet.

    Pa ditur e pa dashur.

    Mos më tregoni asgjë.

    Tani nuk po e kuptoj as vetë.

    Çfarë planifikimi po bën njeriu.

    Pyeteni egoizmin.

    Me sa po shoh, nuk do ta kemi të lehtë.

    Njëqind vjet nuk janë pak.

    E tani çka për miletin.

    Skifteri rrëmbeu një pulë.

    Kur dita është ditë e nata natë.

    Më vjen të vendos të mos pi kafe e të mos shoqërohem me patriotët mashtrues, e as me idealistët e pashpresë.

    Të vdekur e të harruar.

    Kjo përpjekje, për ta ruajtur drejtpeshimin edhe në pikë të ditës kërkon fener.

    Nga zhurma që bën fama.

    Me fatin që s’ka punë me fatin.

    Interpretimin e ëndrrave e kemi harruar.

    Edhe kur qëllon rrëfeja.

    Edhe kur jeta duket e pashpjegueshme.

    Pashë një gjarpër.

    E luta Zotin të isha në ëndërr.

    Frika e nata udhëtojnë bashkë.

    Kur nga nata pa hënë nuk shohim asgjë.

    7.

    Në gazetën zyrtare botohet një njoftim ku thuhet se njeriu është i lirë

    të mendojë e të veprojë.

    Duart i ka të lira të bëjë çka të dojë.

    Në moshën e kërkimeve, Ylli i Bardhë më tha:

    “Rreziku është rrezik, kur njerëzit e humbin një pjesë të trupit,

    matematika nuk e kupton anatominë e njeriut.”

    Kush e bindi Sokratin për ta pirë helmin: djalli apo njeriu?

    Meqenëse nuk po na kujtohet fillimi as fundi, as fytyrën nuk e kemi si fytyrë.

    Larg e afër po i përshtatemi mashtrimit.

    Hap pas hapi nuk po e kuptojmë se çfarë pazari po bën jeta me vdekjen.

    Kjo pyetje e ngjashme me krrokamën e korbit ende po kërkon përgjigje.

    Për ta hequr qafe frikën, njeriu është aq i ndryshëm, aq i besueshëm,

    saqë nuk e kupton më as vetveten.

    I mbyllen sytë.

    Nuk e di se çka po ndodh.

    Dikur jeta i duket se ka qenë më e mirë.

    Tani çka na ka kapur sikleti.

    Le të na kujtohet “Heshtja e armëve”.

    Futjani lapsin.

    Jemi në kohën e kohërave që nuk kuptohen.

    8.

    Njeriu që është në duar të natyrës, tani, si duket, po shkon kundër natyrës.

    Me djallin që e ka qitur përpara.

    “Njeriu është kafsha e parë që e ka krijuar mjedisin e vet.

    Por, ironikisht, ai është edhe kafsha e parë që në tokë, në këtë mënyrë

    po e shkatërron vetveten”.

    Shpirt, nuk është çudi, kur flas më shiko në sy.

    Nuk jam i pakuptueshëm.

    Mund të mos pajtohemi për interesa personale.

    Gjithmonë na ka ndjekur keqkuptimi.

    Nuk ka më rregulla.

    Konkurrenca është e madhe.

    Për të bërë jetë të qetë e të rehatshme, nuk pyetet dy herë.

    Liria nuk vjen si dhuratë.

    Është trupi ynë.

    Në dorën e saj e kemi jetën.

    Duke e pyetur veten kush jemi.

    Nga Shkodra, në Shkodër.

    Nga Vlora, në Vlorë.

    Nga Prishtina, në Prishtinë.

    Kur më së shumti i kemi besuar, në këtë botë të Bjeshkëve të Nemuna nuk lamë gjë pa thënë për njëri-tjetrin.

    Mirë u pafshim, pa maska…

    Njeriu e ka humbur shkëlqimin botëror!

    Prishtinë, prill 2020

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË