More
    KreuLetërsiBibliotekëKujtimet e Katerinës (Heshtja dhe mizat), tregim nga Liridon Mulaj

    Kujtimet e Katerinës (Heshtja dhe mizat), tregim nga Liridon Mulaj

    Katerina hoqi përparësen me kuadrate të kuqe që mbante rreth belit sa herë gatuante dhe lugën e drunjtë e përplasi me vrundull brenda tiganit të mbushur me  salcë që ziente si llavë. Dy miza të mëdha që lajmëronin ardhjen e verës silleshin mbi kokën e saj dhe zukatjet e tyre grricëse i shkaktonin një bezdisje të lodhshme e cila u pasua nga një mpirje e lehtë e trupit, e ngjashme me një kurth nervash dhe indesh. Iu kujtua si nëpër ëndërr ajo fjali e hershme dalë me frikë nga buzët e mbesës së saj, Antonias, thuajse dyzet e pesë vjet më parë dhe trupi iu drodh sërish si dikur. “Halla Nina, pse bërtasin mizat kur jemi vetëm?” – i jehoi zëri i largët fëmijëror i mbesës së saj dhe ashtu e topitur e plot pezëm u shemb mbi divan. E fokusoi shikimin në një pikë dhe si një film i përshpejtuar i kaluan nëpër mendje çastet e jetës së saj që, si në një humbëtirë të thellë, e kishte përplasur herë pas here, padrejtësisht, në shkëmbinjtë thikë të mprehtë të fatit. Fati i saj kishte qenë i paracaktuar që në vogëli dhe prej asaj kohe kur mbi të kishin rendur fatkeqësitë njëra pas tjetrës, ajo ishte rrekur të gjente domosdoshmërisht lidhjen shkakësore të tyre me mizat. Këto të fundit jo si shkaktare të fatkeqësive. Më shumë sesa ndjellëse të tyre, si vrasëse të heshtjes që kishte pasuar në jetën e saj qysh pasditen e asaj dite të errët të dyzet e pesë vjetëve më parë. Bezdisej, frikësohej dhe një lloj krupe e neveritshme e përshkonte gjithmonë nën efektin e zukatjeve të tyre. Këtë efekt i jepnin mizat kurdoherë që ato ktheheshin në pragstinë të verës, derisa mësohej me zukatjen e tyre, ashtu siç kishte tentuar të mësohej dhe të pajtohej me të shkuarën e saj të trishtë, mbushur me zukatje e dhimbje, me vetmi e braktisje.

    U ngrit vrikthi nga divani, fiku sobën mbi të cilën ende valonte salca me ullinj dhe mori për nga dhoma e gjumit. Hapi kanatat e raftit me forcë dhe prej varëses mori një shall të lehtë si lahur të zi dhe e hodhi mbi supe. Hoqi lidhësen që mbante flokët dhe me duar i shpupuriti disa herë, derisa u dha njëfarë forme. Mbathi këpucët dhe para se të dilte, i hodhi edhe një sy sobës së fikur, ku llava e salcës tashmë kishte krijuar një shtresë koreje të trashë dhe mizat e mëdha, lajmëtaret e zagushisë së afërt, ende fluturonin mbi banak. Doli nga apartamenti dhe përplasi nga pas me forcë portën e rëndë. Zbriti shkallët ngadalë duke u mbajtur pas hekurave anësorë dhe në fytyrë ndjeu t’i ravijëzohej një frikë e beftë, shpërfytyruese, sikur nga pas e ndiqte ndonjë hije. Frikë e cila rikthehej herë pas here nga prania e mizave dhe kujtimeve që lidheshin me to si fije të trasha të pandashme. Ajo grua e cila në gjithë jetën e saj nuk kishte ndier frikë nga asgjë, as nga hija e maleve të thepisura në të cilat ishte rritur, as nga zakonet e traditat  imponuese të zonës ku ishte lindur dhe as nga vdekja e trajtat e saj të përbotshme, kishte pasur vetëm një frikë e cila, krejt si e destinuar për t’u jetësuar, e kishte shuar me mbërritjen e saj dhe prej asaj dite Katerina kishte hequr dorë nga të pasurit frikë. Frika është si errësira së cilës në vogëli i trembemi, e veshim me lloj-lloj përfytyrimesh dhe kur e gjejmë guximin ta sfidojmë, atëherë kuptojmë se krejt çka fshihet pas saj është një mirazh i dhimbshëm dhe joshës. Një frikë e shkurtër të  cilën nëse arrin dhe e kapërcen, atëherë fiton imunitetin e të mospasurit më frikë dhe të mosdorëzuarit para ngjarjeve të veshura me errësirë dhe dhimbje. Dhe kthehesh në njëfarë qëndrestari stoik ndaj çdo ndjenje të gjallë. Ajo që në vogëli, kërthi ende pa mësuar të flasë, kishte ndier se mbi çdo dashuri, edhe asaj të nënës, babait apo çdo qenieje të gjallë, kishte qenë dashuria për të vëllain. Ai djalosh me flokët e hedhur mbi ballë, me sytë jeshilë dhe lëkurën e bardhë, kishte qenë imazhi i jetës së saj. E kishte dashur me një forcë të pakuptueshme, forcë e cila rritej me rritjen e Katerinës dhe që ditë pas dite forconte në të mrekullinë që lind kur në jetën e gjithsecilit është dikush, një qenie e gjallë që i jep kuptim botës. Por më vonë gjithçka kishte marrë fund dhe ajo botë e plotësuar, të cilën Katerina e kishte zbuluar në praninë e të vëllait, ishte thërrmuar. Dhe as prania e prindërve apo e mbesës së saj s’kishte qenë kurrë motiv për të rindërtuar një tjetër botë të ngjashme përreth saj.

    Doli në rrugë. Picërroi sytë nga drita e mjegullt e pasdites dhe një erë e lehtë iu mbështoll nëpër flokë dhe ia ngriti lart në ajër thekët e lahurit që kishte hedhur mbi supe. Dielli në ikje i pasdites po i linte vendin muzgut ngjyrëvjollcë dhe disa  re të zbehta si pambuk i shprishur po fashiteshin në cep të qiellit. Ajri i lagësht me aromë deti i ngacmonte hundët dhe kurorat e pishave të vjetruara tundeshin si të dehura mbi bulevardin e gjerë, ku automjetet e shumta derdheshin me shpejtësi drejt destinacioneve të tyre. Dritat e ndezura depërtonin në horizont dhe i falnin atij një zbardhëllim të paqtë. Katerina po ecte në drejtim të makinave dhe ndiqte me hapa të shpejtë turmën me njerëz që e rrethonin në atë ecejake të çuditshme.  Ngjante si një e huaj mes tyre, krejt ndryshe në atë shpërqendrimin klasik të një zonje të rregullt dhe të kuruar, e pavetëdijshme për vendin ku ndodhej apo sytë që e vrojtonin me njëfarë admirimi të fshehur. Si kaloi qoshen e pallatit ku banonte, u drejtua për nga parku, i cili ndodhej në anën e pasme të pallatit, në mes të një korije të krijuar artificialisht që shtrihej deri poshtë rrëzë detit. Zbriti disa shkallë të mëdha, eci për pak në rrugicat me pllaka të ndara dhe pasi u gjend poshtë një pishe të re, u ul në një stol të lyer me bojë të bardhë. Atypari dy pëllumba po çukisnin njëri-tjetrin nën flatra derisa u lodhën dhe më pas, të bezdisur nga kalimtarët, fluturuan duke ndjekur njëri-tjetrin në ajrin me aromë deti. Një mesoburrë me flokë të gjatë e të çrregullt luante në kitarë i ulur në një baule prej druri dhe me një pamje hokatare lëvizte me të shpejtë kokën majtas-djathtas. Njerëz të kapur për dore ecnin të pashqetësuar, herë-herë me kokën lart, herë të qeshur e herë të pagojë. Vogëlushë që bërtisnin dhe arrakateshin mes tyre me një përçmim naiv ndaj përrethësisë dhe më pas përqafoheshin dhe qeshnin me shpirt duke goditur njëri-tjetrin në qafën e djersitur nga lodhja. Katerina mbështolli krahët në gjoks dhe sytë i hodhi matanë në det, mbi një varkë me direkë të gjatë, mbi të cilën ishte ngërthyer një velë e bardhë si copë simetrike prej reje. Veshët i buçisnin dhe zukatjen e mizave i bëhej sikur e kishte ende pas veshit. Iu kujtua ajo fjali të cilën Antonia, mbesa e saj, e përsëriste shpesh në ato kohë të largëta që ruheshin brenda saj si testament i përjetësisë. Lëshoi një ofshamë të lehtë dhe mendja pashmangshmërisht, u kthye vite më pas. Atë pasdite të ftohtë nëntori ku së bashku me nënën e saj kishin shkuar për të mbushur ujë. Katerina sapo kishte mbushur të shtatëmbëdhjetat dhe shpesh e ëma e mburrte për fizikun e saj të gjatë, për flokët e errët gërshet dhe i gëzohej dashurisë së fëmijëve të saj. Vëllai i Katerinës shërbente ushtar në kufi dhe Katerina jetonte me prindërit, bashkëshorten e vëllait dhe mbesën e vogël dyvjeçare, Antonian. Iu kujtua ajo pasdite e cila kishte qenë e fundit për të si njeri i vërtetë, e lumtur dhe pa brenga e dhimbje mbi vete. Aty nën kroin e fshatit, me shtambë në dorë, Katerinës dhe nënës së saj i ishte dhënë lajmi se të birin ia kishin vrarë në kufi. Kaq u mor vesh, rrethanat mbetën mister. Katerinës i kujtohej vagullt nëna e rrëzuar përdhe, më pas britmat e kunatës dhe fytyra e trembur për vdekje e së mbesës. Më pas, errësirë, të fikëtit e saj të herëpashershëm, varreza, prifti i fshatit me frakun e zi, psalme lutjeje, britma, shi dhe një kryq i drunjtë i gdhendur me emrin e të vëllait dhe datat e lindjes e të vdekjes të ndara me një vizë të shtrembër, aq të thelluar sa e lejon druri i lagësht. Pas vdekjes së vëllait kishin pasuar ngjarje të tjera të kobshme. Në krye të vitit bashkëshortja e tij kishte ikur te njerëzit e saj, duke lënë Antonian nën kujdesin e Katerinës. Dhimbja dhe lotët e nënës, ofshet e babait dhe dihatjet e tij nga dhimbjet e shpirtit natën vonë në kthinën prapa shtëpisë prej guri, të gjitha po i kujtoheshin në atë moment Katerinës me një përpikëri të qartë si një film i kthyer mbrapsht me shpejtësi. Iu kujtua edhe dita kur mamaja e saj, me një shishe ujë fshehur nën sqetull, doli nga shtëpia me vrull dhe u nis për nga varrezat. Më vonë mori vesh se e veja e të vëllait martohej atë ditë dhe mamaja e Katerinës kishte shkuar në varreza për të lagur me ujë varrin e të birit pasi thuhej se, kur të vejat e të vdekurve martohen, u kallen varret. Të gjitha iu kujtuan, edhe vdekja e mamasë në krye të vitit, edhe e babait pas pak kohësh, edhe shtëpia në të cilën asokohe kishin mbetur vetëm Katerina me të mbesën, edhe fjalët e saj thënë me kaq trishtim e frikë në një natë të vonë e të ngrohtë pranvere, kur shtëpia ishte mbushur me miza dhe Antonia e vogël, e shtangur nga ajo heshtje tronditëse, kishte pyetur Katerinën me vaj të fshehur nën buzë: “Halla Nina, pse bërtasin mizat kur jemi vetëm”, edhe heshtja e zgjatur e saj që fshihte nën vete lotët e ngurtësuar dhe tmerrin e një jete të ngërthyer fatalisht nga fati i keq. Brenda saj kishte vdekur dëshira për t’u ringritur dhe në këtë padëshirë ajo shikonte një mefshtësi të përhershme dhe të vetimponuar të qenies së saj. Dhe jeta i përshfaqej si një shteg i ngushtë dhe i pakuptimtë të cilin duhet ta ndiqte somnambul, e detyruar nga prezenca e saj e pavullnetshme në botë. Ajo merrte frymë, ndaj duhet të jetonte dhe forca e saj për ekzistencë gjendej mbi këtë qëllim minimal, te frymëmarrja e saj si veprim i natyrshëm dhe jo i varur prej saj. Më vonë ishte zhvendosur në qytet ku, së bashku me Antonian, kishin marrë një shtëpi të vogël në të cilën Katerina jetonte ende edhe sot, ndërsa Antonia në të njëzetat e saj kishte njohur një djalë dhe së bashku ishin arratisur drejt fatit të tyre, duke e lënë hallë Ninën të vetme. Kishte tentuar disa herë të gjente dikë për të kaluar jetën, një mashkull me histori të njëjtë apo thjesht një partner për të mos e shtyrë jetën vetëm, por fiksimi i saj absurd për të mos pasur fëmijë e kishte shpënë gjithmonë në përfundime fatale. Katerina e kishte shpallur veten si të padenjë për rolin e nënës dhe e kishte bindur veten për këtë vendim të drejtë, vendim i cili i kishte shkaktuar dhimbje dhe i kishte sjellë pasoja të mëdha. Në martesën e parë bashkëshorti i kishte gjetur nën dyshek tableta kundër shtatzënisë dhe asaj i kujtohej dita dhe çasti kur ai me valixhet e mbushura kishte ikur duke bërtitur shkalleve “Ti je e çmendur” dhe duke e lënë Katerinën të vetme teksa çirrej në një vaj të pangushëllueshëm. Ndërsa në tentativën e dytë ai e kishte braktisur pa lënë asnjë letër apo pusullë. Ishte zhdukur pa thënë asgjë, siç zhduket errësira pas një nate të gjatë në prag agimesh të kthjellëta. Katerina nuk kishte fajësuar askënd, përveçse veten. Kishte vendosur ta shkëpuste fillin e riprodhimit duke mos dashur të përcillte dhimbjen e saj te krijesat e reja, të pafajshme dhe të pambrojtura nga ndikimet e forta, të cilat krejt natyrshëm dhe pa vetëdije përcillen nga nëna te fëmija në procesin e ushqyerjes me gji, në zërin e dridhur të ninullave apo vajin e fshehtë natën nën batanije, ku fëmijët sado të vegjël kanë aftësinë ta njohin dhe ta shquajnë trishtimin e nënës dhe gjithashtu ta ngërthejnë në kujtesë përjetësisht.

    Katerinën e kishte marrë malli për mbesën e saj dhe brenda vetes e vuante braktisjen e paqëllimshme. Braktisje e kushtëzuar nga përballjet me jetën. Antonia tashmë ishte e martuar, kishte dy fëmijë dhe ndiqte karrierën si mjeke në një tjetër shtet. Ishte vënë pas karrierës me vrull dhe ishte përhumbur në rrjedhat e saj si çdo njeri i cili nuk kupton që, sado i lumtur të jetë në jetë, harron se ekziston një ditë në të cilën detyrohet të dorëzojë gjithçka. Dita e shkëputjes nga vetvetja dhe rendja e pavullnetshme drejt fundit. Si në ato udhëtimet me tren ku, pasi ke mbërritur në destinacion, të zbresin pa dëshirë dhe të detyrojnë të hipësh në trenin e kthimit për në vendin ku u nise, tashmë i plakur, pa dëshira dhe me një boshllëk të madh në zemër për të gjitha çastet e humbura dhe fjalët e pathëna, të cilat mbase ashtu të vockla dhe pa rëndësi mund të kishin ndryshuar çastin e atyre që kemi për zemër dhe që shpesh ose gjithmonë i harrojmë. Iu kujtua edhe ëndrra me të vëllain, ku pas gati tridhjetë vjetësh, kur Katerina ishte grua në moshë, e kishte parë në ëndërr të drobitur, të lodhur dhe pa kuptuar, ai i kishte bërtitur së motrës dhe ajo ishte zgjuar nga gjumi duke qarë nga malli për të. Njëjtë si në vogëli, kur ai e qortonte për gabimet dhe Katerina e vogël qante pa zë dhe pas një copë kohe në vaj, i afrohej të vëllait dhe me pendesë, varte kokën e saj mbi sup të tij në shenjë pajtimi. Ajo ëndërr Katerinës i kishte ngjarë me një mesazh apo njëfarë qortimi për largësinë e gjatë me të mbesën, Antonian, edhe pse ajo kishte tentuar disa herë ta bindte që të vinte për t’u takuar dhe ishte përballur me justifikimet e së mbesës, punë dhe shkaqe karriere. Ndaj, e bindur se ishte gati joetike ndërhyrja në jetën e së mbesës, ajo kishte zgjedhur heshtjen dhe kredhjen në rutinën e përditshme të jetës së saj të vetmuar.

    Sirena e anijeve që ankoroheshin në portin përballë e zgjoi Katerinën nga përhumbja. Një fllad i freskët i kishte depërtuar nën lëkurë dhe qielli i nxirë nga errësira ishte mbushur me yje të zjarrta. Parku pothuaj ishte boshatisur dhe fenerët e ndezur që e ndriçonin, krijonin atë dritë artificiale të nevojshme për këtë park të vetmuar në natë. Ndjeu se duhej të kthehej në shtëpi. U ngrit nga stoli, mbështolli kokën me lahurin dhe u nis drejt apartamentit. Derën e hapi me përtesë, hodhi shallin mbi divan dhe sytë i shkuan në tiganin me salcën e zier e cila kishte marrë një ngjyrë të fortë vishnje. Mizat ishin zhdukur dhe Katerina, e lodhur nga kujtimet, u hodh në divan. Iu bë sikur ndjeu sërish një zukatje, ngriti kokën paksa nga mbështetësja, por kuptoi që kishte qenë thjesht zhurma që krijonte pavetëdija e saj e ngarkuar me zukatje dhe britma, me klithma dhe vaje të cilat herë pas here zgjoheshin dhe ia kujtonin të shkuarën e largët. Sërish u shtri dhe duke rregulluar nënkresën, u paqtua me idenë se zukatjet do të riktheheshin të nesërmen sërish dhe se mizat, si gjallesa të cilat i ngjallnin krupë, do të ishin aty përgjatë gjithë stinës së verës, por fundja ajo do të mësohej sërish me praninë e tyre, siç ishte pajtuar me fatin e saj qysh në vogëli.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË