More
    KreuLetërsiShënime mbi libraGiuseppe Schirò di Maggio: Nëpër udhën e dashurisë – hajku nga Nasho...

    Giuseppe Schirò di Maggio: Nëpër udhën e dashurisë – hajku nga Nasho Jorgaqi

    Nasho Jorgaqi është Poet dhe këtë emër me “P” të madhe e ka fituar me gjashtë botime me hajku (një poezi e shkurtër me origjine japoneze): Nën hiret e bukurisë (2005), Nën zë (2010), Momente (2007), Pëshpëritje (2016), Zgjime shpirtërore (2018) e, i tanishmi, Nëpër udhën e dashurisë (2019).

    Më 2005-n, kur sapo doli libri i parë me hajku i poetit tonë, mendova: “Nasho po na bën konkurrencë!”. Dhe me të vërtetë, pas pesëmbëdhjetë vjetësh nga dalja e librit Nën hiret e bukurisë, Jorgaqi është poet i mirënjohur, i lexuar e i admiruar, tashmë edhe i përkthyer në dy botime në greqisht (Duke rrokur vetëtimat (2011) dhe 3x17x3 (2015)).

    Me hajkun kuvendohet për dashuri apo, më mirë, bëhet dashuri. Në mënyrën japoneze, ku çdo gjë e bukur këndohet e dashurohet – që nga bukuria femërore, si i pari arsyetim universal dashurie, tek natyra e ndritshme në lulet e qershive apo dëgjimi i gurëve që hedhin shtat – gjendemi në brendësinë e atomit të shpirtit të njeriut lindor japonez. Një mësim i bukur jete dhe letërsie. 

    Përtej Adriatikut, jo shumë larg Shqipërisë, gjejmë, gjithashtu, një poezi të lindur thuajse tetëqind vjet përpara, që lëshon në shprehjen poetike fjalë të reja, “të sapogjetura”, me prejardhje nga latinishtja, por tashmë me fizionomi të vetën: Rosa fresca aulentissima ch’apari inver’ la state, / le donne ti disiano, pulzell’e maritate. (Trëndafil i freskët plot aromë që del në muajt verorë, / gratë të dëshirojnë, vashëza e me kurorë) e Cielo d’Alcamo-s nga Shkolla Siciliane. Kjo e fundit bashkon një grup interesant poetësh të rinj, që marrin pjesë në lindjen e gjuhës italiane, e që do të pagëzohet në Toskanë me emrin “Il dolce stil novo” (I ëmbli stil i ri).

    Një parantezë e shkurtër si për të thënë se pikërisht “Të ëmblit stil të ri” dhe Dantes u referohet Nasho Jorgaqi në përmbledhjen e tanishme me hajku. Mu në faqen e kushtimit del një citat nga një vjershë kuptimplote e Dantes, nxjerrë nga Vita Nuova (VII, 3-6): O voi che per la via d’Amor passate! (O ju, që nëpër udhën e dashurisë kaloni). Ky fill i artë, që lidh disi poezinë e autorit tonë me atë të “Dolce stil novo”, mund të përmblidhet, sa i përket përmbajtjes, në vargun sublim 100 të Këngës V të Ferrit dantesk, kur Françeska në mënyrë universale shpreh rënien njerëzore në dashuri: Amor ch’al cor gentil ratto s’apprende… (Dashnia, n’shpirt fisnik që hyn aq letë – përkthyer nga Pashko Gjeçi). Kurse për formën e vargëzimit ajo i referohet ngjeshurisë së hajkut japonez. Më duket një provë e qëlluar për të thënë se poezia nuk njeh kohë dhe hapësirë gjeografike. Ajo është e përjetshme si Shpirti Hyjnor, që “fryn” kurdo e kudo. 

    Hajku i Jorgaqit ka origjinalitet. Duke marrë shkas nga ai japonez, Jorgaqi e  shndërron dhe e përshtat me kërkesat e tij shprehëse. Forma e hajkut japonez ka rregulla të mirëpërcaktuara. Ai përmban tri vargje, ku i pari dhe i treti kanë gjatësi të njëjtë, ndërsa i dyti mban dy rrokje më shumë: 5-7-5. Hajku i Jorgaqit respekton tri vargjet, por jo gjatësinë e tyre. Vargu i përshtatet lirisht ndjenjës nga është frymëzuar, si dashurisë e mallit, por njëherësh është i mbushur me sentenca, urtësi e mendime didaskalike. Edhe poetë të tjerë që vargëzojnë me hajku, ndër të cilët poeti shqiptar Milianov Kallupi, përdorin vargje me gjatësi të ndryshme, duke mbajtur natyrisht tri vargjet e hajkut klasik.

    Hajkuja e parë e librit Nën hiret e bukurisë (2005) këndon: “Bukur ta sodisësh sythin / tek shpërthen e çel degë / dhe er’e lules bëhet fryma jote”. Natyra e jetës bimore bëhet fryma e gruas, por në atë libër programi i dashurisë dhe i rënies në dashuri fillon nga hajkuja e dytë: “Të duash në dhimbje /dhe dhimbjen të mos e tregosh / Ja forca e heshtur e dashurisë”. Që në fillim gjejmë sistemin sentimental, intelektual, poetik që Jorgaqi do të zbatojë në librat e tjerë me hajku. E pranishme në të gjithë librat, por sidomos në atë të sprasmin, Nëpër udhën e dashurisë, është urtësia e moshës së pjekur dhe ankthi i kohës që shkon: “Vitet ndjekin njeri-tjetrin /kurrë s’i ndalojmë dot. / Utopia e ëndrës njerëzore”.

    Të këndosh dashurinë në çdo moshë: me rrëmbim në djalëri, me ëmbëlsi në pleqëri e me hidhësirë për sa mund të kish qenë e nuk qe. Në hajkutë e tij kjo ndjenjë është e pranishme. Megjithatë, edhe plaku, kur shkruan vargje, nuk ështe vërtet plak, sepse edhe ai bëhet fëmijë: “Ti nuk do të ishe poet / pa qenë dhe pak femijë / kur shkruan vargje” (f. 69). Më vjen në mendje një shprehje, që nuk e kujtoj kush e ka shkruar: “Të bëhesh fëmijë duhet plot një jetë e tërë”. Sepse para dashurisë dhe para gruas, që i jep substancë dashurisë, ne të çdo moshe bëhemi të gjithë fëmijë dhe thurim poezi. E thotë edhe poeti francez Alphonse Daudet: “Një poet është një njeri, që e shikon botën me sytë e një fëmije”.

    Pse Nasho Jorgaqi citon Danten në faqen e parë të librit me hajku: O voi che per la via d’amore passate? (O ju që nëpër  udhën e dashurisë kaloni?). Në thelb, a është gruaja “angelicata” (ëngjëllore), që këndon “Il dolce stil novo” e natyrisht Dantja, gruaja e kënduar nga Jorgaqi në hajkutë e tij? A është gruaja që zbret nga qielli në tokë “a miracol mostrare” (të dëftojë mrekulli)? Në të stërmadhen larmi të hajkuve të tij mund të gjejmë shprehje të lidhura me idenë e sublimimit ose të transhendencës së figurës femërore: “Aq e bukur ishe atëherë / sa sipas fytyrës tënde / vezullonte imazhi i Zotit” (f. 88).

    Unë mendoj se gruaja e kënduar nga Jorgaqi është gruaja moderne, e ditëve të sotme, domethënë e miturisë sonë, e djalerisë sonë, e pjekurisë sonë, e pleqërisë sonë. Poezia e tij e bën gruan herë “angelica”, herë problematike, herë mllefqare dhe përçmuese (“ Më kot i shtrive duart drejt’ saj / kur ajo pa fjalë shpinën ta ktheu / dhe të bëri të flasësh me vete”! (f. 101)), herë të ëmbël e herë nxitëse për ankthin e kohës që kaloi dhe që kalon në mënyrë të pashmangshme. Por Jorgaqin duket se e tërheq edhe gruaja “inteligjente”, e mençur! Dhe nëse shfletojmë Danten (Vita Nuova), kryeradha na e shpjegon: “Donne ch’avete intelletto d’amore…”! Të mençura, për veten e tyre, por sidomos “inteligjente” të pranojnë propozimet e dashurisë.

    Një jetë e bukur dashurie ajo e poetit Jorgaqi, jetë dashurie shkruar dhe kënduar qysh në fillim të karrierës së tij të shkëlqyer letrare. E, me të vërtetë, vetëm nga titujt e librave të botuar, spikat frymëzimi i tij poetik, edhe kur shkruan në prozë: nga libri i parë, Dashuria e Mimozës (1960), pastaj Ëndrra dhe plagë (1963), Manastiri i dashurisë (1995), Ndëshkimi i bukurisë (1998), Shpirti i magjepsur (2001), Ishte një herë një dashuri (2003), Netët e bardha të dashurisë (2005), Dashuria nën qerpikë (2015, Zemër (2017). Këtyre shkrimeve për dashurinë (“dashuria” është fjala më e përsëritur) duhet t’u shtojmë edhe librat e lartpermendur me hajku.

    Përmes viteve shihet, megjithatë, një ndërprerje, një cezurë, që nis nga viti 1963 dhe arrin në vitin 1995. Është cezura dhe censura (për autorin tonë, me gjasë, vetëcensura) e periudhës së monizmit. A mund t’i këndohej asokohe dashurisë? Nga lajmet e pakta që kam, kush shkruante poezi dashurie o melankolie o thjesht përshkruese pa program shtetëror, mbahej si poet dekadent, me pasoja disa herë të rënda. Më pëlqen të kujtoj një poezi ndriçuese të Dritero Agollit, Dy fjalë poetëve që vijnë, e cila këndon kështu: “Ne s’kemi pasur aq kohë të shkruanim për dashurinë, / megjithëse kemi qenë dashnorë të marrë. / […] / Vendi kërkonte nga ne poetët e shkretë / të drejtonim kurset kundër analfabetizmit, / të ngrinim diga në lumenjtë, / të ndiznim maleve llambën e socializmit. / Ndaj mos u çudisni, ju poetë që vini në jetë, / dhe mos na qortoni për ato që s’bëmë. / […] Vallë dy vargje për dashurinë s’mund të kishim grirë / dhe s’mund të kishim belbëzuar: Oh, moj belkëputura? / […] Të na kishit parë si digjeshim pranë vajzave që donim! / Ç’fjalë të bukura u thoshim në mbrëmjet e arta! / Po ne s’kishim kohë që fjalët e bukura t’i botonim / dhe shtypshkronjat i kishim për gjëra më të larta…”.

    Në thelb, shteti që kontrollonte si kulturën si shtypin, kish të tjera të mendonte! Nasho Jorgaqi “i devijoi” shkrimet e tij të asaj periudhe: prodhoi libra për estetikë, biografi, libra historikë, duke iu kushtuar njëherësh punës së tij si profesor universiteti. Në kushtimin e librit të tij të fundit me hajku Jorgaqi shkruan, duke rimenduar ndoshta për sa mund të kish qenë, por që pjesërisht nuk qe: “Ia kushtoj brezit tonë letrar të viteve ‘60 të shekullit XX, për zërat solistikë dhe kontributet e çmuara që sollën në letërsinë shqipe”.

    Mbiemri “solistikë” më duket se tregon mirë realitetin e kohës, të epokës së “seriozitetit socialist”. “Solisti”, pra, ai që këndon i vetëm, bën poezi mendore, por u bindet ligjeve të shtetit, që ndalon disa shprehje artistike të mbajtura si të rrezikshme. Vërtet janë këto gjëra që të bënin të rrënqetheshe asokohe e të bëjnë të rrënqethesh edhe sot, por çfarë tjetri mund të gjeje, në koha nuk ish ende e pjekur për liri?

    Tema tjetër e madhe e këtyre librave me hajku ështe ndjenja e kohës që ikën, e moshës së tretë o të katërt, që afrohet pashmangshmërisht. Dhe është e trishtueshme të mos shijohen si më parë bukuritë e natyrës në përgjithësi dhe ato femërore në veçanti: “Çdo të bësh tani me hirin / e dashurive të fikura / kur po të ftoh pleqëria?” (f. 97).

    Dashuria për të cilën poeti bie në dashuri, rrjedh nëpër mijëra e mijëra vargje. Dhe me dashurinë ai ngjitet gjithmonë më lart, sic ngjitej gjithmonë më lart Dante Aligieri në udhëtimin e tij jashtëtokësor përshkruar në Komedinë Hyjnore. Dantja mbyll nga pika më e lartë e gjithësisë me apoteozën e dashurisë, atë hyjnore: L’amor che move il sole e le altre stelle (Parajsa, XXXIII, v. 145) (Dashnija, / që lëviz diell e yj të vezullueshëm – përkthyer nga Pashko Gjeçi). Edhe Nasho Jorgaqi në një hajku ngjitet lart, duke përmendur Perëndinë me një arsyetim, që është krejt një simfoni e krishterë: “Pse t’i lutemi Zotit? / T’i lutemi dashurisë / që zbret Zotin në tokë”.

    Për çdo hajku të librit Nëpër udhën e dashurisë, por edhe të botimeve të tjera, duhet të shkruheshin faqe komentesh dhe përsiatjesh. Lexuesi i mirë do t’i shijojë, do t’i komentojë dhe përvetësojë tercinat moderne të kësaj poezie, të shpirtit gjithmonë rinor dhe të urtësisë nga përvoja e një jete të gjatë, që si tufëza lulesh pranverore na vijnë nga poeti Nasho Jorgaqi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË