More
    KreuLigjëratëFrano Kulli: Ndoc gjetja - “Biri i gjallë i njeriut” Nga frano...

    Frano Kulli: Ndoc gjetja – “Biri i gjallë i njeriut” Nga frano kulli

    Ndodh rrallë, shumë rrallë këto kohë në shoqërinë e konsumit të botës sonë rrokopujë e të garrametëshme që vëmendja publike të ndalojë me vetëndjesi në gjëra të imta eliteqë njerëzimi ka krijuar.Rrallë ndodh që ajo të ravijëzojë a të komunikojë me njeriun e virtytshëm sidomos sot, kur hierarkia e vlerave të moralit ka ndryshuar kahje; kur ajo është kthyer thuajse me kryeposhtë e në modë ka dalë e proklamohet si vlerë e çmuar vesi e kur ky “homo sapiens-i”i virtytshëm është specie “në zhdukje”.

    Kjo ka ndodhë pardje në Lezhë me poetin Ndoc Gjetja, madje ka ndodhë në një fashio orare krejt në zgript, atëherë kur lajmi se gripi famëkeq Coronavirus kisht prekë edhe në Shqipëri. Dhe nuk mënoi dikush të na qortone tek pinim kafe në përmbylljen e veprimtarisë së gjestit se kishim shpërfillur ndalimin e tubimeve…

    Me Ndocin, me 23 tetor 2006, në përvjetorin e lindjes së Fishtës

    Ndoci përkujtohet ritualisht prej dhjetë vjetësh në Lezhë, herë në një mënyrë e herë në një tjetër, qyshsekur nuk frymon më këtu në tokë në botën e të gjallëve qysh atëherë kur u nis në amshim në botën e qiellit. Miq të poezisë e miq të tij, ndër to Kujtim Dashi i vetmi jetëshkrues i përimtë i tij, i cili gjithë nektarin e miqësisë me Ndocin e me poezinë e tij i ka përmbledhë në dy librat e tij për Ndocin dhe Preç Zogaj “nxënës”i Ndocit dhe bashkëthemelues me të e me Rudolf Markun e iluminuar heret i “shkollës poetike të Lezhës”të viteve ’80 të shekullit të shkuar ishin aty.Dashamirë të leximit e ushtrues  të shkrimtarisë të Klubit të atyshëm të letrave patjetër, por dhe njerëz të hierarkisë zyrtare gjithashtu ( dhe kjo është për tú shënuar…) kanë bërë së bashku vetëvullnetshëm një gjest për Ndocin. Pardje , në ditëlindjen e tij. Njëra prej sallave të Bibliotekës publike u pagëzua me emrin e tij; salla e librit shqip aty u emërtua “Salla Ndoc Gjetja”… Vdekja e poetit është shumë dimensionale, sikundër vepra e tij që mbetet në përjetësi”, më kujtohet të kem thënë dhjetë vjet më parë , në qershorin e prushtë e të pikëllimtë të 2010-ës, tek e përcillnim truporen e Ndocit për në banesën e fundit të përjetëshme. Po kam qenë e jam i bindur se,sigurisht që kjo nuk ndodh me të gjithë kumtuesit e shkruesit e poezisë. Kjo ndodh vetëm me poetët, poetë.

    -Nëse do të kërkohej një poet i përveçëm në poezinë shqipe, që diti t’iu ikë shablloneve, dogmave, që diti të krijojë një poezi thellësisht të inspiruar, me tipare tokësore dhe qiellore, një poezi që gufon nga ndjenjat e fuqishme të dashurisë, një poezi që komunikon fuqishëm me gjuhën e artit, pa dyshim se njëri nga ta do të jetë Ndoc Gjetja.- shkruante  Albert Vataj, in memoriam 5 a 6 vjet më pas.

    Ndërsa Pjetër Arbnori i ndjerë edhe ai, do të më thoshte vite më parë: Unë e kam lexuar Ndoc Gjetjen në burg dhe e kam shijuar. Sepse më dukej ndryshe dhe e shijoja… “Ndoc Gjetja në çdo poezi të tij i bie bukur tastierës së humanizmit”, veçon si cilësi Petro Zheji i mençur e i kulturuar.Kurse Ndoci për vehte, përveçse 8 librave vetëm me poezi…, bashkëlidhur me to si në një buqetë të praruar ka lënë edhe të thënën: “Përherë kam qenë i lodhur nga jeta e përherë i drobitur se kam bërë një jetë me mungesa e privacione të shumta. Por ndjej kënaqësi kur mendoj që unë nuk e kam lodhur jetën, nuk i kam rënduar asaj për ta përçudnuar…Jam bërë 60 vjeç dhe akoma nuk e di se ç’është poezia….! Poezia është diçka magjike e cila të mbështjell e s’e ke më veten në dorë, si instrument i saj! Është poezia që të shkruan ty”.

    Nuk përmendet ndonjë rast në historinë e larmishme të eksperiencave e jetëve të poetëve, ku poeti dhe njeriu të kenë qenë të trupëzuar, të jetësuar në  një si Ndoc Gjetja njeri dhe Ndoci poet. Kushdo e ka njohur e lexuar poezinë e tij  dhe më pas ka njohur poetin e ka pasë të pamundur t’i veçojë  a t’i ndajë gjendjen dhe qenien (poezinë dhe Ndocin)

    Ndoc Gjetja do të mbahet mend si poeti që poezinë e tij e nderi mbi shpirtin e njeriut, ai krijoi një letërsi thellësisht të bukur, të inspiruar nga e bukura.Idetë dhe  gjithë bota e ideve për të ishin të njësuara me shpirtin. I vetëdijshëm dhe pa kurrëfarë artifici ai na ka dhënë shëmbëlltyrën e përkushtimit të gjithë qenies së tij-poezisë. Poezia e tij buron në zgriptin e privacioneve të pallogaritëshme të jetës fizike….Dhe poezia ka për t’ia shpërblyer me patjetër. Në panteon poetët përcillen nëpërmjet gjesteve…

    EPITAF PËR VETEN

    Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja
    i cili pati ardhur gabimisht në botë
    nga vetja e tepruar nxirrte vjersha
    dhe gjithë njerëzit i quante shokë 

    Kur pa që ëndërra kalkulohej me kompjuter
    kur pa se idealet rrëzoheshin në kolltuqe
    kur jepte buzeqëshje dhe merrte skërmitje
    zuri sytë me dorë dhe vendosi të ikte. 

    Dhe shkoi e hyri në manastirin e Unit
    t
    ë shpëtonte shpirtin nga gjuhëligat e lehjes
    …Pastaj e përcollen në banesen e fundit
    me shpenzimet falas nga Bashkia e Lezhës. 

    Në çastin e mbramë një hënë e përgjakur
    e puthi në ballë dhe thirri “Nënë”
    Mos kërkoni të dini për të më tepër
    se iku sikur të mos kishte qenë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË