More
    KreuEditorialMimoza Hysa: Gjithmonë drejt shtëpisë

    Mimoza Hysa: Gjithmonë drejt shtëpisë

    Çfarë mund t’i bëjë bashkë njerëzit e letrave? Çfarë mund t’i mbledhë në një kuvend? A mund të ketë një tubim ekstra-letrar që i bashkon ata? Përtej hapësirës së lirisë së shkrimit, a mund të ketë një hapësirë ku mund të rrihen mendime, të hidhen ide dhe të gjykohet mbi gjithçka ka të bëjë me fushën e letrave, me situatën e shkrimtarëve dhe përkthyesve, me gjendjen e letërsisë shqipe dhe nevojën e promovimit brenda e jashtë vendit, me të drejtat e autorit dhe mbështetjen e shtetit në këtë drejtim? Përvoja e hidhur e artit dhe letërsisë së angazhuar të realizimit socialist, “të inxhinierëve të shpirtit” “të lidhur” në Lidhje përbashkimi mendimi e idesh, i hedh dyshimet si hije të gjata edhe pas tri dekadash.

    Të gjitha këto pyetje u shtruan kur Qendra e Botimeve për Diasporën që drejtoj mori përsipër, me nismën e Ministrit të Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko, të organizojë një takim të shkrimtarëve të letërsisë shqipe që jetojnë jashtë vendit. Është e qartë që hapësira e shkrimit, siç e ka përcaktuar dhe Barth-i, është hapësira ku shkrimtari ushtron lirinë e tij të zgjedhjes, e kufizuar mes dy kllapash shtrënguese që janë gjuha dhe stili i tij. Kjo është hapësira e shenjtë individuale, në të cilën nuk kanë vend politikat dhe orientimet. Përtej saj, shkrimtari është një qenie sociale që jep ndihmesën e vet të rëndësishme në kulturën e një vendi dhe njëkohësisht ka nevojën e njohjes dhe vlerësimit të kontributit të tij.

    Kuptuar kështu, Komuniteti Europian në “Statutin Social Europian” të miratuar më 7 qershor 2007, me qëllim nxitjen e formave të mbrojtjes së Artistit/Autorit, ftoi të gjitha vendet anëtare të hartonin Regjistrin Profesional Europian për “nxitjen e njohjes së përvojës profesionale të artistëve”, një lloj pasaporte europiane për artistët dhe shkrimtarët. E gjitha kjo për mbrojtjen e të drejtave të autorëve, shkrimtarëve dhe përkthyesve, për vëmendje më të shtuar ndaj veprës së tyre, për një promovim më të organizuar e më të mirë të librit dhe leximit, si dhe për të krijuar rrjete bashkëpunimi mes bibliotekave, instituteve të kulturës, shtëpive botuese, qendrave të librit, institucioneve shtetërore apo private që kanë në fokus librin e leximin.

    Për të gjitha këto, për të diskutuar atë hapësirë lirie që është shkrimi, për një njohje më të mirë të veprës së gjithsecilit, për problematikat që shqetësojnë fushën e letrave, takimet marrin kuptim. Në përgjigje të pyetjeve të shtruara, u hartua edhe agjenda e takimit të shkrimtarëve të letërsisë shqipe, me vëmendje ndaj të gjithë atyre që erdhën nga vende të ndryshme të botës. Dihet që historia jonë e letrave që në zanafillë ka njohur shkrimtarë që zgjedhin të shtegtojnë jashtë për shkollim a një njohje më të mirë të botës, për përvojë jete a nevojë mbijetese, ashtu siç ka njohur edhe shkrimtarë të dëbuar, të ashtuquajtur “të ekzilit”, shkrimtarë të ndaluar apo shkrimtarë të mërgatës, e pikërisht kësaj kategorie shkrimtarësh iu kushtua vëmendje, edhe pse të ftuar në diskutime kishte dhe shkrimtarë me banim në trevat shqiptare.

    Në panelin e parë autorët Ardian Ndreca (Itali), Bashkim Shehu (Spanjë), Luan Topçiu (Rumani) e Rudolf Marku (Angli) në moderimin e Prof. Dr. Persida Asllani, diskutuan për temën: “Revistat kulturore në diasporë”. U nxor në pah roli i revistave kulturore si një nga kapitujt më interesantë e domethënës të historisë së kulturës shqiptare. Të lindura së pari në diasporë, por të ndjekura edhe nga simotrat e tyre brenda territorit të shtetit shqiptar, u diskutua rreth rolit që ato kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë si mediumi më cilësor i komunikimit tonë ndërkulturor. Secili nga të ftuarit, në vijueshmëri të traditës, paraqiti kontributin e tij përmes drejtimit të disa prej revistave më të rëndësishme jashtë vendit: “Shejzat” nga Ardian Ndreca, “Albanica” nga Luan Topçiu, “Bridge” nga Bashkim Shehu, si dhe projekti më i ri i revistës letrare të Rudolf Markut. Përmes diskutimit u hodh dritë në panoramën bashkëkohore të këtij mediumi kulturor dhe u paraqitën mundësi të reja të mbështetjes dhe fuqizimit të këtij mediumi.

    Në panelin e dytë autorët Anisa Markarian (Francë), Durim Taçi (Itali), Enkel Demi e Stefan Çapaliku në moderimin e gazetares Arta Marku, diskutuan rreth temës: “Pluraliteti i kujtesave dhe letërsia”. Çfarë përbën kujtesa në krijimtarinë e gjithsecilit? A përbën dallim këndvështrimi i ngjarjeve, i vendit, i atdheut kur shihet nga brenda, afër a larg? Në këtë panel u diskutua pikërisht për kujtesën vetjake të shkrimtarit si perceptim i pasqyruar në letërsi; për perceptimet vetjake e të paraardhësve; për përzgjedhjen në kujtesë të lëndës letrare; për njerëz, vende a ngjarje konkrete që qysh në kujtesë kanë nisur ta tejkalojnë realitetin; për të vërtetën letrare që, sado e “endur” në laboratorë krijuesish, mund të jetë e vërteta me V të madhe. Tema e këtij paneli kishte të bënte me trajtimin e asaj hapësire lirie krijuese që përmendëm në krye të herës, duke shërbyer kështu për një njohje më të mirë të veprave të autorëve tanë.

    Në panelin e tretë, me autorët Denata Ndreca (Itali), Griselda Doka (Itali), Ndue Ukaj (Kosovë) e Thanas Medi (Greqi) të moderuar nga Alda Bardhyli, iu dha hapësirë leximeve autoriale e njohjes me krijimtarinë e autorëve të ftuar. Interesante ishte theksi që vuri Ndue Ukaj për gjetjen në të ardhmen të formave dhe mënyrave për mbështetjen e kulturës shqiptare, kuptuar ajo si një dhe e pandarë. Për të takimi ishte një hap i parë i rëndësishëm institucional për vëmendje ndaj fushës së letrave. Siç u shpreh ai “Letërsia shqipe është ndoshta paradigma e vetme që ka mbajtur gjallë kombin edhe identitetin shqiptar. Është programi kulturor-politik dhe identitar i shqiptarëve. Historia e ideve kulturore shqiptare është organikisht e lidhur me letërsinë. Prandaj kërkohet prej të gjithë përgjegjësve të shteteve shqiptare edhe pjesëve të tjera, që të ndërgjegjësohen dhe të marrin vendimet e duhura, sepse duke ndihmuar këtë, i bëjnë nder kombit edhe kulturës.”

    Në panelin e katërt, me autorët Anilda Ibrahimi (Itali), Arben Dedja (Itali), Entela Tabaku (Suedi) e Shqiptar Oseku (Suedi) në moderimin e Prof. Diana Kastrati u diskutua për temën: “Letërsi identitare apo Identitete gjuhësore e kombëtare likuide?” Autorë që shkruajnë vetëm në gjuhën shqipe si Entela Tabaku e Shqiptar Oseku, autorë që shkruajnë në dy gjuhë apo vetëm në gjuhë të huaj si Anilda Ibrahimi e Arben Dedja shtjelluan temën e identitetit në letërsi, duke u fokusuar tek gjuha dhe në atë çka e bën veprën e tyre të ketë ose jo përkatësi kombëtare.

    Në panelin e pestë, me autorët Bessa Myftiu (Zvicër), Ismete Selmanaj Leba (Itali), Flutura Açka (Holandë) e Virion Graçi, në moderimin e Prof. As. Lili Sula, me temë: “Udhët e kthimit: lashtësia e një miti modern” theksi u vu në karakterin atdhetar të krijimtarisë artistike. Duke u nisur nga Atdheu si një nga konstantet më të rëndësishme tematike e ideore të historisë së letërsisë sonë, nga këndvështrimi në letra i atdheut larg e afër, u bashkëndanë përvoja artistike e personale të autorëve të ftuar, me qasjen për të përftuar pamjen e atdheut te sotëm në letrat shqipe, përmes veprave të autorëve bashkëkohorë.

    Nëse takimi nisi me trajtimin e një hapësire të përbashkët bashkëndarjeje të krijimtarisë, ideve dhe problemeve siç është revista, edhe në mbyllje u zgjodh pikërisht një temë që ka të bëjë me rrugët e  mënyrat që duhen gjetur për një promovim më të mirë të letërsisë shqipe, përmes temës “Përkthimi dhe promovimi i letërsisë shqipe jashtë vendit” me autorët, përkthyesit e botuesit Albana Shala (Holandë), Eleana Zhako (Belgjikë), Iskra Thoma (Itali) e Livio Muçi (“Besa edittrice” – Itali) në moderimin e gazetarit Ben Andoni. Në këtë panel u theksuan disa nga rrugët për mbështetjen e përkthimit të letërsisë shqipe, si: projekti i përkthimit nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj i hapur në vitin 2016 nga Ministria e Kulturës, mbështetja e përkthimit të letërsisë shqipe nga rrjeti TRADUKI, apo projektet e përkthimit të Europës Krijuese, pjesë e të cilave Shqipëria u bë në vitin 2014. Megjithatë, të gjitha këto janë shumë pak përballë nevojës që ka letërsia jonë, e shkruar në një gjuhë të rrallë, për t’u përballur, njohur dhe komunikuar me letërsitë e vendeve të tjera.

    Si shembull të mirë për një komunikim të tillë, Qendra e Botimeve për Diasporën ftoi drejtuesin e festivalit “Passaggi” në Itali, z. Giovanni Belfiori, me qëllim njohjen e autorëve shqiptarë, përzgjedhjen dhe ftesën e tyre për pjesëmarrje në këtë festival, si dhe vendosi bashkëpunim me një nga gazetat më të mirënjohura të Italisë “Corriere della sera” për të prezantuar faqen kulturore “Letture” në të cilën gazetarja e dërguar Jessica Chia do të paraqesë në të ardhmen edhe pjesë nga autorët shqiptarë.

    Një hap drejt krijimit të urave të komunikimit dhe bashkëpunimit mes krijuesve ishte dhe botimi i “Letra nga Diaspora” nga Qendra e Botimit për Diasporën ku përmblidhet krijimtaria e përzgjedhur e autorëve të ftuar, revistë e cila në të ardhmen do të konceptohet si një forum komunikimi mes mbarë shkrimtarëve të letërsisë shqipe.

    Nëse nisemi nga pyetja e shtruara në fillim: Përse mund të mblidhen në një kuvend shkrimtarët? Përgjigja mund të ishte për gjithçka u paraqit më sipër: për të njohur më mirë njëri-tjetrin dhe veprën e secilit, për të kuptuar dhe debatuar rreth çështjeve thellësisht letrare, por edhe rreth problematikave të ndryshme që shqetësojnë autorin shqiptar, për gjetjen e rrugëve për një promovim dhe njohje më të mirë të letërsisë shqipe, për një komunikim më të natyrshëm mes letrave shqipe, për të shkërmoqur “atë bunker të vendosur mes diasporës së vjetër dhe asaj të re”, siç u shpreh në letrën e tij përshëndetëse shkrimtari Gazmend Kapllani. Takimi ishte një mundësi, sipas tij, që “diaspora që po ringjallet të gjejë sërish identitetin e saj të lëkundur duke ndërtuar urat e komunikimit me Atdheun, për të zëvendësuar bunkerin me biblioteka dhe librari.”

    Por përgjigja për domethënien e këtij takimi mund të përmblidhej dhe një fjalë të thjeshtë simbolike, siç i përgjigjen hebrenjtë ikanakë pyetjes në romanin e Novalis: “Për ku jeni nisur?”, “Gjithmonë drejt shtëpisë”.

    Ky takim ishte edhe një ftesë simbolike për t’u kthyer në shtëpi. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË