More
    KreuIn memoriamHomazh për Albert Camus nga Jean-Paul Sartre

    Homazh për Albert Camus nga Jean-Paul Sartre

    Gjashtë muaj më parë, madje edhe dje, njerëzit pyesnin të interesuar: “Ç’do të bëjë ai?” Përkohësisht, i dërrmuar prej kontradiktave që duhen respektuar, ai kishte vendosur të heshtte. Por ai ishte ndër ata njerëz të rrallë, për të cilët ia vlen të presësh, pasi ata nuk nxitohen të zgjedhin dhe i mbeten besnikë zgjedhjes që bëjnë. Një ditë ai do të fliste hapur. Ne as që do të kishim guxuar të supozonim se çfarë mund të thoshte ai. Ne mendonim se ai do të kishte ndryshuar bashkë me botën, siç ndodh me të gjithë ne; kaq mjaftonte për të qenë të vetëdijshëm për praninë e tij.

    Unë dhe ai ishim zënë. Një zënie nuk ka dhe aq rëndësi—edhe nëse ata që zihen nuk e shohin më kurrë njëri-tjetrin—kjo thjesht është një tjetër mënyrë e të jetuarit së bashku, pa i humbur shikimit të njëri-tjetrit në atë copë botë ngushtësisht të vogël që na ka rënë për pjesë. Kjo nuk më pengonte aspak që të mendoja për të, të ndieja që sytë e tij ishin mbi librin apo mbi gazetën që unë po lexoja dhe pyesja veten: “Ç’mendon ai për këtë? Çfarë mendon ai në këtë moment?”

    Heshtja e tij—të cilën, në varësi të asaj çfarë ndodhte ose të gjendjes sime shpirtërore, e shihja herë si një sjellje të kujdesshme, herë me dhimbje—ishte një tipar i së përditshmes, si të nxehtit ose drita, por ishte njerëzore. Ne jetonim me mendimin e tij ose kundër tij, siç shtjellohej ky mendim në librat e tij—veçanërisht te Rënia (La chute), që është ndoshta libri i tij më i mirë dhe më pak i kuptuari. Ishte një aventurë e jashtëzakonshme e kulturës sonë, një lëvizje së cilës u përpoqëm t’i kuptonim fazat dhe rezultatin final të saj.

    Në kohën tonë ai përfaqësonte shembullin e fundit të asaj aradhe të gjatë moralistësh, veprat e të cilëve përbëjnë ndoshta elementin më origjinal në letërsinë franceze. Humanizmi i tij i palëkundur, i kufizuar dhe i kulluar, i rreptë dhe sensual, frymëzoi një luftë të pasigurt kundër ngjarjeve masive dhe pa formë të kohës. Por, në anën tjetër, përmes refuzimeve të tij të vendosura, ai riafirmoi, në zemër të epokës sonë—në kundërshim me makiavelizmat dhe idhujt e realizmit—ekzistencën e çështjeve morale.

    Në një farë mënyrë, ai vetë ishte pikërisht ky afirmim i vendosur. Kushdo që i ka lexuar ose ka reflektuar mbi veprat e tij ka ndeshur me vlerat humane që ai vlerësonte fort; ai e vuri në dyshim veprimin politik. Atij ose duhej t’i shmangeshe, ose duhej ta luftoje—ai ishte i domosdoshëm për atë tension që e bën jetën intelektuale të jetë ajo që është. Heshtja e tij, këta vitet e fundit, kishte në vetvete diçka pozitive: ky Dekard i Absurdit refuzoi ta linte terrenin e sigurt të moralit duke rrezikuar në shtigjet e pasigurta të praktikalitetit. Ne e ndjemë këtë, siç ndjemë edhe konfliktet që ai mbante të fshehura, për shkaqe etike, të cilat, në vetvete, njëherësh e kërkonin dhe e dënonin revoltën.

    Ne prisnim; ne duhej të prisnim; ne duhej të dinim. Pavarësisht se ç’bëri ose vendosi të bënte më pas, Camus nuk reshti kurrë së qenuri një ndër forcat kryesore të veprimtarisë sonë kulturore dhe, në mënyrën e tij, të përfaqësonte historinë e Francës dhe të këtij shekulli. Por ne ndoshta e kemi ditur dhe kuptuar itinerarin e tij. Ai i tha vetes:  “Puna ime shtrihet përpara”. Tani, ajo ka marrë fund. Skandali i vërtetë i vdekjes së tij është eliminimi i rendit njerëzor nga jonjerëzorja.

    Rendi njerëzor s’është gjë tjetër veçse “mungesë e rendit”—ai është i padrejtë dhe i rrezikshëm, ai përmban vrasje dhe vdekje për shkak të urisë, por të paktën ky rend është krijuar, është ruajtur ose i ka rezistuar kohës prej njerëzve. Në këtë rend do të jetonte edhe Camus. Ai njeri, gjithnjë në lëvizje, që na pyeste vazhdimisht, ishte vetë një pyetje që kërkonte përgjigje. Ai jetoi në gjysmën e një jete të gjatë; për ne, për veten e tij, për njerëzit që e mbështesin rendin dhe për ata që e refuzojnë atë. Për të ishte e rëndësishmë që ta thyente heshtjen, të ishte ai që vendoste dhe që vinte në përfundime. Disa vdesin në moshë të thyer, ndërkohë që të tjerë, pa bërë kurrë thuajse asgjë, mund të vdesin në çdo minutë, pa e ndryshuar kuptimin e jetës së tyre ose vetë jetën e tyre. Por, për ne, të pasigurt në mungesë të një busulle, njerëzve tanë më të mirë u është dashur të arrijnë fundin e tunelit. Natyra e punës së një njeriu dhe kushtet e momentit historik rrallë herë kanë kërkuar kaq qartë që një shkrimtar të vazhdojë të jetojë.

    Aksidentin që vrau Camus-in unë e quaj një skandal, pasi ai, papritur, në qendër të botës sonë njerëzore, projekton absurditetin e nevojave tona më thelbësore. Në moshën 20 vjeçare, i prekur papritur nga një sëmundje që më pas ndikoi në tërë jetën e tij, Camus zbuloi Absurdin—mohimin e pakuptimtë të njeriut. Ai u mësua me të, ai e mbajti përherë parasysh gjendjen e tij të papërballueshme dhe ia doli. Dhe përsëri njerëzit tundohen të mendojnë se vetëm veprat e tij të para dëshmojnë të vërtetën mbi jetën e tij, pasi ky njeri invalid, i sapo shëruar, shkatërrohet nga një vdekje e papritur që i vjen nga jashtë.

    Absurdi mund të jetë pikërisht ajo pyetje që askush tani s’do të mund t’ia bëjë më atij, ajo pyetje të cilën ai vetë s’do mundet t’ia bëjë më askujt, ajo heshtje që tashmë nuk është më as heshtje, që tani është absolutisht asgjë.

    Unë nuk mendoj kështu. Në momentin që shfaqet, jonjerëzorja bëhet pjesë e njerëzores. Çdo jetë që ndërpritet—edhe jeta e një njeriu kaq të ri në moshë—i ngjan një pllake gramafoni që, edhe pse e thyer, është njëherësh një jetë e plotë. Për të gjithë ata që e deshën Camus-in, ka një absurditet të papërballueshëm në atë vdekje. Por ne duhet të mësohemi ta shohim atë vepër të lënë përgjysmë si një vepër të plotë. Për sa kohë që humanizmi i Camus-ë përmban një qasje humane ndaj vdekjes që e zuri atë në befasi, për sa kohë që përpjekja e tij krenare në kërkim të lumturisë nënkuptoi dhe kërkoi domosdoshmërinë johumane të vdekjes, ne duhet të vlerësojmë në atë vepër dhe ne jetën që është e pandashme prej saj, përpjekjen e pastër dhe trimfuese të një njeriu për të rrëmbyer çdo çast të ekzistencës së tij prej vdekjes së tij të ardhshme.

    Përktheu nga anglishtja Elena Lula

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË