More
    KreuIntervistaBesnik Mustafaj: Ëndrra më e madhe e një shkrimtari, t’i lexohet vepra...

    Besnik Mustafaj: Ëndrra më e madhe e një shkrimtari, t’i lexohet vepra në gjuhën origjinale

    Intervistoi: Violeta Murati

    Një shkrimtar mund të jetë i lodhur nga të njëjtat pyetjet për çdo intervistë. Ata u përgjigjen atyre njëqind herë dhe nuk emocionohen t’u përgjigjen atyre sërish. Pra, me sa kuptoni po ju afroj direkt me librin e fundit “Letrat e mia kredenciale”, në një rrëfim me gazetaren e kulturës, Arta Marku. Me një karrierë letrare, relativisht të gjatë, ky rrëfim ç’vend zë, pse për ju mori rëndësi, pothuaj shteruese?

    Besoj se ky libër zë një vend të veçantë për veprën time letrare të paktën për dy arsye: për faktet që sjell nga jeta ime qysh në fëmijëri dhe për rastin që më jepet për të shprehur në mënyrë të strukturuar në sajë të konceptit të Artës shumë nga mendimet e mia për jetën që kam bërë apo për librat që kam shkruar. Ky vit përkonte me 40 vjetorin e botimit të librit tim të parë, një broshurë me vjersha kur sapo kisha mbaruar shkollën e mesme. Ishte koha të bëja një farë bilanci, apo jo!
    Rëndësinë kryesore ai e fitoi gjatë rrugës. Me pyetjet e saj, Arta dinte të më tërhiqte në drejtime ku ndjehesha mirë duke folur, pra, po më pëlqente dhe shmangte teprimin në aspekte që thjesht do të kënaqnin kureshtjen e kotë të lexuesit, siç mund të ishte hedhja e vështrimit në kulisat e politikës apo diplomacisë ku kam qënë i pranishëm si protagonist apo dëshmitar. Po ashtu, me pyetjet e saj, Arta më ndihmoi për të shmangur rrezikun e rënies në kujtime. Ky nuk është një libër kujtimesh. Evolimi i episodeve nga jeta ime është vetëm funksional, për të më nxitur mua reflektimin mbi temat themelore për përkushtimin tim që janë letërsia, estetika, historia, politika, dashuria, koha, të zbuloj me sinqeritet disa nga gabimet e mia për të cilat kam keqardhje.

    Ky libër jeni shprehur në promovim se “është i gjithi i imi, por nuk jam i gjithi këtu”. Çfarë keni lënë “jashtë” këtij rrëfimi?

    Ashtu është. Unë kam patur një jetë jashtëzakonisht interesante dhe të gjerë, që nuk mund të përfshihet në një libër. Sidomos kur këtë jetë e tregoj unë vetë. Por nuk ishte as qëllimi, siç edhe ua thashë. Unë nuk dëshiroja të shkruaja një libër kujtimesh.

    Le të flasim në lidhje me rutinën tuaj të shkrimit: cila është një ditë tipike e shkrimit për ju?-Romanet tuaja hyjnë në rrjedha sociologjike si (Saga e vogël) apo dhe ato psikologjike si (Vera pa kthim) etj., ku zëri i narratorit, personazhit, lëviz “vetën”…si e realizoni këtë proces, nga ç’shqetësim vjen ky “zë”?

    Unë shkruaj vetëm në shtëpi. Nuk kam shkruar kurrë në zyrë e as nëpër kafene. Nuk shkruaj as nëpër dhoma hotelesh. Ulem në tryezën e punës jo më vonë se ora tetë e mëngjesit dhe ngrihem jo më herët se ora njëmbëdhjëtë. Pra, janë të paktën tri orë, që unë qëndroj i ngulur para fletës së bardhë edhe kur nuk më ecën fare shkrimi. Ulem po ashtu në ora pesë pasdite deri në ora. Pas darkës ulem po ashtu, rreth orës nëntë po rralë për të shkruar letërsi. Zakonisht lexoj. Por edhe mund të përfundoj ndonjë shkrim të filluar pasdite apo sistemoj shënime që më nevojiten për shkrimin të nesërmen në mëngjes. Edhe pasdite shkruaj zakonisht gjëra të tjera si shkrime për shtypin, korrigjoj në kapitujt e shtypur të tekstit që kam në dorë apo edhe qëllon të përfundoj ndonjë paragraph të mbetur përgjysmë në mëngjes. Kjo ka bërë që pas largimit nga politika i kam rralluar shumë drekat dhe pothuajse përjashtua darkat me miq. Nuk bëj më jetën mundane, që dikur më pëlqente shumë. Po ashtu ndjek pak jetën kulturore të Tiranës, e cila zakonisht zhvillohet nëfund të pasdites ose në mbrëmjë. Më ka mbetur kryesisht kinemaja, ku mund të shkoj edhe në orët e para të pasdites kur ka filma, që më pëlqejnë.

    Në letërsi keni hyrë përmes poezisë, dhe flisni ende si një lloj pengu , si një dobësi e juaja, deri në përcmim e narcizëm bashkë, a do besonit vërtetë se do ishit më i mirë, vetëm si poet? Çfarë ju ka “kompromentuar” më shumë në këtë përndjekje, po ta quajmë kështu pengun tuaj?


    Nuk kam asnjë mënyrë për ta ditur nëse do të isha sot më i mirë si poet nëse do t’i isha përshkushtuar tërësisht poezisë. Për të vazhduar më tej, kam nevojë të besoj se proza dhe poezia brenda meje nuk janë rivale, por komplementare me njëra – tjetrën. Ju më pyesni se çfarë më ka “kompromentuar”. Do të thosha se fillimisht me ka “kompromentuar” tërheqja ndaj prozës e posaçërisht ndaj romanit si një mundësi për ta shprehur dramën. Pastaj, suksesi i madh i romanit tim të parë “Vera pa kthim” më krijoi bindjen se mund të vazhdoja. “Vera pa kthim” e kam shkruar njëzetë vjeç. Pra, në moshën e re, kur duhej ta shtyja veten në rrugë të reja. Nuk di nëse do të kisha vazhduar me prozën sikur romanin e parë ta kisha shkruar pas moshës 45 vjeç, kur edhe do të kisha pas vetes një vepër të konsoliduar ne poezi. Por njëzet e shtatë vjeç unë isha në kërkim të vetes edhe si poet.

    Shkrimtarët e mëdhenj, dijetarët, poetët kanë një kocept mbi të jetuarin, se për të bërë një karrierë të madhe, ka vetëm një sekret: të jetosh si murg. Në një realitet shqiptar është e mundur kjo? Ka qenë e mundur për ju? Diplomat, njeri i angazhuar me politikën…

    Siç edhe ua përshkrova pak më parë ditën time të punës, unë që prej dhjetë vjetësh jetoj pak a shumë si “murg”. Por deri sa kam ikur nga politika nuk ka qënë e mundur as për mua. qoftë edhe për arsyen e thjeshtë se shkrimtari, si çdo njeri, ka nevojat material të ekzistencës. Aq më tepër kur shkrimtari ka edhe një familje, si në rastin tim. Tregu i librit në Shqipëri është shumë i vogël dhe lexuesi i varfër. As Ismail Kadare nuk do të mund të jetonte vetëm me honoraret e shitjes së librave në Shqipëri. Unë vetëm për një gjë i jam plotësisht mirënjohës kohës së kaluar në politikë. Munda të tërhiqem kur isha 49 vjeç dhe të jetoj me pensionin e parakohshëm të plotikanit. I ndihmuar, sigurisht, edhe nga ca punë të vogla, të lidhura gjithnjë me shkrimin, që bëj majtas e djathtas dhe sidomos nga të ardhurat nga botimet jashtë. Unë kam tashmë afro tridhjet botime jashtë. Kam tetë libra, që e zgjerojnë parrështur hapësirën e përkthimeve.
    Vitin tjetër do të kem dy, bie fjala. Romani “Autoportret me teleskop” del në greqisht, duke bërë kërcimin e parë jashtë botës shqiptare, gjë që e pres me njëfarë ankthi. Eseja “Midis krimeve dhe mirazheve”e botuar për herë të parë në Itali në vitin 1993, ribotohet me një kapitull te ri të Cartelveccli, i cili ka marrë edhe të drejtat e “Autoportret me teleskop”, për ta nxjerëë në vitin 2020 për shkak të kohës së madhe që kushton përkthimi. Romanet e botuara jashtë edhe para 25 vjetësh vazhdojnë të më sjellin një çek të vogël në fund të vitit. Po nuk rrodhi, pikon, thotë një fjalë e vjetër. Ndryshe shkrimtari shqiptar e ka të pamundur të ketë ndaj shkrimtarit një përkushtim prej “murgu”. Në librin “Letrat e mia kredenciale” flas me dhëmbje për “shkrimtarët e fundjavave”, ata që nuk kanë kohë tjetër për të shkruar veç ditëve të pushimit. Do shtuar edhe një hollësi tjetër me rëndësi në rastin tim: dy djemtë e mi janë prej vitesh të zotët e vetes dhe nuk kanë më asnjë nevojë për mbështetjen timë material.

    Autoportret në teleskop, a shënon ky libër ndarjen tuaj nga politika…apo vazhdon ende sfida, tani e brendshme? Në mënyrë të sinqertë kush ka triumfuar tek ju?

    Romani “Autoportret me teleskop” shënon pa dyshim ndarjen time përfundimtare nga aksioni politik. Jo vetëm për kohën kur u shkrua e që përkon me periudhën e parë pas largimit nga politika, por edhe për subjektin që ka. Edhe pse nuk është një roman mirëfilli autobiografik, protagonisti, i cili edhe rrëfen historinë, quhet Besnik Mustafaj. Ai është i shquar prej luftës që bëhet brenda tij midis politikës, me pushtetin e vet imediat e plot privilegje dhe shkrimtarit, me pushtetin e përjetshem të artit, por pa asnjë privilegj. Përkundrazi, me një jetë në vetminë e studios së tij, “murg” siç e përcaktuar ju pak më parë. Përfundimisht fiton shkrimtari. Sidmos me natyrën time të prirur për ta shijuar qejfin, kjo zgjedhje ka qënë sinqerisht shumë e vështirë. Duhet vullnet shumë i fortë, disiplinë e hekurt,për t’i mundur tundimet e qejfit, të cilat kanë sirena të ngjashme me ato që përballoi Uliksi.

    Më duhet ta pohoj se librat tuaj lexohen, keni gjithmonë arsye për të artikuluar pa përtim, drejtpërdrejt mendimin, opinionin dhe qëndrimin tuaj duke na dhënë përmes letërsisë dhe një dokument kujtese. Të gjallët që hyjnë, dhe të “vdekurit” që lëvizin imagjinatën tuaj…në ç’raport e vendos kjo kujtesë shkrimtarin, përvojën e tij personale?

    Sado të pasur e të freskët ta ketë shkrimtari kujtesën personale, kjo kujtesë është e pamjaftueshme për të ndërtuar një vepër letrarë serioze. Sidomos në rastin tim, që e kam prekupim qendror në të gjithë letërsinë që kam shkruar e do të shkruaj marrëdhënien përcaktuese që ka historia kolektive në fatin e individit. Për ta kuptuar e madej përshkruar drejt këtë marrëdhënie dramatike, unë e kam nevojë të domosdoshme të usheqem parreshtur me kujtesën tonë kombëtare, duke e zhveshur atë sidomos nga mitizmi, për të zbuluar dhëmbjen. Kësisoj edhe përvoja ime personale, përmes shkrimit letrar, bëhet natyrshëm pjesë organike e kujtesës së përbashkët. Në librin tim “Bishti i kometës”, një përmbledhje me ese, jam përpjekur ta shoh nga shumë anë këtë marrëdhënie të kujtesës time personale me kujtesën historike të popullit, të cilit i përkas. Jam ndjerë mirë kur botuesja ime Irena Toçi më ka thënë se duhet të nxjerrë botimin e dytë të këtij libri, pasi i pari ishte mbaruar.

    Si lindin personazhet, cili është më mbreslënës për jy, që ju ka torturuar me kompleksitetin e tij?

    Pa asnjëdyshim personazhi më mbresëlënës për mua si autor është Besnik Musatafaj në romanin “Autoportret me teleskop”. Personazhet e mi lindin bashkë me historinë që do të mbartin e ku do të shpaloset fat ii tyre. Unë nuk di mënyrë tjetër si mund të lindë një personazh. Sepse prozat e mia tregojnë gjithmonë një histori, të shtjelluar sa më qartë e që mund të ritregohet nga dikush që e ka lexuar. Prozat e mia nuk janë ushtrime eksperimentaliste gjuhe apo stili

    Në fakt, na vjen si një projekt letrar një pjesë e mirë e krijimtarisë suaj, ku ekziston një lloj marrëzie tek personazhet, vënë në dukje edhe nga intervistues i huaj, e komentuar si përgjigje ndaj shtypjes. Në Shqipërinë e sotme, joshur nga konsumizmi si do ta shpjegonit këtë gjendje të personazheve tuaj?

    Në kohën e sotme nevoja e personazheve të mi shpjegohet me pa aftësinë e tyre për t’iu përshtatur lirisë e per t’iu gëzuar asaj. Nëëndrrën që kam patur unë për lirinë, kur ajo më mungonte, nuk shfaqet kurrë një nevojë e tillë. Nuk mund ta përfytyroja kurrë atëherë se do të kishte njerëz që nuk do e kuptonin lirinë ose do e keqkuptonin atë. Në fakt nëëndrrat e mia të rinisë liria nuk ishte aspak një rend i ndërlikuar, i vështirë për t’u jetuar. Sidomos ata që e keqtrajtojnë lirinë ose e keqpërdorim atë ligësisht janë më së shpeshti shkaktarë të çmendurisë së të tjerëve, të cilët me të drejtë lirinë e kuptojnë si një mundësi e mrekullueshme për të jetuar në fund për veten e për të lulëzuar në harmoni me mjedisin natyror e njerëzor.

    Cilët autorë të tjerë, që ju jeni miq, ju kanë ndihmuar që të bëheni një shkrimtari më i mirë?

    Nuk ka shumë. Por ka. Më të parin e ndoshta me ndikim më të rëndësishëm, do të përmendja Xhevahir Spahiun, i cili më ka ofruar bujarisht miqësinë e tij kur unë isha fare i ri, në fillimet e studimeve universitare dhe m’i ka lexuar vjershat me një durim dhe dashamirësi të rrallë, duke u bërë edhe njëfarë udhërrëfyesi shumë i çmuar në rrugetimin tim drejt pjekurisë si poet.

    Në një kohë kur teknologjia e-book ka arritur në kulmin e saj, a nuk është pak “jashtë kohe” të dalësh me një intervistë print (libër për më tepër), si e shikoni këtë raport, që ka shqetësuar sot, jo pak tradicionalët, e botës së leximit, shtypit, librit?

    Vazhdoj të jem plotësisht i bindur se libri, në formën e tij të shtypur, nuk ka për të vdekur kurrë. Pastaj, për veten time, nuk jam përdorues i mjeteve elektronike. Interneti për mua shërben vetëm për të mbajtur postën. Pra, unë nuk çoj nëpër mend shqetësime të tilla.

    Në librin intervistë, janë disa etapa të rëndëishme të jetës suaj, si fëmijëria, vitet ’80- ‘90 dhe koha e diplomatit, cila ka qenë më mbresëlënsja për ju?

    Për burrin që jam sot do të thosha se periudha më mbresëlënëse është ajo e viteve ’80, nga koha e përfundimit të studimeve e deri ne dhjetor 1990. Kjo është periudha kur në kokën time u sqaruan përfundimisht shumë gjëra dhe u përcaktuan pothuaj të gjitha horizontet, drejt të cilave kame cur gjatë gjithë viteve në vqoftë në jetën timë në atë private e qoftë në atë publike.

    Një libër me fokus letërsinë, dhe raportet e shkrimtarit me veprën e jetën e tij, shoqërinë a keni menduar gjatë këtij procesi se cilat janë kërkesat e lexuesit, apo kurioziteti i tij? Qoftë kjo dhe në lindjes e idesë së një romani.

    Sinqerisht jo. Kurrë. Gjithë procesi i ngjizjes dhe i shkrimit të një romani më përket vetëm mua, në kuptimin më egoist të fjalës. Dua të them se në të gjitha etapat kërkoj diçka që të më pëlqejë mua. Dua të më ppëlqeje historia që do të shkruaj, të më pëlqejë historia që po shkruaj, që më pëlqeje historia që sapo kam përfunduar. Instinktivisht e shoh veten me sa duket si askelipi i lexuesit që synoj të kem. Dhe besoj se po më pëlqeu mua, po i kënaqi shijet dhe kureshtjet e mia, do t’u pëlqejë edhe shumë të tjerëve. Këtë siguri e humbas vetëm pasi e kam dorëzuar tekstin te botuesi. Atëherë filloj e pyes veten me ankth nëse është çfarë pret lexuesi. Prandaj opinion i botuesit ka rëndësi shumë të madhe për mua. si ndërmjetës i pashmangshëm midis meje dhe lexuesit, botuesi ndikon që ta dua më tej tekstin tim apo e kundërta.

    Francë, Gjermani, së fundi edhe në Itali me romanin “Saga e vogël”, çfarë keni parë tek botuesit e huaj, si mendim për letërsinë që shkon nga Shqipëria, pse ka ngurrim sipas jush për autorin shqiptar?

    Ky ngurim është i vështirë dhe nuk prek vetëm autorët shqiptarë, por të gjithë letërsitë e vendeve të vogla në përgji-thësi. Qoftë edhe publiku i vendeve të zhvilluara europiane mendon në mënyrë aprioristike edhe letërsia e madhe. Si çdo gjë tjetër e madhe në ekonomi, në teknologji, në ushtri, në shkencë apo në kinema, duhet të jetë doemos nga Amerika. E shpjegon diku Umberto Eko këtë paragjykim, në mos gaboj. Po të shohësh katalogjet e shtëpive më serioze botuese në Francë, Gjermani apo Itali, më shumë se gjysma e autorëve të huaj që nxjerrin çdo vit janë amerikanë. Ne kolegët e tyre as një e dhjeta nuk janë autorë të huaj. Sepse lexuesit amerikan pothuaj i mjafton vetvetja.
    Dhe fakt është se me statistikë, në eksportet amerikane, malli numër një nuk janë as armatimet, as teknologjia e as makinat, por prodhimet e Hollivudit, ato të show biz-it dhe të industrisë së librit. Ky paragjykim është thelluar edhe më tepër pas rënies së Murit të Berlinit, kur perëndimorët nuk kanë më as kureshtjen për t’u njohur përmes letërsisë me dramën e njeriut që jetonte në anën tjetër të perdes së hekurt. Por ky nuk duhet te jetë një fakt dëshpërues për ne që shkruajmë në gjuhët e vogla. Në fund të fundit, qëllimi më i madh, i një shkrimtari është ta bëjë veprën e vet, ta nxjerrë nga vetja dhe ta çojë tek ata që e lexojnë në original. Zgjerimi i rrethit të lexuesve edhe me të tjerë që e masin këtë vepër përmes përkthimit është një lumturi shtesë për autorin, e cila edhe mund të vijë, edhe jo. Një romancier absolutisht i jashtëzakonshëm si Mitrush Kuteli është krejt i panjohur jashtë. Por kjo nuk ia zvogëlon atij madhështinë.

    Në një vit të brishtë për Shqipërinë, më ’97 ju jeni shpallur fitues i çmimit “Mediterrane” për librin “Daullja prej letrre”, Mund ta imagjinoni se fjalën e kam për përfshirjen e një autori në garat letrare. Si e shikoni këto në Shqipëri, a mbajnë me vete mendimin si vlerësime të rëndësishme, së fundi ju ishit nominuar edhe në garën e Akademisë Kult?

    Çmimi “Mediterranée”është një nga çmimet më të rëndësishme letrare që jepen në Francë për një autor të përkthyer atje, por që vjend nga një vend i hapësirave mesdhetare. E ka fituar edhe Ismail Kadare, Orhan Pamuk, Umberto Eko e autorë të tjerë të përmasave botërore. Mua më është dhënë për romanin “Daullja prej letre” më 1997. Me romanin “Boshi”, po në Francë kam qënë i nominuar për Çmimin “Medicis”, vitin që romani doli atje, në 1999. Ky është çmimi më i rëndësishëm francez për letërsinë e huaj. Në Tiranë, me “Autoportret me teleskop”kam marrë Çmimin “Kult”. Me romanin “Ëndrra e Doktorit” kam marrë Çmimin e Panairit të librit në Prishtinë. Pra, kam marrë më romanet e mia çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Por përfshirja në këto gara nuk ka qënë në asnjë rast iniciativa ime. Përzgjedhja ka qënë gjithmonë e jurive, të cilat i falenderoj për vlerësimin.
    Në thelb, qëllimi i këtyre çmimeve është për të tërhequr vëmendjen e lexuesit mbi librin e vlerësuar. Këtu del në pah dallimi midis një çmimi të marrë në Shqipëri dhe një çmimi të marrë në Francë apo diku tjetër. Atje janë rritur dukshëm shitjet e librit. Sepse lexuesi ka besim në objektivitetin e vlerësimit të jurive dhe shkon drejt librit me bindjen se do të gjejë një vlerë të sigurt. Ndërsa çmimet e marra në Tiranë apo në Prishtinë nuk kanë patur asnjë ndikim në fatin e librit. Nuk di ç’të them më shumë.

    Dhe s’mund të rrijmë pa ju përfshirë në një përgigje intelektuale, edhe në përvojën e diplomatit nëse, për ju Shqipëria, sot, është duke u projektuar më shumë drejt Europës, apo e shihni historinë dhe dimensionin e saj mesdhetar?

    Nuk shoh asnjë kontradiktë që Shqipëria ta afrimojë sa më mirë idenitetin e vet mesdhetar dhe ta përshpejtojë procesin e integrimit europian. Madje, përfshirje aktive në të gjitha nismat e bashkëpunimit mesdhetar përbën një vlerë të shtuar për të si vend kandidat për në Bashkimin Europian. Vërejtja ime është se nuk pa bën sa duhet për ta afirmuar mirë identitetin e vet mesdhetar.

    Si e shihni shkrimtari sot, çfarë është ai në histori, ka të njëjta “kredenciale” si dikur?

    Besoj sinqerisht se “kredencialet e mia vetëm janë rritur”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË