More
    KreuIntervistaLedia Dushi: Gegnishtja nuk është ‘kalë beteje’, është damar në një trup...

    Ledia Dushi: Gegnishtja nuk është ‘kalë beteje’, është damar në një trup poetik

    Intervitë me Violeta Murati

    Po kalojmë një tronditje të madhe, pothuaj ashtu siç ju shpreheni po përjetojmë një gjamë. Si mundet njeriu të bëhet i fortë, të jetë një qënie superiore, të krijojë vetëbesim…

    Poezinë tuaj, ‘n`nji fije t`thellë gjaku’ e ndan me këto momente…

    Vdekja është asgjë, ose është gjithçka. Të meditosh mbi vdekjen në një qetësi të kërkuar, si kusht thelbësor për filozofitë, budizmin apo krijuesin nuk është e njëjta gjë si me u perball me vdekjen. Për krijuesin vdekja nuk është fundi, por për të mbeturit në kurthin e një fatkeqësie të pa thirrur, e tillë është thuajse gjithnjë fatkeqesia, vdekja është fund. Në këndvështrimin poetik e filozofik njeriu, sendet vdesin vazhdimisht. Ndryshe nuk do të ekzistonte koncepti i ndryshimit.

    Vdekja si prishje e kufirit poetik, vdekja si fatkeqesi, shkatërrim, vdekja si objekt studimi…mundesh me e pa simbas interesit në pafundësi vështrimesh…  

    E vdekja si ndërprerje egër e jetës, dhimbja e gjama e humbjes kolektive e udhëheq njeriun në një grishje shkatërruese, e bën me u ndje i pa aftë, bosh, i kotë…vdekja e ka këtë efekt… Çdo fjalë është e kotë, ngushëllimi i humbjes nuk vlen, çkado që të thuash është e pavlerë për veshin e të dëmtuarit. Në fund të llogarive, mbërthyer prej dhimbjes e vetmja pasqyrë që të mbetet është qielli. Njeriu i cili është aq kerkues dhe mohues në të njëjtën kohë, me t`u ndodhur përpara të keqes i duhet me u përballë, e qysh në zafilljen e kohëve i është drejtuar qiellit, të paarritshmes, burimit të së pashterrshmes, mitit, shpirtit, frymës, Zotit… Është po vetë njeriu ai që ka ditë me vepru nëpërmjet ritit e performancës e me përcjellë të vdekurin përkah amshimi, duke e tejkaluar vdekjen, humbjen, dhimbën, e në të njëjtën kohë ka pranuar konceptin e kalimit në një tjetër `jetë`. Njeriu vetë është thyer në gjunj nga shkatërrimi e vdekja e po vetë është çuar me kalu përtej saj. “n`nji fije t`thellë gjaku”, poezinë time e ndaj, e ofroj në këto momente, si mundësi kalimi, transportimi nga realiteti, nga e përditshmja, si një nxitje për besim; edhe pse njeriu është i vdekshëm, Shpirti është i pakohë.   

    Nuk është koha për të folur për poezinë, letërsinë me çfarë po përjetojmë por ka një fuqi mbinatyrore të shkruarit, të asaj që quhet gjendje e brendshme, a metafizikë që rroket në  pavetëdije realiteti …ju si keni nisur ta shprehni këtë, të mendoni  poetikisht?

    Diku kam lexuar një thënie që më ka bërë përshtypje e që në një farë mënyre më shpjegon, Poezia është poezi e madhe nëse ka frymëmarrje filozofike, përndryshe është një pikëz loti e së përditshmes… Të menduarit poetikisht, siç e quani ju, është patjetër frut i dhuntive personale por edhe i një fenomenologjie të mishëruar e të gjallë. Kush e përcjell nga vetja Poezinë e njeh së brendshmi dashninë e të menduarit poetikisht, në atë masë sa të jetë i aftë të nxjerrë nga objektet apo detajet e zakonshme një jetë sekrete, e cila përmjet poezisë destinohet për diçka tjetërpërtej përdorimit të zakonshëm. Bëhet fjalë për një rend të ri të sendeve, i cili për fat të keq a të mirë nuk mësohet, por ekziston ose jo. Të bëhet se je magneti i gjithçkaje që të rrethon, që shihet apo ndihet e ndërsa përplaset te vetja për arsye të providencës  mbase, shënohet në një çast të vetëm në letër, për ta risjellë `botën` gjithnjë në një tjetër mënyrë. Të pamit e botës është personal, e kjo ndodh prej gjithnjë, përfshirë këtu shtrirjen kozmike e atë personale. Për personin nis, ose ma saktë rimerret qysh nga fëminija. Hannah Arendt ka një shkrim ku e merr peshkatarin e perlave si figura e një farë mënyre të menduari. E quan të mendurit poetikisht. Arendti i referohet Ëalter Benjaminit Burri i vockël e gungaç dhe peshkatari i perlave. Kush e ka për zemër teknikën e `çmontimit` dhe do të provojë rrugë të reja të mendimit, le të bëjë si peshkatari i perlave në fund të detit, të marrë gjërat më të çmueshme, “koralet”, “perlat” të cilat “ende mund të shpëtohen por vetëm si fragmente”.   

    Ishte fillim ’90-ta, e ju veçse një 15 vjeçare kur emri juaj, apo më mirë zëri poetik ktheu, jo padyshim, vëmendjen… shkruani gegnisht qysh në fillim, madje herët fare, duke qenë nga shkaqet e një polemike të hapur mbi shkrimin në gegnisht. Sigurisht keni thyer tabu. Çfarë kujtoni, ç`gjurmë keni marrë me vete deri sot?

    Secili poet është ai mbledhësi i perlave e koraleve që `peshkon` fragmentet e i bashkangjitet së tanës. Në të vërtetë nuk është `gjuha` qëllimi. Madje nuk ekziston asnjë qëllim i jashtëm e objektiv. Ti gjehesh në segmentin që kujton se është i yti, por në të vërtetë nuk është tjetër veçse një hallkë e thjeshtë e së tanës dhe kjo gjë nuk ta lejon pamjen e plotë dhe nuk të lë mundësi me u ndeshë me qëllimshmërinë. Poezia e njëmendtë qëllon ma së nalti, jo për shkak të gjuhës, por për shkak të thelbit mistik dhe vertikalitetit. Për njerëzimin është më i thjeshtë një Krisht në Kryq i dukshëm e i prekshëm, sesa pepjekja me iu qasë Krishtit si Gnosë.

    Një qasje tjetër, ndryshe në raport me poezinë e para viteve 90-të, ky ishte në të vërtetë `problemi`; të menduarit dhe të ndjerit ishte më në fund mbrenda `hapësinës` ku isha rritë, në të gjitha kuptimet. `Gegnishtja` nuk është `kalë betejë`, është damar furnizues në një trup poetik. 

    Ka një kohë për ju, një kohë që nxit shkrimin, çfarë relacioni krijon tek ju?

    Akti i krijimit, më saktë procesi i ngjizjes nuk ka dëshmitarë. Nuk ka dëshmitarë e as dëshifrues. Qenia, bartësi është fragmentar, shtrirja është e përjetshme. `Koha` në këtë kuptim nuk është aspak relevante; `nxitja` është vertikale e nuk merr në konsideratë asgja që shtrihet e përçon `poshtë` saj. Me gjithë vitet, të cilat mund të jenë të rëndësishme per njeriun por jo per Shpirtin, Poezia nuk është diçka që e zotnoj, përkundrazi më zotnon e zotnimi thjesht ndodh, nuk ka raport e as shpjegim.

    Preferoj ta përsëris edhe një herë faktin, pas promovimit të librit tuaj në Panairin e librit 2019, se para dhjetë vitesh ju nxorët vëllimin me poezi, në një rreth miqsh të ngushtë, ndërsa shfaqja e kësaj antologjie poetike merr një përmasë tjetër duke ardhur në një ngjarje të tillë të librit. Ka diferencë sipas jush, pse ky viciozitet shoqëron poetët? Si erdhi nxitja për këtë libër?

    Mendoj se është pikërisht ky rasti të shpreh mirënjohjen për botuesin zotni Bujar Hudhri i cili më dha mundësinë e botimit të përmbledhjes time poetike dhe të shpërfaqjes së saj. Mirënjohje edhe për ju Violetë, si nxitëse e botimit të “n`nji fije t`thellë gjaku” si dhe për nxitjen e vazhdueshme që i keni bërë lexuesit shqiptar duke i sjellë dhe risjellë përmjet shtypit të përditshëm poezinë dhe letërsinë e autorëve të pas viteve `90-të.

    Vazhdoj të jem e mendimit se poeti është `qenie antike`. I paaftë për zhurmën dhe turmën. Poeti është odë e  mbyllur. Poeti vetë nuk është medium më i mirë për të bërë lidhjen e poezisë së vet, nga ana tjetër, poezia nuk komunikon lehtësisht me këdo që kalon atypari, kështu që ai që ju e quani `viciozitet` është gjendje e zakonshme e poetit.

    N’nji fije t’thellë gjaku? Pse nëpër të?

    Shqetësimi ma i madh mbetet aty ku zanë fill sendet, ku zë fill gjithçkafja. Kërkimi poetik, për mua, zë fill vertikalisht dhe në thellësi. Thellësia është shtrirje, shtrirje e tejkohshme, konceptuale. Ideja e gjakut si një fije, si litar që hidhet për t`u mbajtur, si fillim, si krijim përbën edhe thelbin që e mban poezinë. Gjaku është gjenetikë fizike e shpirtnore. Kemi një `fije të kuqe` në Bibël e cila fillon në të vërtetë me Adamin e përfundon me Jezu Krishtin.

    “Poezia e Ledia Dushit nuk vjen në shqip nga diku e dikur, sepse është kudo e kurdo për lexuesin e përkushtuar. Ajo fton heshturazi vetëm ata që janë në gjendje ta përjetojnë, ose ata që ëndërrojnë dëshpërimisht rritjen shpirtërore përmes poezisë”… Na tërheq kjo parathënie e Ardian Kyçykut, duke menduar se ka një tërheqje prej jush, pse vjen ky identifikim, kemi jo pak raste të ‘heshtjes, mënjanimit në letërsi.

    E ceka edhe më lart, poezia është më afër heshtjes se zhurmës. Si mënyrë e hershme e të shprehurit, si enë e veçantë e mbledhjes së të çmuarës shpirtnore, ngjan aq pak me detin ku futen të gjithë, i cili është gjithashtu i mrekullueshëm, port të kujton fort një objekt të antikitetit, lotoren, e cila përdorej për të mbledhur lotët në rast vdekjeje…

    Duhet ta pranoj që është shumë e vështirë të thuash diçka të vlefshme e të kthjellët, mbasi ke lexuar esenë e Profesor Kyçykut e cila e paraprin shpërfaqjen e poezisë sime në përmbledhjen e paraqitur në Panairin e Librit të këtij viti. Dëshiroj t`i shpreh mirënjohjen time më të thellë Ardian Kyçykut i cili pati kohën e mirësinë me e lexue e me e lexue pikërisht në këtë mënyrë poezinë time.

    Ju përmendtët më lart letërsinë e pas viteve `90-të…

    Nëse ka një periudhë mbas së cilës jam pafundësisht e lidhur, nga e cila sido që të shkojë, nuk mund të shkëputem, e vetmja kohë reale së cilës i përkas, është periudha e ashtuquajtur e pas viteve `90-të. Kjo periudhë është, n`mendimin tim edhe më e rëndësishmja në letërsinë e re shqipe. Periudha kur shpërfaqen e zhvillohen i bashkon shkrimtarët e poetët e kësaj periudhe, përndryshe secili thërret në zanin e vet. Për poezinë nuk është kurrë koha, e megjithatë poezia e grupimit në fjalë mbetet e papërsëritshme. Kam qenë më e reja e të gjithëve që ende vazhdon të shkruarit; i kam lexuar të gjithë. Edhe kur flisnin, më shumë i kam dëgjuar; për shumicën prej tyre edhe kam shkruar, si një ftesë për lexim e rilexim, sërish një sfidë ndaj kohës. Pavarësisht fatit njerëzor të secilit prej tyre, zani i secilit është i padiskutueshëm.

    -Femna s’asht Njeri- thoni. E çfarë është?

    Më vjen më së pari ndërmend koncepti i  Eternal Feminine, “das Ewig-Weibliche” i Goethes, i cila shfaqet në letërsi më 1832 me publikimin e pjesës së dytë të Faustit. Bëhet fjalë për një histori të lashtë arketipale qysh nga periudha pre-patriarkale deri në epokën moderne. Eternal Femininë është gjithashtu një arketip Jungian një `imazh primordial`, që zbërthehet në pesë figura historike: Perëndesha e Madhe e prehistorisë, Sophia Gnostike, Maria e kultit mesjetar, fenomeni i Madonës së Zezë dhe Sophia mistike. 

    Femna asht tanësi, asht entitet… Femna mundet me të zbrazë, femna mundet me të përmbush pa masë e pajada. Femna mundet me t`i ba sytë të ujshëm, si sytë e Shivës që ujohen prej hashishit. Mohimi në rastin tim, në poezinë që ju citoni nuk nënkupton mangësi, por heq ironikisht thelbin, kushtin e ekzistencës për me e mbushë e plotësue mandej me nji pafundësi elementesh të cilët sado e sido nuk e përmbushin të tanën, në synin tim.

    Po ndaj këto vargje:

    Liria ime

    frymon n’mal:

    ma e vjetra

    ndër bimë

    helmuese.

    Në të tjera vargje thoni:

    Liria

    asht e gjelburn,

    e sytë e mij

    binjakë…

    Pas këtyre vargjeve, cila është Liria juaj?

    Ma së pari ju falemnderës që përmendni vargje të mija të hershme, e kjo kallëzon që koha nuk ekziston… Liria për mue asht nji kufi i pambërrimë, sepse njeriut i asht dhanë jetë e matshme në vite, cka nuk mjafton krahasue me djegën, dëshirën e njeriut për dije… 

    Liria për mua është Dija, dija të bën të lirë. Njeriu duhet të digjet për të ditur, kështu edhe bën të zhduket kohën.

    Çfarë fuqie është hyjnia, e shenjta tek një poete, krijuese?

    Lidhur me këtë më vjen ndërmend Stefan Cvajgu në, Lufta me demonët: Holderlin, Kleist, Nietzsche, në të cilin njërën nga tre esetë ia kushton lirikut gjerman Holderlin, dhe thotë: “Asnjë poet gjerman nuk ka besuar ashtu siç Holderlini besonte te poezia, te origjina e saj hyjnore, askush nuk e ka mbrojtur me aq fanatizëm mungesën e kushtëzimit dhe të infektimit nga gjithçka tokësore”. Poezia, vazhdon Cvajgu, është kuptimi i jetës. Ajo mbush humnerën që ekziston mes mbi dhe nën shpirtit, mes perëndive dhe njeriut.

    “Do të doja të jetoja për artin të cilit i përket zemra ime, por ndërkohë më duhet të bjerrem mes njerëzve, aq sa shpesh ndjehem tejet i lodhur nga të jetuarit…”

    Kështu shprehet në një letër Holderlin, liriku më i madh gjerman, mbas Goethes. Në gjykimin tim, Poeti i njëmendtë, ashtu si Holderlini, nuk e përdor `poetikën` e tij për të arritur një farë autonomie estetike romantike, por përkundrazi i jep kësaj `poetike` dimensionin religjioz, duke e shndërruar këtë gjë në vetë misionin e tij. Në gjykimin tim, ky përbën vetë kushtin thelbësor të të qenurit krijues.

    A të mjafton vetëm poezia, e vetmja shprehje e juaja deri sot?

    Nuk e di nëse poezia është pak apo shumë, e mjaftueshme ose jo; përmasa e poezisë nuk më ka shqetësuar ndonjëherë. Ajo çka kam, ajo që më ngarkon, që më përfshin, ajo çka më drejton kah vetmia me qëllim kjartësinë, është poezia. Çka më grish nuk është fjala në vetvete, por ndjesitë, tingujt, ngjyrat, kërkimi i brendshëm të cilët nuk e kanë thirrë poezinë si mënyrë të shprehuri, por e kanë risjellë atë. 

    -“fmij kam mujt me ngranë shega e shega e hurma / e mos me u ngopë tash ajri s’m’ngopë as zemra që mbaj / as sytë s’m’ngopin aq duen me pasë / gjak s’di sa kam as jetë as frikë as dashni / as njerëz me humb as mend me nxjerrë”…çfarë mbetet pa sos në jetë, tek ju?

    Dëshira për me e lexu Shpirtin nëpërmjet udhëtimit në toka të hershme e tempuj ku shihet e kjarët zanafilla, ku ndihen të avullt Zotat e ku asgja nuk merr fund… kjo si pjesë e asaj çka askush e asgja nuk mundet me e sosë, Dija.

    -Diellin kam me e pa n`bërthamë t`dashnisë… Kur përpjekjet, kërkimet bëhen me zbërthy dashninë, ç`berthame është, ju e vendosni pothuaj si shkak, si në kontrastet e mësipërme, ne forcë energjie, jo përmase, dimensioni…Sa nxë, sa djeg, sa mban dashunia- siç ju e shkruani?  

    Poeti e jeton poetikisht botën, e mbush me sendte të dritshme, e mbush me frymë, me energji. Dashnia është më e madhe se sendet, madje Poeti, Dantja, thotë se lëviz edhe diellin, si

    shprehje e motivit të vet ideal që e nxit vazhdimisht drejt qëllimit të tij.

    Dashnia e ndan të tanën veç me Vdekjen.  Prandaj i jep jetë gjithçkaje, mban gjithçka, përdrit pa fund dhe mban deri n`amshim, duke u asgjësuar dhe ngadhënjyer mbi veten.

    Si e mendon lexuesin tënd?

    Krijimi n`zanafillë nuk e njeh lexuesin. Ajo timtë kohe që e konsumon eterin n`fjalë, nuk e përfill kohën e as matësit e saj. Megjithatë pyetja vjen n`t`ftohtë, pra larg procesit të krijimit e kështu po përfitoj me thanë se lexuesi n`rastin ideal kishte me qenë dikush modest, i pashqetësuem për kuptimin e sendeve, por i thirrun, i grishun prej poezisë për arsye që nuk i din e as nuk i interesojnë, po aq sa i grishun aq edhe i identifikuem mbrenda ndjesive të tekstit për arsye që prapë nuk e vlejnë asnji shpjegim e logjikë.

    *Portreti nga Ina Lajthia

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË