Hugh Schoefield, BBC News, Paris
Ka autorë francezë, emrat e të cilëve, në botën anglishtfolëse, dalin në mënyrë të përhershme në listat e romaneve më të mirë të të gjitha kohërave – Volteri, Floberi dhe Prusti … herë-herë edhe Dymai e Hygoi. Mirëpo, kur vjen puna te letërsia e periudhës së pasluftës, ndodh ndryshe. Edhe lexuesi më i ethshëm shpesh rropatet për të përmendur qoftë dhe një autor të vetëm francez, që t’i ketë pëlqyer.
Franca dikur ka pasur një kulturë letrare të madhe, dhe shumica e francezëve ashtu mendojnë edhe për sot. Mirëpo, në është kështu, përse shitja e librave të tyre nuk ecën mirë në botën anglishtfolëse?
E kemi ne gabim, apo ata?
Dhe si ndodh që francezët vetë të lexojnë aq shumë libra të përkthyer prej anglishtes e prej gjuhësh të tjera?
Këto janë pyetje që ngjallin mendime.
Francezët krenohen pa masë me traditat e veta letrare – është llogaritur se, në vendin e tyre, çmimet, që jepen për librat, kapin shifrën tejet të madhe 2000. Dhe, nëse dikush i fajëson shkrimtarët e sotëm francezë si elitarë, të mbyllur në vetvete apo tej mase intelektualistë, me siguri do të ngjallte valë zemërimi. Por fakti është fakt. Me përjashtim mbase të Michel Houellebecq-ut, cili romancier francez ia ka dalë mbanë në tregun anglofon?
Madje edhe fituesi i Çmimit Nobel 2008 Jean-Marie Le Clezio është pothuajse i panjohur në botën anglishtfolëse.
Dhjetë më të mirët
Rrjeti elektronik “Dhjetë më të mirët” fton shkrimtarë të mirënjohur anglezë të shprehen për librat më të pëlqyer prej tyre. Duke i dhënë librit të parë 10 pikë, të dytit 9 pikë, e kështu me radhë, bëhet e mundur të dalë lista e më të mirëve.
• Dhjetë më të mirët e të gjitha kohëve: “Madamë Bovari” e Floberit: i dyti
• Dhjetë më të mirët e shek. XX: “Në kërkim të kohës së humbur” i Prustit: i treti
• Dhjetë më të mirët e shek. XIX: “Kandidi i Volterit” dhe “Lidhje të rrezikshme” e Laclos-it: i dhjeti
• Dhjetë më të mirët nga autorë të gjallë: Autorë francezë nuk ka.
Përllogaritjet janë bërë nga listat e paraqitura prej 152 shkrimtarëve në muajin mars 2013.
Dhe sa për zakonet e shprehitë franceze, mjafton të shohim lexuesit e mirënjohur në metronë e Parisit. Nga një vrojtim imi, natyrisht joshkencor, në Linjën 1 nga La Defense, doli një shumicë absolute katër me një në të mirë të romaneve nga letërsia amerikane e britanike.
Zhgënjim i dukshëm për romancierët francezë.
“Më dhemb në shpirt, vërtet më dhemb në shpirt e vuaj, sepse agjentët anglosaksonë po e shpërfillin troç tregun e librit francez,” më thotë Christophe Ono-dit-Biot. Ono-dit-Biot sapo ka fituar njërin nga çmimet letrare më prestigjioze të vendit – Grand Prix du Roman de l’Academie Française – për romanin e tij Plonger. Deri tani ka bërë emër me pesë libra, por pa ndofarë jehone nga Mbretëria e Bashkuar ose Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Problemi ynë është imazhi. Në SHBA jemi të famshëm për dekonstrukcionizëm francez etj. Ata mendojnë se jemi tej mase intelektualistë. Gjykojnë se e kemi mendjen vetëm te teoria dhe nuk dimë të rrëfejmë letrarisht – por jo, ne dimë të rrëfejmë!”
I njëjti refren nga të gjithë bashkëbiseduesit e mi shkrimtarë. Të gjithë janë emra të mirënjohur në Francë – Marie Darrieussecq, Nelly Alard, Philippe Labro – por as edhe një syresh nuk është botuar me njëfarë suksesi në Mbretërinë e Bashkuar ose në SHBA.
Francezët lexojnë shumë më tepër libra të përkthyer se anglezët.
Madje edhe për Marc Levy-n, librat me bëma romantike të të cilit janë shitur në më se 40 milionë kopje në mbarë botën, dhe sipas librit të parë të të cilit “Sikur të ishte e vërtetë” u bë filmi i Hollivudit “Tamam si në parajsë”, qëndrimi i botuesve anglezë e amerikanë është thellësisht indinjues.
“Botuesit britanikë mund t’i paraqesim në karikaturë si njerëz me mendjen top që, po qe francez, libri nuk ka mundësi të ecë në tregun e Mbretërisë së Bashkuar”, thotë ai.
Përjashtime nga rregulli
Romane franceze, që kanë pasur lexues në Mbretërinë e Bashkuar kohët e fundit:
• “Atomised”, Michel Houellebecq: Rrëfim i diskutueshëm i autorit për dy vëllezër.
• HHhH, Lauren Binet: Hibrid novator roman-histori, rrëfim për kreun nazist Reinhard Heydrich.
• “Suite Française”, Irene Nemirovsky: roman i Luftës II Botërore i botuar pas vdekjes, pasqyron pushtimin nazist të Francës më 1940.
“Unë shpesh e them me shaka, që e vetmja mënyrë për t’u botuar në Britani, kur je francez, është të hiqesh sikur je spanjoll. Po të kesh qenë bestseller në Francë, e ke të vdekur që nuk hyn në Mbretërinë e Bashkuar.
“Sa për botuesit në SHBA, ata janë të bindur se, me lexuesin e mundshëm 350 milionësh dhe me trupën e madhe të shkrimtarëve amerikanë, kanë siguruar mbulimin e të gjitha zhanreve dhe të gjitha stileve. Pse të vrasin mendjen më shumë?”
Edhe kostot dhe vështirësitë e përkthimit letrar kanë të bëjnë me këtë problem. Sikundër ka të bëjë edhe fakti se tregu anglofon i librit është tepër i begatë – kështu që kërkesa për vepra të huaja është e kufizuar.
Disa autorë francezë e shohin me sy kritik këtë “vetëkënaqësi” anglosaksone.
“Këtu në Francë, 45 për qind e romaneve të shitura janë përkthime nga gjuhë të huaja. Te ju kjo shifër është te 3 për qind”, thotë Darrieussecq, fituesi i çmimit “Medicis” të këtij viti me “Il Faut Beacoup Aimer Les Hommes”.
“Ndërkaq, kjo shifër dëshmon se ne francezët jemi kureshtarë për të njohur kulturat dhe popujt e tjerë. Edhe ju duhet të bëheni kureshtarë – duhet të jeni më të hapur”, thotë ai.
“Por a mos kemi këtu edhe ndonjë problem tjetër – a mos vetë librat francezë nuk janë aq tërheqës?
David Rey, që administron librarinë Atout Livre në Parisin lindor, jep një gjykim me interes.
Ndryshe nga kolegët e tij, ai i njeh të dy tregjet e librit – anglezin dhe francezin, mbasi ka jetuar për një periudhë në Londër. Krahasimet që bën ai, nuk flasin në të mirë të librit francez.
“Librat që ofron tregu këtu janë shumë të ndryshëm nga ata të Mbretërisë së Bashkuar. Librat francezë janë të stërholluar, intelektualistë-elitistë. Dhe shpesh libraritë ndjellin druajtje e frikë. Njerëzit e zakonshëm tremben nga kultura e librit në tërësi”, thotë ai.
Amazon – nul points
Disa shtrojnë pyetjen nëse është e ligjshme që çmimi i librit të trajtohet sipas ligjit europian të konkurrencës, për të mos folur për fuqizimin e një tregu në dëm të njërit prej lojtarëve të tij kryesorë. Por të tjerë këtë e shohin si zgjatim të mirëpritur të përjashtimeve që Franca bën në sferën e kulturës – subvencioneve, kuotave dhe shkurtimit të taksave, të cilat mbështesin financiarisht krijimtarinë në kinematografi, televizion dhe muzikë.
Christian Fraser i BBC
• Amazon i sulet me kritika të rënda projekt-ligjit të ri francez
Francezët kanë mbajtur një rrjet mbarëkombëtar librarish të vogla, kryesisht si rrjedhojë e një sistemi që i mbështet. Librat nuk mund të shiten me zbritje çmimi, çka do të thotë se “libraritë” kanë ruajtur njëfarë monopoli.
Një ligj i miratuar në fillim të vitit, që i ndalonte shitësit me pakicë të shisnin online me zbritje çmimi, ngjalli kundërshtime nga Amazon, me ankesën se po diskriminohej. Ndërkaq, shitja e librit elektronik përbën një përqindje të vogël të asaj në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA.
Mirëpo çka Rey thotë për libraritë franceze është e vërtetë – janë me hapësira të ngushta e nuk e tërheqin syrin. Shumë syresh (si ai ku jam unë në Rajonin 14) janë gjithashtu me karakter të spikatur politik, çka nuk të afron për të hyrë.
Librat vetë nuk bëhen me pamje tërheqëse. Romanet e rinj dalin me të njëjtët kapakë ngjyrë kremi, me një fotografi standard të autorit. Formulimi grafik nuk është ai që kërkohet e pëlqehet më shumë.
Librat francezë jo kurdoherë bëhen me pamje tërheqëse.
Dhe, në krahasim me Mbretërinë e Bashkuar, ka mungesa të dukshme në disa zhanre – libra popullorë historikë, libra shkencorë-popullorë, biografi, libra humoristikë, botime për sportin.
“Botimet jashtë letërsisë artistike janë me karakter tepër akademik. U ngjajnë disertacioneve universitare. Na mungon aftësia dhe shkathtësia e popullarizimit, që keni ju”, thotë Rey.