More
    KreuIntervistaYlli Sula ose përgjigjet e një njeriu të biznesit ...

    Ylli Sula ose përgjigjet e një njeriu të biznesit për kulturën

    Intervistoi Violeta Murati

    Çmimet që ndan Akademia Kult e ngritur qysh më 2005, kanë krijuar tashmë një traditë kulturore, si ju lindi ideja për këtë ngjarje të përvitshme?

    Fillesat dhe, më tej, ngjizja e kësaj ideje lidhen me botimin nga “Çelësi Media Grup” të revistës “Kult”, e cila doli në treg në vitin 2003. Si e përjavshme e fokusuar vetëm tek aktivitetet kulturore dhe artistike dhe që kishte si mision paraprirjen e këtyre aktiviteteve me informacion praktik për publikun në nxitje të cilësisë së kohës së lirë të tij dhe në përgjigje të interesimit të artdashësve rreth Çfarë? Kush? Kur? Ku? Dhe Si? “Kult”, pas eksperiencës së vitit të parë, më konfirmoi tre konstatimet, të cilat çuan në projektin e Akademisë së Çmimeve Kult. Së pari, që në Shqipëri prodhohet më shumë art dhe kulturë se ç’mund të ndjekë edhe artdashësi më i thekur apo edhe gazetari i kulturës më aktiv; së dyti, “Kult”, duke regjistruar çdo javë të gjitha aktivitetet dhe prurjet artistike dhe kulturore në të gjitha fushat e krijimit dhe interpretimit, u shndërrua në një almanak- barometer e njëkohësisht bazë unike të dhënash të këtyre prurjeve në nivel vjetor, ku identifikoheshin qartë sektorët aktivë, nivelet e prurjeve, emrat dhe kontributet konkrete; së treti, vetë eksperienca e “Kult” dhe përballja e saj me hapësirën kulturore të mediave të tjera të shkruara dhe elektronike, nxirrte në pah dy mungesa me peshë në çdo treg kulturor që e quan veten të tillë: mungesa e një kritike cilësore dhe mirëorientuese dhe ajo e organizimit të vlerësimeve të këtyre prurjeve, çka bënte që çdo aktivitet kulturor dhe artistik dhe çdo artist ta mbyllte ciklin brenda vetes pa u përfshirë në ciklin e një regjistri fillimisht referencash e, më pas vlerash. Çmimet Kult erdhën pikërisht si një përgjigje ndaj këtyre konstatimeve.

    A mund të kemi një arsye nga ju, pse e quani Akademia, pse ky organizim, çfarë ju nxiti për këtë nismë që po merr vëmendjen në kryeqytet vit pas vit, dhe s’është e paktë në numër pjesëmarrja e artistëve?

    Unë kam besuar që herët se, vonesa që tregu shqiptar në të gjitha aspektet trashëgoi nga periudha e komunizmit, mund të zgjidhej minimalisht duke kopjuar e maksimalisht duke përshtatur mençurisht në tregun tonë eksperiencat dhe zgjidhjet që ofronin tregjet e përparuara e që “shpikjet origjinale” lokale, siç ka rezultuar shumë herë në Tranzicionin tonë, nuk kanë sjellë zgjidhje të qëndrueshme, duke sjellë madje herë herë edhe përçudnime tepër shëndetdëmtuese dhe kohëhumbëse për sistemin e vlerave dhe shoqërinë. Për këtë arsye u përzgjodh emërtimi Akademi, sipas modelit të Akademive të çmimeve Oscar, ajo britanike e shumë të tjera.

    Cilat kanë qenë pengesat më thelbsore nga viti në vit, kur dihet se kultura tek ne, së paku pas ’90-ës, ende lëviz me patericat e shtetit, pa pasur një jetë tregu, konkurrueshmërie?

    Vështirësitë kryesore të këtyre 15 viteve të organizimit të Çmimeve KULT lidhen më shumë me mentalitetin dhe nivelin kulturor qytetar, çka, sipas meje, përbën edhe burimin e vështirësive financiare jo vetëm për një organizim si Çmimet Kult, por për të gjithë tregun kulturor shqiptar. Në këtë kontekst, pengesat për të cilat pyesni do t’i përmblidhja në 3 kategori. Së pari, qasja e dobët komunitare nga vetë artistët ndaj kolegëve të së njëjtës fushë e përzier me vijimin e një tradite të keqe të mosvlerësimit të punës së tjetrit, nisur shpesh nga personalizimi i marrëdhënieve, i cili ndodh rëndom në tregje të vogla, ku të gjithë njohin e janë në kontakt të drejtpërdrejtë me të gjithë. Ju ftoj për këtë të sillni në mend një ceremoni të çmimeve Oscar në Hollivud, atyre britanikë Bafta, apo atyre francezë Cesar. Nuk besoj se artistët pjesëmarrës në këto ceremoni, mendojnë individualisht për njeri-tjetrin shumë ndryshe nga artistët tanë, por interpretimi që ata i bëjnë momenteve dhe ceremonive të tilla është krejt i ndryshëm, pasi bazohet në një qasje komunitare, ku ngrehina dhe çatia e tempullit të përbashkët që në këtë rast quhet kinematografi, Hollivud apo Akademi, është më e rëndësishme se secili prej emrave individual sado të mëdhenj qofshin ata dhe ku secili, nëse kërkon të respektojë vetveten, duhet të respektojë rregullat e lojës dhe të kontribuojë në qëndrueshmërinë e tempullit dhe rritjen e reputacionit të tij.
    Së dyti, mungesa e një vizioni dhe strategjie institucionale largpamëse nga ana e institucioneve publike të kulturës, vizion dhe strategji të cilat, sidomos në lëmin e kulturës kombëtare do të duhej të tejkalonin mandatin e një ministri apo të një force politike, për të mos thënë humorin, tekat apo vendimmarrjet personale të drejtuesve të këtyre institucioneve. Mjafton të analizoni odisenë e çmimeve letrare të Ministrisë së Kulturës që nga viti ’92 e deri sot për të patur një pasqyrë të qartë të mungesës së vizionit, strategjisë, politizimit dhe personalizimit në qasjen institucionale ndaj kulturës. Së treti, qasja fragmentare e biznesit ndaj kulturës, çka i orienton buxhetet e kompanive private vetëm drejt aktiviteteve komerciale, të cilat trajtohen si blerje shërbimesh reklamimi ose marketing, duke mos u ngjitur dot në nivelin e ndërgjegjësimit për kontributin që duhet të japë një privat i suksesshëm për jetën shpirtërore të shoqërisë shqiptare. Gjithsesi, situata nuk është krejt dëshpëruese, pasi siç mund ta keni konstatuar ju, artistët dhe publiku, të paktën në lidhje me Çmimet Kult, disa kompani me emër në tregun shqiptar si “Çelësi”, “Agna”, “Grupi Union”, “Sigal”, “Banka Credins”, “Geraldina Sposa”, “Agikons” të cilat mbështesin prej shumë vitesh, në mos prej fillimit, këtë aktivitet.

    Në vitet e para të ndarjes së çmimit ka pas shumë dyshime, që lidhen sidomos me besueshmërinë dhe mënyra e ndarjes së çmimeve. Ju e keni ndjerë këtë, dhe çfarë keni ndrequr në procesin e brendshëm të këtij organizimi? E kam ndjekur nga afër dhënien e çmimeve, dhe kam parë se në këto vite të fundit është ndryshuar struktura e organizimit, e kryesisht e jurisë. Pse ka ndodhur kjo?

    Pyetja juaj sipas meje e përmban edhe pjesën më të madhe të përgjigjes: kjo ndodh thuajse gjithmonë në vitet e para të këtyre lloj organizimesh. Pjesa tjetër e përgjigjes lidhet me evoluimin e sistemit të vlerësimit të Akademisë Kult. Në vitet e para ne kemi patur një sistem vlerësimi të bazuar në 4 juri sektoriale: juria e librit, muzikës, teatrit dhe filmit dhe ajo e artit pamor. Këto juri kishin përgjithësisht nga 7 anëtarë, të cilët rifreskoheshin çdo dy vjet totalisht ose rreth 3-4 prej tyre në vit. Siç e përmenda më lart, në tregjet e vogla si Shqipëria, afërsia njerëzore bën që personalizimi i marrëdhënies dhe mundësia e lobimit për shkak të njohjeve të drejtpërdrejta janë të larta. Po kështu raporti i individit me sistemin është bazuar mbi tendencën e individit për të kontrolluar çdo sistem apo formulë. Duke analizuar çdo vit funksionimin e jurive dhe duke synuar perfeksionimin e mundshëm brenda subjektivitetit njerëzor, si edhe për të nxitur sa më shumë qasjen komunitare, u pa e arsyeshme që të zgjeroheshin juritë, duke qenë tashmë fikse dhe jo me rotacion. Sot që flasim Akademia Kult ka 198 anëtarë në 4 juritë e saj.

    Çmimi Kult përfaqësohet nga një certifikatë, kupë dhe vlerë monetare. Si ka arritur të mbijetojë Akademia në këtë drejtim? Mbajmë mend se deri në një kohë, ishte Ministria e Kulturës që mbështeste me financimin e saj çmimet, çfarë ka ndodhur në këtë marrëdhënie?

    Po, që prej vitit të parë Çmimi Kult ka pasur edhe një vlerë monetare për artistët fitues dhe pavarësisht luhatjeve, mbështetjes apo mosmbështetjes nga ana e institucioneve publike, ka qene dhe është një angazhim personal i imi që sa kohë këto çmime do të ekzistojnë kjo vlerë monetare do shoqërojë dhënien e këtij çmimi, mundësisht duke arritur në vlera sa më domethënëse dhe të qëndrueshme. Në këto 15 vite, Ministria e Kulturës e ka mbështetur këtë aktivitet në 5 edicione, në 2 prej të cilave kjo mbështetje kanë qenë vërtetë me peshë domethënëse. Flas për vitet 2005-2006 kur ministër kulture kanë qenë zoti Klosi dhe zoti Leskaj, ndërsa 3 edicionet e tjera, mbështetjen do e quaja formale. Ndërkohë në dy raste Akademia ka refuzuar buxhetet e akorduara nga ministria pasi bëhej fjalë për vlera qesharake deri në nivel fyes. Meqë po flasim për mbështetjen institucionale publike, dëshiroj të vë në dukje edhe rolin e Bashkisë së Kryeqytetit e cila 3 vitet e fundit na ka ofruar mbështetje mjaft domethënëse e vazhdimisht në rritje.

    Çmimet kult përcaktoni se nuk përfshijnë në vlerësimin e saj as çmime karriere, as çmime që stimulojnë të rinjtë, por çmime që vlerësojnë vetëm prurjen më cilësore të vitit jashtë kriterit të karrierës dhe moshës. Nëse jam e saktë, pse kjo zgjedhje?

    Jeni shumë e saktë. Kjo zgjedhje lidhet me misionin e Akademisë Kult që është nxitja e krijimtarisë kulturore dhe artistike, pasurimi i jetës shpirtërore në hapësirat shqipfolëse dhe strukturimi i një sistemi vlerash, nëpërmjet promovimit të prurjeve dhe kontributeve më të arrira të çdo viti dhe ndërtimit në kohëzgjatje të një regjistri referencash artistike dhe kulturore. Shprehja latine “Honos alit artes” (Nderimi, vlerësimi e ushqejnë artin) është edhe motoja e Akademisë Kult, përzgjedhur për të përçuar pikërisht këtë mision. Në besimin tim, çmimet e përvitshme që Akademia përzgjedh përfaqësojnë disa piketa vlerash të ngulura çdo vit, të cilat në kohëzgjatje do mund të ndërtojnë atë regjistër referencash dhe vlerash për të cilin fola më sipër, Mosarritja e ndërtimit dhe mirëstrukturimit të një regjistri të tillë referencash dhe vlerash në kulturën tone ushtron një ndikim shumë negativ në vazhdimin e amullisë së vlerave, gjithnjë e më të përkohshme e kalimtare dhe stërzgjatjen e kësaj amullie në kohë.

    Ju vini nga biznesi, jeni njeri i biznesit dhe për atmosferën shqiptare është e pazakontë mecenatizimi juaj për artin. Besoj se pas kaq vitesh që kontribuoni me këto çmime në kulturë, e keni një mendim politik se çfarë po ngjet në këtë hapësirën tonë të kulturës?

    Unë vërtetë vij nga biznesi tek arti dhe kultura, siç thoni ju, por pasi kam kaluar më parë nga arti dhe kultura tek biznesi. Në fakt studimet e larta i kam mbaruar për gjuhë, letërsi dhe qytetërim frëng në Tiranë e më pas kam bërë studime pasuniversitare master për letërsi moderne në Francë, si edhe një specializim për gjuhën filmike. Për mbi 10 vite kam dhënë, si pedagog i jashtëm në universitete publike dhe private lëndën e narratologjisë filmike, ku bëj një krahasim të gjuhës së shkruar dhe të folur me gjuhën e filmit dhe imazhit. Para 2 vitesh kam mbaruar shkollën doktorale sërish për letërsi dhe jam në përgatitje të temës së doktoraturës, të cilën mungesa e kohës dhe çvlerësimi që ka pësuar termi diplomë dhe doktoraturë, për arsyet që tashmë i dimë të gjithë, po ma ulin disi vullnetin dhe dëshirën për ta përfunduar me shpejtësinë e fillimit. Sa për opinionin tim “politik” rreth hapësirës sonë kulturore, them se e shtjellova më lart kur fola për vizionin, strategjinë dhe konsensusin e zbehtë apo të munguar të simbolizuar në inkoherencën dhe dritëshkurtësinë e politikave kulturore të Ministrisë së Kulturës, nga një forcë politike tek tjetra, nga një mandat tek tjetri e nga një ministër tek tjetri.

    Informimi dhe çështje që lidhen me zhvillimin e kulturës janë baza e këtij çmimi, a mendoni se tani, kur po shihet një strukturë institucionale e çmimit, ja ka vlejtur?

    Them se ja ka vlejtur. Në këto 15 vite, besoj se janë hedhur disa themele jo të paqëndrueshme e që çdo vit jo vetëm i përforcon, por edhe shton një apo disa gurë në murin e këtij “tempulli”, ndonëse them se ende jemi jo shumë afër hedhjes së çatisë. Urimi më i madh është që të mos ndodhë si me legjendën e Rozafës. Besoj që vullnete të mira, të forta dhe bashkëpunuese mund të shmangin edhe “mallkime profetike” të tilla, sado arketipale qofshin ato.

    NJË KOMENT

    1. Duke lexuar intervistën Ylli SULA ndjeva një ditë të mbushur edhe për disa tjera të knaqshme, të vlerës kulturore. Kjo më bëri po aq të lumtur, madje edhe dinjitoz se kemi njerëz që seriozisht e duan kulturën krijimin letrar, filmik, muzikor, e tjera. Kult Akademia tani do jetë një ,, dritare”prej se cilës do shoh dritë- hapsirë , ushqimi të mendjes- shpirtit. Uroj që Kult AKADEMIA të jetë gjithmonë e nivelit çfarë ka synuar dhe synon. Mergimtari nga Rotterdami, Hollandë …

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË