More
    KreuLetërsiBibliotekë"Një krisje në tavan", tregim nga Ajkuna Dakli

    “Një krisje në tavan”, tregim nga Ajkuna Dakli

    – Çfarë po lexon ? – pyet Nila.

    Kapem në befasi. Jam ulur në një cep të oborrit të shkollës mbi bordurën e çimentos poshtë plepave që të mos bie në sy. Eshtë pushimi i gjatë dhe askush nuk e ka mendjen sepse të gjithë kalamajtë e tjerë po luajnë. Meqë unë zakonisht nuk marr pjesë në lojërat me top ose litar, nuk po më trazon kush.

    -Po lexoj një libër që e kam marrë te shtëpia e gjyshërve, në soletë.

    Soletë quhet hapësira që ndodhet nën çatinë e shtëpisë. Aty ngjitesh nga shkallë të jashtme. E shtruar me beton përveç një pjese me trarë mbi një shtresë të hollë me kallama të lidhur me suva. Është si një ishull thesari plot me kuti ku gjenden që nga bojërat e pikturave të dajës, penela dhe gjithëfarëlloj gjërash të vjetra si rroba, foto, enë me ornamente, një jorgan, e deri te kotelet që pjell macja në fund të pranverës. Po të rrëmosh nëpër kuti e t’i heqësh të gjitha rrangullat njëra pas tjetrës si fletët e qepës, gjen libra.

    Pas koteleve (po këto janë vetëm stinore) gjëja që me tërheq më shumë janë librat. Zakonisht janë të vjetër. Pjesa më e madhe në shqip. Në dialekte të ndryshme. Ato në gegnisht janë edhe më të vjetër. Ka libra në gjuhë të tjera. Nja dy mund t’i dalloj, dy të tjera nuk i njoh. Ka dy blloqe me shkrimin e rregullt si rruazë të gjyshit që duken si fjalorë. Ajo që kanë të përbashkët shumica prej tyre, është ngjyra e verdhë, e irnosur e fletëve disa prej të cilave janë të dëmtuara në anët.

    Në shtëpinë e gjyshit librat nuk hidhen kurrë. I gjen duke filluar nga ato të udhëheqësit, me kapakë të bukur e të vendosur në rafte, aq të pastër, sa duken sikur nuk janë hapur kurrë e deri te këta mjeranët mes rraqeve dhe pluhurit që duket sikur janë nisur t’i hedhin po s’dihet pse kanë harruar.

    Kam dëgjuar që disa libra janë “të ndaluar”, domethënë njerëzit nuk duhet t’i lexojnë sepse janë të dëmshëm për mendjen e tyre. Thonë madje që këta librat e ndaluar edhe janë djegur disa herë. E kam fjalën për ata që janë djegur me dashje.

    Kjo më çudit ca. Sepse nuk e kuptoj se si një bashkim gërmash, fjalësh apo fjalish mund të të bëjnë keq për trurin. Kur isha më e vogël i përfytyroja gërmat si ilaçe që pihen.

    Provova të pyes babain se çfarë ndodh po të lexosh një libër të ndaluar po ai m’u përgjigj se janë ca njerëz në qeveri që e vendosin ketë punë (se cilët libra nuk duhen lexuar) dhe ai nuk kishte lexuar ndonjë prej tyre sepse nuk duheshin lexuar.

    Po unë mendoj se këtyre librave prapëseprapë u duhet hedhur një sy. Të paktën të kuptoj PSE janë të dëmshëm. Kam disi frikë se mos më ndodh ndonjë gjë e papëlqyer: Sikur për shembull të më bëjnë të mendoj ose ca më keq të them gjëra që nuk duhen, ose të trembem në gjumë ?

    E shkoqis këtë punë me mendjen time po prapë vendos ta provoj.

    Gjithashtu vendos :

    1. Të mos marr leje për t’i lexuar. Nëse pyes, e sigurt që nuk do më lënë.

    2. Të mos e flas për këtë me askënd, përveç shoqes sime të ngushtë, Nilës, me të cilën rrëfejmë  shumë sekrete (sepse nuk rri dot pa folur me dikë)

    Këta librat (e ndaluar) quhen ndryshe edhe “libra të verdhë”. Nuk e di pse quhen pikërisht “të verdhë” mbase nga ngjyra e irnosur e letrës, pamja e mjeruar, gërmat disi të çuditshme me bojë të vjetëruar dhe penjët e qepjes që dalin nga përdorimi i gjatë.

    Verdhësia e këtyre librave të soletës është shumë e qartë. Mesa duket prandaj i kanë plasur në këtë skutë. Që të mos i shohë e mos i gjejë kush.

    Në shtëpinë tonë gjenden gjithashtu nga këta «të verdhët». Po atje janë fshehur në fund të një dollapi të mbyllur me çelës. Të gjithë ne femijët e dimë ku ndodhet çelësi i dollapit, po nuk kemi guximin ta kërkojmë. Kur të rriturit nuk janë në shtëpi, shumë -shumë, mund të kesh kohë të shfletosh kalimthi ndonjë nga ata volumet e trashë të rafteve të sipërme, për t’u ndalur pak më gjatë (me kureshtje edhe me turp) te fotot e pikturave me ëngjëj të zhveshur. Ata të tjerët nuk ke kohë t’i shohësh krejt. Përveç titujve.

    Kurse këtu te gjyshërit nga nëna është ndryshe .

    Vendi ku janë fshehur librat është larg syve të njerëzve. Mund t’i marrësh, t’i lexosh rehat dhe t’u rikthesh pa u vënë re.

    ……………

    – Çfarë po lexon ? – pyet Nila prapë.

    Ndërkaq e kam mbyllur librin dhe e kam fshehur nën çantë.

    Kur shoh që është Nila, qetësohem. Nilën e kam shoqe të ngushtë. Flet pak dhe është shumë besnike. Nuk të tradhëton kurrë.

    E nxjerr ngadalë librin që poshtë çantës mbi prehër. Ajo përkul kokën dhe lexon me zë të ulët

    – « Doni i qetë »

    – Me çfarë është ?- pyet.

    – Me rusë.

    – Si t’u duk ?

    – Nuk e kuptova mirë, – i them.

    – Ke edhe shumë? – pyet Nila

    – Jo, – them unë

    – Kam gjetur edhe unë një, – thotë Nila. Ulet afër meje dhe nxjerr nga çanta një libër. Nuk duket edhe aq i vjetër

    – «Qyteti i fundit », – lexoj unë, – Petro Marko

    – Me çfarë është?- pyes

    – Me një partizan që dashurohet me një gocë italiane. Nuk ka ndonjë gjë të madhe. Ka vetëm ca skena me të puthura.

    Kukurisemi të dyja.

    – Po pse është i ndaluar?

    – Nuk e di, – thotë Nila. Por e sigurt që është e ndaluar. Më duket se ai që e ka shkruar ka qenë në burg për politikë.

    – Ku e gjete?

    – Në raft, – thotë Nila, – në dhomën e pritjes. I fshehur pas librave të tjerë.

    – Do ma japësh? – them unë .

    – Merre- thotë Nila dhe më zgjat librin. – Unë e mbarova.

    E fus librin në çantë pastaj vrapojmë të dyja të çezma afër shelgut në oborr. Pimë ujë dhe vihemi në rresht. Ka rënë zilja .

    …………………..

    Pasdite, me një copë bukë me gjalpë në njërën dorë dhe çantën në tjetrën nisem për te gjyshërit.

    Më duhet të kthej patjetër librin që kam marrë para ca ditësh. Sa herë marr një libër, bashkë me padurimin për ta lexuar, ndjej edhe edhe pak faj edhe pak frikë se mos dikush e kupton. Më duket sikur libri në çantë rëndohet çdo ditë që kalon. Mesa duket, nga pesha e fajit.

    Kaloj rrugën e makinave te Gurbardhi, shoh majtas e djathtas për ndonjë makinë, siç më kanë mësuar prindërit, dhe eci përgjatë trotuarit buzë bedenit të kalasë.

    Arrij te kryqëzimi “Një Maji”, shoh prapë majtas – djathtas, kaloj me vrap buzë rrugës nga sheshi që e quajnë «te xhamia» po ku në fakt ka mbetur vetem një grumbull gërmadhash rrethuar me mur. Pas nja dhjetë minutash ecje arrij më në fund në shtëpinë e gjyshërve.

    Shtyj portën e oborrit, përshëndes dhe i shoh të mëdhejtë me kujdes.

    Përshëndetja më kthehet, po askush nuk më kushton vëmendje. Gjyshja po merret me punë si zakonisht, gjyshi shkon brenda dhe duket i lodhur, dajat e tezet nuk janë kthyer akoma nga puna.

    I përvidhem oborrit, ngjis shkallët e betonit dy e nga dy dhe ia dal të hyj në soletë pa më vënë re kush. Marr frymë thellë dhe pushoj pak.

    Pasi e fus librin nën rrangulla, duke u munduar ta vendos pikërisht aty ku e kam marrë, i hedh me kujdes jorganin e vjetër, gotat, kutinë me foto, bojërat dhe penelat. Mbyll kutinë e kartonit dhe çohem.

    Kutia gjendet mu në cep pas asaj pjesës së pashtruar me kallama e suvá. Mund t’i bie rrotull po unë vendos t’i bie shkurt dhe të kërcej mbi trarët një nga një për t’u hedhur mbi pjesën e shtruar me beton.

    Pikërisht në trarin e parafundit njëra nga këmbët më rrëshqet dhe peshoj një moment mbi kallamishten. Dëgjoj një kërcitje dhe e ndjej këmbën të zhytet disi. Tërhiqem vrikthi në anën tjetër duke u përpjekur të ruaj ekuilibrin mbi tra, eci ngadalë dhe pastaj kaloj në pjesën e soletës shtruar me beton.

    Dal te shkallët dhe filloj të zbres me nxitim.

    Në fund të shkallëve më pret gjyshja.

    – Po ç’kërkon aty moj bijë!

    – Po luaja.

    – Po pse vend për të luajtur është aty? 

    Në fund të rrugicës se oborrit shfaqet figura e përkulur e gjyshit.

    – Ke shkelur mbi kallama?

    Gëlltitem pa mundur të nxjerr zë.

    I ndjek në heshtje ndërsa ata kalojnë oborrin dhe hyjnë në dhomën e ndenjes. Kam prishur tavanin.

    – Thuaj mirë që nuk ra se do kishte thyer ndonjë këmbë! – ia kthen gjyshja, – tavani rregullohet.

    – Nuk rregullohet, – thotë gjyshi. – Duhet bërë nga e para, ndryshe do të duket si i arnuar.

    Ngre kokën. Një krisje e gjatë duket qartazi në tavan. Suvaja është hepuar dhe duket sikur do bjerë nga çasti në çast mbi kokën time

    NJË KOMENT

    1. Nje tregim shume i shijshem. Nuk e di nese eshte fjala e duhur,por kjo ishte ndjesia kur mbarova tregimin. Detajet qe pershkruan jane si sherbeti qe u hidhej atyre embelsirave te vitit te ri. Duket qarte konservatorizmi,lidhja me traditen etj. Ndersa mbyllja ishte nje kryeveper. Ajkuna kishte marre energjine e madhe qe te jepnin librat e ndaluar,por ne fund kishte syte e humbesit per “Krisjen”.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË