OKSIMORON
Qepenat gjysmë të mbyllur
Kryet mbështetur mbi oksimoronë
Lajmet që vijnë mbytyrazi nga televizori i fqinjit
Përvelimi i shputave nga zjarrmia e tokës
Parehatia e vendeve intime mbi shezlong
kur gishtat e diellit futen gjithandej
Vramendja për të gjetur diçka tjeter
që peshon sa ty mbi mua
(thjesht, sa për t’ u ndjerë më e lehtë, një çast.)
Bipi i lavatriçes që punon nonstop
por nuk i lan dot asnjëherë të gjitha idetë fikse
Zhurma që bëjnë automjetet në nisje ndërsa
ç’ nuk bëjmë për të qendruar në periferi të vetes
Aroma e bukës së ngrohtë vërvitur rafteve,
te Mbarimja
si u vervisim fjalët njerëzve ku nuk kemi ndërmend
të rrimë shumë
Fëmijëria e mbathur me sandale me gomë peshku
( Mbaj mend cironkat e stufuara për darkë)
Fletët e zhvatura të ditareve ku mbaja shënime
rreth gjithçkaje që nuk ndodhte
Gjithçka që ndodhi dhe nuk u shënua dot në kalendar
Edhe trupi qenka mbështetur mbi oksimoron!
Ajo që dua të them ka të bëjë me pajtimin
si një shumësi mospajtimesh.
NOSTALGIA
Një duhmë e fortë rakie nga një skutë kujtimesh
zbut këtë muzg si gurmaz i përcëlluar dimri
Unë strukesha bri tij dhe nuk di
a e shihja në ëndërr kalin e bardhë
apo avujt e dehur të dhomës e pikturonin,
shpresë e gjallë e një vullneti të topitur
( Herët e pat humbur gjyshi një krah
dhe zemrën fill, një bir)
Ndaj nuk dita, ndoshta, asnjëherë të vërvis
thika fjalësh në ajër dhe kur u gjenda kasaphanave
Kam thithur gjatë ajrin e rënduar të një dhome
me muret përplot me fantazma që më kujton
sa të brishtë janë krahët e kësaj fluture.
IKJA E DIEJVE
(për Ilir Belliu-n dhe të ikur të tjerë në gjallje)
Ikin diejt ndërsa ushqimet tona gjithnjë e më industriale
I pëgëjnë mizat e demokracisë me pjesëmarrje
Tash, krahët i rrahin natën,
fluturat
Në pusin e dhimbjes ka më shumë dritë,
ndërsa diejt vazhdojnë e ikin.
Jo se kërkojnë Eldoradon.
Tokat janë zënë që prej fillimit.
Asgjë nuk e përndrit dot babëzinë,
andaj ikën diejt.
Edhe qielli është i vogël tani që linjat ajrore
i kanë ulur çmimet e fluturimeve
e në korridoret e kaltra janë shtuar galopet.
U rrokullisën diejt prej qiejve.
U arratisën prej tokës
për t’ u ulur në bashin e erës
për n’ Asgjëkund.
Se diejt jetojnë veç në tokat e lira
si toka e përjetshme e harrimit.
Ikën, ikën diejt prej nesh,
marramendthi, si prej dorëzimit.
TRIBUT VJERSHËS
Vjershë, ti që u dukesh pak
disa poetëve.
Me vargje si të tuat shkruajnë
dhe i quajnë poezi.
(Për vepra me peshë duhen fjalë sa më ndërkombëtare.)
Duhet muzë, thonë,
që të ta zgjasë dorën
frymëzim, ndjenjë,
si ato që njeriu s’i njeh ndoshta kurrë.
Ti tingëllon paksa e vjetëruar, vjershë, si unë
që nuk di të shkruaj
për çështjet e ditës.
MUZG
Muzgu i kësaj dite i ngjan një xhakete të dorës së dytë
veshur dikur nga një qytetar i dorës së parë
Varur në kremastarin e një hëne treçerekshe
ia fsheh njollat gri kësaj rruge që zgjatet plot dredha
Symbullur kapërcej një hendek
me iluzionin se gjithçka e kam në kontroll
Bie pikërisht poshtë shigjetave
që shënojnë një vistër qytetesh në një tabelë
E kam patur përherë keq me drejtimet e diktuara
Gjithqysh mbeta diktuesja e vetes
Në rrugën e ngushtë sa një fije peri
u shtyva, u zhvata e u çorra
për të mbërritur në këtë muzg të pashkëlqimtë,
ku të vetmet shkëndijime krijohen
nga pikëpjekjet me të parët e mi
dhe shpresa imcake se me pasardhësit
do takohem kur të mos rëndoj më asnjë gram.
Një peme me degë të thyera
në pranverën që lind,
pa cicërima, mbytur gjatë rënies,
i ngjaj.
Me drojë shkel tokën, shtrat
i krahut tim të kalbur në të,
as qiellin nuk arrij ta cik,
kështu mbetur cung nga moskuptimi.
Të rrish brenda morsës së paplotësisë
që nga dy anët të shtrëngon,
në një tërheqje të pandalshme
të jetosh,
të dobëson në pikën qendrore,
te e tashmja
që kurrë s’është vërtet e tillë.
Një fidan në bulëzim
dhe një trung i moshuar
me koren plot shenja rrëfenjash
pikëpiqen pafund e më shtangin,
pastaj më nxjerrin nga aksi
i kësaj dite si shumë të tjera
ku jam në kërkim
të pjesëve të mia, dhuratë
prej nënës e babait.
Është Ditë Vere,
ende mund ta shpresoj
një qukapik
të më çukisë ndonjë krimb.
Këmbët?
Ah, gjithnjë e më të drunjta
i ndiej.
GUASKË NË BREG
Të shoh si mbytesh
bashkë me kohën
më rrëshqisni mes gishtash
pas shkumëzim duke lënë
të ngjashëm me atë të deteve
turfullues kur i kalërojnë anije
Kam vënë re se mbytet
ç’është e re dhe e bukur
Pata frikë për shpresën
por e di se njësoj do firojë
dhe në mos e thinjsha ja,
me këto duar
Me ka mbetur aq dritë syri
sa të shquaj si mbytesh
aty ku mbahesh me të rëndë
Veç, deti vazhdon të të nxjerrë
O guaska ime, në breg
PA FILL KUJTESE
Ka një çudi të madhe;
kujtesa jonë individuale
po na lë,
kolektivja rritet
stivuar në arkiva digjitalë.
S’ është më dhe aq e nevojshme
që ne të jemi ne
Pa përgjakje a rezistencë
kjo diktaturë!
Dikur, në burgje, në mure skalitej
kujtesa
a në fleta cigaresh.
Ekzistonte një liri në kuti.
Tani, të lirë tundim kokën
vetëm në mënyrë pohore
Pranimi i mohimit tonë
sporti kolektiv ditëve tona.
Qëndrojmë aty të bashkuar
të gjithë
pa mësuar të duhemi më mirë.
Sëmurë jemi shumë,
por plot art
që krijohet në demencë.
Fier, më 19 mars 2026


