More
    KreuOpinionFate Velaj: Lasgush Poradeci u rikthye në Graz, Austri

    Fate Velaj: Lasgush Poradeci u rikthye në Graz, Austri

    Pas një viti të mbushur me takime, telefonata dhe korrespondencë zyrtare, u bë e mundur zbulimi i pllakës përkujtimore, duke i dhënë kështu një shërbim të rëndësishëm kulturës shqiptare dhe pranisë së saj në Austri. Në këtë frymë po punohet edhe për figura të tjera shqiptare, me qëllim që të lihen sa më shumë gjurmë të historisë sonë, si dhe të evidentohet për publikun austriak dhe të huaj fakti se shqiptarët, si në të kaluarën ashtu edhe sot, kanë nxjerrë personalitete që nderojnë kombin me veprën e tyre.

    Dje, 5.2.26, në orën 14:30, pranë godinës ku nga viti 1927 deri më 1934 ka jetuar poeti ynë i shquar Lasgush Poradeci, u zbulua pllaka përkujtimore me emrin e tij.

    Fjalën e rastit e mbajtën kryetarja e Bashkisë së Grazit, znj. Elke Kahr, Ambasadori i Shqipërisë në Vjenë, Sh.T. Prof. Fate Velaj, zv/Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, z. Paskalino Ziko, si dhe pronari i godinës ku ka jetuar Lasgushi. Gjatë ceremonisë u lexuan gjithashtu poezi nga vepra e poetit të shquar.

    Vendosja e pllakave përkujtimore në vendet ku kanë jetuar ose punuar personalitete shqiptare në Austri, ka qenë një nga prioritetet kryesore në fushën e artit, kulturës dhe kujtesës shqiptare, të përcaktuara nga Ambasadori Velaj që në fillim të ushtrimit të kësaj detyre.

    Që në vizitën e parë pranë kryetares së Bashkisë së Grazit, në shkurt të vitit të kaluar, Ambasadori Velaj parashtroi kërkesën për vendosjen e kësaj pllake, krijimin e një “Dita e Shqipërisë në Graz”, nisjen e partneritetit midis Grazit dhe Shkodrës, si dhe mundësi të tjera bashkëpunimi.

    Procesi i vendosjes së pllakës përkujtimore për Lasgush Poradecin ishte i gjatë dhe i vështirë, duke kërkuar një punë të vazhdueshme bindëse mbi rëndësinë e saj. Pas sigurimit të mbështetjes së kryetares së Bashkisë, çështja kaloi në Këshillin Bashkiak, ku u desh një përpjekje po aq e madhe. Më pas u sigurua miratimi i pronarit të godinës, si dhe ai i Institutit Boltzmann, i cili rishikon figurat historike dhe në fund përpiloi tekstin e pllakës përkujtimore, në gjuhën gjermane dhe angleze:

    “LASGUSH PORADECI (1899–1987)

    Poet. Në këtë shtëpi jetoi nga viti 1927 deri më 1934 poeti shqiptar Llazar Sotir Gusho (1899–1987), i njohur me pseudonimin Lasgush Poradeci, i cili në vitin 1933 mori doktoraturën në Romanistikë në Universitetin e Grazit. Falë dy vëllimeve poetike të botuara në vitet 1933 dhe 1937, ai konsiderohet një nga lirikët më të shquar të letërsisë shqiptare.”

    Pas një viti të mbushur me takime, telefonata dhe korrespondencë zyrtare, u bë e mundur zbulimi i pllakës përkujtimore, duke i dhënë kështu një shërbim të rëndësishëm kulturës shqiptare dhe pranisë së saj në Austri.

    Në këtë frymë po punohet edhe për figura të tjera shqiptare, me qëllim që të lihen sa më shumë gjurmë të historisë sonë, si dhe të evidentohet për publikun austriak dhe të huaj fakti se shqiptarët, si në të kaluarën ashtu edhe sot, kanë nxjerrë personalitete që nderojnë kombin me veprën e tyre. Qëllimi është të tregojmë se nga Shqipëria nuk kanë ardhur vetëm emigrantët e viteve ’90, por shumë më herët kanë ardhur studiues dhe mendimtarë që kanë kontribuar në artin dhe kulturën europiane.

    Nga fjala e Prof. Fate Velaj – Ambasador i Shqipërisë në Austri
    Graz, 5.2.2026

    “…Imagjinoni, të nderuara zonja dhe zotërinj, kur ndër vite, në këtë rrugicë kalonte kompozitori i famshëm, djalë i këtij qyteti Robert Stolz dhe murmuriste muzikën që ishte duke kompozuar.

    Imagjinoni Nikolaus Harnoncourt-in, dirigjentin e madh, duke ecur e lëvizur dorën sipas asaj që do të drejtonte atë mbrëmje në skenë. Imagjinoni Arnold Schwarzenegger-in, duke ecur në këtë rrugë e duke treguar muskujt e tij. Imagjinoni Alexander Girardin-in, aktorin e famshëm të teatrit të qytetit, duke ecur e duke interpretuar rolin që do të luante atë mbrëmje. Imagjinoni Ludwig Boltzmann-in, fizikanin e shquar, duke vrarë mendjen e duke folur me vete për formulën e re. Dhe imagjinoni një djalosh nga Pogradeci i largët, që duke ecur në këtë rrugë e duke soditur bukuritë e këtij qyteti, thurte vargjet e dashurisë me ndjenjat më të çiltra e më të thella, të marra me vete nga ai qytet i vogël pranë liqenit të thellë, për të krijuar më pas thellësitë më të mëdha të poezisë lirike shqiptare

    Disa ngjarje në histori nuk vijnë nga rastësia. Historia i thërret vetë ato. Unë jam mirënjohës qytetit të Graz-it që i hapi dyert djalit tonë, i cili u kthye në eksportin më të rëndësishëm të kohës në Austri, si dhe sot kryetares së Bashkisë së Graz-it që e mundësoi këtë përkujtim të tij….

    Së fundmi më duhet të them se ky qytet ka qenë krahëhapur jo vetëm për Lasgush Poradecin, por edhe për një brez të tërë shqiptarësh që erdhën pas viteve 1991 dhe që sot janë pasqyra e ndriçuar e vlerave më të mira të vendit tim — vlera që, në thelb, Lasgushi i shpalosi i pari.”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË