Në vitin 1961 për herë të parë në Universitetin Ludwig-Maximilian të Mynihut ofrohet një kurs shqipje, me vetëm 2 orë në javë nga një studiues i ardhur nga Italia si bursant i DAAD. Ky studiues ishte Martin Camaj, ardhur si shqiptar, por pa shtetësi. Kështu do të fillonte njëkohësisht karriera e një të arratisuri, që mallin për “pak shpi përzi me kulla” dhe për “bjeshkën e naltë që flente n’terr” do ta kthente në fuqi për të themeluar profesurën e vetme të Albanologjisë në Gjermani e në hapësirën gjermanofolëse.
Karriera e Camajt dhe orientimi që ai i dha studimeve shqiptare, nuk janë thjeshtë detaje që kanë të bëjnë vetëm me historinë e zhvillimit të degës, por mbi të gjitha kanë të bëjnë me mënyrën se si ne duhet t’i qasemi pozicionit të studimeve shqiptare jashtë hapësirës shqipfolëse. E gjitha është një ftesë për të reflektuar sot më shumë se kurrë, se ku e kanë vendin studimet shqiptare dhe çfarë duhet bërë për të garantuar vizibilitetin dhe njëkohësisht për të motivuar rolin e tyre.
Siç e pasqyron dosja e Camajt në arkivin e Universitetit të Mynihut, më 21 janar 1965 Camaj u habilitua duke marrë kësisoj statusin e docentit privat. Kishte hyrë ndërkohë në një rrugë të pasigurt, por që profesorët Alois Schmaus, Wilhelm Wissmann dhe Georg Stadtmüller e mbështesnin, të bindur që Albanologjia si disiplinë do të plotësonte një boshllëk të madh edhe për degë si Historia e Europës Juglindore apo Sllavistika e Jugut. Ishin disa faktorë që ndikuan në punësimin në kategorinë H-1 (si punonjës shkencor dhe docent): së pari pasioni dhe energjia e vetë Camajt për të ndërtuar aty botën shqiptare nga e para, së dyti një punonjës shkencor i sociologjisë që quhej Mohammed Rassem lëshon vendin e tij të punës në pozicionin H-1 e kësisoj krijohet mundësia që ky vend vakant t’i kalojë Martin Camajt, dhe së treti dëshira e të gjithë profesorëve. Nga 01.06.1965 e deri më 15.05.1970 Camaj mban pozicionin H-1 në LMU.
Në këtë fazë vërejmë përpjekje intensive të universitetit që Camaj të fitonte shtetësinë gjermane, Kjo është edhe arsyeja se pse vetë Camaj, kur bën një renditje kronologjike të karrierës së tij universitare, shtetësinë e rendit si një arritje akademike.Vështirësitë e para ai i kishte hasur që kur fitoi bursën prestigjioze të Shoqërisë Shkencore Gjermane (DFG). Gjermania e asaj kohe rrallë akordonte bursa për të huaj, e për më tepër të huaj pa shtetësi. Teksa arriti ta kapërcejë pengesën me bursën DFG, karriera e tij brenda universitetit nuk ishte më kaq e lehtë pa shtetësi. Ai nuk mund të fitonte kontrata pune të përhershme pa shtetësi, çka do të ndikonte rrjedhimisht në jetëgjatësinë e Albanologjisë. Edhe në këtë rast u angazhua i gjithë universiteti që Martin Camajt t’i jepej shtetësia gjermane. Vetë rektori i asaj periudhe, Audomar Scheuermann i shkruan më 29 nëntor 1968 Ministrisë së Arsimit të Bavarisë, që Dr. Camaj është i vetmi mësimdhënës universitar në Republikën Federale Gjermane, që zotëron shqipen si gjuhë amtare dhe që është në interesin e shtetit gjerman që t’i japin atij shtetësinë. Në dosjen universitare të Camajt vërehet se si strukturat universitare, duke filluar që nga departamenti, dekanati e duke shkuar në rektorat e më pas në ministri, kanë insistuar plot 5 vite që Camaj të fitonte shtetësinë gjermane. Më 17 shkurt 1970 Camajt i akordohet shtetësia gjermane. Veçanërisht meritat për këtë i takojnë Georg Stadtmüller që e ka mbështetur vazhdimisht me shkresa marrjen e shtetësisë së Camajt.
Menjëherë pas kësaj më 15 maj 1970 ai emërohet docent nga Ministria e Arsimit, më 1 gusht 1971 profesor jashtë planit, dhe më 14 shtator 1978 profesor ordinar. Karriera e tij nuk ishte aspak e shpejtë apo e thjeshtë, ishte një karrierë e gjatë, me anë të së cilës ai vërtetoi që mund të ekzistonte një Albanologji por edhe një Martin Camaj që ta drejtonte atë. U deshën thuajse 10 vite që nga ardhja që ai të fitonte shtetësinë gjermane, dhe thuajse 17 vite që të fitonte pozicionin e profesorit të plotë.
Nga 1978 e deri në vitin 1990 kur ai pensionohet, hyjmë në periudhën e tij të fundit, ku dalin në pah edhe idetë e tij mbi të ardhmen e Albanologjisë dhe strategjitë për vazhdimësinë e degës. Vazhdimësia ishte shqetësimi më i madh i tij, thotë bashkëshortja Erika Camaj. Në platformën strategjike dërguar rektorit për vazhdimësinë e Albanologjisë në Universitetin e Mynihut ai i jep përgjigje ndër të tjerash, dy pyetjeve shumë të rëndësishme, që reflektojnë në njëfarë mënyre edhe problemet e sotme me mënyrën se si pozicionohen Studimet Shqiptare jashtë hapësirës shqipfolëse. Çfarë duhet të mbulojë Albanologjia dhe ku duhet të pozicionohet ajo brenda universitetit?
Çfarë duhet të mbulojë Albanologjia?
Camaj nuk e shikon si rastësi pozicionimin e Albanologjisë krahas indoeuropianistikës, duke referuar emra si Bopp, August Schleicher, Gustav Mayer, Norbert Jokl e Maximilian Lambertz, të cilët e krahasuan shqipen me gjuhët e tjera indoeuropiane dhe e futën kësisoj në qerthullin e linguistikës së kohës. Camaj e koncepton albanologjinë si një fushë që shkon përtej kufijve tradicionalë të filologjisë krahasuese. Ai nuk e mohon rëndësinë e studimeve diakronike – të historisë së gjuhës, të krahasimeve me gjuhët e tjera indoeuropiane, të fazave të zhvillimit të sistemit fonetik dhe morfosintaksor të shqipes – por thekson me forcë se albanologjia nuk mund të mbijetojë e kufizuar në këtë lloj qasjeje. Për të, është njësoj e rëndësishme që albanologjia të merret edhe me aspektet sinkronike të shqipes: me gjuhën siç flitet dhe siç strukturohet sot, me trajtimin sistematik të dialekteve, me sfidat e normimit, si dhe me marrëdhëniet ndërmjet varietetit standard dhe përdorimeve rajonale dhe sociale.
Një komponent qendror i vizionit të Camajt është ndërthurja e studimeve gjuhësore me analizën e trashëgimisë letrare dhe folklorike shqiptare. Ai shkruan se folklori shqiptar, me ciklet e këngëve epike dhe prozën popullore, ofron një material jashtëzakonisht të pasur për studime krahasuese me kulturat sllave dhe greke të Ballkanit, si dhe për kuptimin e proceseve të transmetimit dhe transformimit të modeleve narrative. Po ashtu, letërsia shqipe, veçanërisht ajo bashkëkohore, duhet të trajtohet jo thjesht në aspektin estetik, por si burim për të kuptuar ideologjitë, tensionet dhe zhvillimet e brendshme kulturore të shoqërisë shqiptare. Camaj sugjeron se analizat letrare duhet të përfshijnë edhe pyetjet mbi mënyrën se si format letrare ndërtojnë identitete kolektive, si përthithen ndikimet e jashtme, dhe si reflektohet marrëdhënia ndërmjet individit dhe pushtetit.
Në një kohë kur disiplina të vogla si Albanologjia janë nën kërcënimin e reduktimeve buxhetore dhe të zhdukjes institucionale në universitetet gjermane, vizioni i Camajt për albanologjinë si një fushë e hapur, dinamike dhe e ndërdisiplinuar është veçanërisht aktual. Ai argumenton në mënyrë të qartë se, për të mbijetuar, albanologjia duhet të jetë e dukshme, jo vetëm në botën akademike shqiptare, por edhe në kontekstin më të gjerë të shkencave gjuhësore, kulturore dhe historike në Gjermani dhe Europë. Ajo duhet të përfshihet në debatet mbi standardizimin, diglosinë, identitetin gjuhësor në diasporë, si dhe në politikat e trajtimit të gjuhëve të vogla në epokën e globalizimit.
Strukturimi institucional i albanologjisë sipas Camajt
Camaj shpreh shqetësimin se Albanologjia mund të tretet ose të përthithet nga institute më të mëdha, si ai i indoeuropianistikës, pa i ruajtur specifikat dhe kërkesat e saj të veçanta. Ai këmbëngul që Albanologjia duhet të strukturohet si një njësi autonome brenda universitetit, me katedër të vetën, me buxhet të caktuar dhe me staf të përhershëm akademik. Vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, mund të sigurohet një zhvillim afatgjatë dhe mund të garantohet që fushat e gjuhësisë, letërsisë dhe folklorit të shqipes të trajtohen në mënyrë sistematike dhe të koordinuar.
Ai mbështet gjithashtu idenë që Albanologjia të ketë vendin e saj në një fakultet ose institut të orientuar drejt studimeve për Europën Juglindore dhe për kulturat e vogla europiane. Për Camajn, është e rëndësishme që shqipja të mos trajtohet si një «gjuhë e veçantë», jashtë kontekstit kulturor dhe politik të rajonit, por të kuptohet si pjesë përbërëse e zhvillimeve më të gjera në Ballkan dhe më tej.
Kjo qasje e integruar ka prodhuar një ndikim konkret në Mynih: aty janë formuar breza studiuesish të gjuhës shqipe, jo vetëm nga Gjermania, por edhe nga vendet e Ballkanit ,Prishtina, Shkupi, Tirana, Beogradi, si dhe nga SHBA-ja, ku marrëdhëniet me universitetet si Columbia, Chicago, San Diego apo New York janë dokumentuar qysh prej viteve ’70. Ky rrjet bashkëpunimi ndërkombëtar, për të cilin Camaj punoi me këmbëngulje, është një dëshmi tjetër e rëndësisë që ai i jepte vendit të Albanologjisë në një kontekst global.
I gjithë ky konceptim i Camajt na ndihmon sot të orientohemi drejt një Albanologjie ku gjuhësia në themel të saj kombinohet me kulturën, historinë dhe letërsinë, një Albanologjie që kombinohet me disiplina të tjera si Sllavistika Jugore, Indoeuropianistika, Studimet Ballkanike, por që gjithsesi nuk e humb identitetit e saj si fushë studimi me kërkesat e saj specifike. Vetëm kështu mund të sfidojmë kërkesat globale dhe sistemin në të cilin punojmë dhe veprojmë.
Martin Camaj: Projekt për vazhdimësinë e degës së Albanologjisë në Universitetin e Mynihut
(Marrë nga arkivi i personelit akademik të Universitetit të Mynihut)
Përktheu nga gjermanishtja: Ledio Hala
1. Albanologjia si disiplinë ia detyron zhvillimin e saj gjuhësisë indoeuropiane. Kjo nuk është rastësi. Franz Bopp (1791-1867), August Schleicher (1821-1868) dhe shumë studiues të tjerë të shquar deri në ditët e sotme janë marrë në mënyrë të vazhdueshme me shqipen. Falë kontributeve të tyre u përcaktua edhe pozicioni i shqipes brenda gjuhëve indoeuropiane. Gustav Meyer (1850-1900), Norbert Jokl (1877-1942) dhe Maximilian Lambertz (1882-1963), ndër të tjerë, nuk e studiuan gjuhën shqipe vetëm në krahasim me gjuhë të tjera, por u morën edhe me strukturën e brendshme, letërsinë dhe folklorin. Rezultatet shkencore, veçanërisht të këtyre fushave të fundit, si edhe metodat kërkimore, u përvetësuan fillimisht nga albanologët italianë; kështu, në Itali, nga viti 1900 e deri më sot, u krijuan pesë katedra të Albanologjisë (Napoli, Roma, Palermo, Bari dhe Kozenca), e më pas edhe në Shqipëri, në Francë (Paris) dhe kohët e fundit në SHBA dhe në universitete të ndryshme të Europës Lindore.
2. Albanologjia u përfshi si program mësimor në Universitetin e Mynihut me propozimin dhe angazhimin e profesorëve të këtij universiteti, Alois Schmaus, Wilhelm Wissmann dhe Georg Stadtmüller, si dhe me mbështetjen e Franz Babinger dhe Hans Rheinfelder. Nga semestri veror 1961 deri në semestrin dimëror 1964/65, Martin Camaj u ngarkua me një “lektorat të papaguar” (dyorësh). Camaj, i ardhur nga Universiteti i Romës, ishte fillimisht bursist i DAAD-së dhe më pas bursist i DFG-së për të kryer habilitacionin. Pas habilitimit të M. Camajt me venia legendi për Albanologji, kjo fushë u përfaqësua në mësimdhënie dhe kërkim shkencor, fillimisht me një vend HS-1 deri në vitin 1970. Në mbledhjen e fakultetit, në të cilën Camaj u propozua dhe u konfirmua si profesor jashtë planit (apl. Professor) (me dekret emërimi 1 gusht 1971), kësaj fushe iu miratua statusi i një “Profesure (Njësie) për Albanologji”. Që nga fillimi e deri më sot, kjo disiplinë ka mbetur pa buxhet të vetin në kuadër të Seminarit, përkatësisht Institutit për Gjuhësi të Përgjithshme dhe Indoeuopiane. Për këtë arsye, Albanologjisë i është dashur të mbështetet me mjetet financiare gjithsesi të kufizuara të institutit, së bashku me dy fushat e tjera të mëdha që mbulon ky institut, Gjuhësinë e Përgjithshme dhe Gjuhësinë Indoeuropiane. Kjo sigurisht ka bërë që disa synime të mos realizohen. Mbajtësit të profesurës iu akordua më 14 shtator 1978 statusi i “profesorit në marrëdhënie pune të përhershme” (klasifikimi C-3).
3. Falë angazhimit privat të personelit mësimdhënës dhe interesit të studentëve, sidomos të gjuhëtarëve, kërkesat në mësimdhënie deri më tani janë përmbushur. Kurset dhe ligjëratat e Albanologjisë janë ndjekur gjithashtu edhe nga studentë të huaj (rreth 10 kombësi), kryesisht nga Europa Juglindore dhe SHBA-ja. Arsyeja e interesit të vazhdueshëm qëndron edhe në faktin se Albanologjia, brenda Republikës Federale të Gjermanisë, ekziston vetëm në Universitetin e Mynihut. Albanologjia është dëshmuar veçanërisht si një fushë ndërdisiplinore. Nga përvoja rezulton se këto fusha studimi kanë pika kontakti me Albanologjinë: Gjuhësia Indoeuropiane dhe Gjuhësia e Përgjithshme, Historia e Europës Juglindore, Shkencat politike dhe Sociologjia, Sllavistika jugore, përkatësisht Ballkanistika me të gjitha nëndisiplinat e saj. Veçanërisht për studentët e Indoeuropianistikës dhe të Gjuhësisë së Përgjithshme, marrja me shqipen është dëshmuar si një plotësim i vlefshëm i njohurive të tyre, falë strukturës së saj gjuhësore interesante.
4. Qendra kryesore për kërkimet mbi Europën Juglindore në Republikën Federale të Gjermanisë mbetet Universiteti i Mynihut, ku kultivimi i gjuhës shqipe, letërsisë, folklorit dhe historisë mund të konsiderohet si një pasurim i rëndësishëm i kësaj fushe. Ky mendim mbizotëron edhe te shumë studiues të kësaj disipline brenda dhe jashtë vendit. Këtu përfshihen edhe bibliotekat dhe institutet e shkëlqyera në Mynih, si p.sh. Instituti i Europës Juglindore me bibliotekën e vet. Ata që dëshironin të specializoheshin në çështje albanologjike dhe ballkanologjike kanë ardhur deri më tani në Mynih. Kurset e Albanologjisë në Mynih janë ndjekur kryesisht nga bursistë të universiteteve të ndryshme të Europës Juglindore (Beograd, Shkup, Prishtinë, Athinë, Bukuresht). Për rezultatet kërkimore të kësaj disipline në Mynih janë interesuar gjithashtu albanologë nga Republika Demokratike Gjermane (Wilfried Fiedler, Oda Buchholz, Gerda Uhlisch), dhe nga Bashkimi Sovjetik (rreth 10 studiues, ndër ta prof. A. Desnickaja). Me këta të fundit, megjithatë, ishte i mundur vetëm shkëmbimi i botimeve. E njëjta gjë vlen edhe për Universitetin dhe Akademinë e Shkencave të Tiranës. Me Italinë dhe SHBA-në (Çikago, Nju Jork -Columbia, Mineapolis, San Diego, Kaliforni, etj.) ekziston prej vitesh një bashkëpunim i ngushtë.
5. Kërkimet albanologjike kanë përjetuar zhvillim jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Rrethi tematik, qoftë edhe vetëm në studimin e gjuhës, është zgjeruar. Krahas krahasimit tradicional gjuhësor, i është shtuar studimi i strukturës së brendshme të gjuhës me të gjitha problematikat që sjell me vete edhe normativizimi i gjuhës së shkruar. Të folmet dialektore përshkruhen në mënyrë sistematike. Materiali i ri dialektor, si edhe ai i teksteve më të vjetra (1500–1700), të cilat më në fund po hulumtohen në mënyrë të thelluar, bëjnë që pikëpamje të vjetra mbi shqipen të vihen në dyshim. Pasuria folklorike, si ciklet e këngëve heroike dhe proza popullore, është më e madhe sesa mendohej dhe ofron këndvështrime të reja edhe në lidhje me krahasimet me motivet dhe format sllave jugore dhe greke. Letërsia shqipe, e cila vlerësohet më shumë sidomos në Itali sesa te ne, shtron çështje komplekse, si p.sh. riformësimi i rrymave letrare me elemente të brendshme, përkatësisht ideologjike. Nga Republika Federale e Gjermanisë, përkatësisht nga Mynihu, ky zhvillim i përgjithshëm jo vetëm që ndiqet, por edhe botohet në formë studimesh dhe monografish (shiko, ndër të tjera, 25 vëllimet e “Albanische Forschungen”). Duke pasur parasysh faktet e paraqitura, bëhet e panevojshme të argumentohet se Albanologjia mund të zhvillohet si një veprimtari dytësore, nëse serioziteti dhe thellësia merren si kriter matës.
6. Kërkohet që të sigurohet vazhdimësia e kësaj disipline. Për këtë, do të ishte e nevojshme veçanërisht sa vijon:
a) Garantimi që profesura C-3, e mbajtur aktualisht nga M. Camaj, pas largimit të tij të plotësohet sërish me një albanolog.
b) Sigurimi i fondeve të veçanta për blerjen e librave dhe revistave, në mënyrë që kjo disiplinë të mos rëndojë vazhdimisht buxhetin e Institutit për Gjuhësi Indoeuropiane dhe Gjuhësi të Përgjithshme.
c) Hapja e një pozite për një bashkëpunëtor shkencor për mbështetje në kërkim shkencor dhe mësimdhënie, si edhe për formimin e brezit të ri të studiuesve.

