Në vitin 1991 e kisha mbaruar studimin tim monografik me titull “Vepra letrare e Martin Camajt[1]”, të cilin në dorëshkrim e pati lexuar edhe vetë Martini. Për arsye të rrethanave të rënduara politike dhe kulturore në Kosovë botimi u shty dhe vetëm më 1994 ia dola ta botoj në Kozencë të Italisë, kur fillova punën në Universitetin e Kalabrisë. Në Parafjalën e hartuar në nëntor të vitit 1991, pata shkruar: “Nisur nga fakti se vepra letrare e Camajt hyn në rrethin më të ngushtë të vlerave tona kulminante artistike dhe se ajo duhet të bëhet pjesë e pandashme e jetës letrare shqiptare […] ky punim synon të theksojë para së gjithash disa nga veçantitë dhe vlerat qenësore të saj, me të gjitha sprovat dhe vështirësitë e mëdha para të cilave ajo e vë edhe studiuesin më me përvojë”.
Po në atë Parafjalë pata theksuar domosdonë e studimit të mirëfilltë të veprës letrare të Martin Camajt: “Nevojën e studimit të krijimtarisë letrare të Camajt e nxiti dhe e ushqeu edhe mungesa e njohjes dhe e receptimit të saj në Shqipëri dhe në Kosovë, ku ajo u ndalua për afër dyzet vjet. Pra, përkundër vlerës së jashtëzakonshme poetike të kësaj vepre, mosprania dhe mosnjohja e saj pikërisht në trojet ku ajo duhej të bënte jetën dhe ndikimin e vërtetë, me të cilat (troje) ajo është e lidhur ngushtë tematikisht dhe kuptimisht, bëri që kjo jo vetëm të mos bëjë ndikimin te lexuesi, të cilit në esencë i kushtohej, por as të shfaqeshin mendime e vlerësime profesionale e reale për të”.
Në “Shënimin e botimit të dytë[2]”, që i prin studimit “Vepra letrare e Martin Camajt” të botuar në Tiranë në vitin 2000, kam përmendur edhe faktin që lidhet me interesimin e studimit të veprës poetike të Martin Camajt: “[…] pikërisht ashtu si e parashikoja dhe e shprehja në Parafjalën e vitit 1991: koha e jetës dhe e receptimit të njëmendët të veprës letrare të Camajt në rrafshin gjithëkombëtar, që zuri fill sidomos me botimin e dy veprave të tij në Prishtinë Pishtarët e natës dhe Në hijen e gjarpnit, do të vinte”.
Sa mund të qëndrojë mendimi i shfaqur në janar të vitit 2000 – një çerek qindvjetshi më parë – ose më mirë: të çfarë cilësie dhe të cilit rrafsh janë studimet që iu bënë veprës letrare të Martin Camajt?
Natyrisht me këtë rast nuk e kam ndërmend të përmend ose të ndalem te studimet dhe punimet konkrete që i janë kushtuar veprës letrare të Camajt, po do të sjell disa mendime dhe shembuj për të dëshmuar sa e ndërliqshme (komplekse) dhe e çfarë rrafshi poetik është vepra letrare e tij. Këtu duhet përmendur një fakt të pamohueshëm: vepra letrare e Martinit nuk është “kafshatë” për secilin studiues që ka njohuri të kufizuar për artin letrar e për natyrën komplekse të tij, sidomos ajo nuk mund të vërë komunikim të mirëfilltë me ata autorë që jetuan dhe u formuan në kohën e realizmit socialist dhe vijojnë t’u përmbahen parimeve, ku vepra letrare poetike u vështrua dhe u vlerësua në mënyrë tradicionale, kryesisht u përfol përmbajtja ose u studiua si tematikë. Një qasje e tillë jo vetëm se nuk mundësoi njohjen e veprës së Martinit, por e zhvlerësoi atë dhe e solli në një rrafsh përçmues dhe zhgënjyes. Dikush u mor me veprën letrare të tij për të kryer ndonjë detyrë shkollore, disa të tjerë për të thënë se janë marrë edhe ata me veprën letrare të tij, ndërsa disa të tjerë për ndonjë interes, që këtu nuk e ka vendin të thuhet. Mua, mjerisht, nuk me ka rënë të lexoj një studim që është rrjedhojë e një leximi të thellë e të vëmendshëm, një interpretimi që tekstet e tilla poetikisht, sa të veçanta aq dhe të lartësuara, e meritojnë. Me fjalë të tjera, për të vënë një komunikim me veprën letrare të Martinit lypset një njohje e mirëfilltë e studimit modern të letërsisë, e strukturës tekstore që nuk mbështetet në parimin se çka thotë një tekst letrar poetik po në ç’mënyrë dhe si e thotë dhe si e shpreh atë. Struktura gjuhësore poetike asnjëherë nuk ofron vetëm një kuptim, po një shumësi kuptimesh, që sa më shumë që thellohemi në qenësinë kuptimore shprehëse të saj, vërejmë që ajo mund të degëzohet edhe më shumë, deri në pafund. Pra, qasjet, nocionet dhe mënyrat që janë përdorur në studimin dhe interpretimin e veprës së Martinit nuk kanë qenë tipike dhe të mirëfillta për të vënë një komunikim meritor me të që do të ndriçonte vlerat e njëmendta poetike të saj.
Për të përligjur këtë po sjell në fillim poezinë “Flaka e pishës” nga faza e dytë e krijimtarisë së Camajt, ku është krijuar një nëntekst jashtëzakonisht i veçantë poetik, përmes të cilit njësohen artistikisht njeriu me natyrën dhe ku shprehen ndjesitë e dashurisë së dy të rinjve brenda bukurisë dhe ngrohtësisë së saj:
Te dera e tbanit ndezet pisha n’bjeshkë
E djali n’vrrî kundron me máll në shpírt:
Atje âsht vajza shtat – hollë, e zeshkë.
Atje âsht fryma e ngrohtë në tbàn – fierët.
Hyni mbrendë djali e ndezi pishën n’prush:
Hijen e duerve vrejti n’flakë tu’ u dridhë
E me dishira zemra shqim iu mbush,
Nji mungullim nën diellin e ndezët n’príll.
(Flaka e pishës)
Teksti i poezisë shpalos atë që dy të rinjtë ndiejnë dhe përjetojnë për njëri – tjetrin në një takim dhe ambient burimor, ku gjithçka është e përshkuar, funksionon dhe ndikon në marrësin nga Ndër drita sysh kallet nga nji flakë. Camaj i shpreh vetëm disa nga elementet e asaj që përjetojnë dy të rinjtë: lexuesi e plotëson pamjen ose pamjet sipas botës, ndjenjësimit dhe aftësisë së vet. Imazhi idilik është dhënë vetëm si nismë, si hyrje në atë që të rinjtë përjetojnë, po shumëçka është heshtur. Kjo pamje poetikisht sublime dhe pushtuese, shprehet përmes një varg metaforash që lidhen me vendin dhe rrethanat e asaj që ngjet në bjeshkë dhe në tëbanë. Nëpërmjet simbolikës së pishës së ndezur, flakës së saj, pastaj prushit dhe zjarrit të diellit, shpaloset veçantia e asaj që ngjet në botën e brendshme të dy të rinjve në zgjimin e përjetimit epshor. Herë – herë nënteksti poetik është shumëfish më i pasur dhe më i rëndësishëm sesa vetë teksti dhe se ai (teksti) e fiton peshën e vet të mirëfilltë pikërisht në aktin e receptimit, të përjetimit dhe të ndikimit estetik të nëntekstit në marrësin.
Edhe në poezinë “Fragment”(që si qasje dhe shtjellim tekstor shprehës është e natyrës tjetër nga “Flakë marra e pishës”), Camaj e shqipton botën e brendshme të njeriut, në rastin konkret të mërgimtarit: shqetësimin, dhembjen shpirtërore dhe fatin e tij tragjik, shtegtimin – emigrimin si tronditje dhe rrënim shpirtëror (që mund të lidhet edhe me vetë fatin e poetit Camaj të emigruar).
Nga teksti i poezisë mund të nënkuptohen dy lloje shtegtimi: ai konkret dhe ai shpirtëror (në vetvete). Teksti shpreh sidomos të dytin. Mbase Poeti i kthehet dhe e shpreh të kaluarën (pse jo dhe fëmijërinë) përmes një teksti jashtëzakonisht të ngjeshur dhe shtegton dhe nëpër kujtimet e veta, nëpër të kaluarën, nëpër shtigjet e fatit, sidomos të fatkeqësisë. Ky shtegtim më shumë merret si cytje për të shprehur një pamje sa artistikisht të plotë, po aq (kuptimisht) sublime dhe tronditëse. Gjuha figurative i jep tekstit vlerë të veçantë dhe e bën atë “shumë të gjatë” në procesin e përsiatjes e të mundësisë së perceptimit e të komunikimit.
Niset për në gurbet punëtori
me nji copë qielli në krah
e krypë deti në kutia pishe.
Në dorë mban nji bahe
e gur lumejsh në gojë
në vend të bukës.
Rruga i zdrit përpara
me gaca zjarmi në sy[3].
Kjo mënyrë e përftimit të tekstit poetik, të shtjellimit gjuhësor shprehës dëshmohet edhe në prozën e tij, ku dukuritë perceptohen dhe transponohen përmes një gjuhe poetike të zgjedhur e të pasur, një frazeologjie të veçantë, ku përligjet parimi që në art lihet shumëçka pa thënë, përkatësisht thuhet vetëm ajo që është e domosdoshme dhe që nxit e mundëson komunikimin e krijimit letrar artistik, që ta vazhdojë lexuesi.
Krijesat poetike të Martin Camajt përshkohen nga dramatikja, e cila merr shpesh përmasa të ndieshme të tragjikes. Kjo nuk është vetëm rrjedhojë e konteksteve të ngjeshura, të papriturave dhe situatave të efektshme që shqiptohen, por rrjedhojë e ballafaqimit të mendimeve dhe të dukurive të botës që e rrethon dhe të marrëdhënieve që e cilësojnë atë mjedis. Shqiptohet sidomos drama shpirtërore e njeriut dhe brenda saj gjurmohet, vëzhgohet e zbulohet tipikja dhe e qenësishmja, që njëherit nënkupton edhe të përgjithshmen. Gjithë kjo përligjet nga mënyra e perceptimit dhe e shqiptimit të ngjarjes, të veprimeve e të ndjesive, nga nënteksti që krijohet nga struktura tekstore poetike. Çështjet kryesore me qëllim nuk vihen në planin e parë të rrëfimit, por gjallojnë në thellësinë e sistemit kuptimor; “mbulohen” ose gërshetohen me ngjarje ose me përshkrime të natyrës ose të veprimit të personazheve, me ndonjë element të dorës së dytë ose të tretë. Kjo mënyrë e shtjellimit dhe e shqiptimit të problemeve në veprën letrare artistike të Martin Camajt është një nga parimet qenësore krijuese. Në romanet dhe në novelat e tij realiteti nuk shqiptohet në teknikën e ashtuquajtur “bardh-zi”; nuk bëhet ndarja e personazheve në negativë e pozitivë; nuk i jepet përparësi të mirës ose të keqes dhe veprat nuk përfundojnë me “Happy End”.
Kjo dëshmohet veçmas në veprën Dranja (1981), që ka sistemin më të ndërliqshëm kuptimor, ka simbolikë më shtresore dhe cilësohet me gjuhë më të pasur poetike. Në Breshkën dhe rrashtën e saj njësohen e shkrihen misteri i natyrës dhe tragjika e gjallimit (Deshët që rroken krye me krye “Ndërsa qëndronin me brina të kapërthyem si një kurm i ngrimë, u kullonte gjaku ndër sy”.). Breshka shënjon dysinë e formimit: breshkë e gjarpër, dy frymorë që janë përjetësuar në rrashtën e saj (“Shikoni, si janë të ngrimë në një si të mos ishin dy frymorë”.). Këtë qenie me formë të tillë, plot fshehtësi që nga ekzistimi mitologjik (kur Breshka kishte përmasa të stërmëdha) në konceptin e qasjes e të shtjellimit e ka shkaktuar, si thuhet në vepër, “nema e Orëve”, e cila çdo gjë mund ta shndërrojë në gurë. Breshka mund të shenjëzojë paraardhësit para përmbytjes, përkatësisht përnjësimin me gruan e bukur (kujtojmë këtu, fjala vjen, breshkën nuse, sidomos në përrallat tona) dhe me gjarprin (po ashtu në përrallat tona si i Bukuri i Dheut, si përkim ose ballafaqim me të Bukura e Dheut). Rrafshi i dytë mitik është shtrirë dhe është funksionalizuar në gjithë sistemin kuptimor të veprës, sidomos dallohet simbolika e gruas së bukur, e Dranjes, fati dhe tragjika e saj[4]3.
Meqenëse këtë kumtesë e nisa me një mendim të shkruar më 1991, po ashtu po e mbyll atë me dy mendime. Të parin e kam thënë në “Shënime për botimin e dytë” të vitit 2000: “[…] e çmoj (botimin e studimit tim në Tiranë) si veprim të rëndësishëm për njohjen e mëtutjeshme të veprës letrare të Camajt edhe në Atdheun e tij, të cilit ai i kushtoi gjithë punën dhe jetën e vet, ose si shprehet ai poetikisht – Jeta ime djegagur. Pikërisht bota shqiptare, bashkë me, të themi kushtimisht, djegagursinë e jetës së poetit, shqiptohen nëpërmjet një strukture tekstore artistike të rrallë dhe një ndjenjësimi të veçantë estetik dhe bëhen të amshuara. Për këtë arsye sa herë që do t’i qasemi kësaj vepre ose do të lexojmë për të, përherë do të vërejmë diçka tjetër, do të mësojmë më shumë, para së gjithash, për botën tonë e për vetveten dhe do të pasurohemi shpirterisht”. Mendimin tjetër e kam thënë në “Shënimin e botimit të tretë” të bërë, po ashtu, në Tiranë më 2010 nga shtëpia botuese Princi: “Uroj që botimi të nxisë edhe më tej interesimin dhe komunikimin me veprën letrare të këtij shkrimtari tonë të orës së parë[5]”.
Prishtinë, dhjetor 2025
[1] Anton Berisha, Vepra letrare e Martin Camajt. “Radhonjtë e Zjarrit”, n. 18, Kozencë, 1994.
[2] Anton Nikë Berisha, Vepra letrare e Martin Camajt. Monografi. Lajmëtari, Tiranë 2000.
[3] Martin Camaj, Njeriu më vete e me tjerë. Poezi. München 1978, f. 41.
[4] 3 Gerhart Hauptman thotë: “Të jesh poet domethënë të ritingëllosh pas fjalëve, fjalën fillestare”, ndërsa Karl Gustav Jungu, duke folur për rëndësinë e pamjes fillestare e të fjalës fillestare, thekson: “Pamja fillestare ose arketipi është një figurë, djallë, njeri ose proces që përsëritet në rrugën e historisë, sa herë që fantazia krijuese ushtrohet lirisht. Ajo është në radhë të parë një figurë mitologjike. Duke e vëzhguar prej afër vëmë re se ajo është përmbledhësja e përvojave të panumërta tipike të të gjithë brezave të shkuar. Në të mund të shquhen mbeturinat psikike, të ngjarjeve të panumërta të të njëjtit lloj.” (Shih, Karl Gustav Jung, Psikologjia analitike dhe arti poetik. Në Rilindja demokratike, 29 mars 1995.)
[5] Anton Nikë Berisha, Vepra letrare e Martin Camajt. Monografi. Botimi i tretë i plotësuar dhe i shtuar Botimet Princi, Tiranë 2010.

