Ngjarjet historike kanë pasë ndikuar gjithmonë mbi tematikën dhe problematikën e veprave artistike, përderisa letërsia i krijon mundësinë shkrimtarit të nxjerrë në pah qëndrimin e vet ndaj një realiteti historik dhe të zbërthejë veçoritë e një epoke të kaluar. Historia lidhet shumë ngushtë me letërsinë, e cila pasqyron dhe interpreton artistikisht ngjarjet historike, përcjell botëkuptimin dhe këndvështrimin e njerëzve që kanë jetuar në të tjera kohë.
Pavarësisht nga popullariteti bashkëkohor i prozës dokumentare, e cila i përcjell lexuesit një mjedis konkret, duke anashkaluar trillin artistik, tjetërthënat (aluzionet), sipas shkrimtarit francez të periudhës së romantizmit, Zhan Sharl Emanuel Nodje (Jean-Charles-Emmanuel Nodier – 1780-1844), nuk e humbasin kurrë rëndësinë e vet në penën e një krijuesi me këndvështrimin nga historia.
Në Panairin e fundit, të librit, midis veprave, që u ekspozuan nga shtëpi të ndryshme botuese, binte në sy romani i shkrimtares me emër Mira Meksi, me titull “Ikona e plagosur”. Një tjetër “shartim” ky i letërsisë artistike me historinë.Këtë roman e ka hedhur në qarkullim Shtëpia botuese “Onufri”, me drejtor zotërinë Bujar Hudhri. Kjo shtëpi botuese, përgjithësisht, njihet mirë nga lexuesit, si një ent botimor me mjaft autoritet, i cili dallohet për cilësinë e lartë të veprave që nxjerr nga shtypi. Botimi i veprave të Kadaresë në këtë shtëpi botuese, përbën një periudhë të artë në historinë e kulturës sonë mbarëkombëtare.
Kjo vepër e re e Mira Meksit i përket gjinisë së romanit historik, çka është një gjini e parapëlqyer e saj. Lexuesit e veprave të kësaj shkrimtareje kujtojnë dy romanet e saj të mëparshme – “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”, kushtuar Teutës, mbretëreshës famëmadhe të Ilirisë, dhe “Diktatori në kryq”, në të cilin, si asnjë shkrimtar tjetër deri më sot, autorja ka çmitizuar artistikisht figurën e kryediktatorit Enver Hoxha. Këto dy romane janë botuar po nga “Onufri, respektivisht në vitet 2014 dhe 2020. Në këtë roman, Mira Meksi ka trajtuar një temë nga e kaluara historike e popullit tonë, e cila lidhet me periudhën më të lavdishme në gadishullin e Ilirisë – me Epopenë skënderbejane.
Periudha skënderbejane i ngjall emocione të fuqishme çdo shqiptari me vetëdije të lartë kombëtare, sepse ajo është periudha më e ndritur jo vetën në hisorinë tonë, por edhe në historinë e mbarë kontinentit europian.
Në këtë roman, autorja i ka vënë vetes si objektiv dhe si detyrë ringjalljen dhe studimin e krakteristikave më të rëndësishme të personaliteteve të njohura, parë në optikën e lidhjeve të tyre të ndërsjella me epokën kur kanë jetuar.
Në këtë këndvështrim, duhet theksuar se shkrimtarja ka bashkërenduar mjeshtërisht trajtimin historik, social dhe humanitar në botën e Kastriotëve.
Ngjarjet në këtë roman autorja i ka shpalosur në përtejanën (sfondin) e ngjarjeve historike konkrete. Gjinia e romanit historik përfshin në vetvete përdorimin e elementeve artistike për rikrijimin e atmosferës së kohës. Në dallim nga një vepër historike, romani mund t’i lejojë vetes njëfarë lirie për interpretimin e fakteve dhe të figurave, çka e bën më të kapshëm dhe më tërheqës për një auditor të gjerë.
Si tipar karakteristik i romanit historik shërben krijimi i heronjve me një natyrë të komplikuar, të cilët vihen përballë ngjarjeve historike. Në këtë mes kemi të bëjmë jo vetëm me figura, kemi të bëjmë me njerëz që ushqejnë shpresa, që kanë dëshira, të cilat e gjejnë pasqyrimin në kontekstin e epokës së vet. Lexuesi mund të bashkëpërjetojë shqetësimet e heronjve, çka ndihmon për të hedhur më shumë dritë mbi procesin historik.
Shkrimtari, brenda caqeve të domosdoshmërisë historike dhe idesë së veprës, pa dyshim që ka të drejtë të përdor trillin artistik, fantazinë, duke mos lejuar largimin nga realiteti historik.
Përmes rrefenjave tejet sa tërheqëse, aq edhe emocionuese të shkrimtares, lexuesi njihet me odisenë e eshtrave të Skënderbeut, të cilat Donika Kastrioti i pati marrë me vete kur qe larguar për në Napoli dhe prej andej për në Valencia të Spanjës.
Domosdo që Donika Kastrioti do të kërkonte përkrahjen e mbretërisë së Napolit, meqenëse Skënderbeu, gjatë fushatës italiane të viteve 1460-1462, i pati ardhur në ndihmë aleatit të vet, Ferdinandit I Napolitan, i cili asokohe ndodhej nën kërcënimin e dinastisë së anzhuinëve.
Pra, ngjarjet e këtij romani autorja i shtjellon në trekëndëshin Napoli-Valencia-Mali Athos në Greqi, me pikësynimin për zbulimin e vendprehjes së ështrave të Skënderbeut, të Donika Kastriotit dhe të Ikonës së kësaj të fundit, të dëmtuar nga një goditje me thikë.
Romanin e përpin kur e lexon. Sepse me mjeshtërinë e fjalës artistike, Mira Meksi e emocionon kaq shumë lexuesin, saqë e bën të shtegtojë në humbëtirat e shekujve dhe të përfytyrojë rrënjët e kësaj gjinie letrare në thellësitë e epokës aleksandrine, kur shkruante veprat e veta Hariton Afrodisias, shkrimtar i lashtë romak greqishfolës, i cili, hamendësisht, pati jetuar në shek. I, II ose III p.e.r. Për jetën e tij nuk dihet asgjë, me përjashtim të një parathënieje të romanit të tij, me titull “Rrëfenjë për dashurinë e Hereit dhe të Kaliroit”. Ky roman dashurie, të cilin vetë autori e ka ndarë në tetë libra, krahas romanit me titull “Satirikon” të shkrimtarit romak, Petronit (rreth viteve 27-66), vlerësohet si njëri nga romanet më të hershme europiane.
Romane historike i janë kushtuar edhe Aleksandrit të Madh (356-323 p.e.r.) dhe fushatës trojane, të cilët qenë shkruar në shekujt e parë të erës sonë dhe që, në shekujt e mesjetës, në shumë variante dhe ripërpunime, patën një përhapje të gjerë në krejt Europën.
Emocione të fuqishme e kaplojnë lexuesin, pasi ka arritur në faqën e fundit të këtij romani.
Pas botimit të tre romaneve të saj historike, ai krijon bindjen se emri i saj e meriton të renditet pranë emrave të shkrimtarëve të njohur, romanet historike të të cilëve kanë hyrë në fondin e artë të letërsisë europiane. Dhe, vetvetiu, vjen në përfundimin se formimi i gjinisë së romanit historik, i cili i dha një impuls të fuqishëm mbarë krijimtarisë artistike europiane, lidhet me emrin e prozatorit, poetit dhe historianit britanik, Valter Skotit (Walter Scott – 1771-1832), me emrin e Viktor Hygoit ((Victor Marie Hugo –1802-1885), të Prosper Merimesë (Prosper Mérimée – 1803-1870), të Leon Tolstoit (Лев Толстой – 1828-1910), të Ėrih Maria Remrkut ( Erich Maria Remarque – 1898-1970) etj.
Në këtë roman, Mira Meksi i ka vendosur heronjtë në kontekstin e ngjarjeve të rëndësishme, në kuadrin e të cilave shpaloset ecuria e fatit të tyre. Aty fqinjësojnë faktet dhe trilli artistik, të përfaqësuar, respektivisht nga Donika Kastrioti, Gjon Kastrioti dhe Alfons Katrioti, me dy historianët në kërkim të gjurmëve të tyre – Arbri dhe Nora.
Si në çdo vepër, edhe në këtë roman, nuk mund të anashkalohej tema e dashurisë. Domosdo, sepse tema e dashurisë është “zeja” më e parapëlqyer për shkrimtaren Mira Meksi, e cila përdor mjeshtërisht elementet e dramës dhe u krijon mundësinë lexuesve të hyjnë në botën e pasionit dhe të romantikës.
Me artin e lirizmit të saj çmendurak, Mira Meksi shpalos botën e brendshme të personazheve, përjetimet e tyre, duke e nxitur lexuesin të përsiatë thellë për motivet dhe ndjenjat që vënë në lëvizje heronjtë e romanit.
Në prozën historike Mira Meksi e shfrytëzon dashurinë si përtejanë për shtjellimin e ngjarjeve që ndodhin në epoka të ndryshme, çka u krijon mundësinë lexuesve që jo vetëm të kënaqen me historitë e dashurisë, por edhe ta përfytyrojnë veten në atmosferën e kohës.
Në çdo Panair libri, veprat e Mira Meksit kanë ngjallur përherë mjaft interes në masën e lexuesve, çka është vënë re gjithmonë, kur ata, pasi e kanë blerë librin, krijojnë një vargan të gjatë drejt tryezës, pranë së cilës është ulur autorja, për të marrë autografin e saj.
Si një shkrimtare-pasqyrë e vetëdijes së lartë kombëtare, Mira Meksi, në parathënien e këtij romani, i drejtohet shtetit shqiptar me thirrjen në vijim:
“Ndoshta ka ardhur koha që shteti shqiptar të bëjë përpjekjet e duhura për të sjellë në Shqipëri eshtrat e Donika Kastriotit, ose atë ç’ka mbetur prej tyre”.
Le të shpresojmë që thirrja e kësaj shkrimtareje të mirënjohur do të dëgjohet në sferat më të larta të shtetit, duke uruar që të mos mbetet një zë në shkretëtirë.
Le të shpresojmë, gjithashtu, se Mira Meksi do ta vazhdojë botimin e serisë së romaneve historike, duke e pasuruar me temën e një romani, kushtuar copëtimit të trojeve tona etnike nga shovinizmi europian, me në krye shovinizmin rusomadh, armikun tradicional të kombit shqiptar. Një temë kjo, së cilës, deri më sot, askush nga personalitetet e letrave shqipe nuk ka guxuar t’i afrohet.
Kaliforni, 08 dhjetor 2025

