Ndër sfidat më të mëdha me të cilat i nevojitet letërsisë sonë të përballet, mund të rreshtojmë edhe çështjen e çlirimit të figurës femërore nga hija e mashkullit. Duke përjashtuar Medean e Euripidit, vërtet të rralla mbeten ato figura femërore të cilat arrijnë të hedhin poshtë rendin tiranik mashkullor. Ky sundim, si sundimi i një diktatori të mirfilltë mbi një shtet, është i pamëshirë ndaj kundërshtarëve dhe synon të legjitimojë autoritetin duke gdhendur parimet e tij në qendër të moralit tonë, përmes librave fetarë. Tekste të cilat pikërisht për shkak të natyrës së tyre të shenjtë, e bëjnë edhe më të vështirë çdo tentativë kundërvënieje.
Por nëse ne kemi mësuar një ose dy gjëra nga rrëmuja e luftës së ftohtë edhe më tej, ato na sygjerojnë se çdo regjim totalitar mund të hidhet poshtë, dhe se çarjet e tij (në këtë rast edhe të rendit mashkullor në fjalë) bëhen për ne shekuj më pas, tepër të dukshme. Kështu ne do të trajtojmë edhe “Vdekjen e Gjon Pagëzorit” në dhjatën e re, duke e zbërthyer atë në një “formulë të përgjjithshme” përbërë nga dy kushte për të identifikuar se si formësohet një karakter femëror letrar “i fortë”:
Kushti i parë: Mashkulli i dobët ose i trembur
“dhe u tha shërbëtorëve të vet: Ky është Gjon Pagëzori; ai u ngjall së vdekuri dhe prandaj fuqitë e mbinatyrshme veprojnë mbi të…Herodi kishte frikë nga populli që e konsideronte Gjonin profet…” (Mateu 14:2-14:5)
Kushti i dytë: Femra me pushtet, ambicie dhe e patrembur së cilës mashkulli i dobët i bindet
“Ajo doli dhe i tha s´ëmës: Çfarë duhet t´i kërkoj? Ajo u përgjigj: Kokën e Gjon Pagëzorit!…Dhe mbreti megjithëse u trishtua shumë nga kjo, nuk deshi të refuzojë për shkak të betimit…” (Marku 6:24)
Ç´është e vërteta, prej një strukture të tillë ne nxjerrim më shumë se një femër “të fortë”, pasi këtu Herodi (mbreti ynë i dobët) bie jo vetëm nën kurthin e gruas së tij (Herodiada ose Herodia), por edhe të bijës, Salome, e cila e joshi atë aq shumë. Për më tepër, ne këtu mund të shprehim me bindje se kemi të bëjmë me gra më të forta se edhe Medea e lartpërmendur. Kjo pasi ndryshe nga Medea e cila duhet të kërkojë ndihmë nga përtej “diktaturës patriarkale” (me zotin e diellit Helios) në arratinë e saj, dy gratë biblike nuk e kanë të nevojshme një gjë të tillë. Kundërargumenti se vepra e Medeas ishte më e rëndë se ajo e Herodias dhe Salomesë mund të bëhet, por megjithatë ai mbetet një kundërargument i dobët. Kjo pasi “pesha morale” e aktit nuk e ndryshon dot faktin themelor të çështjes: Medea mund të shpëtonte vetëm duke thyer sistemin nga jashtë, ndërsa Herodiada e Salomeja arrijnë ta nënshtrojnë atë nga brenda.
Por pavarësisht kësaj vërtetësie, ato do të mbeteshin të fshehura brenda miliona kopjeve të dhjatave të reja dhe trojeve të Judesë. Deri në rizbulimin e tyre nga autori i shquar francez Gustav Flober rreth viteve 1870. Flober në veçanti nuk ishte një shkrimtar i huaj me trajtimin e gruas së fortë në veprat e tij.
Rreth viteve 1840 (si na mësohet edhe ne nëpër gjimnaze) një artikull i shkurtër i papritur do të shfaqej nëpër gazetat e krahinës franceze të normandisë. Një grua 27 vjeçare me emrin Véronique Delphine Delamare, e cila jetonte pranë qytetit francez Rouën, kishte helmuar veten e saj pasi ishte e pakënaqur me jetën e saj martesore. Ajo ishte zhytur në borxhe dhe vazhdimisht e tradhëtonte burrin e saj. Kjo histori përbën pikërisht bërthamën e zonjës Bovari (tentativa e parë e francezit për të krijuar një grua të fortë). Sado me këto që dëshiroj të them, synimi im nuk është ulja e figurës së Ema Bovari, duhet përmendur se: Nëse ajo do të kishte qenë e mjaftueshme për të udhëhequr revoltën kundër strukturave narrative mashkullore, Floberit nuk do ti lindte nevoja që ti rikthehej edhe një herë rrëfimit biblik në vitet 1870 (kujtoni se “Zonja Bovari” kishte në këtë kohë rreth 20 vite që ishte botuar), duke vendosur në qendër të tij Herodiadën (Herodian).
Herodiada e Flober, po ashtu si Ema e tij, gëzon dije dhe pushtet të pamatë mbi burrin e saj. Për shembull, ajo është e para që merr vesh për arrestimin e Agripës:
“- Cezari është miku ynë! Agripën e kanë arrestuar!
– Kush e tha vallë këtë gjë?
– E di unë çfarë them! – iu përgjigj ajo tetrarkut, duke theksuar ndërkaq: – Ndodhi meqë paska synuar kurorën e Kaligulës…”
Duke na treguar se ajo i njeh ndodhitë politike aktuale më mirë se edhe partneri i saj mbret.
Ajo ka vetëm një synim, të cilin e bën të qartë që në fillim. Vrasjen e profetit Johanan (Jokanan ose Gjon Pagëzori). Për të cilin ajo gradualisht merr masat, përmes manipulimit dhe mashtrimit të tetrarkut Herod Antipa. Ajo në fillim duke kërkuar mëshirën e tij shpreh:
“-…Për ty, hirësi, a nuk kam bërë edhe më shumë se kaq? A nuk hoqa dorë vallë edhe nga fëmija im?”
Ndërsa më pas ne na bëhet mëse e qartë se Salomeja ndodhet aty bashkë me ta:
“- Kush është vallë ajo vashë? – pyeti më në fund tetrarku.
Herodiada u përgjigj se ajo nuk e dinte këtë gjë, teksa qëndrimi i saj, gjer atëhere i egër, befas u shndërrua në një sjellje të butë edhe të ëmbël.”
Dhe se ajo në fakt kishte një kohë të gjatë që po përgatitej nga mamaja e saj për mbrëmjen e ditëlindjes së tetrarkut:
“Valltarja ishte Salomeja, bija e Herodiadës, të cilën e ëma përgjatë disa muajve me rradhë e pati mësuar të vallëzonte…”
Ajo kështu tregohet e matur edhe gjakftohtë. Ndryshe nga Ema e cila dështon në manipulimin e burrit të saj (ose më saktë heq dorë), duke i dhënë fund jetës së saj. Herodiada, në të kundërt, triumfon duke arritur atë që dëshiron, edhe del prej tregimit tërësisht e paprekur.
Pa dyshim një pohim i tillë do të ketë qenë edhe ndër arsyet përse Oscar Wilde do të zgjidhte të zgjeronte edhe më tej këtë vepër të Flober, kundrejt më të famshmes “Zonja Bovari” (madje edhe brenda të njëjtit shekull). Irlandezi i famshëm brenda saj do të provonte gjithashtu fatin e tij në krijimin e një femre tjetër të fortë, këtë herë përmes bijës Salome në dramën e tij me të njëjtin emër.
Me vajzën në qendër, struktura e ngjarjeve merr një rrjedhë tërësisht ndryshe. Herodia ende kërkon vrasjen e profetit Jokanan, por kjo nuk është më arsyeja se përse profetit i pritet koka. Tani ajo bëhet si pasojë e dëshirave epshore të Salomesë për të puthur buzët e tij:
“Është goja jote ajo që gjakoj, Jokanan. Goja jote është si një fashë alle mbi një kullë të fildishtë. Është si një shegë e çarë më dysh me thikë fildishi… Nuk ka në botë gjë aq të kuqe sa goja jote… Lërmë të puth gojën tënde.”
Këtu më duhet të ndërhyj e të shpreh se përftimi i konkluzionit që Salomeja e Wilde, ashtu si Herodiada e Flober të jetë një “karakter gruaje e fortë”, ajo duhet parë përmes një lenteje tjetër ndryshe nga mënyra se si ne i kemi gjykuar “femrat e forta” deri tani. Kjo pasi Salomeja, gjithashtu si Ema Bovari në fund pashmangshmërisht do të humbasë jetën, por edhe sepse po ashtu si Medea, ajo nuk mund të shkëputet dot plotësisht nga rendi patriarkal. Kështu ajo kurrësesi nuk mund të konsiderohej një histori suksesi, por në fakt është! Prandaj, një përfundim i tillë nuk mund të pranohet.
Së pari humbja e jetës së saj ishte një zgjedhje artistike tërësisht e Wilde dhe nuk ndodh as në rrëfimin biblik, as në tregimin e Flober. Së dyti vrojtimi se Salomeja dhe dëshirat e saj mund të plotësohen vetëm për aq kohë sa ato i shërbenin edhe fantazisë së mashkullit (në këtë rast të Herodit), ashtu si pretendonim me krahasimin tonë me Medean, nuk qëndron. Ishte dëshira e Salomesë të shikonte profetin dhe me një urdhër të saj siriani i ri e kreu. Më pas ishte dëshira e saj të puthte buzët e profetit, dhe në fund ishte dëshira e saj të kërcente për babanë që ta manipulonte atë. Ajo përbën yllin në qendër të sistemit rreth e rrotull së cilit vërtitet çdo burrë në vepër. Prandaj momenti kur tetrarku urdhëron vrasjen e saj (“Vriteni atë grua!”) nuk mund të shihet aspak si një pikë e fortë për mbretin. Ai në asnjë pikë të shfaqes nuk arriti ta kthente Salomenë në anën e tij, pa qenë kjo vetë një dëshirë e Salomesë. Ai nuk e kushtëzonte dot atë. Ajo nuk ishte nën urdhërin e tij. Dhe momenti kur ai urdhëron vrasjen e saj nuk është dëshmi pushteti, aq shumë sa mund të merret si xhelozi e marrë ose dobësi e fshehur pas së njëjtit pushtet.

