More
    KreuLetërsiShënime mbi libraJosif Papagjoni: Një ditë “kuvendimi” me Ymer Çirakun

    Josif Papagjoni: Një ditë “kuvendimi” me Ymer Çirakun

    …Sot ishe një ditë ndryshe e ritualit tonë të kafesë së mëngjesit me mikun tim dhe profesorin e letërsisë Ymer Çiraku. Më dhuroi librin e tij të fundit me studime dhe esse “Rrjedhave letrare” me atë përkorjen dhe modestinë e tij, që unë ia çmoj fort. Në bibliotekën time kam edhe libra të tjerë të Prof. Çirakut botuar viteve, ndër të cilët do të përmendja “Në zbërthim të kodeve letrare”, “Struktura e një krijimtarie letrare”, “Gjurmë në letërsinë shqipe”, “Bota poetike e Martin Camajt”, “Shqyrtime nga historia e letërsisë shqipe”, “Qasje letrare”.

     Para se të shprehem për këtë libër të ri, botim i Onufrit, grishem t’i bëj konak ca pak fjalëve të mia për autorin, ndër studiuesit dhe profesorët e mirënjohur të letërsisë shqipe. E ç‘fjalë vallë? Mos një pulchrum? Jo aq e lidhur me konceptin estetik aristotelian e platonian të së bukurës, as me atë teologjik të së mirës dhe së vërtetës nga Shën Thona Akuini. Edhe këto janë. Por ky pulchrum për mua lidhet përjashtimisht me atë të një miku të vyer timin. I njëhershëm dhe i përhershëm. Mik idesh dhe zemre. Por këtu empatitë mbeten te pragu i derës, le të rrinë butë aty si nostalgji, nuk duhet të hyjnë brenda nëpër odat e faqeve të këtij libri.

    Unë e di se çdo libër, mes miqsh, ka një para-thënie, pra diskutime të shpenguara kur vetë libri frymon si diç e gjallë, teksa vesh petkat e nusërimit para botimit. Ky libër e ka patur këtë para-dhënie në shumë fjalë që kemi këmbyer nëpër kuvendimet tona.

    Afërmendsh, ne na bashkon “zeja” prej kritiku. Edhe te ky libër për “librat e të tjerëve”, ne na lidhin idetë, shijet, diskutimet, ndonjëherë këto të fundit edhe me kundërshti e rremb të fortë. Na lidh pritja dhe vlerësimi për romanet, vëllimet poetike të këtij apo atij shkrimtari, poeti, të dikurshëm apo të sotëm; na lidhin idetë mbi dukuritë, rrjedhat letrare dhe fenomenologjinë e letërsisë shqipe. Pikërisht këtë po them në krye të herës. Mendimet e mia puqen me atë se çfarë Ymer Çiraku ka shprehur në shkrimet e larme të librit “Rrjedhave letrare”. Ndjenjat që kam përftuar syresh kanë një integritet dhe rrubullakësi të padyshimtë, ecejaken në po të njëjtat udhë vlerësimi, kode estetike, te po ajo aksiologji,  nuk zhurmojnë, as klithin, veç ujdisen në një alkimi kritike thuajse të përbashkët, që as vetë nuk e di si ta shpjegoj dhe përse. Shqetësimet, pohimet, idetë, pasuar nga ndoca parime të ngulitura të shqyrtimit kritik dhe estetik, më së shumti janë rrugëtime të hapura drejt lexuesit. Por diku-diku këto ide të kumtura poezive e librave u ngjajnë kriptologjive të të “pathënave” të letërsisë, fshehtësive dhe dyerve të mbyllura të saj, “gurit filozofal” që thërrmohet nën lupën e studiuesit duke mbërritur në protoplazmën e krijimit se si dhe se ku buis një ide, një varg, se si dhe se ku merr formë një qasje. Autorë të shquar që kanë lënë vragë në historinë e letërsisë, romane, vëllime poetike, më tutje koncepte estetike të tretura mes poetikave, gjer dhe rrjedhat letrare të letërsisë botërore që kanë ndikur në fytyrësimin e letërsisë sonë, teori e metodologji studimi, janë bërë pjesë, veçmas apo të shkrira, në artikujt, essetë dhe indet e “Rrjedhave letrare” të Y. Çirakut.

    Një vëllim i konsiderueshëm në përmbajtjen e librit zënë shqyrtimet për traditat e letërsisë shqipe. Kështu, meshtari dhe letrari i madh Pjetër Bogdani me ciklin e Sibilave, e grish kritikun të dallojë aty atë poezi kozmogonike, atë monument letrar të shqipes, jo vetëm i gjuhës, por i “republikës së letrarëve përgjithësisht”, siç e cilësonte Poradeci; një hap i madhërishëm, identifikues për kohën dhe letërsinë shqipe, cikël që ecën  “nëpër shtjella kontrastesh të përmasave kozmike, duke krijuar një tension e dramë të thellë rreth raporteve të nënkuptuara të njeriut me gjithësinë”. Duke sjellë ndihmesa të vyera të studimeve tona mbi Bogdanin, si eminenca e letërsisë së vjetër shqipe, autori ndalon enkas te monografia e Ibrahim Rugovës “Vepra e Bogdanit 1675-1685” duke përzgjedhur ide dhe duke ndërtuar një aksiologji mbushamendëse me zbulesat e sjella.

    Letërsia arbëreshe përthyhet nga qasjet e ardhura prej studiuesve të ndryshëm, që bëhen pjesë e këqyrjeve të kritikut, duke e sjellë në një diakroni historike autorësh, vlerash, shoqëruar me cilësime të mprehta. Një shkrim i veçantë mbuluar me respekt, po për këtë letërsi, është ajo e Ernest Koliqit përmes botimeve të disahershme në revistën e tij “Shejza”, ku, të themi, te De Rada ai gjen se si lëviz nëpër vargje metafora e kujtesës së gjakut, më tutje se si ndërkomunikojnë tre poetët themeltarë të vetëdijes kombëtare, Naimi, De Rada, Fishta: “Kjo sintezë e mahnitshme e shpirtit të një kombi, në të cilin Islami, Ortodoksia dhe Katolicizmi harmonizohen në tingëllimin e gjuhës së lashtë e të përbashkët dhe në fërgëllimat e gjakut”.

    Duke e pasur për zemër dhe si një borxh të pashlyer që kritika letrare ka ndaj letërsisë arbëreshe, autori ka sjellë edhe shkrime analitike si kontributin e Ziaudin Kodrës mbi studimin e kësaj letërsie, studimin për Santorin poet dhe dramaturg nga Klara Kodra, mëpastaj poeti arbëresh Lluka Perone. Paçka se nuk është më përvuajtja dhe ankthi i dikurshëm tragjik i “gjakut të shprishur të Arbrit”, paka se shqyrtimet dhe analitika hapin më fort portat estetike e jo më ato politike e nacionale, kritiku bën me dije gjësende që sjellin epëritë e fundme të segmenteve letrare ndër arbëreshët e sotëm.

    Revista “Kritika” (1944) e Arshi Pipës, si e para revistë kushtuar kritikës letrare, shihet si një sintagmë apeluese, letërsi e kujtesës, e mbetur në margjinat e kohës së gjatë të mohimeve prej mendimit kritik pas vitit 1944 nga distrofia estetike e ideologjisë së kohës, për arsyet e përkatësive politike të autorit, por jo të vetë kritikës që ajo lëvroi. Bri Pipës në këtë libër gjen hapësirë vlerësimi edhe mendja e mprehtë e Mitrush Kutelit, e shprehur tashmë në mendimin e tij kritik te libri “Shënime letrare”, ku kanë gjetur dritë, fron, hierarki e përhirim autorët e shquar të letrave shqipe si Noli, Çajupi, Asllani, Migjeni, Asdreni, Poradeci; po njësoj edhe shkrime të tjera të një qasjeje përfshirëse, ku cilësimet, kultura, gjuha e bukur, stili, atletika e shprehjes dhe mendjemprehtësia e tij nxirren në pah falë një ligjërimi dhe dekori stilistik e kritik të këndshëm. Naim Frashëri është një tjetër tempullar i letrave shqipe, ku Çiraku ka qendisur me adhurim ndoca vija grishëse për personalitetin e tij, si këto përlëdata të Poradecit: “Prijësin e atij qëllimi, Misionarin e atij bashkimi, Apostullin e asaj dogme, Profetin e asaj feje, që i pat dhënë shpirtin kombit të vet”. Përvijimin ndaj Frashërit studiuesi e ka bërë sa përmes vetes, aq dhe duke ecur udhëve të njerëzve të shquar, që patën folur për Naimin më herët, qysh nga Asdreni, Poradeci, e gjer te Kadare, Agolli, Qosja etj. Po kështu, nën luzmën e dritës dhe madhështisë, duke iu drejtuar librit të Nasho Jorgaqit “Jeta e Fan S. Nolit”, vjen dhe portreti i Nolit, “shkrimtari i plisit të dheut, Ante i literaturës sonë, lis i moçëm me rrënjët e ngulura mirë në të thellat e dheut” (sipas E. Çabejt). Padyshim vlerësimi mbi librin e Jorgaqit është fokusi ku rri gjatë pena e Çirakut, por ai jep shkas, në ndërkohë, dhe për të mërguar më tej se ai vlerësim. Dhe këtë e bën duke nxitur ide brenda vetes si dhe duke i dhënë një vezullim, si të thuash, vetjak Fanolianës, që lundronte njëherësh sa mes letërsisë, aq dhe politikës, religjionit, gjuhës, përkthimit etj.

    Të kësaj paradigme kritike janë edhe shkrimet për librat e studimet kushtuar Kristo Floqit dhe Vehbi Balës, ndërsa Asdreni pikturohet ndryshe, tanimë duke u rrethrrotulluar më fort nga vetvetja dhe më pas te vlerësimet e ardhura prej të tjerëve. Një ligjërim që ecejaket mes parashtrimeve kritike e teorike me një synim pragmatist universitar vjen në shkrimin “Kanonet letrare në tekstet shkollore”. Dhe prej këtij lloj parashtrimi, ta quajmë korrekt, të “ftohtë”, ja ku here pas here kritiku ndez një zjarr kureshtjeje, e nxeh penën dhe merr shtysë nga një këngë siç është “Kur më vjen burri nga stani”, përpunuar nga Lazgush Poradeci dhe shkon e futet mu brenda, te një qasje krahasimtare me një simotër arvanitase të po kësaj kënge nëpër hapësirat e fshatrave shqiptare në Greqi. Dhe kjo ndjell dëshirën tunduese për të udhëtuar nëpër ndërliksjet e poezive dhe poetëve shtegut të viteve, siç janë poezitë e Fatos Arapit, lidhjet dhe këputjet, konfiguracionet në kohë, gjer te qasjet ekzistencialiste, fshehtësitë dhe burgjet mistike të shprehjes poetike, simbolet dhe befasitë e poezisë së tij, që risuan gjuhën e poezisë shqipe në një dimër të acartë.

    Në katër shkrime për Kadarenë jepen tre përqasje a) për Milosaon e De Radës, b) për vuajtjen, pavdekësinë dhe transhendecën e krijimit te poezia “Kohë e pamjaftueshme”, c) për magjinë e dy perlave poetike, asaj të Pushkimit dhe asaj të Kadaresë për dashurinë e “vdekur”, d) për romanin “Përballë pasqyrës së një gruaje”, si një triptik romanor në zanafillë të vet. Shkrim që zbret në genet e prozës, gjuhës dhe stilit është ai për Vath Koreshin. Kritiku rri ulur gjunjazi mbi trupin e romanit “Një grua me të verdha mbi pyllin e Buddha-s”. Nuk kundron nga larg, si të qe një shtatore, ca më keq fosile letrare, por nga brenda, si pranë një oxhaku dimri me drutë që kërcasin. Duke ndjekur dhe disa citime fort të bukura nga ky roman, kritiku duket se tok me analizën ka dhe një empathi personale, çka e shkrifëron stilistikisht qasjen, i shton ritëm, nerv, e mbush me gjak. Ai zbulon tharmin arketipal dhe alegorik të kësaj vepre, modelin narrativ që anon nga filozofimi mbi jetën, lëvizjen e kohës në shpirtin e njeriut, mistikën vetëkonsumuese që sublimohet në algoritmin filozofik “dje-sot-nesër”. Është nga shkrimet që jam ndjerë si në një “trishn” (siç e shkruan vetë Koreshi) nga ringjallja në ringjallje, nga kalbëzimi në kalbëzim, sepse aty sheh bukur mirë e bukur thellë tunelet e errëta të qenies, hieroglifet e saj mbuluar nga myshku i kohës pa kohë.

    Shumë shkrime për vepra të veçanta, krahas këqyrjes që i bëhet kësaj apo asaj, mendimi i kritikut rreket përtej një komenti a analize duke përfshirë vetiu edhe individualitetin e shkrimtarit, siç bëhet me romanin “Një ëngjëll vesh me frak” dhe prozën romanore të Stefan Çapalikut, me romanin “Laokoonti” nga Kadrush Radogoshi, me librin “Liridona” të Avdulla Kënaçit; më tutje shkruhet për tregimtarinë e kapërcimeve estetike të Naum Priftit si rrëfimtar i regjistrit të një narrative të veçantë, origjinale, mbushur plot me jetë dhe befasi njerëzore. Kanë gjetur vend edhe shumë vëllime poetike me identifikime stilistikore të shkruara së fundmi. Tërheqëse dhe e ndjerë është poezia e Musa Vyshkës, ndjeshmëria delikate e vargjeve të tij, oazi i përmallshëm i vendlindjes, trokitja e erërave, e gjitha një si një akuarel plot ngjyra grishëse; më tej kaledioskopi poetik i Llambro Rucit me llamburitjen dhe përndritjen e vargjeve për bukurinë Joniane; lëvrimet poetike të Vojsava Nelos te “Muzgjet e Bostonit”, fryma e paqtë dhe ai polen ëndërrimtar, lirik dhe erotik shoqëruar nga dhembje dhe vajtime drithëruese të zemrës prej gruaje e nëne; libra të Maklena Nikës, Korrab Hoxhës, Ruzhdi Goles etj.

    Ndërsa poezia e Sadik Bejkos përshfaqet si një lumë përjetimesh e imazhesh me tonet e shtrira dhe gjëmuese të ritmit, të muzikalitetit, temat e hapura në kohë, që asociojnë me ndjesinë që lënë meloditë e simfonive të Bahut. Në librat e tij “Kalorësit e shiut”, “Rrënjët”, “Këngë të Solomonit”, poezitë e Bejkos kritiku i cilëson si “rrënjëse”. Lumë përjetimesh e imazhesh, përkryerje formash, ritmesh, muzikalitet dhe imazh, ndërsa “për nga ngjyra, – përcakton poetikisht Çiraku, – duket se është një poezi që nuk preferon multikoloritetin. Çshtë një gri në zotërim, që të kujton qytetet tona mesjetare, muret, portat, çatitë me kalldrëmet dhe sfondet shkëmbore ku ato mbështeten. Kuptimisht dhe simbolikisht është dhe grija e argjendtë e kronikave të hershme, që poshtë tyre mbajnë gjallë e përcjellin tërë mozaikun aq të pasur të jetës dhe përtejjetës”.

    Edhe te ky libër i fundit, njeri me shije Ymer Çiraku, “qibar” siç i thonë fjalës. Nuk e lëshon kollaj dorën për të derdhur lumnajën e lavdërimeve mbi tjetrin, virus që ka kapur për këmbësh thuajse të gjithë bashkësinë e shkrimtarëve, përfshi dhe kritikët, sidomos të hedhura ato në rrjetet sociale. E ruan distancën, paçka se i mbuluar nga pozitiviteti. Ai ka një stil të këndshëm, zgjedh, i shmanget proliksitetit, kërkon palcë e thelb në parashtrimet e tij, përkap argumentin që mban domethënien, rreket kah nënshtresat semantike të poezisë, pa lënë pas dore kodet që krijojnë ngjyrë, aromë, imazh, karakter, flukse emocionale, ato që ngujojnë përmbajtjet e shpirtrave poetikë në ngërth e kontradiktë, ato që fshehin algoritmet e fjalëve nën rimë e ritëm, sistemin shenjor etj. Në jo pak shkrime kritikut i pëlqejnë edhe qëndistaritë e fjalës, loja me ligjërimin, figurat që lodrojnë shpenguar apo ato që duhet të lodhësh paksa kokën për t’i dekriptuar, siç janë poezitë e Martin Camajt, një autor që ai e ka për zemër, e ka shijuar dhe e shijon. Në raste të tilla, studiuesi krijon një premisë të vetën, një sin e qua non, që lexuesi si pritës të ecë siujdhesës së vështirë semantike të vargjeve si shkrim-mbi-shkrimet apo palimpsestet mbi pergamenat e vjetra.

    Sqimatar i fjalës së zgjedhur të një shqipeje të hirshme, Ymer Çiraku derdh ide e shqyrtime që epohen vetiu kah një mendim racional, në sy të parë, por po aq i shoqëruar nga emocioni i bukur estetik, i brendshëm, vetjak shpesh, të cilin unë e kuptoj, sepse jam vetë i kësaj zeje. Ai nuk brufullon, nuk klith, sepse nga natyra është i matur, shkon përherë në mirëbesim dhe pakt miqësor me lexuesin. Siç është në jetë një njeri i sjellshëm, ashtu është dhe në të shkruar e komunikim me lexuesin e vet: i mbledhur, i saktë, elegant, pa tepri, racional, depërtues. Posaçërisht në ndërtimin e një komunikimi sa të matur e serioz, aq dhe në mirëbesim të lexuesit të vet e respektim të autorit, qoftë ky një libër, një drejtim letrar, qoftë një periudhë kohore a qoftë fenomenologji letrare, nocion estetik, që sublimohen këtu apo aty.

    Dua ta mbyll këtë shënim edhe me një ndjenjë përdëllimi e miradijeje për vëmendjen që ai i ka kushtuar librit tim “Saranda – Fluturimi i bletës”, qytetit tonë të përbashkët…Edhe pse koha lëngon dhe libri mëngon shpesh e më shpesh te lexuesi, për mendjet e bukura e të ngrohta libri, pra dhe i profesor Ymer çirakut, do të gjej me siguri shteg dhe do të bujt në tavolinat e pakuara të leximit. Dhe kënaqësia, atëherë, nis dhe mbaron PIKËRISHT aty, te lexuesi…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË