More
    KreuLetërsiShënime mbi libraEnver Kushi: Letër për Petro Çerkezin

    Enver Kushi: Letër për Petro Çerkezin

    Fort i nderçmi Petro Çerkezi!

    E kam menduar gjatë, shumë gjatë që të shkruaj një letër, ndoshta që nga fundmaji i vitit 2022, kur mora vesh lajmin, që Shtëpia Botuese “24 Gramata” në Athinë, botoi antologjinë poetike dygjuhëshe shqip dhe greqisht “Magjia e infinitit” të Moikom Zeqos, përkthyer prej Petro Çerkezit, që pati jehonë pozitive në Greqi. Ti do të thuash pse letër e se mund të bëje një shkrim, nga ata që boton shpesh te “Ekslibris” i Bujar Hudhrit. Këtë mund ta thonë edhe të tjerë, kur të lexojnë këtë letër, se jetojmë në kohëra moderne, në atë të inteligjencës artificiale, se tingëllon anakronike shkrimi i letrave etj. etj.

    Fort i nderçëm Petro Çerkezi!

    Tingëllon disi i largët, si i ardhur nga shek. XIX e më pas, ky fillim letre, që e gjejmë në letërkëmbimet mes rilindësve tanë, pas Pavarësisë dhe Mbretërisë. Të tilla letra ka edhe në vitet e Luftës Antifashiste, si dhe të periudhës komuniste, por me një përmbajtje tjetër.

    Do shtoja këtu, se kemi edhe një formulim tjetër: “Fort i nderçëm mëmëdhetar”, ku këto dy fjalë, kur janë bashkë, marrin një peshë tjetër emocionale.

    Ti i ke rrënjët nga Pogoni, lindur në fshatin Poliçan, të kësaj krahine, ku flitet gjuha greke dhe jeton një popullsi greke, siç jeton edhe në Dropull e Finiq. Dhe po të ulin kokën malet hijerëndë të Pogonit, matanë është një Pogon tjetër, pjesë e Republikës së Greqisë e ku vazhdojnë malet mitikë e mistikë të rajonit të Epirit, për të zbritur në fushnajat e kodrinat e paana, që lagen nga ujërat e detit Jon. Epiri është nga ato hapësira jo vetëm gjeografike, por edhe shpirtërore, ku kultura greke dhe ajo shqiptare kanë pikëtakimet e tyre, duke dhënë e marrë mes tyre. Atje edhe qiejt, edhe erërat, edhe aromat që vinë nga thellësitë e lumenjve Kalama e Aheron nga pyjet e pafundme, edhe rrahjet e dallgëve të Jonit në brigje, edhe gëzimet, edhe dasmat, edhe vdekjet, edhe këngët, edhe vallet levende, janë ndryshe. Shumë më ndryshe. Epiri, i dashur Petro, i bashkon popujt dhe kulturat e tyre. Nuk është e rastit, që vallja e famshme “Pogonishte”, kërcyer në Pogonin tënd, që ka shumë levenderi, elegancë, është bërë pjesë edhe e trashëgimisë së shqiptarëve. Nuk është e rastit gjithashtu, që vallja e Osman Takës ose ato që në Epir dhe Greqi quhen “Çamiko”, janë pjesë edhe e trashëgimisë kulturore të Greqisë fqinje. Kam shkruar për kodet e mirëkuptimit mes popujve dhe rolin e kulturës, si dhe shkrimtarëve e artistëve në ndërtimin e urave të miqësisë. Andej dhe këtej këtyre urave, ose më saktë të kësaj ure, qielli dhe deti kanë dhënë e marrin që nga fillesa, dritën e njëri-tjetrit. Ato vise, pra të Epirit, kanë shumë nga drita homerike, ku lëvizin si në shtëpinë e tyre hijet e veprave të Homerit, ku zbret Odisea dhe në tempullin e Nekromantisë, flet me nënën e vdekur, Akilin, Hektorin etj. për të shkuar më pas si mik në oborrin e mbretëreshës thesprote, Deadomesë së bukur.

    Grekët kanë patur një poet të madh dhe idealist, Rigas Fereos, që besoi shumë në miqësinë e popujve të Ballkanit. Shqiptarët, gati një shekull më pas, kanë Naim Frashërin, engjëllin mbrojtës të tyre, që jo rastësisht shkroi në gjuhën greke “Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve”. Diku, shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, me të drejtë shkruan për afri mes strukturave shpirtërore të popujve tanë, pra grekëve dhe shqiptarëve, afri që madhërohet më qartë se kudo në prodhimin poetik.

    Ti i dashur Petro, je një zë i fuqishëm, ku në poezinë e prozës ose në tërë krijimtarinë tënde, ndihet kultura e madhe greke, por edhe ajo shqiptare. Ju, krijuesit e minoritetit grek në Shqipëri, keni një fat të madh: vepra juaj është ushqyer dhe përkundur në shtratin e një prej kulturave, që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë botës një rrezatim a dritë tjetër, siç është ajo greke, si dhe në shtratin e kulturës shqiptare, me trashëgiminë e saj brilante dhe disa nga emrat e shquar të poezisë dhe prozës shqiptare.

    E zgjata, i dashur Petro, por më ndodh shpesh, që fjalët e më pas fjalitë më zhytin në botën e tyre, në ca thellësira e hone të çuditshme dhe kur më kthejnë në brigje drite, them me vete sa shumë më kanë vënë përpara ato, duke më pushtuar tërësisht.

    Po e vazhdoj letrën, tashmë i çliruar nga vorbullat e fjalëve, me një ngushëllim, për ndarjen nga kjo jetë, të vëllait tënd, Odise Çerkezi. Ishte Thanas Dino, që ma dha lajmin e trishtë, paraditen e të shtunës, më 23 gusht. Mbylla telefonin dhe ndjeva dhimbje. Shumë dhimbje. Këtë ta shpreha edhe ty, nëpërmjet telefonit të Thanas Dinos, të nesërmen, pra më 24 gusht, rreth orës dhjetë. Ndjeva në zërin tënd diçka përtej dhimbjes, atë të vëllait për vëllain, që nuk ishte më në këtë jetë. Unë të thashë se Odisea kishte vlera të mëdha njerëzore, si dhe intelektuale. Ai ka qenë dhe do të mbetet një nga studiuesit, shkrimtarët dhe mësimdhënësit e mirënjohur të Gjirokastrës e më gjerë. Pastaj shtova se i jam mirënjohës Odisesë për shkrimin e botuar në “Exlibris” për novelat e mia “Zonja nga Parga” dhe “Jonada”, ku ka nënvizuar veçmas anën njerëzore të tyre. Mbaj mend takimin e parë me të në Tiranë dhe kafenë që pimë te libraria “Dritëro”. Nuk do harroj kurrë bisedën e shtruar me të, vështrimin e butë dhe të zgjuar të syve, të folmen e ngadaltë si të kadifejtë të zërit të tij, ku ndihej akcenti gjirokastrit. Ky ishte Odisea, vëllai yt i dashur Petro.

    Mbylla telefonin dhe dola në ballkon, ku krahët e rrapave janë zgjatur, sa mund t’i prekësh ato. Dhe m’u kujtua një varg popullor, që e citon Kadareja në librin “Autobiografia e popullit në vargje”: Qan me dyzet palë lot. Pastaj mora librin në fjalë dhe e hapa në faqen 41: “Është tregimi i një prej proceseve më të moçme e më të zakonshme të njeriut. Megjithatë, sa shumë bukuri ka në këtë të thënë. Sytë e njeriut janë dy, pra “një palë”, rrjedhimisht edhe lotët quhen ashtu, sikur të ishin vathë, sikur të ishin bizhu, një palë lot, dyzet palë lot. Ç’dritë dhe ç’rrëzëllim argjendi ka kjo e qarë dhe ç’trishtim të pafund. S’janë pesë, dhjetë, dymbëdhjetë palë lot, por dyzet”.

    Vetëm një gjirokastrit i madh, i pakufijtë në madhështinë e tij, siç është Kadareja ynë i paharruar, mund ta zbërthej vargun popullor “Qan me dyzet palë lot” me kaq mençuri e thellësi mendimi.

    Në shtëpinë tënde në Gjirokastër ishte çelur ksodhi për Odisenë. Porta e madhe ishte e hapur dhe atje kishin ardhur zonjat nga Pogoni, nënat gjirokastrite, apo edhe më larg akoma, nga viset e Epirit për të “qarë me dyzet palë lot” Odisenë.

    Fort i nderçmi Petro Çerkezi!

    Kisha menduar “të shkruaja dy gisht kartë”, siç thuhet në një varg brilant të një poezie popullore nga Epiri ynë. E kam të vështirë të zbërthej këtë varg dhe njësinë matëse, që poeti anonim përdor për letrën: dy gisht kartë. Letra ime doli jo dy gisht, por dyqint gisht kartë, sepse më mungon mençuria dhe sensi magjik i masës, që ka populli. Më mbetet të shkruaj një letër të dytë, ndoshta mbi dyqint gisht kartë, për “Letër Petro Çerkezit për poezinë”, shkruar nga i ndjeri Moikom Zeqo, në vitin 2020, vetëm pak javë para se të vdiste. Ajo nuk është letër, por një traktat për poezinë, nëse jam i saktë me këtë, mbushur me ide, kode për poezinë, të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen e saj. Ai e parandjente se po ikte nga kjo jetë, kur në fund të kësaj letra shkruan: “Është e kuptueshme Petrua im, se të shkruash poezi është të familjarizohesh me vdekjen dhe se meditimi poetik është një stilizim i vetëvrasjes”. Dhe në fund kam një porosi për ty: kur të shkosh në varreza, para se të nisesh për Qipro, të lutem në emrin tim, vendos te varri i Odisesë një tufë me degë manxurane, që me siguri i ke në vazo në shtëpinë tënde, si në çdo shtëpi gjirokastrite.

    Tiranë, mesnatë e 25 gushtit 2025.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË