More
    KreuLetërsiShënime mbi libraSadedin Mezuraj: Koha, kujtesa dhe dashuria në një poezitë Alisa Velaj

    Sadedin Mezuraj: Koha, kujtesa dhe dashuria në një poezitë Alisa Velaj

    1.Poeti postmodern: zëri i brishtë në një botë të shpërbërë

    Jetojmë në shoqërinë postmoderne dhe epokën digitale të “njeriut të rrjetëzuar”, por të pa rrënjëzuar, në një kulturë ku gjithçka rrjedh, rrëshqet dhe rrotullohet si një karusel gjigand i pandalshëm.

    Po poezia, a ka më vend në këtë kohë-rrjedhë, ku lidhjet shoqërore, identitetet dhe ndjenjat shpërbëhen, në këtë rrëshqitje filozofike të subjektit nga “mendoj, pra jam” (Dekarti) te “performoj, pra dukem”-një kalim që përshkruan degradimin e ndjeshmërisë humane të “njeriut pa dimension”, i rrafshtë, sipërfaqësor, i zbrazur, pa thellësinë reflektive, në shoqërinë që konsumon mallra dhe imazhe, ku bota fragmentohet dhe njeriu shndërrohet në subjekt performativ, ku klithma ekzistenciale nuk dëgjohet më dhe heshtja konvertohet në etikë konformiste?

    Qysh prej shekullit XIX, Charles Baudelaire paralajmëronte modernitetin si një përvojë të mbushur me çaste kalimtare, të rastësishme e të ndritshme, ku arti përbëhet nga dy gjysma: njëra është përjetësia, tjetra – kalimtarja. “Moderniteti është kalimtari, i përkohshmi, i rastësishmi – gjysma e artit, ndërsa gjysma tjetër është e përjetshmja dhe e pandryshueshmja.”[1]

    Në epokën tonë postmoderne, përkohshmëria është jo vetëm një ndjesi estetike, por një përvojë ekzistenciale. Sociologu Zygmunt Bauman përshkroi gjendjen kulturore dhe ekzistenciale të kohës sonë si “modernitet i lëngshëm”, ku identitetet, marrëdhëniet dhe kuptimet janë të paqëndrueshme: Në modernitetin e lëngshëm- thotë ai-format e jetës mund të jenë të përkohshme… Asgjë nuk është e menduar të zgjasë apo të jetë e ngurtë. Të gjitha rregullimet janë të  përkohshme.”[2]

    Pikërisht në këtë rrjedhë të shpejtë, ku koha shndërrohet në konsum dhe përjetimi në çast të harruar, poezia thirret të dëshmojë: të ndalë çastin, të arkivojë subjektivitetin, të krijojë kujtesë poetike përballë harresës. Në këtë kuptim, poezia postmoderne nuk është thjesht shprehje estetike, por akt ontologjik dhe etik–një përpjekje për t’i dhënë kuptim fragmentit, për ta përjetësuar të përkohshmen dhe për të rikthyer ndjeshmërinë në një botë të mpirë nga shpejtësia, zhurma dhe shpërndarja e vëmendjes.

    Poezia vazhdon të ekzistojë dhe poetët – këta ëndërrimtarë të pandreqshëm -vazhdojnë të shkruajnë, edhe pse në një botë tepër konkuruese nga postimet në rrjetet sociale, video-spoken-word-et, memet, grafititë murale, performancat në TikTok, selfiet në Instagram – të gjitha forma të reja komunikimi në erën digitale. Edhe poezia është përshtatur dhe i përdor këto mjete, duke dëshmuar mbijetesën në dilemën e kahershme: teknologjia apo poezia?!

    Në një botë gjithnjë e më të rrëshqitshme, ku gjithçka duket kalimtare, e përkohshme, fragmentare, poezia shpaloset si akt i rezistencës ontologjike ndaj harresës. Poezia mbetet fortesa e fundit e njeriut që ndjen, dëshmi e njeriut që e përjeton kohën si kairos dhe jo si kronos. Megjithatë, poezia nuk është më një urë e madhe e kalimit nga një breg në tjetrin, por një gur i qëndrueshëm në mes të rrjedhës së pandalshme të lumit të kohës, dëshmi intime e ekzistencës, zë autentik në botën konsumeriste. Poezia  vazhdon të shkruhet si streha e fundit dhe si nostalgji për njeriun që reflekton dhe rrëfen dhimbjen, frikën, mallin, dashurinë.

    Në epokën postmoderne, figura e poetit humbet statusin e dikurshëm si profet apo shenjues i së vërtetës absolute. Ai nuk flet më në emër të një universi të qëndrueshëm simbolik, por përmes një zëri të brishtë, të dyshueshëm, shpesh të ndërprerë. Poezia nuk premton më shpëtim, por dëshmi. Poezia është thirrur të dëshmojë ndjeshmërinë dhe subjektivitetin: të ndalë çastin, të krijojë kujtesë poetike, të ndërtojë rezistencë ndaj fragmentimit. Në këtë rrjedhë të pakthyeshme, poezia është mënyra më e ndjeshme për të thënë: “Kjo ndjenjë ekzistoi. Ky çast kishte kuptim. Ky shpirt dëshmoi.”

    Për poetin postmodern, bota nuk është një strukturë për t’u interpretuar, por një rrjet i pafund shenjash që rrëshqasin njëra mbi tjetrën. Kjo e çliron poezinë nga autoriteti, por njëkohësisht e vendos në një pozitë të pasigurt: a ka ende vend për ndjeshmërinë në një botë ironike? A ka ende kuptim fjala në një kohë ku fjalët konsumohen menjëherë?

    Në vend të një poetike të harmonisë, poezia postmoderne shpesh ndërton një poetikë të çarjes, të ndërprerjes, të kolazhit. Kështu, poeti nuk pretendon të zotërojë kuptimin, por të dëshmojë për përpjekjen për të kuptuar – një përpjekje që vetë është akt poetik dhe urë për të shkuar drejt Tjetrit-Lexuesit.

    Siç shkruante Paul Celan, një nga figurat kyçe të poezisë moderne, në veprën e tij “Meridiani”: “Poema dëshiron të arrijë një Tjetër, ka nevojë për këtë Tjetër, ka nevojë për një kundërvënie. E kërkon atë, i flet atij. Poezia është një vendtakim – në kushte ekstreme.”[3] Ky “vendtakim” ndodh në boshësinë e botës pas rrëzimit të metafizikave, në fragmentin ku fjala mundohet të qëndrojë, në hapësirën e braktisur nga kuptimet e mëdha, ku poezia, si gjurmë, bëhet akt rezistence kundër harresës.

    2. Poezia si akt rezistence

    Në një botë gjithnjë e më të rrëshqitshme, ku gjithçka duket kalimtare, e përkohshme, fragmentare, poezia ngrihet si një formë rezistence. Në thelb të konceptit të post/modernitetit liquid-të rrjedhshëm- që e përshkruan kohën si një rrjedhë të pandalshme dhe të pakthyeshme, ku gjithçka vjen e shkon, qëndron një ide filozofike tepër e lashtë: “Panta rei”- gjithçka rrjedh, koncepti dialektik i filozofit të lashtë grek Heraklitit.

    Në poezinë e sotme, veçanërisht në kontekstin postmodern, ku çdo gjë duket e paqëndrueshme dhe e copëtuar, poezia merr një rol esencial. Ajo bëhet një vijë mbrojtëse kundër zhdukjes së përvojave subjektive dhe ndjenjave të thella, duke krijuar një kujtesë poetike që kundërshton fragmentimin dhe harresën.

    Ky akt rezistence ka edhe një dimension të dytë: është edhe një përpjekje për të kapur çastin e pakthyeshëm në rrjedhën e vazhdueshme të kohës dhe përpjekje për të ruajtur ndjeshmërinë në një botë të ftohtë dhe indiferente. 

    Rrjedha e pandalshme e kohës, fragmentimi i përvojave të dashurisë dhe qëndresa e subjektit lirik  kundër  harresës/fshirjes së gjithçkaje,  përbëjnë shtratin filozofiko-meditative të  poezisë “Sonte i dua gjithë dashuritë” të Alisa Velaj.[4]

    Në peizazhin poetik të tranzicionit, Alisa Velaj ka krijuar profilin e saj të spikatur dhe qartësisht të dallueshëm, me poezinë e saj meditative, plot ndjesi dhe refleksione, herë më të hapur e herë më hermetike, një tipologji poezie e cila mbart si shenja veçanësie gjurmë të topografisë së origjinës, jo thjesht si vend por edhe si gramatikë kulturore–koloritin e brigjeve me ullinj, portokalle dhe kaktuse, kaltërsinë e ujrave të  Jonit dhe imazhet e flamingove të Zvërnecit, zërat e tokës dhe trillet e qiellit të vendlindjes së saj-Vlorës.

    Por ndërsa ka marrë nga ky peizazh disa shenja identitare si veshje gjuhësore, poezia e Alisës shpalos përjetimet, shqetsimet dhe impresionet e shpirtit të njeriut postmodern, në rrekjen e pandalshme për të zbuluar domethënie të reja përtej aparencave dhe imazheve kalimtare.

    Njeriu është një qenie e shtrirë në kohë, një udhëtar nëpër çaste që zbehen sapo ndodhin. Koha që e jetojmë nuk shuhet: ajo ngulitet në kujtesë dhe vetëm përmes saj ne bëhemi të qëndrueshëm dhe  të vetëdijshëm për veten në rrjedhën e pakthyeshme të ekzistencës.

    Por kujtesa nuk është arkiv i ftohtë: ajo zgjedh, zhduk, lëndon, ngushëllon. Ka gjëra që treten vetvetiu, dhe të tjera që ne vetë dëshirojmë t’i harrojmë. Ka dashuri që ikin pa zhurmë, por lëvizja e tyre lë shenja në shpirt- si gjethe që bien në heshtje, por mbajnë ngjyrën e stinës.

    Çdo përjetim që kalon përmes nesh -çdo dhimbje, çdo ngazëllim -ndërtohet si një shtresë ndjesore që na rrit, na formon, na mënçuron.

    Sonte i dua të gjitha dashuritë,” – është titulli poezisë që po shqyrtojmë.  Është një çast i thellë përulësie ndaj jetës: një kthim pas, jo për të humbur në ëndje, por për të kuptuar; një “na ishte një herë” që nuk kërkon të tregojë një përrallë, por një reflektim të sinqertë –mall dhe nostalgji, një përqafim i atyre gjërave-në fakt gjëndjeve- që kanë ndikuar dhe na kanë bërë këta që jemi.

     “Sonte i dua tërë dashuritë e mia, Maria, / tërë dashuritë e mia.”-ky varg i parë është një shpërthim emocional dhe nostalgjie. “Sonte” shpreh urgjencën dhe kohën aktuale, duke theksuar përmallimin për atë çfarë ka ikur dhe nuk është e pranishme dhe e gjallë në momentin e tanishëm.

    Përsëritja e “tërë dashuritë e mia” e thekson gjithëpërfshirjen dhe rëndësinë e të gjitha dashurive që subjekti lirik ka përjetuar në të kaluarën.

     “Nën urën e lumit Lethe ujërat rrjedhin e rrjedhin, / si rrjedh koha jote dhe e imja, Maria.”. Lumi Lethe, që në mitologjinë greke simbolizon lumin e harresën, është përdorur si metaforë për kalimin e kohës dhe për ndryshimet që ndodhin tek subjekti lirik bashkë me të. Vargu nënkupton se koha e kaluar dhe dashuritë që kanë humbur nuk mund të rikthehen, por gjithsesi mbeten të rëndësishme.

     “Kohë e mbingopur nga gurët dhe dashuria!”. Ky varg përfaqëson një kohë të ngarkuar, mbushur me ngjarje dhe përvoja, pasha e të cilave simbolizohet me gurët- pengesat dhe vështirësitë që janë përballuar gjatë këtij udhetimi, ndërsa “dashuria” është ajo që ka ngelur si një kujtim i rëndësishëm, por gjithashtu një burim dhimbjeje dhe melankolie të lehtë.

    Në vijim zëri folës i drejtohet apo dialogon me Marien: e ndjen atë gurgullimë? / Është dashuria ime e parë përgjumur këtyre ujërave.” Ky varg, dhe tjetri në vijim, përcjelln emocionet dhe përjetimet e dashurise së parë, si njohje e vetvetes, e cila ende “gurgullon”, pra gjallon gati e përgjumur brënda kujtesës së subjektit lirik.

    Afrohemi në vatrën qëndrore të poezisë, aty ku: “Dashuria e fundit është ai peshk nën urë. / Të lutem vështroje, vështroje, Maria/Ajo më kuptoi më thellë se tërë dashuritë e mia/ Por ndjeu vapë, s’i mjaftoi i veti trup. / Një të shtunë ndaj të gdhirë u krodh po në këtë lumë.”

    Vargjet kumtojnë se dashuria e fundit, ajo më e plota, më e thella, ka prekur shpirtin dhe zemrën e folëses, por pikërisht se ka qenë kaq gjithpërthithëse, është djegur prej pasionit vetëshkaterrues. Vargu “u krodh po në këtë lumë” flet për fundin e dashurisë, shuarjen dhe shkuarjen e saj drejt proçesit të harresës.

    Pasi dashuria është shpërbërë, në shpirtin e subjektit lirik hapet humnera e vetmisë ekzistenciale. Dashuria nuk është vetëm prani e tjetrit por përmes tjetrit të pranishëm, subjekti përjeton plotësinë e vetes dhe kuptimin e qenies së tij në këtë botë indiferente. Pas shuarjes së dashurisë, subjekti lirik ndjehet fillikat në botën e madhe. Fjala “ fillikat” përzgjedhur me kaq kujdes, bëhet vatra semantike prej nga rrezatohet dhimbja, hidhërimi, vetmia.

    Tani, tek endem mëngjeseve përmbi urë, / lumi Lethe hesht dhe s’më spërkat thuajse kurrë,”

    Pas humbjes së dashurisë, subjekti lirik është në një gjendje që ngjan me një lëvizje të brendshme dhe reflective.Lumi Lethe tashmë është i qetë (“hesht”), duke simbolizuar kalimin e dhimbjes. Njëkohësisht subjekti lirik i kundërvihet harresës, duke ruajtur dromaca të dashurive të ikura, si perla që vezullojnë bukurinë e dhimbjes.

    Koha e zbut dhimbjen por gjurmë kujtimesh mbeten, si dëshmi e një jete në krahët e dashurive kalimtare. Dalja nga tuneli i dhimbjes dhe fryma optimiste përballë humbjeve, përcillet me metaforën e dritëzave në çdo muzg, dhe “ një flakë si qiri për tërë të harruarat e mia…”  -qirinj që digjen si kujtesë vezulluese dhe si përshpitje për dashuritë e humbura. Muzgu si kohë kalimtare, moment i ndërmjetëm mes ditës dhe natës, përfaqëson kohën e reflektimit, të kujtesës që fillon të ndizet me dritën e nostalgjisë.

    Dritëzat, edhe pse të brishta dhe të luhatshme si në tablon vangogiane The Starry Night, kanë fuqinë për të sfiduar errësirën dhe simbolizojnë kujtimet dhe ndjenjat që nuk shuhen, ato që mbeten të gjalla brenda subjektit lirik, pavarësisht rrjedhës kohore dhe harresës që rrethon.

    Qiriu që ndizet është një simbol i fortë i përkushtimit dhe përpjekjes për të ruajtur kujtimet dhe dashuritë që koha mund t’i ketë larguar, por që në poezinë e autores nuk fiken kurrë plotësisht. Në këtë akt të thjeshtë e në të njëjtën kohë ritualistik, subjekti lirik shfaq një akt rezistence dhe kujtese aktive.

    Kështu, muzgu dhe qiriu bashkohen për të krijuar një imazh të fuqishëm të poezisë si një hapësirë ku drita (kujtesa, dashuria, ndjenja) mbetet e ndezur edhe përballë rrjedhës së padukshme dhe të pakthyeshme të kohës-një dritë që sfidon harresën, duke e bërë poezinë vetë një “urë” mes së kaluarës dhe së tashmes.

    Vargu përmbylles: “Të lutem mos trego, mos trego, Maria. / Lumi Lethe betohet që unë jam e bija!”

    është një apel për të ruajtur sekretet dhe kujtimet e së kaluarës, duke mos u zhytur metaforikisht në Lumin Lethe-në lumin e harresës. Çdo gjë vjen, shkon dhe lë një gjurmë në shpirtin tonë, si dëshmi e një kohe të jetuar.

    Pezia “Sonte i dua të gjitha dashuritë” është një udhëtim i thellë emocional, që përshkruan lidhjen me dashurinë, humbjen dhe kujtimet që vazhdojnë të jetojnë brenda nesh, edhe kur ato janë të zbehura   ose të harruara. Koha- kujtesa- dashuria – janë tre boshtet mbi te cilat strukturohet poezia si rrefim, meditim dhe fluks emocional. Në nivel hermeneutik, poezia kumton një proçes reflektimi të thellë dhe të vetëdijshëm, mbi jetën dhe dashuritë, një kërkesë për kuptimin dhe përballimin me kohën dhe të kaluarën.

    Subjekti lirik është në një fazë meditative, por gjithashtu përjeton ndjesi të thella të dhimbjes dhe vetmisë, të cilat e shoqërojnë pas humbjes së dashurisë. Në këtë mënyrë, poezia bëhet jo vetëm një përjetim subjektiv i ndjenjave, por edhe një akt i ndalimit të rrjedhës: një përpjekje për të ngulur në fjalë një çast të pakthyeshëm të kohës, për të sfiduar përjetësisht harresën. Përdorimi i elementeve mitologjike krijon një atmosferë të pasur dhe të ndërlikuar, ku dashuria dhe koha janë forca të papërballueshme.

    Nuk do ta tepronim po të themi se një lloj impresionizmi melankolik, i përftuar nga introspeksioni si pjesë e meditimit rreth fluksit të kohës dhe trishtimit për gjërat e humbura, përbën një nga tiparet dalluese të poetikës së Alisa Velaj.

    Në epokën tonë të hedonizmit, ku lumturia predikohet si fe dhe kur arritja e kënaqësisë shpërfaqet si dimension ontologjik i njeriut post/modern, melankolia është tipar i njerzve të ndjeshëm, antidot përballë banalitetit materialist dhe shenjues i poetikës së reflektimit në poezinë bashkëkohore.

    3. Melankolia e përkohshmërisë

    Poezia e Alisës “Sonte i dua të gjitha dashuritë” jo vetëm për nga motivi por edhe fryma e lehtë melankolike që e mbështjell materien tekstore, krijon një lidhje intertekstuale me poezinë “Ode on melancholy” të John Keats (1795-1921)

    Dy poezi të shkruara në distancë të gjatë kohore, nga dy poetë të shkollave të ndryshme, por   mendjet poetike kanë pikëtakime jo aq misterioze.  Sepse shpirtrat e tyre janë ndërtuar nga e njëjta “ materie”- intuitë, imagjinatë, ndjeshmëri dhe një shikim depërtues përtej asaj që duket. Nga ana tjetër, poetët e të gjitha kohrave-thekson Borges- kanë një rreth të përbashkët temash. Përjetimi gëzimit kalimtar, humbja e dashurisë, melankolia dhe trishtimi, sigurisht që janë topikët më të trajtuar nga poetët e epokave të ndryshme.

    Në këtë poezi të shkruar në vitin 1819, Keats predikon se nuk duhet të futemi (simbolikisht) në “Lumin Lethe” për të fshirë kujtimet e hidhura. Poezia hapet me vargun e parë:  No, no, go not to Lethe, neither twist-ku poeti shpalos thirrjen për të shmangur harresën, si çlirim nga dhimbja për humbjen e gjërave të bukura në jetë. Bukuria është e përkohshme dhe dhimbja për gjërat e humbura është pjesë e jetës.                                                        .
    “Ode on Melancholy”, përmes vargjeve përftohet sugjerimi  se dhimbja dhe melankolia duhet të përballen dhe të pranohen si pjesë e pandashme e përvojës njerëzore. Ai përcjell idenë se melankolia është një emocion i pashmangshëm, që duhet përjetuar si një përvojë e përkohshme, por e domosdoshme për thelbin e ekzistencës. Sipas Keats-it, bukuria dhe dhimbja janë të ndërlidhura ngushtë: nuk mund të shijojmë të bukurën pa pranuar kalueshmërinë e saj dhe humbjen që ajo sjell.

    Meqenëse çdo gjë e bukur është e dënuar të përfundojë, poema sugjeron se e gjithë bukuria mbart një lloj trishtimi prekës. Melankolia është gjithashtu një pjesë e gëzimit, i cili gjithmonë mban dorën lart, gati për të na dhënë   lamtumirën. Njerëzit duhet ta përqafojnë “melankolinë” sepse, edhe pse sjell pikëllim, ajo është një pjesë themelore e bukurisë, gëzmit dhe kënaqsisë: “Në tempullin e Kënaqësisë, Melankolia e mbuluar ka faltoren e saj të shenjtë”-thotë Keats në një nga vargjet e poemës së tij “Ode on Melancholy”.

    Për më tepër, poema argumenton se format më të larta të bukurisë në të vërtetë bëhen të tilla pikërisht sepse nuk zgjasin – dhe për këtë arsye, sugjeron ajo, melankolia, bukuria dhe koha janë thellësisht të ndërthurura.

    * * *

    Nëse gjërat e bukura do të ishin të përjetshme, do të bëheshin krejt të zakonshme.
    Dashuria është e bukur pikërisht sepse është kalimtare: një hark kohor i tendosur nga dora e padukshme, prej nga shigjeta e Erosit lëshohet mbi ne. Një hapësirë-kohë ku hiri hyjnor ndriçon qenien tonë me një vezullim marrmendës.

    Dhe gjithçka vjen, ikën, shuhet.

    Kujtimet mbeten si gjurmë e pashlyeshme e kësaj bukurie kalimtare.


    Sonte i dua të gjitha dashuritë

    Sonte i dua tërë dashuritë e mia
    Sonte i dua tërë dashuritë e mia, Maria,
    tërë dashuritë e mia.
    Nën urën e lumit Lethe ujërat rrjedhin e rrjedhin,
    si rrjedh koha jote dhe e imja, Maria.
    Kohë e mbingopur nga gurët dhe dashuria!

    Maria, e ndjen atë gurgullimë?
    Është dashuria ime e parë përgjumur këtyre ujërave.
    Më shumë se mua, kuptoi vetveten…

    Dashuria e fundit është ai peshk nën urë.
    Të lutem vështroje, vështroje, Maria.
    Ajo më kuptoi më thellë se tërë dashuritë e mia…

    Por ndjeu vapë, s’i mjaftoi i veti trup.
    Një të shtunë ndaj të gdhirë u krodh po në këtë lumë.
    Mua më la fillikat, fillikat, Maria.
    Krejt fillikat më la dashuria…

    Tani, tek endem mëngjeseve përmbi urë,
    lumi Lethe hesht dhe s’më spërkat thuajse kurrë,
    veç në mua ndez një dritë për çdo muzg,
    një flakë si qiri për tërë të harruarat e mia…

    Të lutem mos trego, mos trego, Maria.
    Lumi Lethe betohet që unë jam e bija!


    [1]  Charles Baudelaire, “Le Peintre de la vie moderne”, 1863

    [2]  Zygmunt Bauman, Liquid Modernity, 2000.

    [3]  Paul Celan, Meridian, Stanford University Press. 2011

    [4]  Alisa Velaj-Këngë e verdhë zogu në mesnatë, Onufri, 2021

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË