Në ditët e fundmajit dhe fillimqershorit, në tre qytete të Spanjës ( Madrid, Cadiz dhe Benalmádena) u bë prezantimi i librit të shkrimtarit Namik Dokle “Vallëzim me Hënën, libri i legjendave të Gorës, i përkthyer dhe botuar në spanjisht pak kohë më parë.
Prezantimi në Madrid u bë në librarinë e famshme “Tierra del fuego”. Botuesja Ana Cristina Herreros, në katalogun e së cilës numërohen libra legjendash nga shumë vende të botës, tha që ky libër i shkruar aq bukur nga Dokle, ndryshe nga libra të tjerë që kemi botuar nga vende dhe kontinente të mëdhenj, vjen nga Gora, një krahinë e vogël, e ndarë në tre shtete, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedonia e Veriut. Legjendat magjike të Gorës na tregojnë se popujt, të mëdhenj apo të vegjël qofshin, kanë shpirt të madh, tradita dhe zakone të bukura, legjenda e ballada të pavdekshme. Ato i bëjnë të tilla vetë popujt, por edhe shkrimtarët si Namik Dokle, që i shpëtojnë ato nga greminat e harresës.
Ilustruesi i librit, Jesus Gabán, një nga më të njohurit në Spanjë, fitues i disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, në katalogun e të cilit bëjnë pjesë shkrimtarë nga më të njohurit e vendit të tij, por edhe autorë të huaj, mes të cilëve Dostojevski, Gorki dhe Çehov, tha që ilustrimi i librit të Namik Dokles më solli kënaqësi estetike, me thjeshtësinë dhe magjiken që bartin legjendat e tij. Të vështirë e pata me kopertinën e librit, ngaqë doja të përfshija në të tre vajzat, hënën dhe blirin nën të cilin ato vallëzonin dhe zgjidhjen e gjeta me duart e vajzave që luajnë magjishëm me hënën, duke ndriçuar kurmin e tyre të bukur. Më vjen mirë që lexuesit dhe autori e kanë pëlqyer shumë, ndëkohë që nga META është censuruar paksa.
Përkthyesja e librit, Maria Roces Gonzales, tha: “Në krahinën ballkanike të Gorës, e ndarë në tre shtete, e banuar nga goranët; me të folmen e tyre të veçantë, me rrënjët e origjinës në një lashtësi heretike, është fshati Borje, në pjesën shqiptare të kufirit, ku dielli lind dy herë në ditë dhe hëna perëndon dy herë natën, ku dihet se tre vajza kanë vallëzuar me hënën, ku rriten bimë dhe lule të shenjtëruara, zogjtë e Gorës këndojnë çdo pranverë nëpër botë për t’i lajmëruar goranët të kthehen për festën e ndritur të Shën Gjergjit; atje ka ditë që hapet edhe qielli për të plotësuar dëshirat e njerëzve, ka përrenj të shurdhër dhe rrëke që flasin, ka yje që bien në prehërin e nuseve të fshatit, ka këngë e melodi që e çajnë edhe gurin dhe, aty jeton edhe një plakë treqind vjeçare që rrëfen kronikën dhe kujtesën e të gjithë kohërave.
Në këto troje ballkanike dhe legjendare udhëton Namik Dokle, i prirë nga bashkëbanorët mitikë të krahinës së tij, të cilët, për herë të parë, si në shqip edhe në spanjisht, përshfaqen në një libër.”
Ajo citoi edhe artikullin e botuar nga historiani dhe shkrimtari Emilio Sola, i cili ka shkruar se “ larmia e këtyre tregimeve është e pasur, me një mjedis rural dominues, me gjallesa të humanizuara dhe magjike, histori familjare dhe të emigtantëve, me ndodhi nga epoka otomane, siç është ajo e “Mallkimit të Sinan Pashës”, dëshmi impresionuese e vështrimit të asaj periudhe nga perspektiva popullore, si një prani e largët dhe e egër. Shumë nga këto legjenda reflektojnë po atë botë si edhe romani i Namik Dokles “Vajzat e mjegullës”, dy lexime, pra, përplotësuese dhe me burim të njejtë frymëzimi. Në këtë ndikon autorësia e Dokles, po ashtu edhe përkthimi i dy veprave nga Maria Roces, e cila gjen bjeshkët e Asturias së saj në tokën dhe kullotat e krahinës ballkanike.”
Prezantimin në Cadiz e hapi Ricardo Carpintero, kryetari i fondacionit Fernando Quiñones me fjalët: “ Jemi shumë të kënaqur që në qendrën kryesore kulturore të qytetit, të presim shkrimtarin shqiptar Namik Dokle. Fodacioni ynë mban emrin e një shkrimtari dhe gazetari të shquar me origjinë nga provinca e Cadiz-it. Edhe Dokle është shkrimtar dhe gazetar. Të dy të pasionuar; Quiñones pas flamencos legjendare gaditane dhe Dokle pas legjendave gorane.”
Shkrimtari Juan José Tellez e vlerësoi veprën si “ një libër surprizues, i cili na sjell një botë të panjohur, Gorën Ballkanike, nëpërmjet një letërsie magjike që mua më kujton legjendat e Guatemalës, të letrarizuara nga Miguel Ángel Asturias. Nëse Faulkneri e krijoi në imagjinatën e tij Yoknapatawpha-n e tij dhe Markesi Macondon, Dokle shkrun për një krahinë reale, të panjohur por magjike, të largët por që e ndiejmë të pranishme nëpërmjet librave të tij, “ Vajzat e mjegullës” dhe “Vallëzim me Hënën “ të botuar në spanjisht. Namik Dokle nuk ka thirrur imagjinatën; legjendat dhe baladat e Gorës kanë jetuar në brendësinë e tij që nga fëmijëria dhe deri sot që i ndan me ne.”
Fjalën e mirëseardhjes në prezantimin e librit, në sallën e evanteve të kështjellës Bil-Bil të Banalmadenës e mbajti nënkryetarja e bashkisë, Presi Aguilera Crespillo, e cila, ndër të tjera tha: “ Është për mua nder dhe kënaqësi të prezantoj sot këtë vepër të veçantë për Vajzat që vallëzuan me hënën, të autorit shqiptar Namik Dokle. Është për t’u shënuar që ky libër vjen në spanjisht dhe, kur autori është shqiptar, nuk mund të kalojë pa u vënë re. Është një zgjedhje që flet shumë për ndjeshmërinë kulturore të autorit, të dashurisë së tij për gjuhën spanjolle, për letësinë dhe historinë e saj, për Spanjën. Libri i legjendave të Gorës është një vepër unike, e mbushur me lirizëm, emocion dhe kujtesë.”
Kryetari i shoqatës së shkrimtarëve të Kastija La Mançës, Alfredo Villaverde Gil, theksoi se “ Dokle rikrijon një histori sa reale aq edhe magjike, me zakonet, traditat, mitet dhe legjendat, duke na paraqitur një afresk letrar të cilësisë së lartë, me vlera emocionale, të cilat, me romanin “Vajzat e mjegullës” dhe tashmë edhe me legjendat e Gorës, mund t’i njohim dhe t’i shijojmë edhe në spanjisht, falë përkthimit mjeshtëror nga Maria Roces.” Pasi e vlerësoi librin si një dëshmi e padiskutueshme e traditave të bukura dhe vlerave të kulturës shqiptare si edhe të talentit të autorit, e nderoi atë me medalionin Cervantes, në emër të shoqatës që ai drejton.
Ndërsa shkrimtari Pedro Delgado, i pranishëm në event, ka shkruar: “ Disa prej legjendave të këtij libri i kemi hasur edhe në romanin “Vajzat e mjegullës”, por shumica e tyre janë një risi për mua dhe lexuesin spanjoll. Një surprizë magjike që, përveç se të jep mundësinë të njohësh një trashëgimi kulturore krejt të veçantë, krijon mundësinë që të mos humbasin këto përjetime legjendare. Talenti krijues i Dokles na ka ritreguar 52 legjenda të Gorës, një pjesë prej të cilave ende jehonin në krijimtarinë popullore, disa prej tyre pëshpërisnin dhe të tjera që ishin në grahmat e fundit të kujtesës. Ato karakterizohen nga lirika, më shumë se nga epika, nga këngët e dashurisë më shumë se ato të luftës, nga përjetimet e viktimave të historisë se sa ato të heronjve të saj. Por nuk janë të pakta edhe ato legjenda ku ndëthuren lirizmi me tragjizmin e dashurive njerëzore.”