More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFloresha Dado: Ç’është dashuria në prozën e Mira Meksit?

    Floresha Dado: Ç’është dashuria në prozën e Mira Meksit?

    Është një personazh imagjinar, i padukshëm, por magjik, që e ndjek lexuesin me lazdrime të ndryshhme, që e magjeps edhe atëherë kur shfaqet e ëmbël, apo mizore! Ajo ka nevojë për pasion të fuqishëm, të jetë e lirë, është diçka hyjnore, mistike, e gjithëpushtetshme ; është liri, triumfuese ndaj presionit shoqëror; fshin kufijtë midis reales dhe të vdekshmes; jeton si një ndjenjë e papërmbajtshme, në zjarrin e saj shkakton drama e tragjedi… Prozatorja nuk moralizon, nuk zgjedh modelin e arësyes në këtë raport çmëndurak, por thotë atë që, ndonëse logjika normale nuk e pranon, ajo artistikisht e sfidon. Dashuria nuk konceptohet thjesht në raportet midis dy personazheve, por në thellësinë e një force magjike, universale. Prandaj, në prozën e Mira Meksit dashuria nuk ka vlerën ‘e reales’, por  ‘formësohet’ në disa qasje, sa origjinale aq edhe të guximshme:

     Dashuria, për këtë autore,  nuk është ndjenjë por magji dërrmuese, nuk zotërohet, por të mposht: “…ishim verbuar, ishim karfosur nga magjia, kishim humbur atë pjesë  të ndjeshmërisë së shpirtit njerëzor që na lidhte me të tjerët, gjaku na ishte bërë ujë dhe ishim gati të shkelnim mbi kufomat e njerëzve tanë më të dashurt’i mohonim ata , vetëm që të shuanim flakën që tani na përvëlonte trupin…”f.18 “Pa zemër në kraharor”

    Dashuria perceptohet në një hapësirë jo reale, por mistike, universale, që i përket çdo qënieje njerëzore. Mjeshtre e përshkrimit të kësaj ndjenje, e cila shfaqet më shumë si figurë magjike, e gjithpushtetshme, ajo është në të vërtetën lëvizje që rrok realen me hyjnoren. Rrëfimi i Mira Meksit i jep konceptit të dashurisë vlerë gati hyjnore; çdo moment apo skenë e përshkrimit të saj është larg banalitetit, pushtetit seksual; është diçka që lexuesit i krijon një ndjeshmëri sa njerëzore, aq edhe magjepsëse. Mishëruar te personazhi i novelës “Pa zemër në kraharor” rrëfimi shpall pa kompleks: “ndjeva të më kaplonte të gjithën ndijesia e mrekullueshme mjaltëse e takimeve të para dashurore, puthjes së parë, prekjeve të drojtura, aromës së l’eau d’issey, më pas ndijesia e ekstazës së ndjenjës më të fuqishme që na gufon shpirtin dhe na jep shijen e pavdekësisë” f.14 

    Sublimimi është i jashtëzakonshëm, ideja kapërxen çdo konceptim letrar, sado i bukur e i realizuar të jetë ai. Në mënyrë metaforike pohimi i Besës (“Buzëqeshja e fundit e Beatriçes”) se kish bërë dashuri duke menduar tjetër person, shpreh kontrastin me kuptimin e zakonshëm, fizik të dashurisë, misterin e kësaj ndjenje, formën e pazakontë që merr ndonjëherë ajo, një kapërcim e ndjeshmëri që njerëzit pothuajse nuk e njohin. “Sa kohë kam që mëdyshem dhe vuaj pa e kuptuar dot thelbin e dashurisë time, dashurisë tënde…Do të thotë se gjatë gjithë kohës kam dashur tjetërkënd, pa e kuptuar. Dhe kam bërë dashuri me ty”. Paralelizmi me Beatriçen e Dante Aligerit i jep konceptit të dashurisë misterin  e një kompleksiteti përjetimesh delikate, aromash  të pakuptueshme,  ajo guxon për ta ndarë dashurinë e vërtetë, që është diku tjetër, me dashurinë që duket se e ka pranë. Në konceptin e prozatores dashuria shfaqet si mister, shpesh i pashpjegueshëm në forcën apo kthesat që merr, në lumturinë apo rrënimin që shkakton.

    Dashuria është lidhje e dy shpirtrave të lirë,nëuniverse që bashkohen, por që papritur edhe mund të largohen nën pushtetin e pasiont të  pakomanduar, që duket se risjell një betim të lashtë ritual për dashuri në jetë dhe në vdekje. (zhvillimet në shpirtin e heroinës në pasionin për poetin e adhuruar, të vdekur, Carlos Fuente). Ndonëse në situatë haluçinative, në këtë motiv shkrimtarja i jep ndjenjës një kuptim sa mistik, aq edhe të përtejjetshëm. “A dashurohet i gjalli me një shpirt?”  vjen në mendjen e saj pyetja më e vështirë, për këtë raport universal, misterioz, që ka njohur ndjenja njerëzore. “Ndieja sikur shpirti më kish marrë përmasat e kozmosit dhe trupit më kishin mbirë flatra. Ditët dhe netët e mia nuk ishin ato të mëparshmet, ishin një rrugëtim përmes dritave dhe dehjes së një feste të përhershme. Si një fillim dashurie që përsëritet pafundësisht.”(“Pa zemër në kraharor”).

    Dashuria në prozën magjike të Meksit, merr një kuptim tjetër, shumë të gjerë, kapërcen raportet midis dy personave dhe shkrihet në përmasa qiellore, në një çlirim të madh, në liri të pamatë, përfshin shekuj të lashtësisë njerëzore, për t’i dhënë një kuptim universal kësaj ndjenje që lindi bashkë me njeriun. Një kuptim i tillë filozofik që e përcjell këtë ndjenjë në horizonte të tjera, përtej raportit të ngushtë ndërnjerëzor, sjell një qasje të re në letërsinë tonë, e bën më meditative përjetimin e lexuesit. “…njoha Erosin e aztekëve. Njoha vuajtjen, torturën, dhembjen njerëzore, të pandara nga qiellorja dhe lumturia e perëndishme” f.60 (Po aty).

    Dashuria është sfidë, që të vendos në udhëkryq të vështirë, për të gjetur rrugën e arsyeshme. Është kumtim filozofik në romanin “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”, ku madhështia historike e princeshës ilire vihet në sfidë nga dashuria.  A është boshti filozofik përplasja misterioze midis ndjenjës dhe instiktit të papërmbajtur të dashurisë? Është personaliteti historik, thelbi i këtij personazhi, apo përmasat mitike që merr dashuria në përjetimin e vrulleve që shpërthejnë në brendësinë e ndjenjës ? Këto pyetje  na çojnë të besojmë se ky roman nuk ka në themel thjesht boshtin historik, por më shumë boshtin e mitizimit/çmitizimit të figurës, parë në një aspekt sa historik por dhe më fuqishëm, në aspektin lirik/dashuror. Jo shumë e njohur nga dokumente të sakta historike, figura e mbretëreshës ilire, vlerësuar si e jashtëzakonshme, lejon fantazi, trillim ndjenjash e përjetimesh emocionale më lehtë në linjën erotike, ku çdo lloj trillimi është i pranueshëm. Robëria shpirtërore apo shpëtimi përbëjnë boshtin filozofik, një problem universal, sa vetë letërsia, i ekzistencës së njeriut. Te  «Puthja e Amazonës» dashuria është tronditja e madhe midis ekzistencës, misionit historik (mitik) dhe ndjenjës, dëshirës së natyrshme: «Brenda kllapisë vajtoi shumë herë duke ulëritur për gjëmën që i pati ndodhur. Kur çeli sytë, kuptoi me tmerr se më shumë kish vuajtur nga malli për kolkidasin». f.87 Në këtë raport dashuria sjell dhimbje, dëshpërim, kapërcim bindjesh e dëshirash. Kjo është beteja më e madhe shpirtërore e njeriut, nënkupton romani i M.Meksit.

    Dashuria u jep ngjyrë e tingëllim skenave erotike, krijon një ndjeshmëri shpirtërore, në akord të përsosur  me ndjeshmërinë tingullore ? Në tregimet e Mirës kjo ndjenjë përjetohet nga lexuesi si ngjyrë, aromë, freski.. “…duke mësuar të dëgjonte muzikën që shkaktonin ledhet e dorës dhe të gishtërinjve mbi lëkurë; prekje pas prekjeje Teuta dëgjoi dhe shijoi tingujt prej harpe që lëshonte qafa e saj e gjatë dhe e drejtë …fërfëllimën e kordave të kitharës që i shpërthenin nga gjoksi i lartë dhe i fuqishëm, muzikën e pipizanes që drithmonin thithkat rozake e të majëta të gjoksit, melodinë e ëmbël prej lire të vitheve të kërcyera  dhe mrekullisht të lëmuara, lutin që luhej nga harku i mermertë i belit; mbajti vesh me dorën mbi kërthizë frymëmarrjen e përvëluar të flautist të Panit që frymëzonte barku i saj i njomë dhe i paprekur…” “…duke mësuar të dëgjonte muzikën që shkaktonin ledhet e dorës dhe të gishtërinjve mbi lëkurë; prekje pas prekjeje Teuta dëgjoi dhe shijoi tingujt prej harpe që lëshonte qafa e saj e gjatë dhe e drejtë …fërfëllimën e kordave të kitharës që i shpërthenin nga gjoksi i lartë dhe i fuqishëm, muzikën e pipizanes që drithmonin thithkat rozake e të majëta të gjoksit, melodinë e ëmbël prej lire të vitheve të kërcyera  dhe mrekullisht të lëmuara, lutin që luhej nga harku i mermertë i belit; mbajti vesh me dorën mbi kërthizë frymëmarrjen e përvëluar të flautist të Panit që frymëzonte barku i saj i njomë dhe i paprekur…”f.76

    Ndërsa në tregimin “Buzëqeshja e fundit e Beatriçes” autorja ‘zbulon’, në një gjetje të pazakontë në letërsinë tonë, ‘ngjyrën’, thelbin e dashurisë, si kombinim aromash që shtresat e  ‘koktejit parfumor’ krijojnë një kënaqësi të stërholluar, që nuk mund të ishte një marrëdhënie që s’e ndjente aromën, një marrëdhënie që mund ta flakte në çdo çast, për ta ruajtur më pas vetëm si një material kujtese’.

    Dashuria është mister për personazhin, është një forcë, para së cilës ai gjendet i pafuqishëm, i paaftë të zotërojë imagjinatën e pushtetit misterioz mbi mëndjen dhe ndjenjën e tij.  Teuta “Mendonte për zemrën njerëzore  dhe thelbin e saj, dashurinë; vriste mendjen se si ishte e mundur që ky thelb zemre të ishte aq i fuqishëm sa dhe malet të mund t’i lëvizte nga vendi po të donte, dhe me vdekjen të luante siç luan era me gjethet e rrëzuara të pemëve. Dhe të ishte aq i dobët njëkohësisht, sa t’i nënshtrohej dhe t’i shërbente ambicieve të përbindshme që ushqehehsin me gjakun e tij, dhe që lypnin flijimin e gjithkujt dhe të gjithshkaje, gjer edhe të lirisë. Po ia vlente të jetohej.Teuta kish parë Afërditën në universin e pavdekshëm me lëndën e dashurisë që dilte nga zemra e saj dhe shnërrohej në pije për hyjnitë; kishte pirë në kupën e mbushur buzë më buzë me atë pije ngjyrëgjaku, duke e shijuar njësh me perënditë.” f.360  …. Marrëdhënia e mbretëreshës ilire, me komandantin grek, sa e dëshiruar, aq edhe brengsjellëse, bëhet personazh fuqiplotë, duke mishëruar planin e dytë të përfytyrimit mbi Teutën e Ilirisë, aspektin personal të saj, i ndërtuar thelbësisht përmes imagjinatës krijuese të romancieres…

    Dashuria është sublimim i shpirtit ! Kapërcen çdo kufi të reales, të zhyt në përjetime imagjinare, haluçinante (tregimi ‘Nobelisti’). I gjithë përjetimi i vajzës është magjik, imagjinar me zërin e shpirtit, haluçinant, me ngjyra të realizmit magjik. Në fytyrëzimin e kësaj ndjenje realja merr kuptim tjetër : s’ka të bëjë me ngjarje, veprime në vetvete,  por me pushtetin dërrmues të ndjenjës. Në disa krijime të saj personazhet përjetojnë dashurinë e fuqishme, të pamëshirshme, në situatë haluçinante. Ajo shfaqet dhe e mbërthen personazhin me ngjyra si të reales, e fut heroinën në përjetime sa mahnitëse aq edhe zhgënjyese. Dashuria, sipas autores, nuk ka fytyrë, nuk lidhet domosdo me ekzistencën e prekshme; ajo është përtej çdo imagjinate dhe interpretimi. Është një pushtet misterioz, që shkon përtej marrëdhënies reale, që fshin kuptimin e raporteve të drejtpërdrejta mes dy njerëzve, ku shpirti i të adhuruarit të vdekur robëron shpirtin e të gjallit… Personazhi, që nuk jeton, shpirtërisht bëhet robërues i zemrës së personazhit-rrëfimtar, zhytet në shpirtin e atij (”Pa zemër në kraharor”). Njeriun e udhëheqin forca të brendshme misterioze ? A është dashuria një ndjenjë reale, apo imagjinare, haluçinante ? (Puthja haluçinante me Fuentesin e vdekur).

    E pafuqishme ndaj kësaj ndjenje, që për të është misterioze, heroina tronditet para faktit se u bë “dashnorja e një shpirti! Të jetoja pasionin e një shpirti”. Sipas saj, një ndjenjë e tillë krijohej veç nga sublimimi i shpirtit. Në aspektin filozofik autorja e shenjtëron dashurinë si përjetim shpirtëror, si diçka që ka lidhje me njeriun, por edhe me një frymë të shenjtë që e lumturon ose e mjeron atë, që e bën të shohë me sytë e shpirtit të padukshmen, të parealizueshmen. Kuptimi se “të jetoje për dashurinë nuk do të thoshte të jetoje për atë që doje,…se dashuria është brenda shpirtit, jo patjetër njeriu me të cilin e ndan atë” i jep një përmasë të jashtëzakonshme kësaj ndjenje.. Edhe tek “Parisi vret” në planin thelbësor të marrëdhënies së personazhit  me dy vajzat, franceze dhe shqiptare, nuk kemi thjesht dashuri njerëzore, por një dashuri e përtejme, universale, e lirisë, e shpëtimit, e rilindjes mistike në një personazh tjetër, mishërim i një jetë tjetër.

    Dashuria personizohet, në qasje dhe përjetime të shumanëshme, në ngjyra e trajta që ndryshojnë, lëvizin, trondisin, si në pamjet befasuese të një kaleidoskopi gjigand. Mjeshtre e përshkrimit të brendësive të shpirtit dhe ndjenjës ajo bën që lexuesi të  ‘shohë’, të ndjekë dashurinë si një personazh tjetër, më magjik, më të fuqishmin në korpusin artistik të saj. Te “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” dashuria fytyrëzohet edhe si personazhi i lirisë, i krijuar prej shekujsh e parashekujsh: “Ndihej sikur rrëke dhe përrenj magme të zjarrtë të ishin krijuar brenda dejve tanë, për shumë vite me rradhë, tinëzisht dhe tradhëtisht, diktuar nga gjaku i të parëve tanë të lashtë dhe të ndrydhur me mijra herë nga dogmat, normat dhe ligjet e kohëve, që tani kishin përmbytur tërë trupin dhe kërkonin të shpërthenin jashtë shtratit të tyre: shumë pak vend kish mbetur,,për shpirtin. Porse ndiheshim njerëz të vërtetë dhe të lirë. f.18 (po aty). M.Meksi e ka ‘shpirtin’ njerëzor personazh të shumëgjendur në krijimtarinë e saj.

    Dashuria është guxim në përballjen midis realitetit sfidues, të rrezikshëm dhe kënaqësisë trupore, pasionit të pakontrolluar. Autorja nuk ka asnjë kompleks të trajtojë pushtetin e ndjenjës mbi arësyen, qoftë te Teuta e Ilirisë, qoftë te personazhi historik Muktar Pashai, apo figura historike e letrarizuar e Frosinës. “Ai i qe ruajtur si djallit dashurisë femërore…dhe nuk kishte dëgjuar së joshja prej mishit të  tyre të shkallonte e të shtynte në marrëzi ? Muktar Pashai e kish besuar me shpirt se dashuria ishte një prangosje e rëndë dhe si e tillë, ku e ku më e rrezikshme se frika prej seksit të tyre. Por, me sa duket, fati i pat luajtur një reng të madh dhe pashai tridhjetëvjeçar kish humbur mëndjen për Frosinën” f.115 Është e njejta stuhi që rrëmben edhe gruan e jashtëzakonshme, deri në tradhëti të fatit të saj të parë.

    Dashuria, në disa tregime të saj, e vendos rrëfimtaren në situatën e përjetimit mistik, qiellor, ndonëse po aq edhe real, të dashurisë. Në tregimin “Tlöni i dashurisë” rrëfimtarja përball guximshëm dy trajtat e dashurisë : njera “dhuratë e helmatisur që hyjnia u bënte njerëzve kishte vërtetë lëndë hyjnore, por njerëzit, pasi pinin dhe shijonin nektarin e qiellorëve, e vuanin me jetë, marroseshin nga dhembja dhe binin e bëheshin copë në honin e mohimit të vetvetes. Sepse ajo dashuri u bindej ligjeve hyjnore, të cilët të vdekshmit nuk i kuptonin dot dhe as mund të mbroheshin prej tyre” f.96.  Nga ana tjetër personazhi kërkon “pa pranga dashurie, krejt të lira, për të ndërtuar ndoshta të tjera lidhje çasti, botë të tjera, dimensione të tjera lumturie. E ndërtova Tlönin të dashurisë e kredhur në harmoninë e një figure të Bahut dhe ndjeva vërtetë paqe dhe siguri dhe një lloj përjetimi shumë të ngjashëm me atë që ndoshta jep amshim.” f.97

    Te “Hakmarrja e Kazanovës” dashuria përjetohet si diçka mistike, e pakapshme në kuptimin e saj, mister tronditës, gërryes; një përballje e pamëshirshme midis prekjes reale dhe imagjinatës haluçinante, një takim i pavetëdijshëm i piktores me portrtetin: “ndërsa rrinte e vëzhgonte profiling e panjohur të së shoqes…i feksi në mendje fakti se universi i largët ku gjendej Enerieta brenda gjumit pluskonte në rrethinat e hapësirës së portretit”.f.64  Rrëfimtarja e quan Kazanovën « kryemjeshtër të artit të dashurisë, ku femra është perëndesha dhe mashkulli skllav i saj ». Metaforikisht ndeshja tragjike e këtij koncepti me dashurinë e zakonshme, të gërryer nga xhelozia, fundi tragjik i personazheve përballë triumfit të portretit-simbol mbi këtë ndjenjë, sfida e autores me historitë reale të aventurierit të famshëm venecian, krijon qasje të re te lexuesi, sfidon opinionin dhe namin e përcjellë në disa shekuj mbi të famshmin Kazanova, i jep një përmasë të jashtëzakonshme kësaj figure, që rrëmben, trondit edhe pa qenë i pranishëm.…Novela tingëllon si magji e lirisë së dashurisë, si përballje sfiduese ndaj kodeve dhe skemave …

    Dashuria, në rrëfimet e M.Meksit, ka brenda vetes edhe misterin e rrëmbimit të shpirtit në pushtetin e asaj ndjenjë që, ndonëse mund  të kish rrënuar më parë,  shfaqet përsëri si strehë ngushëlluese. (“E kuqja e demave”). Përpara kësaj dileme personazhi vuan brenda vetes se përse iu dorëzuan përsëri asaj ndjenje që i pati dërrmuar zemrën. Lëvizjet brenda shpirtit janë misteri që personazhi nuk arrin t’i kuptojë, ndonëse e ndjen se “kishim bërë gabimin e pafalshëm: kishim guxuar që, me shpresën e shpëtimit, ta vështronim dashurinë drejt në sy duke e provokuar paq, dhe kjo ishte njëlloj e rrezikshme si t’ia ngulje sytë e zhveshur diellit apo vdekjes…” f.51  Te “Frosina e Janinës”  dashuria mposht pushtetin e fuqishëm të birit të Ali Pashës: “kishte aq shumë dhembje në sytë e pashait…kish ngjarë vërtet një mrekulli që Muktar pashai po provonte dhembjet e dashurisë.”” f.119

    Dashuria është kompleksitet, është ngjyrë dhe formë, ku bashkohet realja me të magjishmen, realizmi me surrealizmin, dashuria me pabesinë, ndjeshmëria njerëzore me triumfin e dëshirës… Dhembja e zemrës së tradhëtuar dhe pasioni i pikturave ‘si shakullina të irnosura’, dhembja në krahërorin e majtë ‘siç ndjejnë sëmbime njerëzit në vendin e munguar të gjymtyrës së prerë” krijojnë një raport tjetër midis reales dhe përjetimeve të reja të dashurisë.  Realja dhe irealja mpleksen magjishëm, përpiqen të sfidojnë njera tjetrën, por është ndjenja që mposht realen. Një ndër dilemat e disa novelave është : dashuri e lirë, apo hakmarrje ? Ka një demon në brendësi të shpirtit njerëzor ? Njeriun e udhëheqin forca të brendshme misterioze ? A është dashuria një ndjenjë reale, apo imagjinare, haluçinante ?

    Fundi imagjinar-haluçinant i novelës “Pa zemër në kraharor”, me shkuljen e zemrës së heroinës në altarin aztek të sakrifikimit, trondit me filozofinë që përshkon strukturën kuptimore të saj: lëvizjet që ndodhin në shpirtin e të tradhëtuarve, ngjallja e demonit të brendshëm, që mposht çdo ndijesi të logjikshme, e gjithë vepra, thekson një mister në raportin midis logjikës dhe pushtetit të dëshirës, përplasjen midis ndjenjës së papërmbajtur, instiktive me ndjenjën e raportit njerëzor, si përplasje e dy përjetimeve të fuqishme “njoha Erosin e astekëve. Njoha vuajtjen, torturën, dhembjen njerëzore, të pandara nga qiellorja dhe lumturia e perëndishme. “ f.60  Simbolikisht shkulja e zemrës  duket sikur do të shuajë këtë konflikt që ka lindur bashkë me dashurinë e njeriut. Ndryshe nga trajtime të zakonshme, në këtë novelë imagjinata krijuese e autores shkon përtej dilemës, duke i dhënë pushtetit të së brendshmes njerëzore një përmasë tjetër, që i zgjon heroinës, pavetëdijshëm, dashurinë imagjinative për poetin e famshëm të vdekur, Carlos Fuentes , apo të mos gjejë dot shpjegim në lidhjen mistike me piktoren e famshme, të vdekur, Frida Calon… Sipas meje kjo është lidhja mistike që lidh botën e artistëve, që shkrin instiktivisht pasionin, ngjyrën, tingullin fjalor të tyre. Nuk është personi real, por shpirti krijues që e çon ‘dhunshëm’ krijuesen Meksi drejt magjisë artistike të këtyre magjistarëve  të artit të fjalës dhe të ngjyrës. Për këtë arsye raporti i reales me magjiken përbën shtratin themelor, zhvilluar përsëri në dy linja, që në vështrim të parë duken si pa lidhje. Nga njera anë. tradhëtia nga i dashuri, rrëmbimi i dashurisë së motrës, ftohja shpirtërore edhe nga dashuria e dytë, dashuritë e një lloji tjetër, haluçinante, ndaj artistëve të mëdhenj; nga ana tjetër imagjinata, gjithashtu haluçinante, e sakrifikimit të tempullin e lashtë të Meksikës, janë dy linja që përplasen, për t’i dhënë peshë idesë së misterit të ndjenjës.

    Por dashuria, për personazhin e Mirës, është e vështirë, sepse kur kthehet në rutinë “ai ndihej i zënë në një kurth ekzistencial që i merrte frymën. …Mungesës së lirisë së përgjithshme që krijonte vetmi dhe zvetënim i shtohej edhe robërimi i dashurisë, aq sa i ishte krijuar bindja se dashuria dhe liria ishin një binom vrastar, e hiqnin qafe njera-tjetrën pa pikë mëshire”.(“Parisi vret”)f.34

    Dashuria është poezi, është shkëlqim, magji, është zhvillim, përjetim, krenari, merr ngjyrë  e formë, sa ‘të dukshme’ aq edhe magjepsëse… Ky është plani më i zakonshmi në letërsi, kur kjo ndjenjë njerëzore përjetohet në raportet e drejtpërdrejta midis  personazheve.  “Pasion shpirti” është një ndër levat që lëviz, qetësisht apo dhe fuqishëm, fatin e personazheve të saj, “e kush mund ta besonte?” fola me vete, “të bëhesha unë dashnorja e një shpirti! Të jetoja pasionin e një shpirti!” Dashuria, për autoren, nuk është një marrëdhënie e zakonshme por “histori dashurie që vazhdon me shekuj, realitet dhe ëndërr dhe fantazi që s’mund të ndahen”. Dhe ky pasion vjen i lirë, i papërkufizuar, s’ka kufi, s’ka përcaktim, s’ka qartësi, sepse në krijimtarinë e saj (Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë, Diktatori-linja e Gutenbergut dhe Jolandës…) lexuesi ndjen filozofinë, sipas së cilës universi i individit është i pafund, i mistershëm, i pakontrollueshëm, sepse dashuria është për prozatoren realitet dhe ëndërr. Gjithashtu në gojën e Teutës ilire autorja shpreh konceptin e  dashurisë së epërme:. “dashuria e vërtetë është për atë që kemi brenda nesh, por që s’është ne : për hyun tonë. Te Kazanova dashuria është ndjenjë romantike, e kombinuar me një lirizëm magjik « ajri ishte i kthjellët, i parfumuar lehtas, si për një takim dashurie, dhe mbante një aromë të thekshme misterir, përzier me një romantizëm elegant italian ». f.21….

    Mund të themi me bindje se korpusi i prozës së Mira Meksit vihet në lëvizje nga dashuria, e cila, siç e theksova që në fillim, nuk është thjesht marrëdhënia midis dy personazheve, por një raport i jashtëzakonshëm, hyjnor, sa i mistershëm, aq edhe emocionues për lexuesin. Në këtë drejtim ajo zgjeron përmbajtjen kuptimore njerëzore dhe flozofike të dashurisë, duke i dhënë një konceptim të jashtëzakonshëm në prozën e saj.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË