More
    KreuLetërsiBibliotekëNgërç, tregim nga Xhevair Lleshi

    Ngërç, tregim nga Xhevair Lleshi

    «Këpucët prej alumini sikur e bëjnë diellin petë, nën shuajt që kërcasin, gjurmë lënë atje ku janë vetëtimat edhe retë…»

    Poeti

    Ai iu qep punës gjer te papastërtitë, prandaj dhe e zuri ngërçi, ai më i keqi, që i ndalte frymën. Policët e kishin hedhur Gjon Garrinë, gazetarin investigativ në mes të sheshit Muzaka. (Ah sikur të quhej me një emër tjetër, do të qe më mirë. Atij i pëlqenin emrat romakë…) Ishte hera e parë që kruhej me emrat, por kështu qenka menderosur e gjithë ajo që ai mendoi. E pa trupin e shtrirë të Gjonit. Nuk jepte shenja jete. Të dy horrat e kishin bërë blok. Si lëmizhde i hedhur në mes të rrugës. Si gëzhutë. Brrrr. Në një rrethanë tjetër kjo punë e rrahjes për vdekje do të përbënte incident. Por, përkundrazi, mund të shndërrohej edhe në një komedi. Andi qeshi nën vete dhe sytë tij shkëlqenin prej një habie foshnjarake. Habi e zezë. Mirë i vinte këtij delenxhiu që s’linte dy gurë bashkë kur përdridhej e kruhej me gjithçka, përfshi edhe policinë? Ajo fytyra e bukur e gazetarit i merrte një shprehje të keqe prej rrugaçi, duke ngjarë me ato palavitë e natës, ku ai, teksa kalonte andej nga ora pesë e mëngjesit, blinte një shishkë me konjak që e kthente udhës për në fermë. I njihte mirë ato ambiente, ndoti i tyre i qe kthyer në një pjesë të natyrshme të punës së përditshme, ndërsa ç’ishte e mbyllur në zyrë e makinë, nuk i hynte fort në pjesë. I pëlqente ajri i freskët, tymi i oxhakut, duhma, e vjella, sepse ai prej tyre e kishte fituar përvojën e duhur, herë me sakrificë dhe herë qetë-qetë. Tani qeshte me policët, që edhe të gajasej mirë do të qe, por tek e mendonte më thellë rrëqethej pasi papritur ngjarjet patën marrë një kthesë të tmerrshme. I telefonoi drejtorit të policisë. Ata, dy policët e çmendur kishin shkaktuar një hata të vërtetë. Nuk u tha kush t’u jepnin ngjarjeve këtë dukje! Qyteti qe i vogël dhe çdo njeri e njihte tjetrin. Llahtari i asaj që kish ndodhur, ajo neveri, për çudi nuk do të zgjaste shumë si fshehje, sepse budallenjtë e sëmurë nga rrahja e gjoksit e kishin plasur në mes të sheshit, pastaj kjo përvojë e jetës po i ngjallte ca ndjenja të pështira, saqë ndyrësia dhe shëmtia po i bënin mirë sedrës së përkëdhelur, cipës aristokratike që i pat mbetur gjallë, aq e paepshme në dukje, por që përfundimisht i ra. Kjo qe përpjekja e parë në një betejë që s’mund të kish fitues. Ndërkohë drejtori i drejtorisë së policisë së qarkut e kish bërë punën. Erdhi autoambulanca, e morën trupin e gazetarit investigativ Gjon Garria për në spitalin rajonal, që zakonisht mbështetej nga qeveria zvicerane.

    Po asaj nate s’iu ndanë vetëtimat e llahtarisura. Një hënë e re doli si e fërkuar me finjë. Për herë të parë e pa qytetin, lagjen turistike të gazetarit Gjon Garria dhe të tijën, kur morën urës së dytë, gjysmë të përgjumur. Hëna sikur trembej nga ato shtëpi të bardha në brinjë, sikur ato të mos qenë shtëpi po ca gjëra të çuditshme të zbritura me hile mbi tokë.

    Hëna, yjet, retë dhe ajo dritë, ajo dritë, o Zot, që ia ndjenin dhe qerpikët, trazoheshin edhe më keq me atë që kish ndodhur. Vetëm në një pikë nuk i shkonte mendja, që drejtori i policisë Ali Kapobeu, për herë të parë ta shikonte çështjen me sytë hapur dhe të gjente çelësin për të mos pasur më tej borxhe. Me kaq hidhërim dhe me kaq shpresë e ndjeu të vërtetën që ia rrëzoi përdhe supet. Këtë përshtypje që e kaploi në atë çast, ende pa iu tharë pështyma në facoletë, thirri në telefon Andi Balancën për t’i shpjeguar gjërat. Ndërkaq njoftoi shërbimin e rojës që të paraqiteshin edhe dy policët shoqërues të Andit…

    – Ç’pate, komisar Andi? – pyeti Ali Kapobeu.

    – M’u morën mëndtë prej asaj që ndodhi, drejtor.

    – S’është gjë, – tha ai, – kjo që do të ndodhë është ç’është!

    Andi e kapi shpejt nëntekstin. Drejtor Aliu do të thoshte, sipas rradakes së tij, që të mos e mbanin mendjen te fshati, lisat, burimet, kuajt, e më the të thashë, sepse tani, jemi djem me fat se do të shkelim botën e pafat.

    – Dëgjon Andi? Kur na u bëre edhe teveqel?

    – Nuk jam bërë, drejtor. As kam për t’u bërë ndonjëherë!

    – Atë ta shohim. E di që ti ke ndjerë herë-herë mall për një bukuroshkë fshati, siç ndjen ndonjëherë për një çark derrash të egër në pyllin e Sharrës? Po edhe për një rrasë guri që mëma e përdor për të larë rrobat në përrua? A mund ta heq nga mendja atë mall? Ja, aq mund ta largojë atë që më bëre sot!…

    Ishte e vërtetë. Ajo që ndodhi ishte njëlloj si ushqimi që të bën dëm, e ngjëron me të keq ashtu të thartuar dhe kutërbon e gjitha duke lëshuar atë të shkretë nevojë mbi sokakë, se s’duhet zgjuar aq herët, pa zbardhur mirë, që s’t’i lëshon rrobat kurthi që i ngre jetës çdo mbrëmje e mëngjes, grisur prej gishtërinjve të tyre, kapur si ganxha. Kështu de, kështu, s’ke as ku e kap dhe as ku ta mbash!

    Feksi dielli mbi malin e shenjtë, shtrirë si luan gjigant në hapësirë dhe të merr mëndtë, t’i rrëmben fjalët, të bën vuv. I sollën dy policët e speciales, duarlidhur me pranga. Pa një fjalë. U dukej lodër ajo që bënë. E tmerrshme. Drejtori, Ali Kapobeu dha urdhër t’i viheshin prangat komisar Andit, të vepronin shpejt dhe t’i çonin në birucë…

    Aty më tha polici Fili Pone që ta mbroja, se nuk dija si ta merrja me mend. E kuptoni besoj, tronditjen time. Unë nuk mbroja dot as veten. Ali Kapobeu e mbrojti shumë bukur veten dhe me mua e kapërceu lumin, duke mbajtur të fshehur tronditjen time! Unë s’i besova. Ai ma tregoi. M’u errën sytë… Natën e parë në qeli, bëri ftohtë, thëllim, fryu erë. Unë s’ndjehesha mirë. Po ç’patën, hë, që më arrestuan?, pyesja veten. Ky është kurth i ngritur prej vërteti, pa e tradhtuar asgjë, paraqitur me ëmbëlsi dhe shtirje të padurueshme, ala fshatarçe, shoqëruar me një ecje si me pordhë. Oj, po ç’punë kisha unë? Si më kishin lëshuar kështu, rënë mbi akull, të shkretë? Si u kish bërë zemra? I di këto, qeveria, lart? Besoja shumë që do t’i mësonte. Aq ftohtë bënte sa ngjesha fort pas batanijes anës murit, fusja duart te vendi i lik dhe merrja frymë duke u dridhur, vetëm e vetëm që të mos ngrija. Edhe pas dy ditësh dhe gjatë kësaj kohe unë dhe dy policët e speciales, përfshi edhe policin malësor Fili Pone, kishim firuar e qemë ligur, veç kutërbonim mos më keq. Një roje që natyrisht na njihte, na u qep keq, bënte ç’bënte e na fuste duart në prapanicë. I thamë vetes që t’i jepnim një grusht turinjve atij pisi, po ai farë pijaneci vetëm qeshte. Ëndërronim që t’ia mbathnim, madje thamë një herë të ktheheshim në ndonjë pyll, a mal, të fshiheshim nëpër zgërbonja, pasi dobiçi qe hedhur dhe na u la në derë. Proçkë e madhe kjo, e pamundur për t’u duruar dhe të ngjante se do të farohej gjithë bota pas nesh. Nuk thonë kot të parët. Unë, një ditë do arrij të jem ai që jam, do ta ngre tempullin e murgjve, që është diku, po që s’e kanë gjetur akoma.

    – E ç’më duhet mua? – tha Filipi, domethënë Fili Pone. – Unë dëgjoj, por jo si këto që më tregon ti. S’e kam shumë qejf të të dëgjoj kur flet. Ti rron me kujtime, mëma me thashetheme, babai me burrat. Unë me asgjë. Pastaj ju ratë në burg, edhe unë me ju. Vazhdo, ngëckë. Të vajti sharra në gozhdë më duket. Dy muaj në biruca dhe s’dalim dot më as për diell, u thamë e u nximë, na doli qumështi i nënës nga maja e hundës. Na vijnë prindërit dhe të afërmit si vegim, ashtu buzëqeshur, na vijnë, të gjorët, orë e çast, po si të na shpëtonin? Po na soseshin ushqimet, pastërmaja, vezët e ziera, peshku i tharë, gjalpi, kaçkavalli, buka e elbët dhe e misërt, kurse ne mblidhnim thërrimet e mundimit. Shpejt erdhi koha të nxirrnim gjak nga goja. Më mirë të vdisnim e të shpëtonim. I morëm zët të gjithë, sikur të kishin dhe ata faj që ishim katandisur në atë gjendje. Bëni durim, djem, thoshte i dërguari i Ali Kapobeut, ja, po afrohemi, oj, ç’keni për të parë. Sakrificë është jeta. Pikërisht ai s’të lë një minutë të qetë, duke na mbajtur me ujë të ngrohtë, ja tani do të qemë të lirë. Do ta nxirrnim vetë bukën e gojës. Ju qoftë i lehtë burgu! Ai kishte balluke, të ndara më një vijë në mes, gjysma i vinte e verdhë gjysma tjetër e përhirtë. Vetulla e qerpikë të bardhë. Thoshin se ishte qose. Vinte i gjatë dhe bënte lëvizje të tepërta si një tuhaf i kategorisë së parë. Po ama, prapa bythës portofolin e donte të mbushur e të fryrë. Dhe ai vinte e na shikonte shpesh. Këmbente edhe ndonjë fjalë. Pa u shëruar Gjon Garria në spital, ose më saktë, pa u përmendur gazetari ynë negativ nuk ka gjyq! E pra, do të qenka udhëtim të gjatë prej ferri, ky yni!

    Një mëngjes më ngritën edhe më herët dhe më treguan se aty pranë i kishin bërë me gjallje një monument Gjon Garrisë. Kishte fituar nam të madh. Kudo flisnin gazetat dhe televizionet për bëmat e tij. E mbronin. Po duket se edhe kishte shumë nga ata që nuk e donin. Madje nuk e duronin dot. Mbetesha pa frymë ato çaste. Ndërkaq gjeja ngushëllim: sikur ma merrte njeri me dorë trishtimin e thellë dhe më mbysnin diku nëpër ujërat ngjyrë gurkali të Jonit…

    – Djem, siç ju kam thënë të bëni, punë dhe ndershmëri e do të shpërbleheni. Mbrëmjeve lutuni, bini më gjunjë!

    Dhe ne ramë në gjunjë duke qarë. Ja, kështu. Në bisht të qelës, ramë përsëri në gjunjë, se ashtu na thoshte mendja jonë prej tuhafi. Bjerë e bjerë në gjunjë dhe puthnim tokën e bekuar. E ajo e shuar tokë sikur na ngopte me lugë bosh dhe na predikonte: mos harroni: secili prej jush është një ikonë që një ditë do të kthehet aty ku e nisi, domethënë te mëma. Dhe mos harroni të ktheheni në shtëpitë tuaja! Fundja më në fund do t’ju them diçka të ëmbël, që të mos e përsëris kurrë asnjë nga ju këtë që ndodhi; kam njëzet vjet që e bëj këtë punë, shumica kanë humbur, se janë marrë me qejfe, hajdutëri, kurvëri, bixhoz, s’kanë punuar, ndërsa pakica, ajo e mira, qofshi të tillë dhe ju, kanë bërë prokopi, sot janë pronarë. Ka edhe nga ata që janë pronarë të mëdhenj!

    Ishte ora e darkës. Do të hanim gëzhutë dhe bërsi. Drita mbeti lart dhe ne u krodhëm në terr, zbritëm poshtë duke tërhequr këmbët zvarrë.

    U drodha i gjithi. Mbërriti gjer tek unë një melodi e vjetër që s’di kush e këndonte. «Kërcen prifti nga belaja…» E, kjo këngë më la pa gjumë gjithë natën e natës. S’kisha ç’bë-ja! Pastaj, aq kisha në dorë…

    Maj 2025

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË