More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAnxhela Pashaj: Mbi romanin “Dhe pastaj ajo u bë pemë’’ nga Loer...

    Anxhela Pashaj: Mbi romanin “Dhe pastaj ajo u bë pemë’’ nga Loer Kume, Martën dhe esencialen

    “Dhe pastaj ajo u bë pemë’’ është një roman nga autori Loer Kume, i cili trazon mendimet dhe ndjesitë e lexuesit. Një roman që nis me një epilog dhe ku na zbulohet fundi tragjik i personazhit kryesor apo heroinës së tij sikurse përcaktohet nga rrëfimtari. Lexuesi duke u njohur me fatin e heroinës së romanit, me vdekjen e saj “Marta vdes në një skutë botës të quajtur Shqipëri,…”, i lind kureshtja për të zbuluar se cilat ishin arsyet dhe rrugët që e çuan Martën drejt këtij fundi tragjik, por edhe për të kuptuar në kishte ndonjë moment kur ajo mund të shpëtonte.

    Rrëfyesi, fillimisht një rrëfyes i gjithditur që më vonë kthehet në një nga perzonazhet që di po aq sa lexuesi, ndoshta më pak, na siguron se Marta nuk është një grua e zakonshme. Marta është ndryshe. Një grua me energji të pashtershme, guxim, intelekt, pasione e ëndrra për të pushtuar skenat botërore. 

    Rrëfyesi e lëviz rrëfimin e tij në kohë të ndryshme duke na e shfaqur Martën kur ajo thuajse nuk ekzistonte fare, te Marta foshnjë, Marta fëmijë, Marta adoleshente, Marta grua, Marta bashkëshorte dhe Marta nënë. Përkrah Martës vendosen edhe disa personazhe të tjerë, të cilëve po ashtu rrëfyesi u zbërthen gjenealogjinë, spiritualitetin dhe mentalitetin si për të thënë që Marta është edhe pak si ata që vërtiten rreth saj. Në fund të fundit, njeriu merr sjellje, besime, mendësi nga ata me të cilët jeton. Njeriun e krijon, e rrit shoqëria, edhe Martën pa dyshim.

    Mirëpo, Marta, kjo Marta diellore, Marta e rrëfyesit ballafaqohet gjatë jetës së saj me një krijesë që i frikësohen të gjithë, me atë që njëherë në jetë e takojnë të gjithë, vdekjen. Marta sheh një ëndërr ku një krijesë shumëkëmbëshe, neveritëse synon t’i gllabërojë gjoksin. Kjo ëndërr shndrrohet për Martën në një makth. Ky makth e përndjek çdo natë duke i lënë në lëkurë frikë dhe neveri. 

    “Ai sheh Martën në sy, përmes buzëqeshjes me gojë hapur del një gjuhë e vogël e verdhë, lëpin buzët ngadalë, qimet e hirta shkëlqejnë nën fashën e diellit, balli i mbushur me mijëra zgjatime shkëlqyese bulëzash djerse, sumbulla ftohtësie.”

    “Gjendet tani në fytyrë të Martës dhe, gjithmonë duke kulluar e qeshur, zgjat duart drejt fytit të saj. Marta ia kap duart, ndjen ftohtësinë e krahëve të tij, dhe kupton që ai nuk ka erë. Asnjë aromë. Asnjë nxehtësi njerëzore.”

    “Gafi i shtrëngon fytin, ndërsa me dorën e tij si tullë i prek gjirin e majtë. Marta ndjen ftohtësinë e llahtarshme të dorës që i shtrëngon gjirin.”

    Me nxitjen e të shoqit, Martit, Marta kryen një vizitë mjekësore dhe zbulon se Gafuri, siç ajo quan shumëkëmbëshin e makthit të saj i ka lënë një plagë të hapur, serioze, e cila rrezikon t’i marrë jetën (diagnostifikohet me kancer). Qysh nga momenti që Marta diagnostifikohet me kancer duket se gjithë bota e saj shpirtërore merr të tatëpjetën. Ajo nis të presë të gjithë njerëzit me të cilët rrethohet, një e nga një duke u shkëputur nga të gjitha marrëdhëniet sociale dhe njerëzore. Ndërsa, ai, Gafurri herë duket e herë zhduket nga jeta e Martës.

    Ky Gafur që i kërcënon ekzistencën, që paraqitet me një simbolikë të dyfishtë, herë është sëmundje, një flamë e trashëguar dhe herë të tjera mishëzohet në formën e një burri të fuqishëm e brutal që përkthehet  përsëri në kërcënim, vdekje e kthen Martën kah mendimi se si dhe çfarë kuptimi ka jeta, e kthen tek ekzistenca, te e përjetshmja, esencialja. Këto gjejnë vend në kokën e Martës dhe e shtyjnë të nis një udhëtim sa fizik po aq edhe shpirtëror. Ajo e nis këtë udhëtim shpirtëror me mbërritjen në ishullin e Lesbosit, ku sipas udhëzimeve të dy mentorëve, udhëheqësve të saj shpirtëror ajo mëson të jetojë me pak, duke e kufizuar veten fizikisht, por duke u hapur mendërisht dhe shpirtërisht.

    Çuditërisht, sa më shumë që Marta e kufizon veten fizikisht dhe forcon anën mendore e shpirtërore aq më shumë njihet me anën brutale të njeriut të së shkuarës. Vrasje, barbarizma, përdhunime, thyerje psikologjike, arratisje, mbijetesë janë gjithë çka vjen nga e shkuara, nga e shkuara e familjes së saj, nga e shkuara e popullit të saj, nga e shkuara e njerëzimit.

    Në Lesbosin e Safos, ku narratori na sugjestionon për ekzistencën e një ane tjetër seksuale të Martës, ajo zbulon përmes disa seancave spirituale se Gafuri ka qenë me të qysh në gjenet e trashëguara nga gjyshja e saj, Arta. Arta është mbatësja e parë e Gafurit, gafurit që kall tmerr, frikë, që përdhunon, që vret e mbjell vdekje kudo. Gafuri nuk ka kombësi, ai është një krijesë e kudogjendur, e neveritshme, të cilin Marta synon ta mposhtë. Duke mposhtur Gafurin Marta mund të arrijë çlirimin nga e shkuara e të tjerëve, që pa dashjen e saj është bërë edhe e shkuara dhe e tashmja për të.  

    Pas disa muajsh larg familjes së saj dhe e izoluar nga çdo frymë njerëzore, Marta e sheh veten të shpëtuar nga thonjtë e Gafurit dhe të mbushur me dëshirën e madhe për t’u kthyer pranë djalit dhe bashkëshortit të saj.

    Rrugës së kthimit Marta piqet me dhunën, të cilën shoqëria njerëzore e ka të trashëguar brez pas brezi, një befasi që e nxit Martën të veprojë në të njëjtën mënyrë që kanë vepruar të gjitha pararendëset e saja, me dhunë, me thirrje e britma revolte. Marta arrin të shpëtojë viktimën, një grua tjetër,  nga duart e dhunuesit, dhunueve dhe për fatin e saj të keq, tragjik, të humbasë mundësinë  për të jetuar një jetë më të bukur pranë të dashurve të saj. 

    Akti i saj heroik i kushton jetën. Ah, heroizmi! A mund të jetë një grua heroinë?A mund të jetë një grua heroinë dhe të jetojë si e tillë? Cila ishte esenca e jetës së Martës? A thua klithma për shpëtimin nga duart e dhunuesit? Çfarë është esenciale në jetën tonë, në jetën e një gruaje? Ç’kuptim ka përjetësia për njeriun, për burrin, për gruan?

    Pas gjithë udhëtimit të saj shpirtëror në Lesbos, odisesë së saj nëpër ujërat joniane, përpëlitjeve të fundit të shpirtit të saj në barkun e  “Papias”,  Marta rikthehet në Itakën e saj pranë Telemakut të saj ku gjen paqe të përjetëshme duke u shndrruar në një pemë. Shndrrimi i saj në pemë, metaforikë, larg metamorfozave të rrëfyera te Ovidi, por edhe në mitet e largëta,  duket se sugjestionon për lexuesin nisjen e një jete të re për Martën, në një formë tjetër, e cila është më esenciale, më e përjetëshme ku ajo, sikurse energjia ndryshon formë, por nuk humbet, mbetet përjetësisht mes nesh.

    Përveç Martës, çka të mbetet në mendje nga ky rrëfim është lëvizja narrative, se si rrëfimi përthyhet mes të shkuarës dhe të tashmes, të cilat rrotullohen përkrah njëra tjetrës sikurse zinxhiri i ADN-së duke e ruajtur materialin gjenetik dhe duke e përcjellë në momentin pasardhës të rrëfimit. Fraza herë është  e thjeshtë, herë zgjatet dhe përhumbet me hollësi mbi mendimet, ndjenjat dhe mijëra momente të jetës së një njeriu, këto të fundit shpesh herë marrin një vrull për të arritur në finish, sikur të mos jenë edhe aq të rëndësishme.

    “Ankth sikur qielli të bie e të shtyp. Të merr frymën. S’ka ajër. Do heqim urinë, feçe, formulë gjaku, elektrolite, mikroelemente, markatorë, EEG të trurit, një herë, dy, shumë herë, pagjumësi, kthime, rrotullime, pritje, pritje në korridore, bardhësi e ankthshme, heshtje e bardhë.”

     Regjistri gjuhësor me të cilin flasin personazhet e rrëfimit është një përzierje e një shqipeje artificiale, sikurse ka në këtë rrëfim disa personazhe artificialë, anglishtes si një lingua franca, por edhe si shfaqje snobiste, po ashtu vihet re edhe përdorimi i zhargonit dhe fjalëve banale, këto të fundit në disa raste dhe situata specifike duke u legjetimuar, fjala vjen në çdo raport intim ku qartazi instiktet kafshërore dalin mbi njeriun e kornizuar nga morali, edukimi etj. pluskojnë fjalë që në traditën letrare shqiptare dhe të huaj narratori shprehej “fjalë që nuk i shkruan dot kalemi” duke ia lënë lexuesit të hamendësonte, hamendësojë ende edhe sot se çfarë mund të ishin ato fjalë.

    Mbi këtë roman do të mund të shtoj se, duke mbajtur Martën, një figurë femërore në qendër të tij dhe peripetitë e saj në një realitet të infektuar nga dhuna, maskilizmi, pështirosja nga tjetri në gjini, ngjyrë, besim, mendim përmban mjaft nuanca humanizmi, por edhe feminizmi, një feminizmi të ftohtë, cerebral pa klithma për vëmendje, i cili i shkon për shtat natyrës rrëfimore dhe kompleksitetit femëror të Martës.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË