More
    KreuLetërsiShënime mbi libraYmer Çiraku: Martin Camaj - “Unë jam i jueji e ju jeni...

    Ymer Çiraku: Martin Camaj – “Unë jam i jueji e ju jeni të mijt…”

    Te libri “Kohë barbare”, që përmbledh dhjetë biseda të realizuara përmes një intervistimi të Ismail Kadaresë me një gazetar të huaj, diku, ai shpreh pikëpamjen se një shkrimtar me veprën e tij, është më tepër se një parti, ai është një Atdhe më vete. Dikur më herët, në një nga studimet e tij, Ernest Koliqi, po në këtë trajektore vlerësimi, theksonte se kemi të bëjmë me një rast, kur mund të pohojmë pa mëdyshje se Shqipërinë e bëri letërsia. Pra, e bënë Buzuku, Bogdani, Variboba, De Rada, Naimi, Fishta, Konica, Lasgushi dhe të tjerë Etër e Misionarë të këtij formacioni shpirtëror. Që do të thotë se ishte para së gjithash Shqipëria e ëndërrt në veprën e tyre, ajo që do të kthehej përmes një kalvari të gjatë përpjekjesh – në Shqipërinë reale.

    Këtu mund të kujtojmë Martin Camajn, shkrimtarin e shquar, që edhe pse në rrethana të vështira të ekzilit politik dhe të përjashtimit nga komunikimi letrar, ai asnjëherë nuk e humbi besimin dhe betejën se dikur do t`i takonte patjetër të “vetët”, të cilëve, edhe iu përkushtua me veprën e tij letrare, sepse siç do të theksonte në fjalët testamentare : “ …unë jam i jueji e ju jeni të mijt”.

    Receptimi i veprës së Camajt, për arsyet tashmë të njohura, është i vonshëm – krahasuar me kohën e shkrimit të saj. Për disa dekada vitesh, ajo mbeti një vepër e ndaluar dhe ishte e ndaluar jo për shkaqe letrare. Njohja e lexuesit me të, u realizua kryesisht pas viteve `90-të. Dhe ishte një njohje, që vinte me “goditje”, sidomos poezia e tij, e cila, shfaqej si një ligjërim i munguar, por tashmë edhe si vlerë e shtuar për letërsinë shqipe. Pra, vjen si një teksturë poetike moderne, me shkallë të lartë abstraksioni, ku lexuesi implikohet (i bëhet ftesë) që të jetë njëherazi edhe interpretues i brendshëm/aktiv i saj e për pasojë, ai merr kështu autoritetin e një lloj “bashkëkrijuesi” të atyre teksteve poetike. Sigurisht, këto janë cilësi të poezisë me estetikë mirëfilli moderniste.

    Kësaj duhet t`i shtojmë edhe përcaktimin e bërë nga vet Camaj për këtë model krijimtarie, si poezi jo e “mikrofonit”, pra, jo e angazhimeve imediate, por e vetmjaftueshme brenda funksionit të kanoneve të pastra estetike.

    Pa praninë e ndikimit të “pushtetit” autorial (kujtojmë se Camaj ndahet nga jeta më 1992), vepra e këtij shkrimtari arrin pa vonesë që ta gjejë veten denjësisht në kornizat reale të historisë së letërsisë shqipe. Madje vet një nga të shquarit e kësaj letërsie, Ismail Kadare, e konsideron atë tashmë të përfshirë në rrethin e ngushtë të poetëve të shquar, që hyri nga porta e madhe në panteonin e letërsisë shqipe. I.K.  shkruan se: “Në ngrehinën e përkorë të letrave shqipe, atje ku është duke zënë vendin e vet Martin Camaj, ashtu si në çdo panteon, hyhet vetëm prej një porte, asaj të madhes. E ajo portë, siç e tregon emri, nuk njeh veçse arsyet e mëdha. Siç është thënë dikur, De Rada i paharrueshëm, në një përshkrim të natës së pashkëve, ka rrëfyer për engjëjt që e bëjnë veç gostinë e tyre. Në tryezën e epërme, ku kanë zënë vend krenajat e letërsisë, nuk ngjiten zhurmat e vogla e as afrohen profilet e rëndomta. Atje ka përherë mirëkuptim e harmoni, ndaj e kremtja vazhdon përherë dhe ndriçimi i shandanëve nuk sos”.

    Shkrimet e shumta kritike, studimet monografike e tezat doktorale mbi këtë krijimtari, referimet në konferenca shkencore, e kanë kapërcyer atë kohë pezull, kur ky autor ishte i përjashtuar nga komunikimi me lexuesit e vet.

    Kujtojmë se bibliografia e shkrimeve mbi veprën e tij, arrin në mbi 100 zëra, ku hyjnë shkrime e analiza kritike, studime monografike, të formatit këto akademik apo shkollor. Ai tashmë është nga autorët kryesorë të programeve e teksteve mësimore, qofshin të nivelit parauniversitar, apo universitar. Vrehet se janë jo të pakët studentët, që e kanë M. Camajn ndër autorët e preferuar për ta bërë objekt temash të studimeve të tyre diplomike.

    Pra, brenda afër 3-4 dekada vitesh, nga autor i ndaluar, apo i panjohur, Camaj bëhet gradualisht ndër personalitetet më të spikatur të letërsisë shqipe. Kjo sigurisht, që dëshmon cilësitë e një arti konsistent në vlerat e veta

    Kujtojmë disa shkrime të Ernest Koliqit, i cili, e vlerëson aq lart, kur shprehet se Camaj do të mbetet nga ata krijues, që e nisi parabolën e vet krijuese atje ku të tjerët “dëshirojnë me e sosë”. Vlerëson kulturën e pasur librore, të fituar me punë të madhe dhe njëkohësisht, të kombinuar e të harmonizuar me kulturën mitologjiko-primitive të vendlindjes. Dhe këtu, gjen rastin të sjellë në vëmendje metaforën e kontrastit harmonik mes malit e fushës, ku malet hedhin hijen, por edhe hiret e tyre identitare mbi fushë…

    Sipas Arshi Pipës, vepra “Dranja”, për nga poetika e universalitetit që mbart, mund të krahasohet me “Këngë të Milosaos”. Në trajektoren e ecjes/rrugëtimit të personazhit të kësaj poeme, identifikohet mbartja e qenësisë identitare. Por këtu kryqëzohen në sens polifonik – edhe mjaft kumte domethëniesh të tjera. Gjarpri mbi zhguall të breshkës, projekton harmoninë mes qiellit e tokës, por edhe shenjën e erosit universal, që garanton pjellorinë dhe vazhdimësinë e jetës. Vet modeli i personazhit breshkë, një kafshë e ndërmjetme dhe atavike (nga aspekti zoologjik), është domethënie e tërë atyre të pakryerave dot në rrugën e fateve historike të etnosit.

    Camaj është poeti që priret nga pasqyrimi më shumë “pankronik” (tërëkohësh) se sa historik dhe kësaj i vjen për shtat edhe prirja e dukshme universale e kësaj poezie (Antonio Guxeta). Sigurisht, ai lexues që është mësuar me poezinë rrafsh, të drejtpërdrejtë, nuk mund që ta shijojë aq lehtë këtë poezi. Poeti është si një i Urtë, që flet me enigma. Poezitë e tij ngjajnë si rebuse imazhesh dhe kur arrin të ambientohesh me to dhe t`i shijosh, atëherë kupton se nuk mund të ndahesh dot lehtë prej tyre (Ardian Klosi).

    Përmes pranisë së dendur të parabolave, poeti përcjell te lexuesi gjendje mjaft shprehëse. P.sh. në një poezi (“Mospërfillje”), qëllimshëm mjegullohen sekuencat kohore e logjike formale, për të dëshmuar moskryerjen dot të misionit, si dhe “mundimin sizifian” të njeriut, i projektuar/konceptuar si dështim prej destinit fatal.

    Mbas mjesnate hana derdhi rrezet

    prej majes së shkambit deri në lumë.

    Mbasi që u ngi me gjumë

    këndon qokthi ndër rreze;

    sytë, dy pika uji, ndrisin dhe kanga

    pikon në luginë, në terr.

    Dikush buzë lumit n`agim gjeti

    sqepin e thyem të qokthit e tha:

    dam! Kqyre këtë tingull që ra

    e plasi në gur.

    Pra, poeti i largohet kohës reale sociale, madje edhe homo sapiensit, duke e transferuar përsiatjen në botën e shpendëve (Sqepi i qokthit plasi në gur e vajti dëm ai tingull) dhe prej këtej, gjen rastin për të rrëfyer katastrofën me përmasa kozmike – kur rrëzohen edhe krijesat e lartësive. Pra, kur bëhen plojë elitat, nëpër ato muzgje do të thotë sociale, ku “edhe dëbora nuk zbardh…” Këtë larghedhje parabolike, e ndjek edhe te poezia tjetër, kur kujtohen ato ngjarje katastrofike, që vijnë prej dhunës së tiranive:

     Libri i besimit të shpendve thotë:

    çdo zog shtrin krahët e vdes mbi bar,

    ndëshkim pse preku kufijtë e ndaluem

    mes qiellit e dheut.

    Nji zog lëngon për vdekje mbi bar

    gjethet ndër lisa janë zogj e shokë

    të pambërrishëm

    e losin me dritë e diell

    larg dy gurë mullinjsh që bien

    si mbas ligjit njeni mbi tjetrin

    pa za.     

                            (“Nji zog lëngon”)

    Camaj e ka evidente në poezinë e tij një “ala aristokratizëm” të brendshëm njerëzor e le ta themi konceptual, që duket se buron prej asaj fisnikërie shqiptare, blatuar natyrshëm qysh kryeherit – jo aq prej sigurisë së pasurive materiale – se sa prej pasurisë së vyrtuteve të trashëguara e pothuaj të shenjtëruara prej atyre njerëzve. Pra, është njeriu i paqtë me veten, që nuk synon të përçojë kurrfarë urrejtje përmes artit të tij, megjithëse kishte mjaft llogari të hapura me sistemin e kohës. E konfirmon këtë qëndrim arti apolitik qysh herët, në fillimet e krijimtarisë së tij letrare. Madje edhe të shpallur haptazi në parathënien e veprës “Diella” (botuar në Itali më 1958). Këtu parashtron në trajtë kredoje e premtimi të prerë dhe sigurisht të mbajtur prej tij, se: “nga palca e urrejtjes dua të dal, sikur bima nga fara e saj në pranverë…”

    Vepra letrare e M. Camajt, qoftë proza, drama, por sidomos poezia, nuk mund të klasifikohen dot lehtazi nga pikëpamja zhanrore. Dhe kjo vlerësohet si cilësi e veprave të shquara e novatore, të cilat, i kapërcejnë mes tyre (sigurisht me tendencë estetike) kornizat e zhanreve, duke i funksionalizuar ato në atë mënyrë, me qëllimin për t`i tretur mes tyre e për t`i fuqizuar me epërsitë e seicilit zhanër. Prandaj po prej A. Pipës, një vepër mjaft e njohur si “Dranja”, është përcaktuar për nga poetika zhanrore: “prozë e mbarsur me poezi”.

    Ish studenti dhe dishepulli i tij, Hans J. Lankch, e ka përcaktuar profilin e Camajt si shtegtari mes gjinive, si udhëtari mes dy botëve: mes letërsisë e shkencës së letërsisë, mes poezisë e prozës. Por me gjithë “kërcimin” mes gjinive, ai gjykon se Camaj mbetet në fund të fundit poet i lindur.

    Duke qenë një poet me identitetin e vet të spikatur, ai ka ndërkaq edhe të ngjajshmit e vet, sidomos për sa i përket punës aq të kujdesur/të ngulët me gjuhën, të kumbimit të melodive të brendshme ritimike, të lojës me valencat e dendura abstraktive. Këta të ngjajshëm të tij, besojmë se janë sidomos: Jeronim De Rada, Ndre Mjeda e Lasgush Poradeci.

    Klasifikimet në fushë të letërsisë, sigurisht që janë konvencionale, si shenja marrëveshjeje mes studiuesish. Por përcaktimi i Camajt si “shkrimtari i diasporës”, sikundër artikulohet ndonjëherë nëpër media, pajtohemi me mendimin e hedhur se nuk është i gjeturi. Ai mbetet shkrimtari që tashmë ka mbërritur në qendër të letërsisë shqipe. Ekzili politik, endja nëpër Evropë larg atdheut, larg lexuesit, është një rrethanë e njohur e jetës së tij, por ai pati aftësinë që në mënyrë substanciale, me tërë aktivitetin që realizoi, ta kapërcejë këtë rrethanë – aspak të zgjedhur, por të imponuar prej rrethanash jashtëletrare.

     Sigurisht, e arriti këtë falë talentit të tij të madh, falë punës së madhe. Ndonëse e përjetuar virtualisht, por Camaj arrinte që të ndihej shpirtërisht në vendin e vet, sado larg e i ndarë të ishte prej tij – duke i funksionalizuar tërë shenjat e atij vendi, e sidomos raportet/marrëdhëniet me gjuhën amtare, të cilën, e studioi dhe e sublimoi si ai. “Jam zhytë në gjuhë si prifti n` zanat të vet”, i shkruante dikur një mikut të vet në Amerikë dhe përmes këtij imazhi, merret me mend gjithë ai përkushtim prej oshënari të përbetuar – mbi të shenjtat e fisit të vet. Prandaj edhe letërsia e tij, ka aq shumë gjuhë, aq shumë stilizime e “ojna” stilistike me pasuritë e kësaj gjuhe.

    Duhet mbajtur parasysh se M. Camaj, zuri vend dhe pikërisht zuri vendin e tij në letërsinë shqipe, që i ishte mohuar prej afër gjysëm shekulli. Pra, ai nuk zuri kurrsesi vendin e dikujt tjetër, veçse vendin e tij të merituar. Ndonjë autor tjetër, i cili u sfumua apo u harrua prej lexuesit dhe prej historisë së letërsisë shqipe në kohët e sotme, kjo ndodhi jo prej faktit se në qarkun letrar shqiptar hynë autorë të tjerë si Camaj e ndonjë tjetër. Ai u “ndëshkua” veçse estetikisht, pikërisht prej veprës së tij – që nuk arriti të komunikojë dot më me lexuesin e pritshëm, të atij lexuesi tashmë të pamanipuluar dhe të paorientuar ideologjikisht në shijet e tij për lexim.

    Vepra letrare e Camajt, ku siç e vumë në dukje kreun e vendit e zë poezia, shfaqet polifonike: në zhanret, në stilet dhe në modelet ligjërimore që aplikoi. Ai shkroi e botoi disa libra me poezi, poema, romane, novela, drama. Pjesë e veprës së tij janë edhe kontributet e vyera në gjuhësi, filologji, kritikë letrare, kulturologji. Prej mjaft vitesh, drejtoi katedrën e Mynihut për gjuhën shqipe, ku përgatiteshin specialistë, që më pas do të rrezatonin dije albanologjike. Me “Mesharin” e Gjon Buzukut, mbrojti me sukses tezën për doktoraturë në “La Sapienca” të Romës. Mori pjesë aktivisht në shumë konferenca shkencore ndërkombëtare, ku dha kontribut të pakursyer në fushë të albanologjisë. Paraqitej atje me dinjitet shkencor, si një zë i shtuar, pa ia penguar dot punën mëria, që mund t`i krijohej nga pezmi i mënjanimit prej vendit të vet.

    Bashkëpunimi në revistën “Shêjzat”, mbetet sigurisht një nga kontributet mjaft të rëndësishme të këtij personaliteti. Këtu ai pati rastin që të bashkëpunojë me mikun dhe mentorin e tij, Ernest Koliqin. Kjo është një revistë emërmadhe, e cila, mund të krahasohet për nga misioni që luajti me “Albania”-n e Konicës. Ajo nisi të botohej qysh më 1957, në 18 vjetarë vijues dhe u projektua si një rezistencë kulturore, në rrethanat e njohura të sistemit politik në Shqipëri. Pra, tek ajo revistë, gjeti vend tërë gjeografia e letërsisë dhe kulturës shqiptare, pa muret ndarës ideologjikë.

    Camaj pati rastin që të botojë këtu mjaft nga krijimet e veta kryesisht në poezi, por edhe një varg shkrimesh filologjike dhe kritikë letrare. Mund të thuhet se ky personalitet nuk rreshti së punuari, i endur mes krijimtarisë, filologjisë dhe kritikës letrare. Ndonëse vet krijues, në kritikat e tij letrare nuk imponohej me shijet e veta në gjykimet për të tjerët.. Ishte një vrojtues i vëmendshëm i letërsisë të botuar në Shqipëri, në Kosovë dhe në diasporë. Në disa shkrime mbi poezinë dhe prozën e pasluftës, vë në dukje jo pak vlera në to, por vë theksin edhe te tonet zbukuruese të saj, kur vren se në disa vepra mungon vështrimi filozofik, mungojnë hije-drita e jetës, që i sheh të ardhura prej politizimit të saj, i cili, krijon për pasojë një efekt gërryes e asfiksues mbi të, në rrafshin estetik e stilistik.

    Letërsinë e kësaj kohe e përcakton nga pikëpamja terminologjike si “letërsi të pasluftës”, një emërtim ky, që do të gjente stabilizim disa dekada më vonë. Ky emërtim i hedhur prej tij në shkrime e studime për letërsinë shqipe, mbetej një përcaktim i drejtë, pasi e ashtuquajtura “letërsia e realizmit socialist”, sikundër emërtohej gjithë procesi letrar i pas vitit 1945, nuk mund që t’i kishte dot kurrsesi potencialet, apo ca më tepër të kishte aftësitë dhe të drejtat për ta konceptuar e gjykuar të homogjenizuar tërë procesin letrar shqiptar – brenda kanoneve të njohura estetike të socrealizmit Sepse në këtë pikëvështrim të politizuar, veç të tjerash, nuk konsiderohej dhe mbetej si e tëhuajtësuar prej sistemit letrar shqiptar krijimtaria letrare në Kosovë, ajo arbëreshe dhe e diasporës, të cilat, dihet se nuk realizoheshin përmes kanoneve të soc-realizmit.

    M. Camaj tregoi gjithashtu vëmendje të posaçme ndaj autorëve arbëreshë, duke i vlerësuar veprat e tyre për pasurinë estetike që sillnin në letërsinë shqipe. Është me interes të kujtohet se qysh në numrat e parë të revistës “Shêjzat”, përkthen e boton një cikël me poezi të G. Ungaretti-t. Kjo dëshmon simpati për këtë poet hermetist italian, që besojmë se në një mënyrë ose tjetër, sigurisht vetiake/origjinale, (siç është theksuar ndonjëherë dhe nga kritika letrare), këtë prirje ndofta do ta reflektojë edhe në poetikën e krijimtarisë së vet.

    Në vargun e veprës së tij, Camaj ka një përmbledhje poetike të titulluar “Njeriu më vete e me tjerë” (1978), libër i botuar në Gjermani, shoqëruar me një kopertinë nga piktori i njohur Gjelosh Gjokaj, tek e cila, përthyhet në mënyrë mjaft të qëlluar tharmi mitologjiko-modernist i kësaj poezie. Në një prerje metaforike, te ky titull, mund të nënkuptohet individualiteti, origjinaliteti, “unikumi” letrar – përballë “të vetëve” e përballë “të tjerëve”. Ose edhe më tej, mund të perceptohet edhe ai i vetmuari (njeriu më vete…), pra i veçuari, prej arsyesh, që s`kishin të bënin kurrfare me letërsinë. Por pas `90-ës, u bë kapërcimi dhe atëhere ai (poeti), gjendet “mes të vetëve”. Gjithsesi, duhet thënë se gjendet mes atyre jo aq të shumtë të kësaj letërsie. Pra, gjendet natyrshëm e me meritë të plotë mes më të shquarve. Për të qendruar njëherazi dinjitoz, përballë “të tjerëve”, poetë të njohur të gjuhëve të tjera.

    Këtë situatë tjetër (të re), si drita që vjen në fund të atij tuneli të kalvareve aq të rënda, pra të moskomunikimeve, keqkuptimeve e përjashtimeve, e shpjegojnë më së miri vet fjalët testamentare dhe aq prekëse të Poetit drejtuar bashkëatdhetarëve, të artikuluara vetëm pak ditë para shuarjes së tij (7 mars 1992): “Të dashun miq e vllazën Shqiptarë…Gëzohem pa masë se keni vendosë të vlerësoni veprën time: ky vlerësim na afron. Batë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt. Martin Camaj”.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË