Rreth poezisë “Andrra e korbit” të Martin Camajt
A është – emërim i gjërave – poezia e Camajt? Apo është e thënë projektuese? Në këtë, projektimi i të thënës, gjithnjë duke nxjerr edhe të pathënshmen. Por kjo krijon pavendosmërinë. Differance (Derrida), dhe çarjen ( – Rift – sipas Heidegger) ndërmjet Tokës/asaj që është tutje gjuhës, dhe Botës si bashkëjetesë.
Por çka është Toka dhe çka Bota për Heidegger sa i përket gjuhës? Toka është gjendja primordiale e gjuhës, vetë kthimi i gjuhës në – emërim të gjërave -. Derisa bota është Hapja. Dhe poezia, duke porjetkuar të pathënshmen me atë që është thënë, vetë Hapja e të vërtetës, që na dërgon te kky nocion Hedieggerian Toka.
Në të vërtetë në “Origjina e veprës së artit” të Martin Heidegger, vepra e artit e sjellë një Botë të tërë për të cilën do të modelohet e tërë bota dhe koncepti, derisa po e njëjta tërhiqet/kthehet prapa dhe e nxjerr/Hapë përpara Tokën.
Por çka është Toka? Vetë kthimi në para konceptualen/romaken, para-perëndimoren, dhe para estetikën dhe konceptualizimin, gjë që do të thotë kthimi në atë që grekët e njihnin si alethea – zbulesa e botës. E cila në vete ngërthen të njohurën dhe të panjohurën. Derisa Bota është vetë akti i artit, arti në veprim, që lë të vërtetën të zbulohet.
Këto të dyja, Toka dhe Bota janë një çarje, janë një pavendosmëri dhe në dikotomi të përhershme. Derisa në veprën e artit bëhet e qartë një botë, një hapje, një zbulesë, në të vërtetë ajo tenton gjithnjë kah kthimi prapa në Tokën, në primordialen.
Kjo është filozofi e pathemelueshme, e pa themel e Martin Heidegger. E cila në të vërtetë i ikë pikërisht teorisë mbi, dhe interpretimit të Veprës së Artit. E cila në të vërtetë është kundër prodhimit dhe “Prodhimtarisë” teorike e cila ka kaluar në përditshmëri të Dijes. Por ajo jep edhe mundësinë e arritjes atje ku qëndron e bazuar tërë teoria bashkëkohore, e që është vetë pavendosmëria (apo Differance sipas Jacques Derrida pasardhës besnik i kësaj pathemelushmërie të Heidegger) apo thënë më saktë të vetë Dekonstrukstionit që Heidegger e quan Destruction (Shkatërrim).
Por si mund të anashkalohet tërë kjo ‘pathemelueshmëri’ e Heidegger kur në të vërtetë ajo shpërfaq, Hapë, Zbulon të vërtetën e Temporales së qeniesimit dhe në të njëjtën kohë Hapë të Vërtetën e – shqiptares – si qeniesim përballë po të njëjtës Temporale në “Lirika mes dy moteve” të Martin Camajt? Gjë që na takon me Hapjen e – shqiptares – si Zë i cili thirr për Vendosmëri drejtë qenesimit.
Andrra e korbit
Mbas shiut korbi i lagun mbërrini
Ndër shkambije të veta.
Mbas shiut ra dielli
dhe zogun e madh e nxente para shpelle
në rrasë.
Tue qitun avull korbi, andrroi ai veten
Mbi maje në qiell pa re
E poshtë ndër pyje nji kingj të vetmuem
Si ‘i herë në rininë e parë.
Dhe ‘i herë porsi dikur
Do njerëz me kapa hekuri n’ lugajë
Të rrëzuem për dhe zogu i zi andrroi
E kthetrat shtrëngoi mbi gur.
Në strofën e parë:
Mbas shiut korbi i lagun mbërrini
Ndër shkambije të veta.
kjo deri këtu është gjuhë, në primordialen e saj të emërimit të gjërave. Mirëpo në vetvete mban premtimin e saj si projeksion i të thënshmes, së një ideje.
Mbas shiut ra dielli
dhe zogun e madh e nxente para shpelle
në rrasë.
edhe kjo është emërim i gjërave. Mirëpo kur e mendojmë përsëritjen e një simboli si Korbi në dy vargjet, atëherë fillon të na bëhet i qartë projeksioni i idesë, apo hapja e projektuar.
Tue qitun avull korbi, andrroi ai veten
Mbi maje në qiell pa re
E poshtë ndër pyje nji kingj të vetmuem
Si ‘i herë në rininë e parë.
Dhe ‘i herë porsi dikur
Do njerëz me kapa hekuri n’ lugajë
Të rrëzuem për dhe zogu i zi andrroi
E kthetrat shtrëngoi mbi gur.
Çka ndodh tash është se kemi ndërthurjen dhe dikotominë e kuptimit/Hapjes, botës, dhe kthimin e gjuhës në emërim të gjërave, në vetëm një emërim të një vepre në natyrë. Në të vërtetë në hermetiken e saj kjo poezi mbyllë Tokën si prejardhje e aletheas.
Ku është zbulesa? “Ëndrra”, “kingji”, “zogu i zi”. “Si herën e parë”, “dhe shtrëngon kthetrat në gur”.
Ky është projektim i të thënshmes, për të thënë, për të dhënë një ide. Por kthimi i fjalëve në primordialen e tyre e antagonizon veten me idenë. Nga kjo krijohet çarja (- rift -), apo differance. Por ka mbetur pa u zbuluar dhe vargu:
Do njerëz me kapa hekuri n’ lugajë
të rrëzuem për dhe zogu i zi andrroi
Ëndërron zogu i zi? Korbi? Atëherë këtu shfaqet e tërë pavendosmëria/differenace ndërmjet Tokës dhe Botës (nocionet e lartë shënuara të Heidegger). Bota nuk hapet/hapet, dhe toka shtynë për kah emërimi, tutje prapa, sepse nëse Korbi – andrroi -, atëherë ëndërroi njeriu! Apo, jo?
Do të thotë kemi një korb të zi që ëndërron pas shiut. Andrron veten, andrron kingjin e vetmuem në male dhe njerëz të vdekur, me “kapa të hekurit”. Andrron mishin e kingjit, të të vdekurve menjëherë pas ekstazës së shiut të ndalur dhe rrezeve të diellit. Sapo është bërë zbulesa – hapja e botës. Andrra e Korbit. Që do të thotë dikotomia e jetës me vdekjen. Apo të jetës që përmban vdekjen përbrenda, duke qitur avull pas shiut nën rrezet e diellit. Është vendosur Bota – hapja dhe zbulesa, e me të ka ardhur edhe toka, primordialja e gjuhës që ka dalë para me simbolin e korbit. E korbi alethea, e vërteta, e papërkufizueshme, apo e panjohur dhe e njohur.
Ku është këtu e pathënëshmja? Në Andrrën e korbit!
Në vdekjen e ndërthurur me jetën. Apo edhe vetë pandjeshmërinë e vdekjes ndaj jetës.
Megjithatë gjuha – Toka tërhiqet, në primordialen e saj. Andrra e korbit është andërr e çdo korbi. Kjo është Toka. Mbetet njeriu, me vrasjet e tij të njëri tjetrit, “me kapa të hekurta të rrëzuem”. Por a është njeriu apo korbi duke andërruar? Këtu fillon differance prapë. A është plakur njeriu, apo korbi. A po i shtrëngon korbi kthetrat në gur, apo njeriu që ka bërë tërë atë masakër. Apo në të vërtetë, kjo është e tëra: masakra e njeriut ndaj njeriut, derisa gjuha tërhiqet në emërimin e gjërave si andrra të çdo korbi.
Këtu mbetet vetëm një zgjidhje: e vërteta. Jo ajo e Korbit, jo ajo e njeriut, por e veprës së artit, kësaj poezie të titulluar Andrra e korbit. Dhe menjëherë e vërteta është e pathënshme, është dikotomi e ndërthurjes së andrrës së korbit me masakrën e njeriut, dhe të Korbit si qenie e pandjeshme ndaj jetës njerëzore. Në këtë menjëherë ngrihet Hapja, Bota vendoset në vetë veprën derisa rrjedhë poezia: nji herë ëndërron si herën e parë një kingj të vetmuen ndër pyje, e pastaj njerëz të vdekur me kapa të hekurta rrëzuar. Iluzion i jetës. Iluzion i andrrës. Iluzioni i vetë poezisë dhe botës, dhe në këtë Bota dhe Toka marrin prapë shtytjet e tyre drejt formimit të tyre dhe të krijimit të vërtetës, hapjes së saj.
Iluzioni apo differance/pavendosmëria?
Nëse kjo është iluzion, e vërteta tërhiqet në mistiken e Korbit, dhe me këtë në emërimin e gjërave, në vetë Tokën. Në këtë nëse kjo është një pavendosmëri ne arrijmë të prekim të vërtetën dhe me këtë jemi dëshmitarë të një bukurie të rrallë, por që tërhiqet menjëherë pas në ëndërr, e kjo në ndërthurje të njeriut me vetë korbin, e kjo në ëndërr.