More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAnxhela Pashaj: Mbi romanin “Tri tavernat”, personazhet e tij dhe të tjera

    Anxhela Pashaj: Mbi romanin “Tri tavernat”, personazhet e tij dhe të tjera

    “Tri tavernat” nga autori Ervin Nezha është një roman pakfaqësh në të cilin rrëfimtari i vendos ngjarjet dhe personazhet e tij në kohën e diktaturës komuniste në një fshat buzë lumit Shkumbin, Tri tavernat. Një rrëfim, i cili fillimisht ndihet të përshkohet nga disa nota ironie dhe tallje, të cilat tjetërsohen në përfundim të tij duke i lënë lexuesit një shije keqardhjeje. Edhe pse rrëfimi të zhvendos në një kohë thuajse të largët, në kohën e diktaturës komuniste, por herë pas here edhe në kohën e harruar të Gjorg Golemit, topika mbetet aktuale. Në një komunitet, në një shoqëri ku jetojnë njerëz me interesa të ndryshme, të cilat prevalojnë kah përfitimi vetjak, edhe vlerat më të mëdha kulturore, si: identiteti kombëtar, historia, arti apo edhe shkenca mund të kthehen lehtësisht në tregti.  

    Tri tavernat është një fshat i padëgjuar, por që në kohët më të herëshme paskësh qenë një pikë fort e rëndësishme për udhëtarët që kalonin nga udha Egnatia. Aksidentalisht në këtë zonë zbulohen disa varre të  mbuluar nga koha, të cilët prishin heshtjen shumëvjeçare të fshatit të Tri tavernave.Varret, të cilat sipas gjykimeve dhe rrëfimeve i përkasin jeniçerëve osman kthehejnë gjallërinë në fshatin e Tri tavernave, thashethemet dhe fantazinë e pafrerë të vendasve. Të uriturit i shohin këto varre si një mundësi për t’i hapur dhe marrë gjithë ç’kanë të çmuar të vdekurit, të lexuarit, si një mundësi për të thelluar dijet e tyre dhe zbuluar më shumë mbi hijet e historisë. Të dyja palët janë në një mendje për hapjen e tyre, për interesa të ndryshme, pa e vrarë fare mendjen se në aktin e tyre mund të ketë ndonjë shenjë përdhosje. Rrëmbejnë kazmat dhe lopatat, hapin shkujdesur varret, marrin ç’ka shkëlqen prej skeleteve dhe i mbulojnë përsëri. Në mbrëmje thurin trille nga më të padëgjuarat në tavernën e fshatit për pasurinë e gjetur në varrezë.

    Midis këtyre dy palëve shfaqet Demir Sulonjaku, i cili herë pas here përmes legjendave që tregon me xhinde, hoxhë e priftërinj tingëllon si zëri i ndërgjegjes dhe moralit duke kumtuar se ajo vërsulje e të gjallëve kah të vdekurit nuk mund jetë një sjellje apo gjykim i shëndoshë. Ata vërtetë ishin të varfër, por a ishte e hijshme të mbaheshin me plaçkat e të vdekurve? Thuaji ishin aq të dëshpëruar sa të plaçkitnin edhe të vdekurit? Apo ishte ajo që Demir Sulonjaku përsëriste edhe në sallën e gjyqit, edukimi i keq?

    Demir Sulonjaku bëhet viktima e parë e njeriut të etur për pushtet, e njeriut të egër, të edukuar keq që nuk sheh askënd përveç vetes së tij. I dënuar nga sistemi apo njeriu? Më shumë ishte ambicja, tinëzaria, ligësia, frika e Myrteza Farukut që e dënoi dymbëdhjetë vjet Demir Sulonjakun. Myrteza Faruku bëri kallëzimin, sajesën e provave dhe shkatërrimin e Demir Sulonjakut. Myrteza Farukut i kërkonin një fajtor (spiun) dhe ai e gjeti më të lehtë t’u sajonte Demir Sulonjakun si të tillë se sa të kërkonte personin e vërtetë, tërësisht i bindur, pa asnjë vrarje ndërgjegjeje, i nxitur edhe nga refuzimi i Kristinës, gruas së Demirit për t’u martuar me të.

    Nga një rrëfimtar i gjithditur na rrëfehet se si Myrteza Faruku, një kryetar mediokër kooperative shfrytëzon atë pak pushtet të tij për të përfituar në kurriz të së shkuarës historike, për të dënuar një të pafajshëm vetëm për të dal i larë para eprorëve të tij, po ky, Myrteza Faruku e përdor pushtetin e tij ndaj Kristinës dhe Irenës vetëm se nuk është aq i zoti sa për të fituar zemrën e asnjërës prej tyre. 

    Një personazh që të kujton disa personazhe si Suat Bej Vërdhoma[1] dhe Xheladin Bej[2], por që  i përket kohës së diktaturës komuniste dhe që me shumë mundësi gjendet edhe në kohën e demokracisë me veshje e tituj të tjerë. Një zgërbonjë bezdisëse që vërtitet nëpër roman dhe bëhet e pamundur t’i shpëtojë neverisë.

    Nga ana tjetër qëndron një personazh tjetër, Kleanth Trushi, një arkeolog i ri nga Tirana, të cilin e nisin të ndjekë gërmimet arkeologjike në fshatin e Tri tavernave. Në dukje një njeri nga ata që mund t’i quash  të ndershëm, idealistë, por që edhe ky shkruhet me disa hije të errëta. 

    Kleanth Trushi është njeriu që nuk lufton mjaftueshëm për të fituar atë që dëshiron apo që mendon se është e drejtë. Një njeri që nuk gjen guxim për të përfunduar asnjë luftë të nisur. Nuk mund t’ia lëmë fajin sistemit politik, diktaturës, komunizmit për dështimin e tij qoftë si arkeolog, qoftë si burrë. Personazhet si Kleanthi kështu do të silleshin në çdo realitet politik. Kleanth Turshi nuk mundi të bindte Komitetin për të vazhduar gërmimet arkeologjike në fshatin e Tri tavernave, jo vetëm se kundërshtari i tij Rasim Holla ishte më me përvojë apo diti të përdorte emrin e diktatorit për të fituar pikë, por se nuk arriti të kuptonte se në një shoqëri si kjo jona, shqiptare e cilësdo kohë qoftë i duhet t’i flasësh në fillim për nevojën e përditshme për mbijetesë e mëpastaj për dije dhe identitet kombëtar.

    Kleanthi nuk gjeti dot as guximin t’i kthente një përgjigje letrave të Irenës, të cilës i dha një mal me premtime. Edhe pse rrëfimtari ndihet të ketë një simpati për këtë personazh, ai nuk i mbulon veprimet dhe ndjenjat e Kleanthit. Pas takimit me profesor Petrelën, Kleanthi nxjerr letrën e Irenës nga xhepi dhe e hedh në liqen, me zhdukjen e letrës në ujë ai ndihet më i lehtësuar. Thuaj gjithë ndjenja që kishte për Irenën të tretej sikurse ajo letër, apo nuk ishte aq e fortë?

    ‘’Ishte një letër që i rëndonte shumë. E lexoi edhe një herë në heshtje, për të fundit herë, pastaj e hodhi ashtu shpenguar mbi liqen. U ul në një trung lisi të pinte një cigare dhe vështrone letrën. Ajo u njom, u rëndua dhe po zhytej ngadalë brenda liqenit. Ndërsa ai e vështronte i qetë, derisa ajo humbi fare. Vetëm atëherë Kleanthi u ndje i lehtësuar, melankolia iu largua dhe u nis drejt shtëpisë.’’

    Nuk mund të lihet pa vënë në dukje edhe mënyra se si dy figurat femërore, Kristina dhe Irena janë shkruar dhe është rrëfyer për to. Janë dy personazhe kaq të ndryshëm dhe kaq larg realitetit të sotëm shqiptarë, ndoshta edhe komunist. Duket sikur vijnë nga një realitet tjetër kohor, shumë i largët. Sa herë ato shfaqen nëpër rreshtat e romanit duket sikur takohesh me Rinën[3], të brishta, të bukura, të hyjëshme. Qysh të dyja njihen me Myrteza Farukun, një djall i pashoq që sapo shihte një ëngjëll në horizontin e tij të vështrimit shndrrohej në një grabitqar tinzar dhe thurte lloj-lloj grackash deri sa preja të binte në duart e tij.

    Në ndryshim nga Irena që mbetet pa zgjidhje për të ardhmen dhe e zhgënjyer nga dashuria, Kristina shfaqet më e guximshme, më e gjallë, më e vendosur. Në gjithë morinë e personazheve,  Kristina është më e realizuara. Kristina, pavarsisht se është në një lidhje jashtëmartesore me Myrteza Farukun nuk jepet hipokrite ndaj të shoqit Demir Sulonjakut, përkundrazi ajo ka guximin dhe ndershmërinë t’ia pohojë se nuk e dashuron. Kur haset me reagimin e Demir Sulonjakut, që në botën e letërsisë është parë nga Karenini[4], nuk ndihet vetëm fajtore për tradhëtinë ndaj të shoqit, por kupton se ai nuk e meriton poshtërimin, tradhëtinë.

     Kur Demir Sulonjaku arrestohet ajo nuk heziton për t’i kërkuar Myrteza Farukut që ta ndihmojë, cilido të ishte çmimi, por kur Myrteza Faruku i kërkon që të dëshmojë kundra të shoqit, Kristina shfaqet aq e guximshme sa për të refuzuar dhe zgjedhur të qëndrojë krah atij që e quajnë tradhëtar të atdheut. Ajo zgjedh t’i jetë besnike të shoqit që nuk dashuronte, zgjedh t’i jetë besnike të vërtetës, të drejtës dhe të shoh fytyrën e vërtetë të Myrteza Farukut dhe gjithçka ai përfaqësonte. Fjalët e saj ‘’Harbut…Kriminel i ndyrë’’ shprehin neverinë e saj për burrin me të cilin kishte tradhëtuar të shoqin, por edhe përbuzjen për Myrteza Farukun si qënie njerëzore.

    Përtej mënyrës se si janë ndërtuar personazhet, se si bëhet rrëfimi i ngjarjeve nga një rrëfimtar i gjithditur dhe gjuhës së pasur me frazeologji, e përzgjedhur me kujdes e cila është në koherencë të plotë me mjedisin rural ku ngjizen ngjarjet, por edhe me botëkuptimin e fushën e të menduarit të personazheve që lëvizin në roman. Pra, kemi të bëjmë me një komunitet fshatarësh, të cilët nuk kanë njohje shkencore apo kulturore andaj edhe gjithë pasuria e tyre gjuhësore është frazeologjia, e cila gjallon mes vulgut, popullit. Pikërisht kjo gjuhë e bën të mundur që çdo lexues t’i avitet romanit me lehtësi.

    Po ashtu mbetet interesante kryqëzimi i ndodhive të së shkuarës me të tashmen e ngjarjeve të romanit. Rëfimtari nuk harron të rrëfejë legjenda për Gjorg Golemin dhe bëmat e tij, madje pjesa më e madhe tyre vërtitet rreth tradhëtisë së kryer ndaj tij dhe ndëshkimit të dhënë tradhëtarit. Tradhëtari nuk meriton të ketë as varr dhe me sa kuptohet ky është një besim i ngulur thellë në mendjen dhe shpirtin e shqiptarit. Duket sikur tradhëtitë e të dy kohëve vendosen përballë njëra-tjetrës jo për të parë se si ndëshkohet tradhëtari, por se sa qesharake bëhet konceptimi i saj nga njerëzit e quajtur si të civilizuar.

    Tradhëtia endet në të gjitha kohët dhe mbetet një akt i pafalshëm si në kohën e Gjorg Golemit, ashtu edhe në atë të Demir Sulonjakut. Në kohën e Gjorg Golemit ajo bëhet vdekja e mijëra të pafajëshmve, ndërsa në kohën edhe më të errët të Demir Sulonjakut bëhet frikë, terror, gjymtim shpirtëror dhe denigrim i qënies njerëzore.


    [1]  Personazh në veprën ‘’Lumi i vdekur” nga Jakov Xoxa.

    [2]  Personazh në veprën  “Vjeshta e Xheladin Beut” nga Mitrush Kuteli.

    [3]  Personazh në veprën  “Këngët e Milosaos” nga Jeronim de Rada.

    [4]  Personazh në veprën “Ana Karenina” nga Tolstoi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË