More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAnxhela Pashaj: Mbi “Saga e Sarajevës” të Stefan Çapalikut

    Anxhela Pashaj: Mbi “Saga e Sarajevës” të Stefan Çapalikut

    “Saga e Sarajevës” është romani më i fundit i autorit  Stefan Çapaliku. Një rrëfim tërheqës për një familje shkodrane e drejtuar nga një vejushë, e cila ikën, largohet, arratiset nga Shqipëria e pas Luftës së Parë Botërore me ndihmën e një austro-hungarezi drejt qytetit Klagenfurt, Austri, por për një apo dy arsye përfundon në qytetin e Sarajevës, si dhe një shkrimtari që përpiqet në kohët e sotme të bjerë në gjurmë të parardhësve të tij.

    Rrëfimi nis nga ditët e sotme prej një shkrimtari, Lekës, i cili shkon në Sarajevë në një rezidencë, që në të vërtetë është një apartament gjysmak pa kushtet më minimale që i duhen një njeriu për të jetuar, qoftë edhe për pak muaj. Me mendjen se në Sarajevë do t’i vijë frymëzimi për të shkruajtur diçka të bukur, por edhe me kallëzimet nga i ati se në Sarajevë familja e tyre ka të afërm, Leka nis të kërkojë për ndonjë gjurmë të pranisë së tyre në qytet duke pyetur pothuajse çdokënd për mbiemrin Cukali, që duhet thënë se askush nuk e ka dëgjuar.

    Në roman gërshetohen rrëfimet e dy personazheve, Lekës, shkrimtarit dhe Mikel Cukalit, i cili është një nga anëtarët e familjes shkodrane që arritën në Sarajevë. Të dy rrëfimet shkojnë përkrah njëri-tjetrit duke mos i lejuar lexuesit të zbulojë gjithçka përnjëherë, por gradualisht.

    Mikel Cukali e nis rrëfimin e tij qysh fëmijë duke kallëzuar gjithë çka syri dhe mendja e tij prej fëmije sheh dhe kupton, duke e vazhduar në adoleshencë dhe duke e përfunduar përmes disa letrave drejtuar të ëmës në Sarajevë, pasi fati dhe lufta e kthyen përsëri në Shkodër duke lënë për të kuptuar se ai nuk pati mundësi të kthehej më asnjëherë në Sarajevë pranë familjes së tij.

     Nga ana tjetër, përmes rrëfimit dhe hulumtimeve të Lekës, shkrimtarit, zbulohen pasazhe të tjera të sagës së familjes Cukali në Sarajevë. Shfaqen emra të tjerë, mes tyre njëfarë Zoran Cukali, i cili gjendet në varrezat e Sarajevës.

    Të dy rrëfimet, si ai i Mikelit dhe ai i Lekës takohen në fund të romanit duke na shokuar me zbulimin që bëhet, se ata janë ose mund të jenë i njëjti person. Loja janë apo nuk janë i njëjti person luhet përgjatë gjithë romanit, mirëpo lexuesi zgjedh të pres deri në një moment final ku gjithçka  zbulohet. 

    “Dhe më në fund eureka. Zemra filloi të më rrihte fort dhe frymëmarrja m’u rëndua së tepërmi. Po. Ja atje. Atje qe një varr i madh, me një muranë vertikale të ndarë në tre pllaka mermeri, ku qenë shkruar disa emra: Elisabeta, Luka dhe Gaspri. Mungonte veç motra dhe natyrisht unë. Mungoja unë sepse… Por është ende herët t’jua them sepse mungoja unë..”. – Kjo na pohon se Leka, shkrimtari është pikërisht Mikel Cukali. Pikërisht ky zë, zëri i Lekës që rrëfen “Mungonte veç motra dhe natyrisht unë. Mungoja unë sepse… Por është ende herët t’jua them sepse mungoja unë..” na rrëfen edhe “Nxora nga xhepi celularin dhe bëra një fotografi varrit dhe pastaj edhe dy – tre të tjera. Mandej iu luta edhe varrmihësit të më bënte një foto i mbështetur mbi varrin familjar. Një foto që më duhej t’ia nisja tim eti në Shkodër, për t’i thënë se, në pamundësi të gjej të gjallët, të paktën kam gjetur të vdekurit.” Kjo na rikthen në realitetin se ata të dy, Leka dhe Mikeli  nuk janë i njëjti person, e ndoshta nuk kanë se si të jenë.

     Në letrat që Mikeli i dërgon të ëmës, mes rreshtave që rrëfejnë për jetën e tij në Shkodër, qytetin, luftën dhe politikën në Shqipëri tregohet se, ajo është personi i fundit i familjes me të cilën ai ka ende mundësi të komunikojë. Ka humbur lidhjet me vëllezërit dhe motrën e tij duke mos ditur se si ata e kanë jetuar kohën e luftës.

    Në këto letra ndihet dhimbja për ndarjen e tyre, vetmia dhe premtimi se së shpejti do të mund të takohen. Nuk duhet shumë për të kuptuar se ata nuk e patën mundësinë e një takimi dhe është pikërisht ai premtimi, që lundron nëpër letrat e tij, ajo besa e famshme se ai nuk do ta linte të ëmën vetëm, se do të kthehej pranë saj. 

    Përballja dhe përngjasimi (loja janë apo nuk janë i njëjti njeri) mes Mikelit dhe Lekës mund të jetë për shkak të idesë së fjalës së dhënë, besës. Në arealin letrar, folklorik shqiptar elementi i besës është shumë i hapur, mjaftojmë të kujtojmë Konstandinin që ngrihet nga varri për të mbajtur besën, pra në botën e trillit e fantastikes siç është ajo e letërsisë nuk është e çuditshme dhe e pabesueshme që brenda Lekës (emri i ngjashëm me atë të krijuesit të Kanunit ku përmendet Besa) të gjendet edhe një copë shpirt nga Mikel Cukali. Fjala e dhënë për të gjetur të afërmit e tij dhe për t’ju bashkuar atyre duket se torturon Mikelin, por edhe Lekën. Ai, Leka nuk tundet pa zbuluar diçka për të afërmit e tij. Vetëm kur zbulon dhe kupton gjithçka që ka ndodhur, nën premtimin dhe kërcënimin e një bese 24 orëshe largohet nga Sarajeva.

    Është interesante se si gjuha me të cilën rrëfen Mikeli është kaq ndryshe nga ajo e Lekës. Në rrëfimin e Mikelit mbizotëron qetësia, çka ai rrëfen duket se ka kaluar dhe nuk e shqetëson më, është diçka e largët, një kujtim. Koha për të cilën ai rrëfen është e largët, gati historike. Mes rrëfimit të sagës së familjes së tij gjen edhe rrëmujën gjuhësore të kohës së luftës, prezenca e gjermanishtes dhe italishtes, si dhe një shqipeje të izoluar.

    “I afrohem një cope të madhe kartoni në të cilin është shkruar në dy gjuhë: “Wir tauschen Weizen, Mais und andere Lebensmittel gegen Goldnapoleons. Befehl./  Shkëmbejmë grurë, misër dhe ushqime të tjera me napolona ar. Komanda.”

    Ndërsa rrëfimi i Lekës është i shpejt, i rrëmujshëm, plot ankth, frikë, shqetësim. E ardhmja e tij është e pasigurt, herë pas here nuk është një rrëfim ngjarjeje, por një monolog i gjatë ndjenjash, emocionesh, mendimesh e mundimesh. Në rrëfimin e sagës së tij të kërkimit gjendet globalizmi, anglishtja një lingua franca e fuqishme dhe tek-tuk një sllavishte e çalët duke qenë se të gjithë personazhet lëvizin në Sarajevë.

    “Prit këtu thoshte, kur e ndjente se frymëmarrja ime po rëndohej. Wait. Wait here! Dhe i jepte këmbëve të veta si të qe lepur.”

    Nga ana tekstore në romanin “Saga e Sarajevës” gjenden të qepura disa tekse për të realizuar rrëfimin, monologjet e Lekës të cilët mund të performohen në skenë teatri, pasazhe nga procesverbalë gjyqesh, pasazhe nga “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, letra dhe fraza nga tekste të tjera letrare dhe joletrare. 

    Në romanin “Saga e Sarajevës” një personazh shumëngjyrësh është qyteti i Sarajevës. Një qytet ku duket se bashkëjetojnë popuj, raca, besime dhe kultura të ndryshme që shohin njëri – tjetrin me inferioritet. Boshnjakë mysliman, kroatë katolikë, serbë ortodoksë, hebrenj dhe arumunë. Një qytet, i cili dashuron dhe urren. Një qytet që nuk harron. Krenar. Muret e ndërtesave të këtij qyteti janë të çpuara nga plumbat e artilerisë serbe. Sarajeva ja tregon të gjithëve se cilët kaluan nëpër të dhe sa brutal ishin këta kalimtarë.

    Ata që bëjnë e janë Sarajeva, çka nuk kanë mundur ta ndajnë në të gjallë, tokën ku jetojnë së bashku, duket se kanë arritur ta ndajnë në anën tjetër. Nëse s’kanë mundur ta pranojnë njëri –tjetrin në të gjallë, nuk duket se janë të aftë ta pranojnë as në vdekje.Varrezat e këtij qyteti janë një Guernika e frikshme. Një luftë dhe një shkatërrim që vazhdon edhe në përtej botë. Të vdekurit varrosen në parcelën e caktuar në bazë të besimit fetar që ata kanë, i cili  dëshmon edhe nacionalitetin e të vdekurit apo vdekurve, myslimanët sa më larg ortodoksve,  një  shenjë mërie e gjatë mes popujve dhe një diversiteti që fle e zgjohet në  Sarajevë.

    Në diversitetin fetar dhe kulturor të Sarajevës shfaqet edhe një nuancë shqiptare, Besa. Fillimisht prej fjalëve të nënës së Mikelit, e cila e këshillon familjen hebreje ku ajo dhe familja e saj ka gjetur strehë, të niset dhe gjejë mbrojtje në Shqipëri, aty ku besa është një nyje e fuqishme që i mban njerëzit të lidhur së bashku dhe të sigurt. Besa shfaqet edhe në kohët moderne, në jetën e Lekës. Besa 24 orëshe, e cila e drithëron doemos duke mos ditur as se kush ja ka dhënë dhe pse. Mbi të gjitha ai nuk i gjen dot një shpjegim, se çfarë ajo është, si ka mundësi që në kohë si këto të sotmet të vazhdojë të aplikohet. Megjithatë, forca qindra vjeçare e saj dhe  të gjitha brezënitë e fshehura në genet e tij e sinjalizojnë të reagojë. Besa, kjo plaçkë e shqiptarit që duket se mund ta marrësh me vete gjithkund shfaqet në roman me dy anë. Në fillim është diçka pozitive, e mirë është mbrojtje, siguri, jetë ndërsa në fund merr një fytyrë tjetër duke u shndrruar në frikë, pasiguri, vdekje.

    “Unë sigurisht që di diçka se çfarë ka dashur të thotë dikur Besa, por tani nuk di më asgjë. Nuk e kuptoj as unë vetë. Prandaj të lutem ndoshta nuk është e mira të më thërrasësh policinë, por të më gjesh një rrugë që të iki prej këndej gjallë. Më duhet të iki prej këndej i sigurt.”

    Në morinë e të gjitha anëve të bukura dhe të shëmtuara që rrëfehen në këtë roman, një ndalesë që duhet bërë janë letrat e Mikelit për nënën e tij. Kthehemi përsëri te leximi i këtyre letrave pasi janë pjesa më emocionale në të gjithë romanin. Letrat janë një ndalesë e shkurtër pas një vrapi të shpejt leximi të të gjitha peripetive që gjallojnë nëpër faqet e romanit. Është momenti kur Mikeli nuk është më një burrë që duhet të mbajë përgjegjësi të mëdha, por një fëmijë që i mungon nëna e tij. Ku i mungon shikimi i saj, dora e saj, fjala e saj, dashuria e saj. Ai i drejtohet të ëmës me fjalët e dashur nëna ime, e shtrenjta nëna ime, e bukura nëna ime, e mira nëna ime, fjalë zemre që dëshmojnë për një dashuri dhe mall të madh.

    Nga ana tjetër ndihet diçka edipiane në lidhjen mes tyre, e cila shkërmoqet me kalimin e kohës duke marrë formën e një marrëdhënie tipike nënë – bir ala shqiptare ku shkëputja mes tyre bëhet e vështirë dhe e dhimbshme. Mikeli nuk është vetëm personazhi Sagës, ai është edhe narratori i saj. Në rrëfimin e tij ka shenja të xhelozisë, frikës se mos nënën e tij ja marrin burra të tjerë. Në takimin në bar “Zurük zum Frano” në Shkodër me oficerin Jozef, ai na rrëfen se sa e bukur dukej nëna e tij, se si e ruan, se si i shkon pas, se si në fund të mbrëmjes pas përshëndetjes të së ëmës me oficerin Jozef, ai i lëshohet për t’i përqafuar gjunjët, si një lutje për të mos ikur me tjetrin. Një pjesë mund të jetë frika e fëmijës, megjithatë me të atin e vdekur dhe dy vëllezër binjakë, ky fëmijë mashkull është më pranë të ëmës. Ndjenja komplekse ngjallet në adoleshencë, jo si xhelozi, por si faj. Ai nis të ketë pëlqim dhe të pretendojë të dashurojë vajzën e vogël të z. Blum, Adinën, për të cilën nuk ka guxim t’i rrëfejë të ëmës. Nga lind kjo mungesë guximi? A mos ndihet në faj se vendin e nënës së tij po e zë një figurë tjetër femërore? 

    Nga ana tjetër na tregohet se e ëma e zbulon këtë ndjenjë të tij dhe hesht, vetëm hesht. Nuk na tregohet pse ajo vendos të heshtë. A hesht ajo se ndoshta nuk i pëlqen që i biri dashuron një grua jo katolike? A mos vallë kupton se të gjithë fëmijët do t’i largohen dhe do të mbetë e vetme?

    Duhet thënë se kjo grua, kjo vejushë nuk është një grua e zakonshme, e pakënduar. Ajo shkruhet nga autori me përzemërsi, jo si grua, por si nënë. Ajo harron të jetë grua. Bëhet grua vetëm njëherë gjatë gjithë rrëfimit, më pas jepet si nënë. Një nënë që tregohet e guximshme kur sheh se fëmijët e saj mund të vdesin urie në Shkodër dhe merr guximin të ikë, të arratiset. Një nënë që tregohet e vendosur për të mbijetuar edhe në Sarajevë duke u ofruar për të punuar në shtëpinë e z. Blum si shërbyese. Një nënë që ka vetëm një dobësi, fëmijët e saj. Ajo nuk është gati të qëndrojë larg fëmijëve të saj, megjithatë mëson t’i lërë ata të ndjekin udhën e tyre. Në fillim me të bijën që e nis për studime në Paris pastaj me dy djemtë e saj dhe në fund me Mikelin, këtij të fundit duke i dhënë edhe një detyrë për të realizuar, të përcjellë dhe ruajë familjen e z. Blum.

    Vlen për t’u vënë në pah se ajo, nëna, që përmendet gjatë gjithë rrëfimit sikurse edhe motra nuk kanë një emër të përveçëm, ndoshta sepse rrëfimi bëhet nga një familjar dhe për të ato janë nëna dhe motra. Megjithatë mbetet edhe një kënd tjetër për interpretim, (me shumë mundësi emri i saj (i nënës) është Elisabeta nisur nga ajo çka shkruhet në pllakën e varrit)  duke qenë se ato janë femra, sikurse nënkuptohet edhe në krye të romanit nuk bëjnë pjesë në pemën gjenealogjike. Pse? Sepseja gjendet në rrënjët e thella të patriakatit dhe kanunit, të cilat autori nuk synon t’i manipulojë, tjetërsojë me pak fjalë na i servir sikurse ato janë, të thella. 

    Ai, autori e jep figurën e gruas me ngjyrat e realitetit të kohës së pas Luftës së Parë Botërore në Shqipëri, ashtu të paemër, pa identitet, pa përkatësi mirëpo edhe duke i mveshur guxim, feminitet  dhe aftësi në vendim – marrje. Elisabeta, grua dhe nënë e gjen një mënyrë për të mbijetuar dhe mbrojtur fëmijët e saj. Elisabeta nuk shfaqet e frikësuar, në mëdyshje apo e penduar për çka mund të ketë dhënë për të siguruar familjen e saj. Për Elisabetën, familja (fëmijët) është atdheu i saj, është qendra e botës.

    “Tashti që ngela pa fëmijë, më duket se mbeta edhe  pa atdhe, kështu i tha një mbrëmje nëna ime zotit Blum, pikërisht të nesërmen e ditës kur u kthyem nga Beogradi.”

    Në gjithë rrëfimin e kësaj sage nuk qëndrojnë peripecitë e personazheve të saj nëpër Ballkan, “Saga e Sarajevës” i mëshon fort familjes, lidhjeve familjare, kërkimit dhe gjetjes së saj si një nevojë e njeriut për të qenë, për t’u socializuar, fillimi i gjithçkaje nis aty në familje, aty mësohet dashuria, identiteti, përkatësia, bashkësia. Fijet e fatit mund të kryqkëmbehen në format më të çuditshme dhe të prodhojnë ndarjet më brutale, të cilat padyshim lënë shenja të pashlyeshme te njeriu, megjithatë njeriut i mbetet të jetojë me të gjitha shenjat e përftuara. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË