Në tetor të vitit të kaluar isha i ftuar për disa leksione në Katedrën e Gjuhës Shqipe dhe Qendrën e Studimeve Albanologjike në Universitetin e Gjuhëve të Huaja në Pekin. Sigurisht si sinolog, takimet me kolegët albanologë kinezë, janë gjithmonë sa emocionues, aq edhe të frytshëm, përfitues, një rast i mirë për të shkëmbyer mendime e përvoja, për të hedhur ide e thurur projekte për forcimin e shkëmbimeve kulturore, studimore, akademike, letrare, etj. Por ajo që për mua ishte befasuese dhe mbresëlënëse, që tejkaloi njohjet e mia për këtë katedër, ishte puna e jashtëzakonshme që bëhet aty jo vetëm në drejtim të mësimdhënies së gjuhës shqipe, por edhe të studimeve të gjithanshme në fushën e albanologjisë, nga një staf i mrekullueshëm nën drejtimin e albanologes së njohur Ke Jing, ose Gjina siç e thërrasin shqiptarët. . Pa asnjë dyshim kjo katedër është kryeqendra e albanologëve dhe albanofonëve të Kinës.
-Katedra e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit (BFSU) është themeluar në vitin 1961. Me një ndërprerje të shkurtër në vitet 1980, ajo e vijon veprimtarinë mësimdhënëse dhe kërkimore prej më se 65 vjetësh. Kjo katedër është qendra më e rëndësishme universitare dhe akademike në gjithë Azinë. Gjatë këtyre dekadave të punës së saj, ajo ka formuar dhjetëra breza njohësish të shqipes, nga të cilët kanë dalë përkthyes, albanologë, studiues, gazetarë dhe diplomatë të njohur, që kanë punuar e punojnë në institucione qendrore shkencore-kulturore në Kinë dhe jashtë saj. Profesorati dhe studentët e formuar nga kjo katedër dhe bashkëpunëtorët e saj kanë luajtur një rol themelor për njohjen e vijueshme të gjuhës, kulturës, letërsisë dhe vlerave të qytetërimit shqiptar në Kinë. Aktualisht në Katedrën e Gjuhës Shqipe studiojnë 25 studentë, në tri nivelet, bachelor, master dhe doktoraturë. Nga viti 2017, pranë këtij Universiteti, në kuadër të Katedrës së Gjuhës Shqipe, funksionon edhe Qendra e Studimeve Albanologjike, të cilat , të dyja së bashku kanë kontribute të spikatura në disa drejtime të punës kërkimore shkencore, si studime monografike, hartimin dhe botimin e disa fjalorëve, në fushën e përkthimeve, në hartimin teksteve mësimore, të studimeve akademike etj.
Në fushën e studimeve monografike, do të veçoja “Katër të tjerët në Veprën e Kadaresë”- Studim mbi identitetin kombëtar shqiptar, të Prof. Dr. Ke Jing, një studim mbi identitetin kombëtar shqiptar “, sjell një tezë ku ndërthuret letërsia, antropologjia, me nacional-komunizmin, dhe për të cilën profesor Shaban Sinani shprehet se, duke analizuar Katër të tjerët, “Ke Jing kërkon rrënjët e identitetit shqiptar përmes pasqyrës, dhe kjo pasqyrë është vepra e Kadaresë. Kjo vepër e ofron tjetrin në pamje që ndryshojnë, ashtu siç ndryshon vetë identiteti”. Sipas autores, “Kadare mendon se identiteti nuk ndryshon dhe ne kemi identitet evropian dhe kjo përputhet me vizionin që ai ka për të ardhmen e shqiptarëve. Në veprat e tij, shprehet albanologia, “identiteti ka qenë gjithmonë i pranishëm si një temë qendrore. Identiteti mund të ndërtohet apo rindërtohet. Kadare ka qenë një figurë shumë e rëndësishme, sidomos nga pikëpamje letrare, për të orientuar popullin shqiptar në identifikimin e tyre”.
Gjithashtu një vepër me mjaft vlera informuese e studimore jo vetëm për lexuesin kinez, është edhe “Studime mbi Kulturën dhe Arsimin në Shqipëri”, me autorë Profesoreshë Chen Fenghua dhe Profesoreshë Jin Qiao, një botim i plotë që synon të japë për lexuesit kinezë një pasqyrë të përgjithshme për historinë, shoqërinë, kulturën e arsimin në Shqipëri, gjendjen aktuale dhe perspektivat. Në kapitullin e parë dhe të dytë të kësaj vepre, me anë të materialeve të detajuara nga burime të sigurta të dorës së parë, jepet një përshkrim i përgjithshëm i mjedisit gjeografik të Shqipërisë, sistemit shtetëror, jetës sociale, historinë, traditat e zakonet si dhe kontekstin historik të zhvillimit të arsimit në Shqipëri. Ndërsa kapitujt e tjerë i kushtohen tërësisht çështjeve të arsimit.
Një kontribut i jashtëzakonshëm i Katedrës së Gjuhës Shqipe janë një numër fjalorësh dy gjuhësh, të cilët mund të them se janë të vetmet botime serioze në këtë fushë si në Kinë ashtu edhe në Shqipëri. Do veçoja këtu Fjalorin Shqip-Kinezisht dhe Kinezisht Shqip, hartuar nën drejtim shkencor të profesoreshë Ke Jing, “Fjalorin Diplomatik shqip-kinezisht dhe kinezisht- shqip”, të Profesoreshë Xiao Guifen, Fjalori me ilustrime “Shqip-kinezisht , kinezisht –shqip”, nga profesoreshë Jin Qiao, “Fjalë të urta nga gjuhët e vendeve të Evropës qëndrore e lindore”(Pjesa për Shipërinë), nga Jin Qiao.
Gjithashtu është në procesin e hartimit edhe një fjalor tjetër i madh me mbi 80 mijë fjalë, një vepër tjetër fryt i punës serioze, shkencore e të palodhur, të profesoreshë Ke Jing dhe bashkëpunëtorëve të saj, si albanologu i shquar Zheng Enbo, profesoreshë Chen Fenghua, e të tjerë. Edhe më parë ka pasur përpjekje sporadike për hartimin e fjalorëve dygjuhësh, por fjalorët mësipërm janë të vetmet botime të vërteta e të plota shkencore.
Katedra dhe Qendra e studimeve albanologjike është dalluar edhe në fushën e përkthimit të autorëve shqiptarë në kinezisht. Kështu veçojmë romanet “Aksidenti”, i Kadaresë, “Hoteli i Drunjtë” i Diana Çulit dhe “Otello, Arapi i Vlorës” i Ben Blushit, përkthyer nga Chen Fenghua.
“Enciklopedi e shkurtër e historisë dhe e trashëgimisë së Shqipërisë”, përkthyer nga Ke Jing dhe profesoreshë Ma Sai.
Veprimtaria shkencore e Katedrës së Gjuhës Shqipe shtrihet edhe në fushën e përgatitjes së teksteve mësimore universitare, ku veçojmë “Gramatika praktike e shqipes”, me autorë Ke Jing dhe Chen Fenghua, “Kurs dëgjimor i gjuhës shqipe”, nga Chen Fenghua dhe Ruzhdi Stringa, “Kur i gjuhës së folur shqipe”, nga Ke Jing, etj.
Ndërkohë me ngritjen e Qendrës së Studimeve Albanologjike, Katedra e gjuhës shqipe është angazhuar gjerësisht në një veprimtari të mirëfilltë studimore shkencore mbi Shqipërinë dhe botën shqiptare në tërësi, e cila ka rezultuar me botimin e një sërë artikujsh e analizash mjaft interesante, me vlera të rëndësishme studimore për tema të veçanta të albanologjisë. Do të veçoja këtu disa studime për veprën e Kadaresë si, “Personaliteti i personazheve kryesore në “Prilli i thyer” dhe “Çështja e Kosovës në veprat e Ismail Kadaresë” nga Prof. Ke Jing, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” në median kineze”, nga Chen Fenghua apo “Interpretimi i emrave në veprat e Kadaresë”, nga Ma Sai.
Përmendim gjithashtu edhe “Përmbledhje vjetore e Letërsisë Shqipe” (2016-2022) dhe “Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri dhe Kinë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, shkruar nga profesoreshë Ma Sai, studimet fetare “Kombi shqiptar dhe sekti mysliman-bektashi (2013), Toleranca fetare në kulturën shqiptare dhe kineze”(2017), nga profesoreshë Jin Qiao, disa artikuj të profesoreshë Chen Fenghua për filmat shqiptarë dhe ndikimin e tyre në Kinë gjatë viteve 60-70 të shekullit të kaluar, të tillë si “Spektatorët kinezë të filmave shqiptarë të viteve 60-70: Shembull “I teti në bronz”, “Përkthimi i filmave shqiptarë: me referencë “Ngadhënjim mbi vdekjen” dhe “Horizonte të Hapura” dhe “Mbi ndërveprimin mes shoqërisë kineze dhe filmave artistikë shqiptarë në vitet 60-70”, apo studimet kulturore si “Familjet dhe martesat në Shqipëri”, nga Xiao Guifen, “Prejardhja e simbolit “shqiponjë” të shqiptarëve” dhe “Besa” në kulturën tradicionale shqiptare”, nga Chen Fenghua.
Nuk mund të lë pa përmendur këtu edhe dy nisma tepër të rëndësishme të Katedrës së Gjuhës Shqipe të BFSU, krijimin e portalit “Syri i Kaltër”, nga Qendra e Studimeve Albanologjike, në të cilin publikohen rregullisht informacione të gjithanshme për Shqipërinë, por edhe studime shkencore, shkrime e analiza politike, duke luajtur një rol dashamirës për promovimin e imazhit të Shqipërisë në Kinë.
Një tjetër nismë është projekti universitar “Shqip plus”, që synon orientimin e studimeve drejt gjuhëve të tjera të Ballkanit përmes shqipes.
Po kështu me kujdesin e katedrës dhe punën e saj, rreth 60 personalitete shqiptare zënë vend në Enciklopedinë e Kulturës Kineze.
Duhen vlerësuar gjithashtu edhe marrëdhëniet e ngushta që Katedra e Gjuhës Shqipe të BFSU ka me Akademinë e Shkenca dhe disa Universiteti në vendin tonë, si dhe shkëmbimet akademike mes institucioneve. Profesorë të nderuar si Emil Lafe, Floresha Dako, Rexhep Ismajli, Shaban Sinani, etj janë ftuar për kurse leksionesh në Katedër, ndërkohë që albanologë kinezë si Prof. Ke Jing, Prof. Chen Fenghua, etj kanë marrë pjesë në konferenca shkencore të organizuara nga Akademia e Shkencave dhe institucione të tjera, kushtuar çështjeve të kulturave e qytetërimeve në Ballkan. Prof. Dr. K Jing vitin e kaluar u pranua si anëtare e jashtme e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Dhe përpos gjithë kësaj veprimtarie të frytshme mësimore, studimore e akademike, vlen të përmendet edhe kontributi i stafit të pedagogëve të kësaj katedre për zbatimin me sukses të Programin të përkthimit dhe botimit të ndërsjelltë të autorëve shqiptarë e kinezë në vendet respektive, program i nënshkruan në vitin 2015, për zbatimin e të cilës u angazhuan disa shtëpi botuese në Shqipëri dhe Shtëpia botuese FLTRP (Foreign Language Teaching and Research Press), pranë Universitetit të Gjuhëve të huaja BFSU si dhe një grup ekspertësh kinezë e shqiptarë. Tani pas gati 10 vjetësh, falë këtij programi janë botuar mbi 20 libra të autorë kinezë, një pjesë e mirë e të cilëve, për herë të parë kanë ardhur në gjuhën shqipe të përkthyer drejtpërdrejt nga origjinali, të tillë si dy romane të shkrimtarit nobelist, Moyan “Bretkosa” dhe “Klani i Sorgumit të Kuq”, dy romane të shkrimtarit tjetër të njohur Yu Hua “Të Jetosh” dhe “Njeriu që shet gjak”, si dhe veprat filozofike “Dao De Jing”, “Analet- Lunyu” të Konfucit, “Konceptet bazë të mendimit dhe Kulturës kineze”, vepra klasike “Ëndërr në Pallatin e Kuq”- Hongloumeng, “Kultura tradicionale kineze”, e shumë libra të tjerë, si dhe janë shtuar botimet e autorëve shqiptarë në Kinë. Kështu përveç një numri të konsiderueshëm të veprave të Kadaresë dhe disa veprave të Dritëro Agollit, janë përkthyer dhe botuar drejtpërdrejt nga gjuha shqipe edhe “Përralla të Moçme Shqiptare”, “Otello, Arapi i Vlorës”, “Shqipëria përmes Artit”, “Guidë mbi Historinë e Shqipërisë dhe Trashëgiminë Kulturore Shqiptare”, ndërkohë këtë vit pritet të publikon edhe “Këngët e Milosaos”, “Vargje të Lira”, “Rrëfenjë me Ndërkombëtarë”, etj.
Prej më shumë se gjashtë dekadash, Katedra e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja në Pekin, vazhdon të jetë promotore e promovimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare në Kinë.