Duke u marrë prej vitesh me figurën e një prej ushtarakëve-stratiotëve më të njohur arbërorë në fushat e betejave, në frontet e Europës mesjetare, Mërkur Buan, në një nga Arkivat italiane gjetëm dokumentin e plotë të poemës dedikuar atij, shoqërua nga një numër akuarelesh me mjaft vlerë për këtë kondotjer të famshëm. Nuk do të flasim këtu për kronikën e bëmave dhe betejave të shumta që Mërkur Bua zhvilloi në frontet e luftërave, as për trofetë dhe famën e madhe që ai arriti në kapërcyellin e shekujve të XV-XVI. Për këto e shumë të tjera do të flasim në një botim tjetër të afërt.
Ajo që na shtyu në hartimin e këtij shkrimi ishte fakti befasues që hasëm në Arkivat Italiane, për Autorin e poemës biografike kushtuar stratiotit arbëror. Ai quhet Xhane nga qyteti i Koronit në More. Kështu e ka identifikuar ai vetvehten në shkrimet që ka lënë. Një luftëtar arbëror në radhët e reparteve të komanduara nga Mërkur Bua dhe njëkohësisht një kronist, poet por edhe piktor i pa identifikuar gjer më sot si i tillë.
EMIGRIMET E ARBËRORËVE NGA MOREJA NË TERRITORET ITALIANE
Mbasi territoret ballkanase dhe ato të Greqisë ranë nën pushtimin Osman, ashtu sikundër nga territoret e Arbërisë, edhe nga territoret helenike morën rrugën e emigrimit drejt territoreve italiane, jo pak familje, të cilat shtyheshin ti shpëtonin masakrave dhe mënxyrës së robërisë osmane. Më të shumtët që mernin këtë kalvar mundimesh në emigrimet e largëta, ishin arbërorët e Greqisë (arvanitët), të cilët kishin shfaqur qëndresën më të mëdhe, të vendosur dhe të përgjakshme kundër pushtuesve osmanë. Në radhët e mërgimtarëve ishin kryesisht luftërtarë të njohur, me familjet dhe fëmijët e tyre, të cilët largoheshin të kërcënuar prej një hakmarrje të pritëshme të pushtuesit lindor.
Mes radhëve të emigrantëve, që largoheshin nga zotërimet e shumta venedikase në Peloponez, prej Koronit, Methonit, Nafplos, Argosit, etj, dhe shkonin të vendoseshin në Venecja ishin edhe pjestarët e trungut të një familjeje zulmëmadhe arbërore, ata të Buajve. Kjo familje e njohur fisnike arbërore kishte zbritur dhe vendosur në territoret e Peloponezit në mesin e shekullit të XIV prej krahinave të Artës dhe Prevezës. Të parët e tyre kishin lënë gjurmë të pashlyera në historinë e këtyre anëve, të Epirit- Arbërisë jugore, Ballkanit dhe më gjërë. Ndër ta, burri më në zë, ishte padyshim princi arbëror, Gjin Bua – Shpata.
Në turmat e refugjatëve, që linin Morenë, prej bigjeve të Nafplios, në përbërje të familjes së njohur gjendej edhe një fëmijë katërmëbëdhjetë vjecar me emrin Mërkur Bua.
KARJERA E NJË LUFTËTARI ARBËROR TË PAEPUR
Çuditërisht, dokumente dhe kronika të shumta mbushin arkivat francize, gjermane, italiane, spanjolle dhe vecmas ato të Venecjas, me emrin e këtij stratioti të kudondodhur në fronte luftrash. Mes tyre dallohet koleksioni numeroz me raportet e grumbulluara prej historianit venedikas të shekullt të XIV-XV, Marino Sanudo. Aq të shumta janë kronikat për këtë luftëtar arbëror, sa vështirë do të gjendet një figurë e dytë luftëtari aq prezent në frontet e betejave europiane.
Kronikat, veç të tjerave na bëjnë me dije se me të zbritur nga rrugëtimet e largëta të emigrimit, Bua katërmbëdhjetëvjeçar ka shkuar menjëherë në frontet e luftimit në territoret e Friulit, në Italinë veriore. Një betejë mjaft e përgjakshme zhvillohej atje kundër forcave turke që i afroheshin kufijve të Republikës së Venecjas. Në këtë betejë të përgjakshme, në aleancë dhe në krah të venecjanëve rreshtoheshin edhe disa reparte Stratiotësh shqiptarë – formacione të përbëra nga luftëtarë të ardhur nga Shqipëria dhe Moreja (Peloponezi). Luftimet dhe aftësitë luftarake befasuese të kalorësisë së stratiotëve shqiptarë në këtë betejë tërhoqën aso kohe vëmëndjen e shumë kronistëve europianë dhe mikluan dëshirat për të patur formacione të tilla luftëtarësh në radhët e tyre. Çuditërisht, që në këto kohë Mërkur Bua, megjithëse fare i ri ka habitur shtabet ushtarake me kurajon dhe aftësitë e tij luftarake.
Kështu pati filluar karriera e këtij stratioti shqiptar. Shumë shpejt nga një luftëtar i thjeshtë ai do të fitonte statusin e “Kapostratiotit” “Kapokondotjerit” dhe si i tillë do të kishte në varësinë e tij reparte të tëra luftëtarësh shqiptare prej 200, 400 dhe gjer në 1 500 vetësh. Ai do të ndërmerrte misione të rëndësishme luftarake në shërbim të Venecjanëve dhe më tej në shërbim të Mbretit të Francës, për vite me radhë në shërbim të Perandorit Gjerman, të Papatit, etj.
Ajo që e bën edhe më intriguese figurën e këtij komandanti është fakti se në mbi gjashtëdhjet beteja të zhvilluara nëpër frontet e Italisë dhe Europës ai ka vetëm një të tillë të humbur. Ai është ndoshta ushtaraku me i dekoruar në historinë e fronteve europianë të luftërave. Trofetë e tij renditen në arkivin personal dhe heraldikën e pasur që ruhen për të.

NJË DOKUMENT I ARKIVIT TË VENECJAS, QË KONFIRMON SE: “AI, BUA ËSHTË SHQIPTAR…”
Në një dokument, që ruhet në Arkivin e Venecias, i datës 23 Korrik 1513, shkruar nga kronisti venecjan Marino Sanudo, i cili ishte dëshmitar okular kur Mërkur Bua hynte i ftuar në Pallatin e Dozhëve në Venecja, thuhet:
“Mbriti në Kolexhio dominio Mërkur Bua, komandant i trupave të kalorësisë së lehte stratiote të perandorit, erdhi këto caste me rreth 35 (luftëtarë) të soit (kombësisë) të tij. Është i moshuar…. i shkurtër nga shtati. Ai është shqiptar, nga Nafplio e Moresë (Peloponezit), i cili në kohën e e luftimeve në Piza merrte rrogën nga ana e jonë.
Ai ishte i veshur me një saio prej ari dhe një zhupon damasku ngjyrë të zezë. Mbante në kokë një një beretë ngjyrë të zezë prej kadifeje, ndërsa në qafë I varej një gjerdan I madh I trashë prej ari. Ishte i veshur sipas mënyrës francize….”
Sikundër shihet kronisti venecjan, Sanudo, deklaron fare qartë faktin se Mërkur Bua ishte një shqiptar, i ardhur nga Nafplio, qytet bregdetar i Pelopnezit, i cili aso kohe dominohej prej popullsisë shqiptare dhe që një pjesë e tyre, pas pushtimit Osman, riemigroi në Venecja.
DOKUMENTI KONFIRMON GJITHASHTU IDENTITETIN E MËRKUR BUAS NË NJË TABLO PIKTORIT LORENZO LOTTO
Por, ky dokumenti na ofron edhe disa të dhëna të tjera me mjaft interes. Sikundër shihet, në rreshtat e kronikës, përshkruhet veshja e Kapostratiotit Mërkur Bua. Jo më kot kronisti ka evidentuar veshjen e tij, sepse aso kohe ajo ishte tregues i sërës së fisnikërisë, pra shkallës së lartë që zinte individi në hierarkinë sociale. Dhe, për çudinë tonë, ajo çfarë përshkruan Sanudo, përputheët plotësisht me një portret të një fisniku (“Një burrë fisnik”) me mjekër të zezë, që gjithmonë është dyshuar apo hamendësuar së duhet të jetë portret i Mërkur Buas, portret i punuar nga piktori i famshëm i Rilindjes italiane, Lorenzo Lotto, që ruhet në “Galleria Borghese” në Romë.
Tani që kemi shtënë në dorë dokumentin e Sanudos, shohim se përshkrimi që i bën kronisti venecjan “Mërkur Buas që hyn në Colegio” vërejmë se ai përputhet plotësisht me paraqitjen dhe veshjen që ka burri i hamendësuar si Mërkur Bua në portretin me ngjyra të Lottos. Kështu:
– Burri në tablo është i veshur në të zeza, edhe kronisti venecjan shkruan se “Mërkuri është i veshur në të zeza”,
– Në tablo shohim se burri mban në kokë një kapelle kadife ngjyrë të zezë, edhe Mërkur Bua i përshkruar nga kronisti venecjan Marino Sanudo “mban në kokë një kapelle kadifeje ngjyrë të zezë”,
– Referuar tablos, vihet re fakti se veshja e burrit të hamendësuar si Mërkur Bua nuk është ajo e modës venecjane të kohës, – edhe kronisti venecjan Sanudo na thotë se “Mërkuri është i veshur sipas modës ala Franceze”
– Duke e parë me vëmendje portretin e burrit në tablon me ngjyra konstaton faktin se ai është shtatshkurtër, ashtu sikundër e përshkruan Sanudo në kronikën e tij.
– Një tjetër e dhënë që na vjen nga burime të tjera dokumentare të kohës, kur kronistët flasin për stratiotët shqiptarë i përshkruajnë ata “me ca mjekra të dendura dhe të zeza që të kallin frikë…”, i tillë është edhe portreti i burrit në fjalë, ka imazhin e një stratioti tipik, sikundër përshkruhet luftëtarët shqiptarë nga kronistët e kohës.
Në këto kushte mund të themi se kronika e Marino Sanudos konfirmon bindshëm faktin se “Portreti i burrit fisnik”, të piktorit Lorenzo Lotto, është shqiptari Mërkur Bua.
Mërkur Bua vdiq në moshen 70 vjecare në Trevizo, ku kaloi pleqërinë e tij, dhe u varros në kishën e Santa Maria Maxhores të këtij qyteti.
XHANE NGA KORONI STRATIOTI DHE POETI ARBËROR QË SHKROI PËR KOMANDANTIN E TIJ
“Mërkur Bua nuk ka më pak fitore dhe akte të lavdishme sesa Pirrua i Epirit apo Aleksandri i Madh. Po përse mbeten këta luftëtarë në histori? Sepse dikush shkroi për ta. Nëse dikush nuk do të kishte shkruar ata me siguri do të ishin harruar ….” Kështu shkruan në parathënien e kronikës poetike dedikuar Mërkur Buas, një luftëtar arbëror i repartit të tij, Xhani nga qyteti i Koronit në More. “Atëhere përse të mos shkruaj edhe unë për bëmat e këtij burri të lavdishëm?”- përfundon Xhane.
Ky është motivi që Xhane është ulur dhe ka shkruar kronikën në trajtën e një poeme epike, të bëmave për komandantin e tij Mërkur Buan. Për fatin tonë ajo ruhet ende në dorëshkrim, në gjendje të mirë, në arkivat italiane. Ne kemi marë një kopje të saj. Poema përbëhet nga 291 faqe. Ajo është e shkruar në gjuhën greke (kujtojmë se greqishtja dhe latinishtja ishin dy gjuhët në të cilën shkruanin europianët ato shekuj) dhe ruan pothuaj në tërë shtrirjen e saj gjashtëmbëdhjetë rrokshin. Vargëzimi i takon rimës klasike “a” – “a”; “b” – “b”.
Poeti përmes vargut ruan rrjedhat e ngjarjeve dhe të betejave të Buas nën një kronikë korrekte kohore historike. Si e tillë poema ka shërbyer dhe do të shërbejë edhe në të ardhmen si një dokument me vlera unike historike për shkrime dhe hulumtime të mëtejme dedikuar këtij luftëtari.



Në të, poeti rendit trembëdhjetë nga betejat më të rëndësishme të Buas, duke na sjellë informacione me shumë vlerë për Mërkur Buan dhe luftëtarët e tij shqiptarë në frontet e luftërave nëpër Europë, si dhe mjaft të dhena të tjera me inters historik të panjohura gjer më tash. Për to do të flasim me hollësi në botimin e hollësishëm që do ti ofrojmë publikut së shpejti.
POET DHE PIKTOR I NGJARJEVE TË KOHËS.
Mes informacioneve të shumta për beteja, aleanca, luftëtarë të panjohur shqiptarë, monarkë, robër, humbës dhe fitimtarë – Xhane, na bën me dije për titujt dhe gradat që ka fituar ky luftëtar i njohur i fushëbetejave nëpër Europë.
Bashkë me to, në faqet e poemës (dorëshkrimit), ruhen në origjinal edhe një numur akuarelesh të punuara në miniaturë nga dora e vetë poetit, duke shpalosur kështu edhe një vyrtyt dhe mjeshtëri që gëzonte Xhane – atë të piktorit. Ndër akuarelet e punuara prej poetit renditen ato që paraqesin një numër flamujsh, trofe, stema dhe heraldikë të rrëmbyera kundërshtarëve të mundur, apo të dhuruara nga mbretër dhe perandorë, për kontributet e tij në fitoret e arritura. Mes tyre gjenden gjithashtu skena luftrash, koka të prera turqish, si edhe stemat e familjes arbërore të Buajve, të cilat vetë poeti i identifikon dhe sqaron me detaje kuptimin dhe mesazhet që ato mbartin.
Veç faktit që Xhane ishte luftëtar i reparteve të Mërkur Buas, që ai ishte shqiptar nga Koroni i Moresë (Peloponezit), që pati emigruar në Venecja së bashku me Buan, që në disa raste shfaqet si sekretar i Kapostratiotit të tij, Mërkurit, që jetoi për disa kohë në Venecia dhe Trevizo, si dhe dëshmisë noteriale, ku përmendet si palë në një kontrate juridike, nuk kemi të dhëna të tjera për këtë poet dhe kronist me interes mjaft të madh për historinë dhe letërsinë tonë. Le të shpresojmë se në të ardhmen, kërkimet do të sjellin të tjera dëshmi me interes për këtë personalitet me vlera të vecanta dhe kontributet e tij në fushën e historisë dhe të letrave shqipe.