More
    KreuEditorialGjovalin Shkurtaj: Çfarë mund të bëjë shteti ynë për gjuhën shqipe

    Gjovalin Shkurtaj: Çfarë mund të bëjë shteti ynë për gjuhën shqipe

    Kam shkruar e folur për këtë temë, por mendoj se, në këtë Konferencë të rëndësishme jubileare të “100 vjet nga Republika Parlamentare Shqiptare”,  është pikërisht rasti i duhur t’i ritheksojmë arritjet e pamohueshme dhe detyrat e shtetit e të institucioneve zyrtare për kujdesin e mëtejshëm për gjuhën shqipe.Në mënyrë të veçantë për kulturën e të shkruarit e të folurit dhe për etnografinë e ligjërimit, ashtu si bëhet në të gjitha vendet e shtetet e kombeve të qytetëruara.

    Rregullat e drejtshkrimit e të gramatikës janë si kanalet ujitëse. Shërbejnë për të ujitur arat e mbjella, por po të mos mirëmbahen e të çahen kanalet  e tubat, atëherë në vend të ujitjes mund të bëhej përmbytje.Realisht, në plot raste të gazetarisë së shkruar e të folur, si dhe në reklamat në mediat e shkruara e të folura, si dhe në mbishkrime e tituj të enteve, objekteve, udhëve e shesheve publike ka vërshim të papranueshëm të fjalëve të huaja të panevojshme e të pakuptueshme, po edhe të mënyrave të thënit krejt në kundërshtim me rregullat gramatikore të shqipes. Gjuhëtarët e kanë kryer detyrën e tyre, kanë hartuar e botuar rregullat e drejtshkrimit, gramatika e fjalorë të përgjithshëm leksikorë dhe terminologjikë, po realizohet nga Akademia jonë e Shkencave dhe Projekti madhor për një Fjalor më të plotë apo një Fjalor të përditësuar të shqipes së sotme. Përkundrazi, institucionet zyrtare shtetërore e publike, jo të gjitha e jo gjithmonë i lexojnë dhe i zbatojnë rregullat dhe normat e shqipes së njësuar.

    Me të drejtë, në disa emisione humoristike, thumbohen dhe ironizohen raste të gabimeve dhe gafave të pafalshme gjuhësore të mediave. Dikur një punë të mirë ka bërë sythi “Monitorime” i Top Chanel-it, si dhe Agron Llakaj e Xhevahir Zeneli në “Papare-Nait”. Kam vënë re me kënaqësi që zoti Agron Llakaj, edhe në rastet kur është në juritë për vlerësimin e këngëtarëve të rinj, disa herë ka gjetur rastin t’i kritikojë ata që përdorin fjalë të huaja të panevojshme, duke i ironizuar e thumbuar bukur e me interpretimin shumë origjinal e duke dialoguar me Xhefrin (Xhevahir Zenelin). U lumtë atyre dhe dashtë Zoti që ironia therëse e tyre të prekë ndjenjat e të gjithë atyre që shkruajnë e flasin me fjalë të huja të panevojshme e me gabime gramatikore trashanike.

    Gjendja është e tillë që, si thotë populli “nuk mban më ujë pilafi”! Duhet të merren masat e duhura nga shteti dhe të gjitha institucionet zyrtare publike e private për mbrojtjen e gjuhës shqipe, ashtu si bëhet nga të gjitha shtetet e kombeve të qytetëruara.

    Së pari, dëshiroj të ritheksoj se gjuha është pjesë themelore dhe shprehësja më e dukshme e identitetit të  shqiptarëve, është  “palca” dhe shprehësja  e  shqiptarisë, është  tipari dallues më kryesor i mbijetesës sonë si komb. Shoqëria e sotme shqiptare, në radhë të parë shkolla dhe institucionet zyrtare e publike (shtetërore dhe private),  duke mos u shkëputur nga tradita e mirë që e kemi pasur dhe e kemi, duhet të punojmë më shumë për formimin e një koncepti të drejtë për detyrimet dhe pengun  qytetar dhe atdhetar që ka secili shqiptar ndaj gjuhës së vet amtare.

    Shqipja dhe shqiptaria si palca e kombit shqiptar.Gjuha e shkruar dhe roli i shtetit për mbrojtjen e saj.Pa gjuhë shqipe nuk ka komb shqiptar e përbashkësi etnokulturore mbarëshqiptare.Lidhur më këtë, le të kujtojmë  një vlerësim të hershëm që vjen qysh nga urtësia latine se gjuha për popujt e etnitë në rrjedhë të shekujve ka qenë si zjarri që duhej ruajtur e mbuluar me hi që të mos fiket e të jetë gjithmonë gati për të marrë flakë. Le t’i mbahemi edhe sot e gjithë ditën atij vlerësimi,  se gjuha, ashtu si zjarri, edhe kur është i mbuluar me hi, gacat i ka të ndezura e që të djegin e të shuajnë. Për fat të keq, gjuha shqipe, për shekuj me radhë ka qenë e detyruar të rrojë si “thëngjilli i mbuluar”, e palejuar të shkruhet dhe “e mallkuar” dhe e martirizuar.

    Ka qenë gëzim e ngazëllim i madh për popullin shqiptar krijimi, qoftë edhe me aq vonesë e me aq shumë pengesa, i një shteti më vete  e një republike të “mosvarme”, sepse janë  pikërisht shteti dhe institucionet që varen e drejtohen prej tij, sidomos shkollat dhe botimet zyrtare ato që e mbajnë gjallë gjuhën e shkruar e që ia prijnë udhën edhe shqipes së folur.

    Rasti i sotëm e kërkon që të kërkojmë t’i mbahemi edhe më tej pohimit themelor se  gjuha shqipe është tipari themelor i përbashkësisë etnike e kombëtare dhe se  të shkruarit në gjuhën letrare kombëtare është shenjë e tregues kulture. Natyrisht i një kulture tashmë edhe të kultivuar e të mbrojtur e të përkrahur nga shoqëria dhe organet shtetërore përaktëse. Kudo e kurdoherë, ka qenë dhe mbetet me vlerë kërkesa e rreptë e shtetit për zbatimin gjuhës zyrtare. Gjuha e njësuar, zotërimi i mirë i gjuhës së përbashkët për të gjithë anëtarët e një bashkësie kombëtare, është kërkesa e  parë e formimit arsimor të shtetasve. Mbi të gjitha, kudo e kurdoherë, ka qenë dhe mbetet me vlerë kujdesi dhe kërkesa e rreptë e shtetit dhe e të gjitha institucionve publike për zbatimin gjuhës zyrtare. Dhe kjo, sikundër e dimë të gjithë, nuk është një punë që për herë të parë sot, por qysh në hapat e parë të shtetit shqiptar. Po përmend  edhe një herë se, këtu e 113 vjet më parë, në mbështetje të vlerësimit për pranimin e gjuhës shqipe si gjuhë të shtetit shqiptar nga qeveria e Ismail Qemalit jepet pohimi dorëmbarë i këtij shtetari e diplomati të urtë: 

      “Pas dëshirës dhe n’emën të Zotënies  së tij, Kryetarit të qeverriës, botojmë këtë lajmim: Duhet të gjithë t’a dijnë mirë se, ç’ në ditën fatbardhë që kur Shqipëria dolli më vehte, gjuha shqipe u ba gjuha zyrtare e vendit.Tani, në çdo degë t’administratës, n’a  lipsen nëpunës të cilët t’a njohin mirë, me shkrim e këndim, gjuhën amtare…Edhe nëpunësit që ndodhen në shërbim do të japin provim në gjuhën shqipe: ata që do të tregohen të zotët, do të konfirmohen në punën që kanë; ata që nuk do të dinë mirë gjuhën shqipe, do të munt të kërkojnë kohë që t’a mësojnë në qoftë se  kanë dëshirë të mbeten në shërbim.” (”Lajmim”, botuar  në gazetën “Përlindja e Shqipëniës”, Viti I, nr.6,17/30 gusht 1913.) 

    Ai synim i mbarë i Qeverisë së Parë  Shqiptare na ka shtyrë e na nxit edhe  në të gjitha qëndrimet,vlerësimet e shkrimet tona,në të cilat kemi theksuar domosdoshmërinë për mbrojtjen dhe ruajtjen e gjuhës shqipe nga shteti dhe nga krejt shoqëria shqiptare.Pikërisht atë ide dorëmbarë e frymëgjatë  të Ismail Qemalit kam pasur parasysh në reagimet e mia të kohëve të fundit të shprehura edhe në artikullin tim ”Shqetësime dhe propozime për kulturën e gjuhës së shtetit” dhe në  shumë  artikuj e intervista të  miat. (Gazeta “Sot”, 20 nëntor, 2013, f.17 dhe në përmbledhjen me shkrime të zgjedhura  “Kultura e gjuhës sot”, përzgjedhur e lektoruar nga prof.as.dr.Meleq Shopi, Botime Pegi, Tiranë, 2022).

    Edhe në vendet e kombet të mëdha të Evropës, po përmendim, vetëm ndonjë rast, nga shumë të tjerë: qëndrimin pohues, mbrojtës e qartësisht të shpallur që mban Franca për gjuhën e vet. Si  shembull mund të sjellim një prej raporteve të fundit të “Défense de la langue française”(2017) për Parlamentin Francez, ku jepet vlerësimi  zyrtar  i gjuhës frënge si “pilier de notre culture, est un ciment de notre société” dhe e detyrimeve dhe masave që Ministria e Kulturës  i drejton Parlamentit Francez. Në Britaninë e Madhe, qysh nga shek.XV është zhvilluar një gjuhë standarde me mbështetje në dialektin e Londrës. Faktorë ndikimi për këtë lloj përzgjedhjeje kanë qenë përparësitë ekonomike, politike dhe kulturore të Londrës, ndikimi i Oborrit Mbretëror, i universiteteve të afërta të Oksfordit e të Kembrixhit etj. Kështu në shekullin XX në Angli dhe në Uells është përgjithësuar shqiptimi i ashtuquajtur “Received Pronuntiation”(RP). Përdoruesit e RP-së nuk dallohen sipas krahinave, por përdorimi i këtij varieteti sinjalizon, në njëfarë dore, përkatësinë në shtresat e larta të shoqërisë dhe në shtresat me shkollim më të lartë, pra paraqet një indikator shoqëror. 

    Gjuha e shkruar dhe e folur që vjen “nga lart” (d.m.th. nga ata që përfaqësojnë shkollimin, shtetin, mediat, qendrat shkencore dhe universitare etj.) mbetet kurdoherë model në ecjen përpara dhe i prin zotërimit të gjuhës së shkrimit apo sikundër po quhet në dhjetëvjeçarët e fundit: gjuhës standarde. Prandaj, në artikujt për kulturën e gjuhës kemi pohuar dhe ngulmuar se shtetarët, që nga më i ulëti e deri tek kreu i shtetit, të gjithë sa janë: deputetë, ministra, drejtorë drejtorish, diplomatë etj. nuk duhet të flasin dosido. Ata përfaqësojnë shtetin, përfaqësojnë elitën e një vendi, prandaj, kurdoherë, para se të flasin (a të shkruajnë) duhet të maten e të vlerësojnë jo vetëm çfarë do të thonë, po edhe se si do ta thonë. Latinët e kanë lënë fjalë: “Non licet Jovi quod licet bovi”. (Nuk i lejohet Zeusit ajo që i lejohet buallit). Gjithmonë e gjithkund të mëdhenjtë, prijësit a mbretërit, qysh nga lashtësia e deri te udhëheqësit e kohëve të reja, kanë pasur edhe ithtarë e imitues. Kjo edhe nga mënyra e të folurit.

    Shteti dhe institucionet shtetërore e përgjithësisht publike kanë mbajtur qëndrim të mefshtë e, ndonjëherë, edhe dukshëm  mospërfillës ndaj të shkruarit e të folurit të shqipes në zyrat dhe institucionet botuese, në gazetat, revistat dhe në fjalën publike. E kam thënë e shkruar edhe herë të tjera se, për fat të keq, ka më se njëzet e pesë  vjet që, kujdesi  i shtetit dhe i institucioneve shtetërore ndaj botimeve e kumtimeve zyrtare ka rënë në mënyrë të pafalshme. Ka pasur shthurje e mungesë të disiplinës gjuhësore të shtetit, prej nga ka ardhur edhe kjo gjendje pakujdesie gati masive ndaj gjuhës së shkruar e të folur në zyra, në botime, në gazeta, në radio e në televizione. Shkruhet e flitet dosido, me gabime e thyerje të rënda të normave drejtshkrimore, me fjalor të varfër dhe shpesh edhe të pakrehur nga fjalët e rënda e të papërshtatshme për burokracinë zyrtare, qoftë shtetërore, qoftë private. Ka ardhur koha të zgjohemi nga përgjumja dhe ta mërgojmë këtë situatë pakujdesie e shthurjeje të qëndrimit ndaj shqipes.

    Fjala publike, që nga mjediset e thjeshta, në zyrat e shtetit e deri në Kuvendin e Shqipërisë ka dhënë shenja të qëndrimeve krejtësisht të papranueshme për kulturën e një vendi që mëton të jetë demokratik e të hyjë në Evropë. Fjalët e huaja të panevojshme, terminologjia e pasaktë dhe deri fjalët e pista e ligjërimet krejt të pagdhendura kanë pasur vend aq shpesh, sa ua kanë neveritur  shqiptarëve edhe politikën, edhe funksionet zyrtare të shtetit. Gabimet janë të rënda e ndonjëherë trashanike, të cilat tregojnë se niveli i formimit gjuhësor të punonjësve dhe zyrtarëve të shtetit shqiptar lë për të dëshiruar dhe nuk mund të vazhdohet më kështu.

    Njerëzve të thjeshtë mund t’u lejohet të flasin edhe “larë e pa larë”, kurse atyre që përfaqësojnë shtetin u takon të kenë gjuhë të zgjedhur, të peshuar e zyrtare. Mania e sotme e disa prej politikanëve shqiptarë për të folur me fjalë të huaja (të panevojshme e të pakuptueshme) është tregues i cektësisë dhe i përfryrjes së pamirë mendore dhe kulturore. Rendja pas anglicizmave e italianizmave e ka shëmtuar keqas gjuhën e politikës shqiptare. Po kështu edhe të gazetarisë sonë. Pritet një këndellje e ndërgjegjes kombëtare, pritet që shoqëria dhe shteti ta marrin në dorë me përparësi punën e gjuhës, ta shpëtojnë atë nga “bdarrja e bastardimi”.

    Nuk kemi mënuar t’i kritikojmë me shkrime “të hidhura” shtetarët që nuk tregojnë kujdesin e duhur ndaj gjuhës shqipe dhe, duke parafrazuar Konicën e madh, jemi shprehur kundër “analfabetëve me diplomë”. Më se një herë gjuhëtarët shqiptarë kanë ngritur zërin me shqetësim për “disiplinën gjuhësore të shtetit” dhe kanë theksuar se është koha për të lëshuar kushtrimin për mbrojtjen e gjuhës. Sigurisht, është fjala për të mbrojtur atë që mund të mbrohet e jo për teprime a “purizëm”. Sot Shqipëria është një vend i hapur, ka një shtet që mban marrëdhënie me të gjithë botën; populli ynë është tashmë në lidhje e takime të drejtpërdrejta e që shkon e vjen me njerëzit e vet e me miq të shumtë në botë. Me fjalë të tjera, jemi bërë një shoqëri e hapur. Edhe gjuha shqipe është e do të jetë edhe më tej “gjuhë e hapur”, ka marrë dhe do të marrë edhe më tej hua nga gjuhët e mëdha të Evropës, po edhe do të përtëritet nga gurrat vetjake. Kemi parasysh sidomos prurjet e mirëpritshme të elementit verior e verilindor gjatë dhe pas shndërrimeve në Kosovë e në viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi.

    Disa  politikanë, si dhe jo pak gazetarë, njerëz të zyrave dhe të mjeshtërive të tjera, kujtojnë se pa fjalë të huaja  (të pakuptueshme e të panevojshme) nuk mund të quhen të mençur e të përgatitur. Shihni se si është mbushur ligjërimi  reklamave dhe i rubrikave të radiotelevizioneve shqiptare me tituj të huaj, kryesisht nga anglishtja, si “Love story”, “Top-Story”, “Big-Brother”, “Dancig with me”, “Got talent”, “Why not”, “Fan -Club” etj. Kjo është me të vërtetë një  sëmundjengjitëse  që  mund të marrë përmasat e një epidemie gjuhëvrasëse. Por, unë e ndiej si detyrë e si peng ta them se për situatën e pamirë të zbatimit të shqipes në gazetarinë e shkruar e të folur, po edhe më gjerë, ka pasur edhe qëndrime jodashamirëse e të papranueshme, ka njerëz që e përgojojnë Kongresin e Drejtshkrimit dhe shajnë e shfryjnë kundër vendimeve të  tij. Kundër këtyre përgojimeve të padrejta dhe dëmprurëse nuk kemi qëndruar dhe nuk duhet të qëndrojmë në heshtje. Kërkohet edhe një qëndrim zyrtar. Dhe, do të përmend këtu se nga shtetarët shqiptarë, është shprehur qartë e me rreptësi ish-Presidenti A.Moisiu, i cili ka shkruar: “Patjetër që gjuha duhet ruajtur, sepse sot, te ne, ka një trend të çuditshëm, sidomos nga politikanët që përdorin vend e pa vend e me shumicë fjalë të të huaja, të cilat i kanë sinonimet e tyre në gjuhën tonë dhe këtë gjë e bëjnë më tepër për të treguar diturinë e tyre. Jo vetëm kaq, por kohët e fundit po vihen re disa tendenca për të ndërhyrë në mënyrë brutale në “Drejtshkrimin e gjuhës shqipe”. Kjo bëhet, gjoja për të shmanguar vendimet e marra në vitin 1972 në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, duke i quajtur ato vendime si komuniste.Në përfundime të tilla  arrihet vetëm nga presioni që mund të bëjnë  politikanë jonormalë në gjykimin  se”gjithçka që vjen nga e kaluara duhet ndryshuar”. Zoti  e ruajt këtë vend nga budallallëqe të tilla, të cilave u duhet kundërvënë fuqishëm.” (Alfred S.Moisiu, Kujtime, 2, Botimet Toena, f.77).

    Edhe në Shqipëri, ashtu si kudo në Evropë e në Botë, po ndjehet ndikimi i globalizimit dhe kjo, në radhë të parë, shprehet me animin e fortë nga anglishtja, anim që të kujton pemët e larta që epohen e shkojnë andej nga fryn era; por procesi i globalizmit duhet kuptuar jo vetëm si arë e mbjellë që e zë breshri dhe bën kërdinë mbi të, por edhe si përpjekje për ta ruajtur gjuhën nga asimilimi dhe për ta rreshtuar shqipen me dinjitet krahas gjuhëve të tjera evropiane. Ne, si popull, sikundër është theksuar edhe nga korifenjtë më të mëdhenj të albanologjisë, si Aleks Buda, Eqrem Çabej, Idriz Ajeti etj. jemi pjesë e familjes evropiane, por të jesh pjesë e kësaj familjeje të madhe evropiane nuk do të thotë harrim i vetvetes, nuk do të thotë nënshtrim ndaj ndonjë gjuhe tjetër, qoftë ajo edhe anglishtja, që shumëkush e quan sot “gjuha e botës”. Në këtë bashkësi qytetërimesh ne duhet të futemi, në radhë të parë, me identitetin tonë kulturor e kombëtar. Gjuha është pjesë themelore dhe shprehësja më e dukshme e këtij identiteti, tipari dallues më kryesor i mbijetesës sonë si komb.

    Dikur, madje, qysh në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, kur ishte problem edhe buka e përditshme, slogani  ishte “Sa më shumë bukë dhe kulturë për popullin” dhe, në fakt, krahas përpjekjeve për të siguruar bukën, gjithandej bëhej edhe një punë e madhe kundër analfabetizmit dhe synohej për të pasur një shkollim sa më të mirë të brezit të ri. Sot bukë e gjellë kemi më shumë, pra problemin e bukës e kemi zgjidhur, kurse pjesa e kulturës, sidomos e kulturës së gjuhës dhe  e etnografisë së ligjërimit zyrtar e publik nuk është zgjidhur ashtu si duhet. Kemi dhënë shenja të pafalshme të një kulture të ndërprerë, sikundër e ka cilësuar me të drejtë një studiuese e përkthyese e njohur. (Shih: Donika Omari, Kulturë  e ndërprerë, Tiranë, 2009).
    Për të disatën herë, gjej rastin ta mbyll këtë shkrim, duke shprehur se me doemos duhet të veprohet me disa masa konkrete e pikërisht:
    1.Të jetësohet e të zbatohet në ballë të gjerë prania e redaktorit a përkujdesësit gjuhësor (drejtshkrimor e normativ) të botimeve e publikimeve zyrtare në të gjithë vendin. Për këtë është folur,është premtuar, diçka edeh është brë,por jo aq dhe ashtu si kërkohet për botimet dhe publikimet zyrtare.

    2.Të jetë pranë AMA-së një nëpunës me profesion redaktor gjuhësor e të japë përgjigje për pyetjet e ndryshme. Të ketë dhe penalizime për gabimet trashanike e shkeljet e rënda të normave të shqipes. së njësuar.


    3.Rubrikë për gjuhën shqipe në TVSH, ashtu si e ka Rai “Prontosocorso lingistico”. Atë ide e kemi mishëruar vite më pare në librin tonë”Urgjenca gjuhësore” dhe në radion tone on-line me të njëtin titull.  Nuk është vonë që mbi një bazë të tillë të jetësohet edhe në TVSH një emission ipërjavsmëm pikërisht për “Ndihmë e shpejtë gjuhësore”.
    4 Përkthimi i filmave ka gabime.Edhe aty duhet punë e kujdes i shtuar, sepse filmat ndiqen shumë dhe kanë edhe ndikim të madh për ngulitjen e normës shkrimore.


    6.Gjuha e reklamave dhe e mbishkrimeve në mjedise publike, udhë e sheshe të qyteteve duhen pastruar nga gabimet e emrat e huaj të panevojshëm.

    Elbasan, 12 mars 2025

    (“Roli i Shtetit dhe institucioneve zyrtare për mbrojtjen dhe pohimin e pandërprerë të vlerave të shqipes e të shqiptarisë”. Kumtesë e mbajtur më 12 mars, në Konferencën shkencore ndërkombëtare me temë “100-vjet të Republikës Parlamentare Shqiptare (1925-2025), organizuar nga Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Fakulteti i Shkencave Humane,
    Departamenti i Histori-Gjeografisë)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË