Më 24 shkurt 2025, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së kompozitores Dhora Leka, në Muzeun e Forcave të Armatosura, Bërzhitë, Tiranë, u përurua libri “Dhora Leka, Kompozitorja e parë”,Tiranë, 2024 (298 faqe), shkruar nga akademik Vasil S.Tole. Si edhe shumë herë të tjera, kolegu e miku ynë i dashur, jo vetëm na ftoi në përurimin e librit, po edhe ma dhuroi një kopje, të cilën e lexova me ëndje dhe me një ndjenjë pak të thuash të përzier edhe me dhembshuri të ligjshme, sepse, duke shkuar nga faqja në faqe, në krerët e sythat e kësaj monografie, gjen rrëfime, shpjegime e prurje konkrete nga jeta dhe veprat e kompozitores Dhora Leka, e cila, si dhe shumë artistë e figura të shquara të Kombit shqiptar, kanë dhënë kontribute të pavdira, të cilat mbeten në themelet e traditave më të mira të artit e të kulturës shqiptare, por që, për iroininë më të madhe të fatit, kanë pasur edhe keqtrajtime, përndjekje dhe internime e burgosje për motive politike. Pikërisht për ta theksuar qysh në krye të librit këtë rrethanë pafundësisht të trishtueshme, akademiku Vasil S.Tole, e nis librin me këto fjalë: ”Këtë libër ua kushtoj të gjithë muziktarëve shqiptarë të persekutuar nga diktatura komuniste. Dhora Leka ishte një prej tyre.”
Ashtu siç pritej, libri është shkruar mirë e bukur e me stilin tashmë të mirënjohur e të sprovuar të Toles, i cili, në rrjedhë të viteve, ka botuar plot 30 libra, studime e monografi të gjera, përpos (dhe krahas) veprave muzikore të shumënduershme, që ka shkruar e publikuar apo vënë në skenë.
Libri është, pa dyshim, jo vetëm një rëndësi për njohjen, pohimin dhe caktimin e një vendi të nderuar që i ka taktuar dhe i mbetet përjestësisht Dhora Lekës, si kompozitorja e parë në hapësirën mbarëshqiptare, po edhe që sjell një paraqitje të shtjelluar e të argumentuar mirë të krejt trashëgimisë krijuese të Dhora Lekës, duke ndriçuar edhe anë pak ose aspak të njohura të jetës e të veprimtarisë së saj. Në sythin hyrës “Dy fjalë”, në mënyrë të thukët, por të qartë e kuptimplotë, akademiku Vasil Tole ka sintetizuar se çfarë përfaqësonte ajo zonjë që ishte “në një farë kuptimi kompozitore që e bëri historia”.
Monografia është nyjëtuar në katër krerë:1.Jeta dhe vepra.2.Këngët e Dhorës, pjesë e trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar.3.Notizimi në dorëshkrim dhe tekstet e këngëve partizane të krijuara prej saj.4.Çaste dhe mbresa nga jeta, nga ditaret e Dhorës. Dhe një Eplog, mbas të cilit jepen dhe foto të veprimtarive jetësore dhe artistike të Dhora Lekës pas viteve 1990 dhe bibliografia.
Librin e lexova me ëndje dhe, natyrisht, si shumë prej atyre që kemi lindur në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare ose në vitet e para mbas Çlirimit të Shqipërisë, rikujtova shumë prej këngëve partizane që i kemi dëgjuar e kënduar, qysh kur ishim të vegjël, por pa e ditur se aq shumë këngë partizane kishte kompozuar zonja e nderuar Dhora Leka. Qofshin të paharurara aurorja dhe këngët partizane të shkruara prej saj!
Pa qenë as muziktar, as njohës i muziktarisë, po lejohem të shpreh disa përshtypje e mendime që më erdhën natyrshëm duke e lexuar këtë libër të Vasil Toles, kushtuar kompozitores së parë në hapësirën mbarëshqiptare. Së pari, e kryekreje, vlerësoj se autori ka bërë shumë mirë që ka zgjedhur të shkruajë për Dhora Lekën, jo vetëm si kompozitorja e parë shqiptare, (kjo po se po, sepse ajo ishte një nga personalitetet më të shquara të muzikës shqiptare, autore e gati të gjitha këngëve partizane të kënduara gjatë Luftës Nacionalçlirimtare e në vijim), por, mbi të gjitha, si një muziktare që, për një rrethanë që mund të dilte vetëm nga mjedisi i një vendi liridashës e me shpirt të pamposhtur si Shqipëria, ku kënga ishte mjet lufte e ku kompozimi i këngëve dhe përhapja e tyre bëhej pa pasur shkollë muzike e pa ditur si bëhej “notizimi”. Pra, si thuhet bukur në këngët patriotike të popullit shqiptar, djemtë e vajzat shqiptare e kanë rritur shtatin me këngë trimërie, sepse për shekuj me radhë kanë lindur e janë rritur nëpër luftëra. Dhe, duke cituar sa shkruan Tole në “Hyrje”, me Dhora Lekën dhe krijimtarinë e saj në fushën e muzikës, posaçërisht të këngës, ka ndodhur diçka e pangjashme në krejt historinë e muzikës botërore: këngët dhe meloditë e kompozuara prej saj këndoheshin tej e mbanë Shqipërisë e më gjerë, ndërsa autorja e tyre, për gati 40 vjet, gjatë diktaturës komuniste nuk u përmend fare, a thua se nuk ekzistonte. Me sa duket, ky fat i trishtë i jetës së saj njerëzore, për fat të mirë nuk ndikoi në përhapjen dhe transmetimin e muzikës së saj në popull, muzikë e cila, në fakt ”mbart shpirtin e vërtetë të Dhora Lekës. Ndoshta për këtë arsye, ende sot, kjo muzikë patetike dhe patriotike, e mbështetur në traditën më të mirë të muzikës kombëtare dhe asaj botërore, e krijuar prej idealizmit të saj dhe të rinisë shqiptare të atyre viteve, bash mu në zemër të popullit, rreth vatrës familjare dhe majave të maleve, mes shiut, borës dhe ngricave, do të mbetet një rast i jashtëzakonshëm i tradhëgimisë sonë shpirtërore në fushën e këngës, për rrethanat si u krijua dhe rolin e jashtëzakonshëm që luajti.“ (f.13)
Dhe, ndonëse mbas një Kalvari mundimesh e pësimesh, në internime e punë të rënda e në kushte shumë të vështira, sa për të mbajtur frymën gjallë, Dhora Leka do ta merrte vlerësimin që meriton dhe këtë e thotë qartë e autori i librit, akademiku Vasil Tole, i cili, e mbyll fjalën e tij hyrëse me këtë vlerësim: “Dhora Leka do të mbetet në muzikën e gjysmës së parë të shek.XX si kompozitorja më e njohur e këngëve patriotike, që me fuqinë e artit të saj do të pohonte vlerat që mbart lufta e drejtë e një populli për liri dhe dinjitet.’’(f.12)
Në kreun e parë flitet për jetën dhe verat e Dhora Lekës (1923-2006) e cila është kompozitorja e parë shqiptare, e konsideruar edhe si “nëna” e këngëve patriotike shqiptare. Kjo pjesë e librit është shkruar me dije e të dhëna të sigurta e të qëmtuara me shumë kujdes, tregon për jetën, përjetimet dhe pësimet e vuajtjet e pamerituara të kompozitores së shquar, duke e pajisur shtjellimin edhe me shënime në fund të faqeve e referime bibliografike të shumta, me foto të saj e të familjarëve të saj, si dhe duke gjetur rastin të theksojë se ajo, ashtu si të gjitha bijat e denja shqiptare, ka pasur lidhje të ngushtë me gjyshen për të cilën thotë se “i tregonte përralla të bukura” dhe e ia përkëdhelte flokët ndërsa bilbilat ligjëronin”. Dhe, në atë pjesë, si studiues e njohës i përkushtuar i traditave muzikore e artistike të popullit shqipar, Vasil Tole kundron e vlerëson edhe burimin prej nga vinte një kompozitore si Dhora Keka. Ajo vinte nga qyteti i Korcës, që sipas Mihal Gramenos “ishte qendra e ndjenjave kombëtare dhe këtu ishte hedhur gjithë vështrimi i armiqve tanë shekullorë”. Vlerëson dhe opinionet e tjera që, duke theksuar traditat atdhetare, po edhe artistike e kulturore të atij qyteti, e quanin Korçën “Parisi i vogël”. Me një shtjellim të gjerë e të arsyetuar mirë, Tole, për ta përthekuar sa më këndshëm mjedisin cilësor prej nga doli Dhora Leka, përmend edhe rrethanën shumë domethëse se në Korçë, për të parën herë u interpretua kënga “Rreth Flamurit të Përbashkuar”, më 1908, e cila u bë Himni Kombëtar i Shqipërisë, më 1912. (f.19) Dhe, me të drejtë, autori thekson : “Sot e kuptojmë mjaft qartë rolin, rëndësinë dhe ndikimin e Korçës në jetën e një kompozitoreje si Dhora Leka, aq bukur shprehur nga një kompozitor tjetër korçar, Kristo Kono (1907-1991): “Ky aktivitet dhe këto këngë që dolën e u kënduan n’atë kohë, mua si i vogël dje, si muzikant i ri që isha, më pëlqenin dhe më preknin mjaft. Mund të them që mbresat që më lanë këto këngë, më vonë, ndikuan shumë në krijimtarinë time”. (f.20)
Mbasi e lexova dhe, duke e rilexuar “diagonal” këtë pjesë të librit, mund të them, ndërsa ka shumë e shumë libra që kanë si bosht togfjalëshin “jeta dhe vepra” e dikujt, mendoj në librin e shkruar nga akademik Vasil Tole për Dhora Lekën është në një gjetje aq të bukur e ku sillen të lidhura e të ndërthurura fatet e shtigjet e jetës së kësaj vajze korçare me ndjenjat, dëshirat dhe ndihmesat e saj në fushën e këngës e përgjithësisht të muzikës, si dhe plojën e mbrapshtë të pësimeve, dëbimeve dhe internimeve e vujtjeve të shumta për rreth 40 vjet, që nga viti 1956 deri në rënien e sistemit komunist në vitet 1991.
Kreu i katërt, me titullin “Çaste dhe mbresa nga jeta ime”, nga ditarët e Dhorës”, është një paraqitje që të drithëron e sikur të shpie nëpër të gjitha labirintet e shpirtit të një artisteje të madhe shpirtërisht e të lënduar ashpërisisht e padrejtësisht. Shënimet e saj janë prekëse. Prej tyre, po citoj vetëm dy që janë aq rrënqethëse: “Berat 30 shtator 1965. Ja dhe pianon më në fund e vendosa në dhomë. E vështroj, prek tastierën që për dhjetë vjet rresht e ëndërrova, provoj t’i bie, por gishtat nuk shkasin. Ato, koha i ka ndryshkur.
Mundohem të loz një minuet të Bahut. E kam mësuar në vitin e parë të konservatorit dhe çuditem që jam më fillestare se atëherë. Për sonatën e Bethovenit as që bëhet fjalë. Dhe dëshira për të filluar që nga e para, nga a-ja, tashti në moshën 43-vjeçare më ripërtërin…”(f.211) Dhe, pa dyshim, një nga shënimet më drithëruese më duket “Shënim pa datë”(f.243)
“Pyetje nga një intervistë: Kur jeni ndier keq me jetën tuaj?
Përgjigje: Të ndihesh keq është më shumë se dhimbje. E kam ndier kur në të njëjtën kohë fëmijët e shkollës të fshatit Sheq-Marinës, ku unë kisha vite e internuar, këndonin këngën time të kompozuar gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare “Ato maja rripa-rripa seç gjëmojnë” dhe të tjerët më qëllonin me gurë duke më sharë: “…moj plakë, plakë e internuar, plakë armike”.
Fëmijët s’kishin faj: Kështu i “edukonte diktatura moniste”. (f.243)
Libri është shkruar mirë e bukur, po edhe me dashuri e ndjenjë të pastër respekti që ka autori për kompozitoren e parë, se vetë autori i librit është jo vetëm muziktar nga më të shquarit e kohës sonë, po edhe njeri me respekt e nderim të madh e dashuri për të gjithë pararendësit, një yjësi të të cilëve i ka pasur edhe pedagogë në Akademinë e Arteve, ku ka studiuar e për të cilët ka shkruar aq shumë artikuj e libra si “Çesk Zadeja në muzikën shqiptare”(Jeta dhe Vepra), “Enciklopedia e muzikës popullore shqiptare” etj.
Gjatë leximit, natyrisht, lexuesin e prekin thellë jo vetëm shtjellimet e faktet jetësore e artistike që silllen në libër, po edhe disa pohime të thjeshta e aq domethënëse nga kujtimet e Dhora Lekës, të cilat jepen bukur në indin e monografisë. P. sh. “Që e vogël kisha dëshrë të madhe të këndoja. Këtë dëshirë të zjarrtë për këngën ma ngjallte babai, i cili çdo mbrëmje, kur kthehej nga puna, na mblidhte rreth vatrës apo në verë te sofati i oborrit dhe ia niste këngës.” Pra, aftësitë e saj muzikore nuk kishin lindur në një terren bosh, por nga një shtresë kulturale familjare. Një nga pikat kulmore të kompozitores së re ishte më datën 29 nëntor 1944, kur, në sallën e ish-Teatrit Kombëtar, kori partizan, i drejtuar nga KonstandinTrako, interpretoi për herë të parë në Shqipërinë e çliruar, në një sallë koncerti, këngët partizane të Dhora Lëkës.
Para se të shkonte për studime jashtë, në vitin 1946, për herë të parë, disa nga këngët partizane të kompozuara prej saj përfshihen në botimin “Hymne dhe këngë partizane” të harmonizuara prej Kristo Konos. Në atë botim të rëndësishëm shkruhej: “Në lidhje me meloditë një rol jo të vogël ka lojtur partizanja Dhora Leka, në Hymnin e Ushtrisë, Rini-Rini, Hakmarrja, Kushtrimi, Britma e Çlirimit, Dëshmorëve dhe Dëshmorëve të vëllazërimit”. (f.41 dhe 43-44).
Me interes e fakte shumë interesante në libër tregohet për Dhorkën studente në Konservatorin e Moskës, ku ajo, krahas studimeve, shkroi nëj serë veprash, të cilat përmenden me titujt përkatës (f.56) dhe theksohet: “Shembujt më të mirë të muzikës sonë popullore mbarëkombëtare, Dhora Leka, Çesk Zadeja dhe Tish Daija i përjetësuan në një botim me notizime të këngëve popullore, Moskë 1953, duke qenë ende studentë të kompozicionit në Konservatorin “Çajkovksi”. Të bën përshtypje ky botim i përgatitur prej tyre i cili shpreh lidhjet e tyre të forta me muzikën popullore të origjinës”.(f.63)
Një nga anët më të pëlqyeshme të këtij libri është edhe hapësira e gjerë e kundrimit, si dhe gjetja e rasteve të përshtatshme për të përmendur vlerësimet e persoinaliteteve me peshë për Dhora Lekën. “Sipas Ismail Kadaresë :”…Dhora Leka përveç se ishte një kompozitore e njohur dhe e talentuar, autore e shumicës së këngëve partizane, ka qenë grua inteligjente, aspak naive, dhe e dënuar fare pa të drejtë’”(f.86)
Me hollësi, po edhe me dashamirësi e përdëllim të dukshëm, janë paraqitur edhe veprimtaria e ndihmesat e vyra të Dhora Lekës në liri, mbas viteve 1990, duke përmbyllur me këtë vlerësim: ‘Dhora vazhdoi të kompozonte muzikë të mbështetur në rrënjët e muzikës kombëtare, siç kishte pohuar publikisht në vitin 1955 në artikullin “Krijimtaria muzikore”. Mori pjesë me krijimtarinë e saj në veprimtaritë kryesore muzikore të pas viteve 1990, në festivalin “Ditët e Muzikës së Re Shqiptare” dhe në Festivalin e Romancave, si një përpjekje e saj për të kapur kohën e humbur” (f.93)
Emrin e Dhora Lekës sot e mban një shkollë nëntëvjeçare në Tiranë dhe një rrugë në Korçë, në qytetin ku nisi jeta dhe historia e artit të saj.
Së mbrami, por që ka rëndësi për këtë libër, duhet theksuar se publikimi në origjinal i notave dhe teksteve të këngëve partizane si vullnet i Dhora Lekës, pra dëshira e saj për të pohuar origjinalin e këtyre krijimeve si dhe fakti që libri është i pajisur me QR CODE përmes të cilit, pas skanimit me cel mund të dëgjosh muzikën e saj.
Le t’i shprehim me këtë rast nderimin meritor kompozitores Dhora Leka, në 100-vjetorin e ditëlindjes, si dhe fjalët më të mira e përgëzimet e rastit akademikut Vasil Tole për këtë libër të shkruar mirë e bukur, që nderon e përjetëson jetën e veprat e kopozitores së parë Dhora Leka, po edhe që përbën një vlerë të shtuar të studimeve të historisë së muzikologjisë shqiptare.
Tiranë, 26 shkurt 2025