More
    KreuLetërsiBibliotekëMaklena Nika: “Uroj të të dashurojnë marrëzisht, Jacqueline”

    Maklena Nika: “Uroj të të dashurojnë marrëzisht, Jacqueline”

    Një amour fou surrealiste á la française

    A duhet të jetë e marrë dashuria që të quhet dashuri? A duhet të jetë trallisëse dashuria që të quhet dashuri? A duhet ta përjetojmë çmendurisht dashurinë që ta quajmë DASHURI?

    Ç’do të thotë “dashuri”, “të biesh në dashuri”, “të dashurosh” e të tjera si këto pyetje, shpeshherë sfilitëse e pa ndonjë përgjigje konkrete për secilin prej nesh, kur na kaplon kërshëria, nevoja apo habia për t’i dhënë shpjegim këtij koncepti. Ajo që më vjen në mendje gjithmonë kur flas për dashurinë, është një thënie e André Breton, themeluesit të surrealizmit:

     “Dashuri do të thotë të takosh dikë, i cili të rrëfen diçka të re për veten”.

    Në një analizë tagente e sipërfaqësore të kësaj fraze, mund të arrish në përfundimin se kjo dashuri është egoiste, sepse mendon vetëm për Unin, dhe jo për Tjetrin. Madje, surrealistët, guxojnë e shkojnë më tej, duke e përkufizuar këtë dashuri si “amour fou”, pra si dashuri të marrë, të çmendur, trallisëse e me epitete metaforike të tjera që mund t’i përngjiteshin këtij konotacioni.

    Termi amour fou e ka origjinën nga vepra me të njëjtin titull e André Breton, shkruar në vitet 1934-1936 dhe e botuar për herë të parë nga botimet Gallimard në vitin 1937. Kjo vepër i kushtohet dashurisë dhe muzës së tij të madhe, të cilën e shihte si mishërimin e amour fou, korrespondenca e të cilës është vetë mrekullia. Ky koncept i André Breton nuk ishte thjesht një ide letrare apo filozofike – ishte një përvojë e jetuar, e mishëruar në marrëdhënien e tij pasionante me Jacqueline Lamba.

    Shprehja poetike surrealiste e amour fou presupozon lehtësimin e poetit nga paragjykimet estetike, lakuriqësinë dhe pastërtinë e vizionit të tij dhe identifikimin me objektin e tij. Femra dhe erosi bashkëidentifikohen, por nuk shkrihen me njëri-tjetrin. Ajo që mbetet elementi kryesor në problematikën surrealiste të amour fou është dëshira, çelësi kryesor që na çon drejt përqasjeve frojdiane dhe dimensioneve shoqërore. Dëshira erotike nuk nënkuptohet vetëm brenda një kuptimi veçanërisht erotik, por në një aspekt më të gjerë. Edhe pse konsiderohet si stimuli kryesor i procesit erotik, ajo krijon dy lloj shkrimesh: së pari, erotizmin, i cili është kultivuar sistematikisht në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore dhe së dyti lirizmin, që nuk ka asnjë lidhje me shprehjen e njohur romantike. Këto dy tendenca përcaktojnë pak a shumë shkrimin surrealist erotik.

    Vetë dashuria, duke nënkuptuar dashurinë pasionante, zë vendin e parë në rrëfimet surrealiste. Tek ajo gjenden të gjitha prestigjet e Universit, të gjitha fuqitë e të vetëdijshmes, e gjithë tronditja e ndjenjës. Lidhja e poezisë me dashurinë mbizotëron në poetikën surrealiste, sepse dashuria luan një rol parësor në krijimin e botës së re. Roli i saj është krijues dhe shkatërrues, sepse bëhet fjalë për një formë revolucioni, në kërkimi të të cilit ishin surrealistët.

    Kështu, Aragon, në1924, tek parathënia e “Libertinage” shkruan për erosin: 

    Nuk mendoj asgjë tjetër përveç se erosit (…) Për mua nuk ekziston një ide që të mos i përkasë erosit. Nëse do të ishte në dorën time, gjithçka që do t’i kundërvihej erosit, do ta asgjësoja…”

    Koncepti i surrealistëve për erosin ecën paralelisht me dashurinë e tyre për artin dhe të dyja këto estetika plotësojnë njëra-tjetrën. Një vepër arti dhe një femër janë e njëjta gjë për ata dhe kthehen në një mjet komunikimi ndërmjet njeriut dhe botës. Vlen për t’u theksuar ky përkim i femër-vepër arti, ashtu siç do të shprehet edhe Breton tek “Amour fou” në lidhje me përmasat e kësaj marrëdhënieje:

    “…rrëfej pa shqetësimin më të vogël apatinë time të thellë përpara veprave të artit që nuk më japin asnjë turbullim apo eksitim fizik...”

    Lautreamont, Freud, Sade dhe romantizmi gjerman janë burimet thelbësore të filozofisë surrealiste për dashurinë. Pesimizmi erotik i Lautreamont shprehet poetikisht me imazhe dhe asosacione që paralajmërojnë interpretimet psikoanalitike të ëndrrave të Freud. Përkundrazi aktualiteti dhe plotësia e fjalës shkencore të Freud janë për surrealistët garancia më e mirë për projektimin dhe zhvillimin e tezave të tyre mbi dashurinë. Por, surrealizmi nuk këmbënguli absolutisht në idetë romantike për erosin, ai huazoi vetëm ndjenjën e pasionit, të absolutes, të forcës së mistershme që lidh erotikisht dy njerëz. Nga “Nadja” tek “Amour fou”, nga “Fata Morgana” tek “Arkana 17”, vepra e Breton shfaq idetë bazë të problematikës surrealiste mbi erosin: lidhjen femër-mashkull dhe dashurinë e përzgjedhur, në kombinim me libertinizmin (libertinage). Këto koncepte mbulojnë gjithë spektrin e dëshirës erotike dhe prekin kufijtë e një globaliteti.

    Për surrealistët, amour fou nuk është vetëm një rrugë drejt surrealitetit, por një qëndrim jete dhe një mënyrë njohjeje e botës. Impresioni, e rastësishmja, admirimi janë elementë që përbëjnë këtë gjendje në të cilën njeriu ftohet të zhvillojë një lidhje krijuese me realitetin. Pasioni erotik është një rast tjetër ku surrealistët gjejnë një mjet shpërthimi dhe distancimi nga realiteti shoqëror, një mjet për të njohur vetveten. Është karakteristik fakti se për surrealistët çasti i përkimit ndërmjet dy qenieve është pa dyshim një çast lirie dhe rilindjeje. Por, nga ana tjetër, për surrealistët liria e individit gjendet dhe shprehet në predispozicionin e tij për të pranuar dashurinë si purgator dhe si ndjenjë krijuese.

    Shprehja poetike surrealiste e amour fou presupozon lehtësimin e poetit nga paragjykimet estetike, lakuriqësinë dhe pastërtinë e vizionit të tij dhe identifikimin me objektin e tij. Amour fou çliron erotiken, shpreh dëshirën irracionale dhe thyen kufizimet shoqërore.Erotizmi, në thelb, është një formë lirie, ndërsa dashuria një akt rebelimi kundër racionalitetit dhe një urë lidhëse midis së shkuarës dhe së tashmes, ëndrrës dhe realitetit.

    Breton beson se dashuria e vërtetë është e paracaktuar dhe mund të shfaqet papritur, si një vizion. Vetë takimin me Jacqueline e konsideroi si përmbushjen e një fati të pashmangshëm. Kjo dashuri ka vlerë eksploruese, nuk është vetëm emocionale, por edhe epistemologjike – ajo zbulon të vërteta të fshehura, njësoj si ëndrrat ose shkrimi automatik. Amour fou nuk është dashuri racionale; është një dashuri që e çon njeriun në prag të marrëzisë, një forcë dërrmuese që i konsumon të dy të dashuruarit. Dashuria e vërtetë duhet të jetë gjithëpërfshirëse, në atë masë sa të rrënojë të gjithë qenien e dikujt. Lidhja e dashurisë sëBretondheJacquelinepërfaqëson bukurinë dhe kontradiktat eamour fou. Ndërsa Breton e shihte dashurinë si një përvojë përfundimtare surrealiste, pavarësia që e dashura e tij kërkon ngre pikëpyetje të tjera në lidhje me kufijtë e një dashurie kaq obsesive dhe të idealizuar. Historia e tyre është një shembull i përsosur i pasionit surrealist – intensiv, poetik, por në fund të fundit kalimtar dhe i përkohshëm.

    Edhe pse éphémère, ky koncept për dashurinë do të frymëzonte edhe artistë të tjerë surrealistë, si piktorët Salvador Dali, Marx Ernst, Man Ray e shumë të tjerë. Ndërsa Paul Éluard e konsideron dashurinë si një vizion poetik. Te vepra e tij e famshme “Capitale de la douleur”, dashuria shfaqet edhe si burim ekstaze dhe vuajtjeje, duke reflektuar vetë paradoksin eamour fou, duke iu dorëzuar plotësisht e duke e lejuar atë të riformësojë realitetin. Përsa i përket filmit surrealist, irracionaliteti iamour foue gjeti medium-in e tij të përsosur në kinemanë surrealiste, ku dashuria shpesh sfidonte kohën, hapësirën dhe arsyen. Vetë Luis Buñuel prodhoi filma që u fokusuan në anën e errët të marrëdhënies dashurore obsesive, shkatërruese ku realiteti shembet nën peshën e pasionit.

    Amour fou mbetet një temë e fuqishme artistike dhe letrare, duke frymëzuar gjithçka, nga pikturat surrealiste deri te romanet moderne feministe. Ndërsa Breton e pa atë si një forcë çlirimtare, shkrimtarët dhe artistët e mëvonshëm e kanë sfiduar ose ripërcaktuar atë, duke zbuluar si bukurinë, ashtu edhe kontradiktat e tij. Edhe pse shpeshherë i keqkuptuar nga kritika dhe lexuesi, madje edhe në ditët e sotme, përgjigja e Breton  tek “Amour fou” është e qartë dhe shpresëdhënëse:

     Dashuria është përpara nesh dhe jo pas nesh, ajo rishpiket pa pushim…ajo është një mit, si vetë Opera, ku ne kalojmë çdo ditë, ku ne jetojmë, dhe mitet janë përpara nesh, janë tek ne, ata janë vetë ne”.

    Kjo është DASHURIA!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË