More
    KreuLetërsiBibliotekëCharles Casha: Një libër për Emin

    Charles Casha: Një libër për Emin

    Përktheu: Anisa Trifoni

    Pas muajsh me ditë të bukura me diell, dimri filloi të zvarritej ngadalë. Fermerët maltezë kanë një thënie, që na kuptojmë se moti nuk është freskuar ende, madje as është ftohur, deri në Krishtlindje. Dhe sikur të mos donte të sfidonte urtësinë shekullore të fjalës urtë mbi bujqësinë, moti priti deri sa kaloi Viti i Ri para se të fillonte të shfaqte praninë e tij të ashpër. Pikërisht ditën e tretë të janarit, qielli u nxi në mënyrë ogurzezë dhe një erë e fortë verilindore solli një nga ato stuhitë dimërore për të cilat Mesdheu është i famshëm. Edhe temperatura ra në mënyrë drastike dhe rrobat e dimrit u nxorrën nga garderoba për t’i bërë ballë të ftohtit. Herët pasdite, filloi një shi me gjyma dhe këmbësorët hapën çadrat për të gjetur strehë nga shiu i furishëm.

    Veç nëse kishin angazhime të ngutshme, që do të thoshte se ishin të detyruar të dilnin, ata që kishin frikë nga stuhitë qëndronin brenda, duke i ngrohur shtëpitë e tyre që të ndiheshin rehat, të strukur në divanet e dhomave të ndenjes duke parë televizor dhe duke dëgjuar vetëtimat që gjëmonin rradhazi duke ia lënë vendin njëra-tjetrës. Pasdite vonë, rrugët e Valetës ishin të shkreta. Shkuan e vanë ditët kur Rruga e Republikës do të gëlonte nga të rinjtë që shëtisnin lart e poshtë, ose kur kishte turma të vogla syresh që prisnin që kinemaja të hapte dyert. Në ditët e sotme, sapo mbyllen dyqanet, Valeta përgjumet deri të nesërmen në mëngjes, pasi jeta e natës dhe aktivitetet e tjera argëtuese janë zhvendosur gjetkë.

    Paceville është bërë kryeqyteti i ri argëtues i ishullit, me të rinjtë, madje edhe me ata jo aq të rinj, që ishin në kërkim të shoqërisë, argëtimit dhe të gjitha dëshirave të tjera. Njerëzit e kanë braktisur qytetin e kalorësve për qytetin e natës, me restorantet, klubet, kinematë dhe bufetë e tij që qëndrojnë të hapura gjatë gjithë kohës.

    Bregdeti Sliema nuk kishte frymë njeriu. Ai është i ekspozuar ndaj erës verilindore dhe nuk ofron mbrojtje, me erërat e forta që marrin përpara çdo gjë që gjejnë përpara. Dallgët e larta e kishin rrethuar plazhin shkëmbor, ndërsa trotuari me pamje nga bregu ishte lagur nga një përzierje shiu dhe spërkash nga dallgët. Stolat e lagur me pamje nga deti ishin ato që mbanin peshën e furtunës. Ata dukeshin të vetmuar, pa asnjë shenjë nga pushuesit e tyre të zakonshëm, të cilët, në mbrëmjet më të ngrohta verore, uleshin aty deri në mbrëmje, derisa krevati t’ua bënte me shenjë të ktheheshin në shtëpi.

    Megjithatë, pavarësisht motit të keq, turma e zakonshme e të rinjve që frekuentonte vendtakimet e Paceville, ishte ende atje, ndonëse me shumë gjasa, më e paktë në numër. Kuptohet që rrugët nuk ishin të mbushura me njerëz si zakonisht, por baret dhe restorantet ishin plot e përplot. Në fund të fundit, ishte mbrëmja e së shtunës, dita e javës kur shumica e njerëzve shkojnë në Paceville për argëtimin e fundjavës. Me afrimin e orës njëmbëdhjetë, të rinjtë që dëfrenin mund t’i shikoje duke vrapuar drejt autobusëve të linjës ose furgonëve me qira, që funksionin si autobusë individualë, në mënyrë që të respektonin orarin e vendosur nga prindërit e tyre, ndërsa më të rriturit, që kanë transportin e tyre; ishin ende duke ardhur. Të ngrënët, të pirët dhe kërcimi do të vazhdonin pa ndërprerje deri në orët e para të mëngjesit, ku ndërrimi i brezave vihej re deri tek rojet të cilën siguronin që dëfrimi të mos ndërpritej.

    Një grup i vogël djemsh dhe vajzash adoleshente ishin në një nga këndet më të njohura të pijes në zonë. Ata ishin ulur rreth një tavoline, duke pirë dhe duke u lëkundur nën ritmin e muzikës që buçiste nga dy altoparlantët e mëdhenj në secilin krah të lokalit. Baristi, me flokët e kapur bisht me mjeshtëri pas koke, përfitoi nga një moment qetësie për të larë dhe tharë gotat, që t’i kishte gati kur turma me klientët e radhës të mësynte lokalin, duke kërkuar pije. Vështrimi i tij ishte fiksuar tek një grua që ishte ulur në stolin e banakut të barit, duke pirë vodka.

    – Edhe një tjetër, – tha Suzana, teksa i zgjati gotën e saj për të rimbushur.

    – Nuk mendon se ke pirë mjaftueshëm për sonte? – i tha asaj.

    – Hë pra, mbushe edhe një teke… e fundit. Bëje dopio.

    Baristi bëri siç i kërkoi ajo, e mbushi gotën dhe ia vuri përpara, ndërsa ajo e pagoi. Ai e njihte Suzanën prej një kohe të gjatë dhe gjithmonë ishte tërhequr prej saj. Ajo ishte e bukur dhe e denjë për një vështrim të dytë, apo edhe të tretë. Ai kishte pasur gjithmonë një dëshirë të fshehtë për të dalë me të, por kurrë nuk kishte marrë guximin për ta pyetur. Çuditërisht, kishte qenë gjithmonë i frikësuar të merrte iniciativën, sepse e konsideronte tepër të bukur që ajo të mendonte të dilte me të. E megjithatë, ai e dashuronte, qoftë edhe vetëm nga larg. Ajo nuk ishte më e re, pavarësisht viteve dhe efektit të tyre tek ajo, Suzana ishte ende një grua e bukur. Çdo mbrëmje, ajo vinte në lokal dhe fillonte të pinte vodka pa fre dhe nuk ndalonte para se t’i rëndoheshin sytë dhe lokali të fillonte t’i vinte rrotull. Shumë herë, ndërsa dilte duke iu marrë këmbët nga lokali, pengohej dhe binte pasi përplasej pas ndonjë karrigeje apo tavoline. Pedit, baristit, i pëlqente fakti që ajo kalonte kohë në banakun e tij, por shqetësohej kur e shihte në atë gjendje, duke pirë aq shumë. Shpesh ajo përfundonte me një vështrim të akullt në sy dhe duke folur pëçart. E kishte vdekje veçanërisht kur shihte klientë të tjerë që buzëqeshin të vetëkënaqur apo edhe zgërdhiheshin me të. Oh, sa shumë do të donte që ta merrte me vete në shtëpi për ta dashur, për ta çmuar dhe për t’u kujdesur për të. Megjithatë, Suzana nuk tregoi kurrë ndonjë interes për të. Pedi nuk ishte i pashëm. Natyra nuk e kishte bekuar me një pamje fizike tërheqëse. Mbrëmje pas mbrëmjeje ai do të takonte vajza të panumërta dhe do hynte në biseda me shumë prej tyre, por kurrë nuk arriti të dilte me ndonjërën. Shpesh, do të dëgjonte të rinjtë që frekuentonin barin e tij të mburreshin për arritjet e tyre, duke përfshirë të gjitha detajet e ndyra. Por, ai vetë, nuk kishte pasur kurrë përvoja të tilla. Detyra e tij ishte të kujdesej për lokalin dhe këtë e bënte mirë gjatë natës, e ndonjëherë edhe deri në mëngjes. Ai fitonte shumë nga puna, por nuk ishte kurrë i kënaqur.

    E kishte menduar një mijë herë ta linte punën, por nuk e ndërmori kurrë hapin përfundimtar. Prania e Suzanës në lokalin e tij ishte shpesh faktori që e mbante atje, duke shërbyer pije, duke marrë pagesën e duke dhënë kusurin, duke larë e tharë gotat dhe duke parë fluksin e vazhdueshëm të njerëzve brenda dhe jashtë lokalit. Ai e kalonte pjesën më të madhe të orëve, zgjuar, në zemër të një argëtimi të tillë, pa pasur kurrë mundësinë ta shijonte vetë. Atë natë, Pedi e kishte përqendruar vështrimin e tij të vëmendshëm tek ajo, duke e parë të kthente me fund atë që supozohej të ishte e fundit për atë mbrëmje.

    Ndërkohë, një djalë i ri duke pirë i qetë në një kthinë bashkë me një grup të rinjsh, i tha njërës prej vajzave:

    – E sheh atë gruan te bari? Ajo vjen këtu çdo ditë! Dhe, kur e ka plotësuar kuotën e saj të vodkës, largohet nga këtu, gjysmë e dehur. Një herë, ndërsa po dilte, ishte aq e dehur saqë u rrëzua me fytyrë. Ne nuk mund të reshtnim së qeshuri me të!

    – Ajo e ktheka me fund vodkën, – u përgjigj vajza.

    Kjo shkaktoi një numër komentesh nga të tjerët në grupin e tyre, të cilët tani i kishin të gjithë sytë tek Suzana.

    – Ajo pi vodka pothuajse sikur të ishte ujë.

    – Duhet të ketë lekë tepër, nëse i shpenzon ashtu.

    I riu iu përgjigj këtij komenti të fundit, duke konfirmuar:

    – Po, ashtu është.

    – Duket se e njihkërke mirë, – ia ktheu vajza e parë. “Ç’është e vërteta jo, por fola me dikë që e njihte dhe ai më tregoi shumë gjëra rreth saj.”

    – Si për shembull? – reagoi vajza, me kuriozitetin që iu zgjua natyrshëm.

    – Po ja, di që ajo është e martuar me një avokat mjaft të suksesshëm dhe shumë të pasur, – tha ai.

    Vajza tjetër, duke mos dashur të mbetej jashtë këtyre thashethemeve, e pyeti për moshën e saj, “Ajo duhet të jetë rreth të tridhjetave …”

    – Aq them edhe unë, – tha djali duke e parë me epsh. “Megjithatë, ajo është ende e bukur dhe e ka ende atë, nëse e keni idenë se për çfarë e kam fjalën dhe nëse …”

    – Mbylle, – ia ktheu vajza duke buzëqeshur. “Mos fillo me atë mendjen tënde që të punon vetëm për një gjë.

    – Çfarë thashë? Unë nuk thashë asgjë …

    – E di shumë mirë se çfarë doje të thoje, more kopuk i ndyrë…, – e ngacmoi ajo duke qeshur.

    Nga aty ku po qëndronte, Pedi mund t’i dëgjonte të gjitha shakatë që vinin nga ai grup të rinjsh. Ai vetë ishte mbi të tridhjetat dhe megjithëse ishte gjithmonë i rrethuar nga këta të rinj, muhabeti i tyre shterpë dhe humori i cekët nuk i shkonin aspak për shtat.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË