ZONJA NGA FILATI SAFO DEMI
Afër mesditës së datës 20 janar të këtij viti, me telefonoi miku im dhe historiani i mirënjohur, Hajredin Isufi, që më dha lajmin për ndarjen nga kjo jetë të Safo Demit. Pasi shpreha hidhërimin për Safon, i thashë se vitin e shkuar kisha takuar Pëllumbin, djalin e saj, në një nga rrugët e “Tiranës së Re”, i cili më foli për shëndetin e rënduar të nënës së tij. Me Pëllumbnin jemi moshatarë. Ai ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës, Dega e Fizikës. Ka qenë rektor i Univerisitetit Ushtarak dhe e mbylli karierën si profesor i kësaj lënde në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Ai është personalitet në fushën e tij dhe ka lënë gjurmë në këtë lëmë.
Ajo ishte një zonjë e vërtetë, me vyrtyte të rralla, familjare e devotshme, gojëmbël dhe fisnike. Ajo është e bija e Musa Demit, që siç shkruan prof. Pëllumb Xhufi “Është protagonist në organizimin e qëndresës antiosmane, në hapjen e klubeve e shkollave shqipe në Çamëri… në kundërshtimin e pushtimit të represionit e gjenocidit grek… në luftrat me pendë, në luftrat me armë”.
Mbaj mend, që në përkujtim të vëllait të saj, Petrit Demi, në hotel “Tirana”, ku u promovua një libër i tij, fola dhe unë dhe që në fillim përshëndeta praninë në atë sallë të Safo Demit. Më pas, në mbyllje të kësaj veprimtarie, bisedova gjatë me Safon. Më pyeti për të gjithë, veçmas për nënën time, duke më porositur që t’i bëja të fala dhe ta përqafoja. Pastaj kujtoi dajot e mi, Taipin dhe Reshatin, djemtë dhe vajzat e tyre. I përmendi të gjithë më emra. Unë i thashë se isha shumë i ri, por e mbaja mend mirë atë, kur shkoja në Golem tek dajot. Safo Demi banonte në një shtëpi një katëshe, në hyrje të Golemit, pranë asaj të dajës tim, Taip. Ajo ishte martuar me Gani Berberin, një zotëri i vërtetë nga Delvina, mësues dhe drejtor i Shkollës Bujqësore të Golemit., ose siç thirrej në popull, Shkollës Amerikane. Nëna ime shkonte shpesh në Golem dhe sa e merrte vesh Safua, vinte për ta takuar. Kujtoj si tani, bisedat e saj, sesi kujtonte Filatin, familjet e mëdha të këtij qyteti, babain e saj, Musa Demin, miqësitë me çamët e krishterë, grekët apo vllehët, që banonin në këtë qytet, shoqet e femijërisë, si dhe endrrën që kishte për t’u takuar me këto vajza të bukura të familjeve të krishtera, që ishin rritur bashkë.
E kam takuar prapë këtë zonjë nga Filati në shtëpinë e saj në Tiranë. Ishte mirë me shëndet. Iu rikthye kujtimeve nga Golemi. Pastaj unë e pyeta për Filatin. Befas sytë e saj sikur morën një shkëlqim a dritë të veçantë. Heshti gjatë, shumë gjatë. Dhe nisi të më rrëfejë për vitin 1992, kur pas 40 viteve, kishte shkuar atje, në vendlindjen e saj. Më njohën edhe gurët, tha. Edhe drurët. Edhe kalldrëmet. Edhe sokaqet. Edhe… Edhe… Zonja nga Filati, Safo Demi, në ato momente, teksa fliste me mua, m’u duk se nuk ishte në Tiranë, por në Filatin e saj të bukur. Kur u ndamë, i thashë se Hajredin Isufi, ka shkruar për mbresat e saj, kur ajo kishte vizituar Filatin. Më përcolli deri jashtë apartamentit dhe duke më përqafuar më porositi t’u bëja të fala të gjithëve, veçanërisht, Selemesë, nënës time.
Dua t’i mbyll këto shënime në kujtim të zonjës nga Filati, ndoshta e fundit që ishte gjallë nga ky qytet, duke cituar historianin Hajredin Isufi, nga libri i tij “Çamëria, Studime Historike-Sociologjike, shek..XIII-XX” , botuar në vitin 2006 :
“Në viti 1992, Safo Demi(Berberi), krejt papritur për miqtë e familjes së saj dhe shoqet e fëmijërisë u gjend në Filat. Ajo mbante mend mirë çdo shtëpi e lagje, çdo rrugicë e skutë të qytetit të saj, ku kishte kaluar vitet e bukura e të paharruara të fëmijërisë. Vendosi që vizitën e parë ta bëjë në shtëpinë e L.K. Ajo ishte një familje e krishterë filaqote, që kishin miqësi të ngushtë, jo vetëm të parët e familjeve të tyre me Musa Demin, por edhe vajza e L.K, Katerina, ishte shoqe e viteve të shkuara me Safo Demin.
Safua nuk e dinte, nëse do të gjente njeri në shtëpi. Ajo dhe shoqja e saj ishin të thyera në moshë e të zbardhura. Mosha kishte bërë punën e vet dhe kishte lënë gjurmët e saj, por kujtimet tek Safua kishin mbetur të njëjta si më parë, të forta e të paharruar.
Çamja, që kthehej në qytetin e saj, pas më shumë se 40 vjetësh, trokiti në portën e L.K. Menjëherë në krye të shkallës së shtëpisë, del një grua dhe pyet se kush ishte.
Jam një mikeshë e vjetër e kësaj shtëpie – i tha Safua – A pranoni miq?
E njoha nga zëri. Ishte shoqja ime, tregon Safua, por emrin tim nuk ja thashë, për të provuar a do më njihte.
Katerina, sapo e dëgjoi zërin e shoqes së saj, që nuk e kishte dëgjuar për dhjetra vite, lëshoi një britmë, që shprehte dhimbje, habi dhe gëzim e përzihej me mallëngjim. I vetmi refren që dilte nga goja e saj, kur vraponte për të hapur portën e jashtme ishte:
O popo, o popo! O Zot i madh! Zot i madh! Erdhi gjaku inë, gjaku inë!
Dhe me një mall të madh iu hodh Safos në qafë. Të dyja shtëngoheshin fort, në krahët e njëra-tjetrës, putheshin dhe nga sytë e tyre derdheshin lotë malli, sikur donin të lanin borxhin e mallit të viteve të shkuara të ndarjes. Ato ishin lot për fatin tragjik, që i kishte ndarë”.

MIQËSITË E MBETURA
Duke marrë shkas nga episodi i mësipërm i takimit të Safo Demit në Filat me shoqen e saj të feminise, dua t’u rikthehem miqësive që çamët, banorë në trojet e tyre në Epir, kanë patur me popullsinë greke dhe vllehe në këtë rajon. Historiani Hajredin Isufi, është i pari që është marrë gjerësisht me këtë temë pak të njohur për opinionin shqiptar dhe atë grek.
Të gjendur pranë njëri-tjetrit gjeografikisht, por në disa fshatra dhe qytete çame edhe të përzierë, në fushën e kulturës shpirtërore, por edhe më gjerë, kanë dhënë dhe marrë mes tyre. Ka një të vërtetë të pamohueshme, se duke njohur dhe vlerësuar kulturat e njëri-tjetrit, çamët dhe grekët i kanë respektuar ato. Në këtë kuptim diversiteti kulturor në Çamëri dhe këtu fjalën e kam për kulturën shqiptare çame, që ishte homogjene, por edhe për kulturën e grekërve, vllehëve etj ka qenë një nga pasuritë dhe vlerat e mëdha të saj. Ndasitë fetare nuk ishin pengesë sa kohë që ata respektonin njëri-tjetrin si besim dhe vlerë. Çamët merrnin pjesë jo vetëm në festat fetare të fqinjëve të tyre, por edhe në dasma dhe gëzime të tjera. Përveç sinoreve ndarës pra gjeografisë me vija të përcaktuara ose edhe jo ndarëse, në Ballkan, dhe veçmas në Çamëri, mund të flasim edhe për gjeografi shpirtërore. Kjo e fundit nuk figuron në asnjë traktat apo marrëveshje ndërkombëtare ose ndërshtetërore.
Këto marrëdhënie kanë qenë jo vetëm në fushën e kulturës, por edhe në jetën e përditëshme. Siç shkruan Tula Stefanidhu (Malakata), në fund të librit të saj “Margariti” (Athinë 1989), as kisha dhe xhamia nuk na ndanin.
Mbaj mend shumë rrëfime nga të parët e mi për këto marrëdhënie të mira në të gjithë Çamërinë, për shkuarjet dhe vajtjet në festa fetare, siç ishte Bajrami, apo Pashkët, si dhe në dasma dhe vdekje.
1
Në qytetin e vogël të Rrogozhinës, ku unë kam mbaruar shkollën shtatë vjeçare dhe atë të mesme dhe kam qenë mësues në këtë sgkollë, në skajin perëndimor, ishte një lagje, që ashtu si dhe ajo “Miqësia”, dukej si e shkëputur nga qendra e qytetit. Edhe këtu banorët ishin të ardhur nga vise të ndryshme të Shqipërisë dhe kishte pak familje çame, ndërsa ngjitur me kodrën e tunelit banonin vllehët. Nuk e di se kur ishin vendosur vllehët atje, por para tyre në atë vënd, ishin vendosur partizanët e EAM-it bashkë me familjet e tyre, kur shteti fqinjë u përfshi nga Lufta Civile. Mbaj mend, ndoshta mund të ketë qenë viti 1959, kur pas amnistisë së qeverisë greke, ata u riatdhesuan. Ka qenë shtator dhe binte shi i qetë, kur partizanët grekë, me gratë e fëmijët, por edhe bagëtitë, hipur në makina të hapura ushtarake, kaluan përmes qendërs së qytetit. Nuk do t›i harroj kurrë, megjithëse isha fëmi, fytyrat e tyre të trishtuara, velenxat e hedhur krahëve dhe duart që i ngrinin lart, për t’u thënë lamtumirën dhe përshëndetur banorët, që i kishin mirëpritur në qytetin e tyre të vogël.
Në Rrogozhinë, e vetmja familje që mbeti dhe nuk u largua atë ditë me shi, ishte ajo Strugari, nga Filati i Çamërisë. Do të shkruaj herë tjetër për familjen Strugari, për Poliksenin, gruan e mirë dhe Dhimitrin, djalin e saj të vetëm, që e kam patur nxënës në shkollën e mesme të Rrogozhinës. Polikseni i rriti me sakrifica djalin dhe vajzën, pasi i shoqi ish partizan i EAM-it, vdiq në qytetin tonë të vogël. Babai im, i cili asnjëherë kur unë isha mësues nuk ka ndërhyrë për këtë apo atë nxënës, sepse ai nuk e bënte kurrë këtë, të vetmen ndërhyrje që mbaj mend ishte për Dhimitrin, djalin e Poliksenit. Mbaje afër dhe ndihmoje atë. U thuaj dhe mësuesve të tjerë që ti i ke shokë, që ta ndihmojnë Dhimitrin, më tha babai dhe pastaj shtoi: “Familja jonë ka patur miqësi me Panajot Strugarin, që ka qenë partizan me EAM-in. Në marsin e vitit 1945 Panajoti na mori në mbrojtje të gjithëve, pas vrasjes së Selmanit në Spatar. Ishte ai, që mes bandave zerviste që dilnin rrugës, na përcolli deri në kufirin me Shqipërinë. Dhimitri është nga gjaku i tij. Panajotin nuk kemi ku ta gjejmë, sepse është në Filat. Dua që mirënjohjen t’ja shpërblejmë me ndihmën që do t’i japësh Dhimitrit si nxënës”
2
Në vitin 2006, historiani i njohur Hajredin Isufi, në librin “ÇAMËRIA, Studime historike-Sociologjike Shek XIII-XX”, boton një letër në gjuhën shqipe dhe faximilen në gjuhën greke, me këtë shënim: (Marrë nga libri i Tulla Stefanidhu(Mallakata): “Margariti”, Athinë, 1989, f.125).
“Lidhur me këtë, pa dashur të bëj komente, le t’i njohim lexuesit me një letër, që një e krishterë margëlliçote, i dërgonte shoqes së fëminisë së saj, që ishin bërë motra. Ato i ndau lufta. As njera dhe as tjetra nuk dinte gjë për fatin e tyre. E krishtera nga Margëlliçi, ato që ndjente në zemrën e saj, për motrën çame, i shkroi në një letër, e cila shpreh më shumë se çdo koment e analizë, që do t’i bëhej kësaj letre”.
Po ua sjell të plotë lexuesve këtë letër.
Letra e Tula Stefanidhu (Malakata)
Bashkatdhetar, që kthehesh nga Shqipëria! Mos ke mësuar vallë për motrën time? Si ne, çame, nga vendet tona është. Jam e pikëlluar. Asnjë nuk di pas kaq shumë vite që kanë kaluar.
Bashkatdhetar! Ti, që je kthyer para do kohe nga Shqipëria, mos vallë e di në se rron ende motra ime e dashur?
Ishte truppakë, sygështenjë. E bukur. E martuar së vogli. Bijë e vetme mes katër vëllezërve. Dhe s’kishte mbushur motin, që kishte lindur një vajzë. E pamësuar ishte me vështirësitë e jetës.
Të vogla, ktheheshim në ovorua dhe loznim me guralecë. Në sterenë e madhe ulnim kokat dhe thërrisnim të dëgjonim jehonën e zërave tanë.
Motmoti besimi nuk na ndante, kisha dhe xhamia na bashkonin. Një miqësi e lashtë i lidhte familjet tona.
-Ta ketë duruar rrugën e mërgimit?
– Mendoj se po, jeton- përgjigjet zemra e përmalluar. Por, vitet kalojnë pa lajme dhe gjithçka e bren dyshimi dhe ankthi.
Dhe ja, dyzet e ca vjet më pas, nga Shqipëria vjen një letër e përmortshme, bukur shkruar nga vëllai i madh.
Në fillim për të afërmit pyet: Kush rron? Kush nuk është më? Dhe në fund vijnë vuajtje pa fund: ‘’Sapo lamë vatrat tona, rrugës na vdiq motra jote. Ishte vetëm njëzet vjeç. Dhe nuk vonuan ta ndiqnin e bija dhe i shoqi. Vdiq edhe i ndjeri baba me gjyshen. Të pambaruara qenë lotët e hidhërimit para se të arrinim të shlodheshim diku.’’
Letër e kobshme! Kaq vjet zëmërdridhur, kaq vjet dyshimet largoja.
O zot! Sa të tmerrshëm, sa të neveritshëm gjakëtarët, tiranët, paranojakët që vunë popujt të vriten dhe nuk i lanë të rrojnë me dashurinë e zemrën për njëri- tjetrin.