…Udhëtimi me “Rrangëll”…që nuk kuptohej kollaj në ish anije, multibus a avion….a ndoshta edhe amfib…, kish pak të ngjarë të ish imagjinar…
…asesi me gjithë ata personazhe realë aspak rastësorë, që do hasen e do dalin me gjasë të njohur, më poshtë…
…Pastaj emri i mjetit udhëtues, është tepër bindës e trendy, si akustikë, a për hatër të anglofilëve :”…Rrangëll” (pak a shumë si anija e Darvinit, Beagle( “Bigëll”)…
…në shqip do shkruhej e njëherazi shqiptohej varfër:”…Rrangull”…
…ky udhëtimi me “Rrangëll”, mund të ishte edhe një
udhëtim thjesht turistik, apo ndoshta një rrugëtim prag-ikje në grup, a një pas një, diku larg, fare larg…
…Udhëtarët kishin paguar a s’kishin paguar një tarifë simbolike, nuk dihej… se vende vazhdonte të kishte boll për këdo tjetër që donte të vinte…Mjaftonte dëshira, vullneti e shëndeti jo dhe aq i keq. Udhëtarët preferoheshin jo fort të rinj e më e mira të ishin nga të 4 anët e botës.
…thuhej, e doli e vërtetë, se nuk pranoheshin vetëm ata me probleme të rënda shëndeti a pritmëri vdekje të afërt…po këta nuk mund ti zbuloje aq kollaj…
“…nuk e kuptoj ç’dreqin keni me moshën time” u bërtiste kontrollorëve një burrë shtatvogël, nevrik, flokëbardhë e mjekërbardhë, i ngjashëm me presidentin brazilian Lula( më vonë na rezultoi se nuk ishte veçse 87 vjeç )…”…dhe ndërkaq tregonte me gisht një xhentëlmen anglez mbi të 90-at që krekosej në një nga ndenjëset e kreut, duke i zbuluar madje edhe gjoksin erës..
…”më i mirë se unë është ai?…
…”Po me zemrën time…ç’kini?…kam një jetë me probleme kardiake…edhe në vdeksha lajmëroni të mitë se vinë e ma marrin banesën e shpirtit…pa merak…(vetëm ai e dinte se nuk i kish mbetur më kërkund ndonjë i afërm i gjallë të kujdesej për të, jo më për kufomën e tij…)
…më vonë, pasi e pat rregulluar të bëhej pjesë e udhës … u muar vesh se ishte një arkeolog i njohur grek që bridhte ca si shumë…Jo vetëm për arsye zanati, por edhe “për ti bishtnuar relativisht vdekjes” siç u shprehej të njohurve dinakërisht vetë. Kësaj rradhe vinte në udhëtim edhe për të vizituar amfiteatrin e fundit që nuk kish parë në këtë botë…atë që e mbulonin a e bënin edhe më tërheqës me emrin Surpriza…Ish planifikuar ta vizitonin diku nga mesi i udhëtimit…
…Nuk arriti të shohë as edhe një atraksion për be e jo më amfiteatrin…Takoi pothuaj pa u nisur mirë, veç vdekjen…infarkt akut…e përfundoi në morgun e Argjiros, qytetit të parë që hasën udhëve, andej pari….aty për ditë të tëra nuk u paraqit njeri ta tërheqë të ngurosur…Së fundmi u vendos ta varrosnin diku në varosh me shpenzimet e bashkisë së Argjiros..
…Me këtë bashkëudhëtar e mandej me të tjerë, zuri fill e vijoi të shtohej lista…e ata ndër udhëtarët me kujtesë ende në gjendje, filluan të numëronin e kujtonin sa mundnin, një e nga një, ç’lanë e ç’po linin udhës…pas..
…nuk ja arrinin tamam as ata, se të ikurit a të mbeturit pas, (teksa të tjerët vazhdonin kinse përpara), ishin në shumicë….Me ikje në dukje natyrale, gjë që dihet nuk bën ndonjë përshtypje për ca mosha…apo qoftë edhe ikje të parapërgatitura për tu dukur si natyrale, nga vdekatarët fshehtas të sëmurë, paracaktuar për tu bërë shpejt të mbaruar…
…regjisorin e njohur e shtrinë mbi kurriz, mbi yllin e vet të Hollywood-it, me vështrimin lart
nga qielli…që të shihte yjet e vërtetë e nëse mundej edhe ndonjë hyjni nëse do i fanepsej…
…nip stërnipi i projektuesit të parë francez ( pas Neronit) të çarjes së kanalit të Korintit, përfundoi siç deshi në ujrat me atë ngjyrën aq të kaltër të bukur, të kanalit…E hodhën ndaj të gdhirë… që mos ti shihnin policia a autoritetet lokale…më saktë e zbritën me litarë me fytyrë nga uji. Kësisoj gjëja e fundit që do shihte të ishte uji i kaltër që bashkonte dy detet e që gjysh-stërgjyshi, bëri të mundur të shfaqeshin të tilla tek e çau me mend atë kanal…E meritonte atë përkujdes. Kish një jetë të tërë që i tregonte tërë botës se stërnipi i kujt ishte…
…me udhëtarët qe dhe ai inxhinieri amerikan që sa i kish mbushur të 70-at por që ngjiste shumë më i ri,…ai që u hodh i qetë nga ura e San Franciskos…kur në udhë e sipër i mbrriti mandata-diagnozë, që i bënte me dije kancerin galopant, pa shërim…atë që të ha qelizat, …e që shumë shumë i premtonte jo më tepër se disa pak muaj jetë plot torturë e dhimbje të padurueshme fizike. U hodh me mjeshtëri e sportivitet, si të ish duke marrë pjesë në një nga ato garat olimpike të hedhjes nga tramplini….tek kridhej pingulthi për të mos u ringjitur kurrë më,…lëshoi në dy-tre gjuhë një: …” a tout a l’heure amis…” “see you later guys…” ( mirupafshim së shpejti miq…)
…po me të tjerë ishte edhe ai dandy francez që i pushoi zemra tek vraponte tutje tëhu në biçim-kuvertë, siç pat bërë çdo mëngjes për dhjetra vjet tutje tëhu Jardin de Luxembourg, tek admirohej nga parisianët si një model i mëngjesit të bukur të qytetit të dashurisë…
…ishte një alamet djali rreth 60 vjeç që dukej si 39…me T-shirt e pantolla të shkurtna borë të bardha tenisi..pati plasje aorte a diç tjetër…ç’rëndësi pati…ç’pati…iku…kur askush nuk e priste…Në të vërtetë nuk bëri tjetër veçse imitoi a ripërsëriti në mënyrë banale, vdekjen e vet që i pat ndodhur e pat bërë bujë do kohë më parë, në Paris, tek vraponte si çdo mëngjes, në Kopshtin e Luksemburgut…
…Ishte me grupin e e lanë pas, edhe një i pasur simpatik( ky që vraponte a një tjetër?…po ç’rëndësi ka), milioner, mecenat arti, llafollog i prapë…shpesh i ftuar në studio TV, ku pat qenë ai i pari që i ish përgjigjur hapur asaj pyetjes se “ç’qenë ato 3 gjëra që e bënin të ishte aq dinamik e optimist pothuaj çdo ditë..( optimist, për të mos e shtyrë më tej deri në “i lumtur”, se mund ta merrte për fyerje inteligjence… )…Pat dhënë tre arsye: “une carte bleue” ( karta bankare) gjithmonë plot, një “penis dur” (një k…i fortë) dhe vrapi i mëngjesit…I binte së paku në dukje të ishte një dashnor i prapë i qejfli i vetes ( po ç’kish dashur me ne aty atëhere?! Hë pra!)
…politikanin që nuk ju shqit karrikes tërë jetës…as edhe në atë udhëtim( e pat marrë me vete) e lëshuan nga maja e bjeshkës e tatëpjetë..ashtu e pat kërkuar vetë:” nuk pata parë një herë një zbritje të vërtetë, vrikthi në jetë…ju garantoj…”, ju briti gjindjes së fundmi, tek e rrokullisnin poshtë futur në një golf të madh qepur fort nga gryka e nga fundi…
…Aty nga mesudha, aty ku..ishte përgatitur ajo Surpriza për udhëtarët…diku në një nga ato udhët a brigjet e shumta nga do barisnin…aty ku dikur pat qenë një amfiteatër i lashtë…
…aty ulur në shkallët e tij të ronitura…fort rrallë, në mos fare të restauruara…do ti prisnin udhëtarët…bijtë a bijat,…ndonjë bashkëshort a bashkëshorte, ndonjë të rrallë, edhe ndonjë babë i moçëm jetëgjatë, ardhur nga Japonia…mund ti prisnin qoftë edhe të afërm…sado të largët…nëse u kishin mbetur të tillë… udhëtarëve më të vjetër…ndër të vjetër…ndoshta edhe ndonjë mik…
Sado të lodhur a harruar nga koha, surpriza ishte menduar se do tu jepte një impuls të fundit regëtitës jete, udhëtarëve jo fort të rinj…
…ish menduar mirë kjo: i moçmi është si ai fëmija…pak kuriozitet të dish ti ngjallësh… e po reagoi, dije se ndjehet a është ende gjallë…jeton…është kurioziteti që mban gjallë…po vdiq edhe ai…atëhere po: ka mbaruar…
…nuk di si u gjenda edhe unë aty, ndoshta si kavje eksperimenti, i bindur se nuk do më priste kërkush..si rastësor që isha…andaj edhe u hodha pa ndroje ndër të parët drejt e në krahët e një plaku mjekërbardhë me fytyrë të hutuar që sipas mendjes time, zorr se mbante mënd më ndonjë fytyrë të gjallë në jetë…
…E tek e shtrëngoja fort në kraharor, duket se një palë krahë shumë më të forta se të miat, po na shtrëngonin të dyve: mua e plakun…Kush të qe ky? Duhej të ishte i biri, ende jo aq i vjetër sa të mos njihte të jatin…shumë më të moçëm…
…i biri i plakut, le të themi, po na përqafonte të dyve njëherazi duke na shtrënguar herë pas vetes e herë duke na ngjitur gjoks më gjoks me njeri tjetrin, mua e atë plakun… fort. Mu duk sikur plakut i kërcitën kockat..(apo ishin të miat..?)
…Ai biri me krahë si morsa, kish një fyfyrë të mirë, gjithë kohën si të pikëlluar, melankolike…pak a shumë si të atij aktorit irlandez që kot e morëm inat kombëtarisht…thjesht se në një rol, pat thënë se ishim popull banditësh e drogaxhinjsh e…po në rol…e vetëm në rol…pat ndjekur e arrestuar plot zell një bandit me kombësi tonën, luajtur si rol ky, nga një aktor me origjinë serbo-kroate…
…ç’pat menduar biri i plakut për mua tek më kish parë të qafoja plot dashuri të atin e moçëm që ndërkohë kish mbetur i nemitur, pa shprehje pothuaj… ndoshta në kërkim të portretit tim në sirtarët e memuareve të bibliotekës tashmë të rrënuar të kujtesës së tij?
…se isha i sigurt, ajo maska e fisme e shpirtit të tij të qashtër birësor, nuk mund të ishte veçse e vërteta e tij…Ç’pat menduar vallë pra, me atë qashtërsinë e portretit të tij, vijimësisht melankolik?…
…pat menduar ndoshta që po ngatërroja babën e tij, me babën tim tashmë të ndjerë…apo me birin që duhet të ish diku në ndonjë shkallare duke më pritur…apo pat menduar që baba i tij plak më ish dukur (a vërtet ishte) si një miku im i vjetër…
…apo ndoshta jashtë çdo hamendje, me të drejtë kish kuptuar të vërtetën, timen dhe të të gjithëve…se kisha edhe unë aq nevojë për ngrohtësi…për pakëz ngrohtësi…për një përqafim…për një shpirt të mbetur gjallë…edhe për mua…(në atë udhëtim makabër që nuk njihte veçse ndarje e të ftohtë të hidhur)…
…aty për aty pastaj befas më shkrepi në mendje…e mendjeshkrepjet e befta prej vetiu i njoh mirë ( quhen ndryshe edhe “ shkëlqimi a shkrepëtima e insight-it”), e kurrë nuk më kanë gabuar….
…e pra më ndriçoi si vetëtima e asaj surprize…e mu shfaq si në shkrime të shenjta, se nuk isha veçse “mashtruesi” më i vogël e më naiv (në atë zonë rrethuese) e se të gjithë përrreth, kërkues shpirtrash e sidomos ofrues shpirtrash të ngrohtë, nuk ishim veçse…të gjithë mashtrues a të mashtruar, apo njëlloj të themi: aktorë
Ndër ta, të parët, udhëtarët, aktorë të pavetëdijshëm, aktorë halli, të pashkolluar si aktorë…jetë-mbaruar…të zgjedhur të tillë që në fillim të programit, nga regjisori i panjohur, mizor…
….e të dytët, aktorët e vërtetë, ata të paguarit,…ishin ata shpërndarë në ato shkallë të amfiteatrit të rrënuar…në rolet e bijve, baballarëve, të afërmve sado të largët, … aktorë të paguar…për të ofruar shpirtra kinse të ngrohtë…taze të ngrohtë…seicili syresh pra, në rolin e një shpirti…pa gjasë…për çdonjerin nesh…mbetur ende gjallë…