More
    KreuLetërsi shqipe në përkthimMaria Roces Gonzáles: Atje ku dielli lind dy herë

    Maria Roces Gonzáles: Atje ku dielli lind dy herë

    Shënime mbi librin “Vallëzim me hënën” i shkrimtarit Namik Dokle, botuar në Spanjë.

    Në trevat ballkanike, një hapësirë e traditës së fuqishme gojore, e prirur veçanërisht drejt fabulës legjendare, një ditë në kohërat pas Luftës së Parë Botërore, erdhën disa anglezë, rusë dhe francezë të çuditshëm, me një emër po aq të çuditshëm dhe fatal: Komisioni i Përcaktimit të Kufijve. Ata e morën në dorë edhe krahinën e Gorës dhe e ndanë në copa; fillimisht në dy ( Shqipëri-Mbretëria Jugosllave) dhe tashmë e ndarë në tre shtete: Shqipëri, Kosovë, Maqedonia e Veriut. Kështu, goranët, një popullsi me të folmen e vet dhe me origjinë të lashtë heretike, me një territor kompakt, të dokumentuar që në shekullin e 14-të, jetojnë sot në 29 fshatra, në tre shtete, por të pretenduar edhe nga serbët, maqedonët, bullgarët, madje edhe turqit, që i konsiderojnë si “amanetin” e tyre. Megjithatë, vendasit e Gorës ( të quajtur edhe Torbeshë, ngaqë kanë qenë të detyruar të bredhin botën për bukën e gojës, gjatë gjithë jetës, me torbë në krahë, duke marrë këtë emërtim karakteristik) afirmojnë ekzaktësisht dhe spontanisht: jemi tanët,- nashinci, në të folmen e tyre.

    Ani mirë, në pjesën shqiptare të Gorës është një fshat i quajtur Borje, ku, sipas banorëve të tij të lashtë “ dielli lind dy herë në ditë dhe hëna fshihet dy herë natën, ku dihet se tre vajza kanë vallëzuar me hënën, ku rriten bimë dhe lule të shenjtëruara, zogjtë e Gorës këndojnë çdo pranëverë nëpër botë për t’i thirrur goranët që të kthehen për festën e ndritur të Shën Gjergjit; atje ka edhe ditë që hapet qielli për të plotësuar dëshirat e njerëzve, ka yje që bien në prehërin e nuseve të fshatit, ka këngë dhe melodi që e çajnë edhe gurin nga dhimbja, përrenj që flasin dhe përrenj të shurdhër, mjeshtra që vënë bast me djallin, nëna që shkojnë në ferr se prishin dashuritë, koka të prera që flasin dhe fjalë që vrasin, mallkime shekullore dhe, mbi të gjitha, aty jeton një plakë treqind vjeçare që rrëfen kronikën dhe kujtesën e të gjithë kohërave.

    Dhe, siç edhe pritej, goranët, kjo pakicë ballkanike gjithnjë e shtypur, kurrë nuk do të rreshtin qëndresën e tyre jetësore, të vendosur, shpirtërore dhe kulturore. Po qysh? Duke përshfaqur imagjinatën e vet të veçantë dhe të admirueshme, e mishëruar kjo në balada dhe legjenda që ruhen dhe transmetohen brez pas brezi, gojarisht, meqenëse e folmja e tyre ( gorançe ose nashke) nuk mësohet në shkolla apo libra, nuk transmetohet në radio as në televizion.

    Duhet të vinte, më në fund, një djalë i Gorës, Namik Dokle, i cili, gjithnjë kujton fshatin e tij Borje, ku ka dëgjuar në fëmijërinë e vet, gojëhapur dhe me vëmendje të jashtëzakonshme, këngët dhe legjendat, tregimet e pleqve dhe të plakave, traditat dhe zakonet, pasurinë shpirtërore, për të na i ritreguar në 52 legjenda, në shqip dhe, tashmë, edhe në spanjisht, nëpërmjet shenjtërisë së germave të shtypit, në një botim luksi nga botuesja Kristina Herreros, me ilustrime nga Jesús Gabán, fitues i disa çmimeve spanjolle dhe ndërkombëtare.

    Na ka nxitur për të hapur sytë dhe për të njohur veçanësinë e Gorës romani i shkëlqyer dhe tërheqës i Dokles “Vajzat e mjegullës”: një histori e mbijetesës dhe rezistencës së fshatit Borje ( Bukojna në roman), me tonalitet dhe ngjyresë baladash. Por tashmë, në legjendat e përmbledhura në librin “Vallëzim me hënën” ( në spanjisht: Vajzat që vallëzuan me hënën), në një regjistër legjendar,- në të cilin Namik Dokle lëviz si peshku në ujin e vet,-akoma më shumë e njohim Gorën, duke na stërpikur mrekullisht me pluhur hënor dhe yjor, e nga ana tjetër, duke na përshfaqur dritëzimin e veshjeve dhe bukurive të vajzave gorane që shkëlqejnë në festën e Shën Gjergjit, aq bukur sa edhe hëna, e zilepsur, u kërkon, Jelicës së Brodit, Ilinës së Shishtavecit dhe Borjanës së Borjes, një nga veshjet e tyre, para se të futet në valle me to.

    Dhe atëherë, sikur imagjinata pjellore dhe universale e Garcia Lorkës të ishte e lidhur me misteret e Gorës, përnjëherësh na nxit të evokojmë

    ROMANCËN E HËNËS:

    Me fustanmbajtëse zambaku

    hëna përmbi farkë zbriti.

    Djali sytë ia ka ngulur,

    djali nuk po ia shqit sytë.

    Nëpër ajrin e tronditur

    hëna poshtë e lart tund krahët

    dhe më neps e dlirësi

    rrëfen gjinjtë e kallajtë.*

    Dhe, qershia mbi tortë, në legjendat e Gorës edhe engjëjt bien në dashuri me Vajzat e saj.

    ————————

    *Vargjet e Lorkës, të cituar në shkrim, janë përkthyer nga Aurel Plasari.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË