More
    KreuLetërsiShënime mbi libraProf. Dr. Gjovalin Shkurtaj: Vlerësime për disa prurje ligjërimore në shkrimtarinë e...

    Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj: Vlerësime për disa prurje ligjërimore në shkrimtarinë e Bedri Islamit

    (Shënime për librat “Gruaja me të zeza”-roman, Botime  “Naimi”, 2023 dhe “Kryqëzimet e letërsisë”-Shënime letrare, ese, kujtime, 2, UET Press, 2024) dhe)

    Fillesë.                                                                         

    Kisha  kohë pa lexuar ndonjë roman me një frymë, pa u ndalur  që nga “Fillesa” e deri te “Dritëhija” me të cilën mbyllet “Gruaja me të zeza”. E kam thënë edhe ndonjëherë tjetër, profesioni ma ka dashur të lexoj kryesisht prozë studimore, tekste mësimore për gjuhën e letërsinë, libra e shkrime filologjike apo mirëfilli të degës sime, dialektologji, sociolonguistikë e etnolinguistikë, etnografi e të folurit dhe kulturë gjuhe, si dhe të tjera, origjinale e të përkthyera. Por, në atë grimëherë që më mbetet, për ta freskuar sadopak kokën, dëgjoj muzikë dhe lexoj  ndonjë vëllim të ri me poezi; nganjëherë edhe rilexoj  vjersha të mëhershme të traditës sonë, nga Naim Frashëri, të cilin e kam dashur dhe e dua shumë, madje edhe kam shkruar një studim mjaft të gjatë për vlerat e prurjet e tij gjuhëruajtëse e gjuhëpasuruese, si dhe nga Mjeda, Fishta, natyrisht edhe nga Dritëroi, Kadareja, Camaj e të tjerë, sepse në vjershërinë e tyre kam edhe mallin e dikurshëm, kujtimet e leximeve të moshës djaloshare, kur edhe mësonin përmendsh vjersha për t’i recituar në mbrëmjet tematike e për të merituar notat në lëndën e letërsisë. Poezinë e lexoj me bindjen se, sikundër e ka thënë poeti i shquar italian  Mogol (Giulio Rapetti Mogol), një nga tekstshkruesit më të njohur të këngëve të muzikës së mirë italiane, “musica fa bene” (muzika bën mirë). Bëjnë mirë edhe këngët e fjalët e këngëve, kur janë të shkruara bukur e të muzikuara këndshëm. Sikundër janë, në radhë të parë, këngët me tematikë atdhetare, si ato që këndojnë Kastriot Tusha, Ilir Shaqiri, Nikollë Nikprelaj, Arif Vladi, Aurela Gaçe, Shkurte Fejza  dhe fatmirësisht edhe shumë të tjerë. Lexoj dhe prozë, herë “diagonal” e me shpejtësi për të gjetur shembullzime për dukuri të ndryshme gramatikore, sikundër kam bërë te libri “Shqipja e sotme” (UFO PRESS, 2010), ose për të kundruar prirjet dhe kahet e zhvillmit të gjuhës e ligjërimit të sotëm, si dhe për të parë shtresimet e prurjet e reja leksikore e frazeologjike.Viteve të fundit, duke punuar për Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, si mua ashtu dhe krejt grupit të punës  të përfshirë në atë Projekt me rëndësi, na është dashur të shfletojmë edhe shumë faqe nga proza letrare shqipe për të nxjerrë edhe fjalë e kuptime të vlefshme për t’i përfshirë në atë vepër shumë të rëndësishme e me përgjegjësi. Gjatë verës, në Durrës, kur të rinjtë theken në diell, unë duke ndenjur nën hije, lexoj dhe prozë artistike. Kam lexuar e nxjerrë shënime të vyera nga librat e Ibrahim Kadriut, të Xhevat Sylës, të Agim Vincës etj.Lexova muaj më parë dhe kam nxjerrë shënime e kam shkruar edhe një kundrim vlerësues për romanin “Biri“ të Flutura Açkës, kam lexuar me kënaqësi librin e Namik Dokles “Vallëzime me hënën”  dhe, sapo të gjej një grimëherë të përshtatshme, kam dëshirë të shkruaj për prurjet ineteresante që sjell autori në atë libër nga qëmtimet e rrëfimtarisë gojore popullore të vendlindjes së tij, duke i tëholluar e lëmuar artistikisht prurjet e gurrës popullore, ashtu si bëjnë  argjendarët me ”rrëgjatet” e moçme, që i shkëlzejnë e i përarojnë me hijeshi.

    Gjatë ditëve të Panairit të Librit 2024, hera e mbarë e pruri që, teksa   po shikonim atë mori librash të nderur në kthinat e shtëpive botuese nga mbarë hapësirat shqiptare, që ta bëjnë me sy si qershitë e pjekura nga dega, natyrisht edhe në atë gjendjen e pamirë që mund të jepet me shprehjen “shih me sy e plas me zemër”, sepse aty kishte aq botime të reja e ribotime veprash të vlershme, saqë nuk kam më jetë as për t’i pasur, as për t’iu qasur; edhe po të kisha t’i blej, nuk kam ku t’i vë më, se raftet e dhomës sime të punës janë plot, por, mbi të gjitha, nuk kam më nge…”ars lunga, vita brevis” ka thënë latini.

    Më nxori nga kjo ndjesi e pakthjellët, takimi  me disa miq e të njohur, ish-nxënëse të Leonorës e ish-studente e ish-studentë të mitë, që, ashtu si e lyp mirësjellja për thinjat e rrudhat, na dhuruan komplimentin “Sa mirë dukeni!” që më kujtoi librin “Kodi  i sjelljeve të pëlqyeshme” të Aurealia Marisneskut, që shkruan se ekziston  edhe një shaka, që përcakton se  ka tri ndarje të moshës: “mosha e parë, mosha e dytë dhe mosha “sa mirë dukesh!” Por, dhuratën më të bukur na e bëri Bedri Islami, i cili, mbasi u përshëndoshëm e folëm pak, na dhuroi dy prej librave të tij të mbramë: Leonorës romanin “Gruaja me të zeza”-roman, Botime  “Naimi”, 2023) dhe mua “Kryqëzimet e letërsisë”-Shënime letrare, ese, kujtime, 2, UET Press, 2024). Falënderime e miradije, si dhe vlerësime meritore për shkrimtarinë e tij të gjithnduershme e të vazhdueshme.

    Për autorin:

    Bedri Islami është një nga autorët më prodhimtarë të ditëve tona, ka shkruar e botuar një mal me libra, poezi, prozë letrare dhe shkrime kritike e studime që lum kush i ka lexuar. Para do kohe, shkrimari dhe studiuesi i njohur, Prof. dr. Bardhosh Gaçe, në shkrimin e tij “Bedri Islami, poeti, publicisti dhe shkrimtari elitar” (Gazeta ‘Dita”, 25 qershor 2022) ka bërë një paraqitje gati shteruese të krijmtarisë dhe kaheve tematike e vlerave letrare e kulturore të Bedri Islamit, aq sa, mbas asaj panorame  e atij kundrimi,  pak të thuash magjistral, nuk është e nevojshme të bëjmë asnjë shtesë përnjohëse për autorin. Bedri Islami është prej kohësh një personalitet me rrezatim shumë të gjerë e me ndihmesa të shumta, të vëna me dekorin e duhur edhe institucional.Po shprehim, prandaj, vetëm disa vlerësime rreth prurjeve e pririjeve ligjërimore që nden shkrimtaria e tij, natyrisht, duke u kufizuar në dy librat e tij që sapo na i dhuroi bujarisht.

     “Kryqëzimet  e letërsisë” (Shënime letrare, ese, kujtime-Vëllimi II, UETPRES, 2024, 299 faqe, ashtu si dhe vëllimi i parë (i botuar më 2019 nga shtëpia botuese “Naimi”), është pjesë e kolanës “SCRIPTA MANENT”. Derisa më erdhi radha të lexoj romanin “Gruaja në të zeza”. të cilin Leonora, si ish-mësuese letërsie, vuri syzet dhe nuk e lëshoi nga dora, unë, e përpiva vëllimin “Kryqëzimet e letërsisë”. Më tërhoqi, qysh në krye, fjala “kryqëzimi” (që shumëkush mund të pyesë veten, pse jo “udhëkryqi”), por, më erdhi në mendje se  edhe në të folmet e anëve veriperëndimore, si p.sh. në të folmen e Malësisë së Madhe, kryqëzoj do të thotë  edhe ”gozhdoj në kryq, mbërthej në kryq me gozhda” (si Jezusin) dhe kryqëzim mund të jetë në kuptimin metaforik, që shkon në shtratin e trajtimit dhe shtjellimeve që do të sillen në libër. Qysh në titull, pra, autori na e parathotë shtegun. Mbas Parathënies (nga Prof.dr.Bardhosh Gaçe) dhe Hyrjes, të nyjëtuar qartë e bukur,  janë dhënë shënime, ese dhe kujtime për shkrimatrët: Ismail Kadare, Gjergj Fishta, Moikom Zeqo, Petrit Ruka, Namik Dokle, Fiodor Dostojekvkski, Marina Cvetajeva, Seregei Esenin dhe Vladimir Majakovski.  Janë autorë të mirërnjohur e për të cilët është  shkruar nga shumë studiues e tashmë, sidomos për Kadarenë e Fishtën, ka pasur edhe studime të gjera monografike, që kanë risjellë në sytë e lexueve e të mendimit kritik gati gjithçka nga veprat e veprimtaria e tyre. Por, shënimet, esetë dhe shqyrtimet e Bedri Islamit për këta shkrimtarë sjellin këndvështrime e prurje, që përbëjnë ndihmesa të reja e të mirëseardhura në përthekimin e një trajtimi edhe përgjithësues, ndoshta edhe përmbyllës, të vlerësimeve që u takojnë atyre burrave të shquar të letrave shqipe (Fishtës, Kadaresë, Moikomit), po edhe Petrit Rukës, që u nda së gjallësh në moshë ende të re.Pa dyshim, pjesa më e rëndësishme apo, në mos tjetër, që ka prurje të reja e krejt vetjake është ajo që i kushtohet Kadaresë e, aty,  në  mënyrë të veçantë  pjesët “Kadareja dhe Kosova” (f.35- 66), “Kadareja dhe Ukshin Hoti” (f.66-70) si dhe “Kadareja dhe censura” (f.70-81). Në vend që të parafrazoja se çfarë sjell të re autori në krerët e librit kushtuar Kadaresë e tetë të tjerëve (Gjergj Fishta, Moikom Zeqo, Petrit Ruka, Namik Dokle, Fiodor Dostojevski, Marina Cvetajeva, Vladimir Mjakovski) besoj se është më mirë që t’i ftojmë lexuesit  ta marrin këtë libër dhe, me sytë e tyre, të shohin  sa këndshëm, natyrshëm e bindshëm i ka sjellë mëtimet, prurjet dhe  vlerat e tyre njerëzore e letrare artistike.

    Së pari, e kryekreje, më pëlqen të theksoj idenë e mbarë që ia ka prirë shqyrtimin autorit për të dhënë, në krye të shënimve apo eseve e kujtimeve për secilin autor, nga një shkurtore të thukët vlerësuese. Një punë a mënyrë paraqitjeje shumë e vlefshme dhe e dobishme, sidomos për mësimdhënësit e studentët e letërsisë.  

    I lexova dhe i rilexova disa herë ata sytha me karakter orientues e prijës dhe m’u dukën të atillë, që pkërisht ashtu si janë dhënë nga zoti Bedri Islami, ashtu u duhen dhënë edhe shkollarëve në ligjëratat (leksionet) nga pedagogët. Ashtu duhet të hyjnë edhe në tekstet e letërsisë për shkollat e mesme e për fakultetet përkatëse të gjuhës e letërsisë. Apo, në mos tjetër, ashtu u duhen dhënë shkollarëve për t’i pasur si vija trajtimi e sendërtimi të detyrave e temave të diplomave. Prandaj, në vend që të bëja parafrazime të atyre, po lejohem që t’i sjell në formë të një mikro-antologjie, për sytë e atyre që, ndoshta, nuk e kanë marrë këtë libër, por që, së paku ato përthekime do të jenë jo vetëm kureshtjeshuarëse, po edhe shumë të dobishme.

    Ismail Kadare: “Kadare është hapësirë e krijuar për Kosovën. Hapësira, vende-vende si rrafshulëtat e saj, më së shumti si rrafshnaltat e Kosovës.Tek ai, njeriu gjen Fushën e Dukagjinit dhe Bjeshkët e Sharrit, përdëllimin e ndjenjës ndaj asaj pjese të kombit, në skajin tjetër, ngrihet përsëri, trazohet, shpreson, gjakoset, shtypet,ngrihet përsëri, trazohet, shpreson, ëndërron, ndjen sesi i përgjaket ëndrra dhe kërkon një dishepull të lirisë, një dishepull të madh. Dhe e gjen te Kadare.” (f.33)

    Gjergj Fishta: “Ishte njeri i hoveve të mëdha, ngjan me shpkreptimën e rrufesë. Ai mbetet një virtyt i paarritshëm, i madhërishëm, një thellësi e panjohur që erdhi në kohën e duhur, që e bëri më të bukur dhe më të qëndrueshme botën shqiptare.E parrokshme ishte dashuria e tij ngulmuese, si magji ëndërrimtare, përkulur mbi të tashmen, mbi bukën dhe kripën, si një mahnitje e lashtë. Pavarësisht nga ndryshimet njerëzore, ai vazhdon të mbetet poeti i kohës moderne. Për më shumë se dyzet vite, ai ndenji në vetminë e fisme, i bindur për mahnitjen pas tij në të ardhmen.”(f.83).

    Moikom Zeqo: “Moikom Zeqo është një artist i madh.I paqtë si njeri dhe polemist si artist. I ndërlikuar në artin e tij, mes nesh sikur vezullon, lëviz, sjell imazhet e papërsëritshme dhe të duket si princ, në fakt është princ i mendimit të lartë estetik, i shpirtit të mrekullueshëm, i modernizmit të jashtëzakonshëm, i erudicionit. Rreth tij sillen ëndrrat si imazhe, të koncentruar në heshtje dhe në të njëjtën kohë, në gjëmim.Ai ka vënë këmbët e letërsisë së tij në dy kohë, në të sotmen dhe në të ardhmen.”(f.111)

    Petrit Ruka :”Njëri nga poetët më lirikë të letrave shqipe.Për të gjithçka ishte dashuri.Dashuri për gjethet e fundit në qiellin e dimrit, për drurët në Turanin e tij dhe ujërat e Vjosës, për vendlindjen dhe nënën, zërin e së cilës e dëgjonte jo vetëm në ëndërr, për rrezen e diellit që këputet si një pikë shiu, për trëndafilat e thurur me diell dhe lisat që psherëtijnë në korije, rrugën me baltë që ende ka aromën e mallit dhe të verës…Dhe domsosdo, si arrakat i pandreqshëm, gjithë jetën ai dashuroi me shpirt. Marrëzisht.” (f.139)

    Namik Dokle: “Ai është  shkrimtari i gjendjeve të lëvizshme, të ndodhura apo të vetëkrijuara, por kurdoherëtë pranishme dhe uni i shpirtit të tij si njeri, pastaj si shkrimtar i dorës së parë, është i dukshëm sa edhe inekzistent. Është fluror, por edhe realist, i barazlarguar nga ngjarjet, në të njëjtën kohë pjesë e tyre. I ftohtë, por edhe i pranishëm, autor dhe personazh, megjithëse nuk është  veçse një çast i jetës së tij.Ka krijuar një kaleidoskop ngjarjesh dhe të gjitha këto, përmes një gjuhe të fuqishme e skenave tejet jetësore që jo rrallë janë të përkryera.”(f.169) 

    Fyodor Dostojevski: “Gremina djallëzore e veprës së Dostojevskit të ndjell. Fytyra e tij të ngjall krupën. S’ka asnjë fije dielli, është një terrinë enigmatike.Sytë e zhytur thellë nuk shfaqin asnjë pasion. Të trembin, por edhe të joshin.Nëse do të kishte jetuar në kohërat e pikturës  mesjetare, me siguri do të ishte modeli më i shkëlqyer për djallin.Nga gjithë pamja e tij, vetëm balli i gjerë mundohet të thotë diçka ndryshe. E vështirë të besohet se ky njeri ka qenë dikur i ri, me pamjen e zakonshme të njeriut normal.Dostojevski është errësirë dhe rrëmujë absolute.”(f.211)

    Marina Cvetajeva: “Gjithçka ishte tragjike në jetën e saj dhe do të mbetej e tillë gjer në fundin e jetës.Çastet e shkurtra të qetësisë do të merrnin fund marramendshëm shpejt,saqë mund të pohohet se ajo i ngjan një lumi të egër që rrodhi më shumë nëpër thepore,sesa në tokë të butë. Më shumë ka pasur përplasje, sesa qetësi  dhe në fund, kur i është dashur të derdhej në det, qetësia ka qenë e rreme dhe përfundimtare.”(f.247).

    Sergei Esenin:“Esenini në atë kohë nuk ishte vetëm poet, ishte vetë poetç.Më pas,shpeshherë kam pyetur veten përse e donim asokohe aq shumë Eseninin dhe përse edhe sot e kësaj dite, s’ka humbur ndjeshmëria ndaj tij, megjithëse  shumëçka në jetën tone ka ndryshuar? Përse ai nuk u zvjerdh nga bota jonë, por mbeti gjithnjë aq I dëshiruar dhe ndryshe nga shumë të tjerë, nuk u ul nga panteoni ku e kishim ngritur,megjithëse pranë tij, ose edhe mbi të, ngritëm panetonë të tjerë?” (f.267)                                                                                                                                                                     

    Vladimir Majakovski dhe Esenini: “Gjeni! Bredharak moskovit. I vrullshëm në Berlin, kërkues i paepur në Paris, gjëmon në Moskë. Çdo gjë e tërheq në  këtë botë të madhe, por asgjë nuk e mban.”Do të doja të rroj e të vdes në Paris, po të mos ekzistonte Moska…” I ka thënë të gjitha. Bota ishte e vogël për të, Moska ishte e pafund. Miqtë e tij do të tregonin se edhe kur e varrosën, arkëmorti ishte i ngushtë dhe i vogël. Jashtë kishte lënë lavdinë e tij. Të pafundme!” (f.287)

    Ndërmjetëse

    Për secilin nga nëntë autorët, mbas fillesave, të cilat si  një “mikro-antologji” i solla për sytë e atyre që, nuk e kanë lexuar librin “Kryqëzimet e letërsisë’, por që,  ndërkaq, mund të kenë edhe ata mendimet e tyre për veprat e vlerat e tyre.  Latinët e urtë thoshin: “Tot capita,  tot sensus.” (Sa krerë (koka), aq mendime). Që do të thotë se njerëz të ndryshëm kanë mendime e vlerësime të ndryshme për të njëjat objekte a dukuri.

    Mua më pëlqyen edhe shtjellimet që jepen për secilin prej autorëve. Ka në to jo vetëm ritheksime e rivlersime, po edhe shtjellime të mbështetura në analiza e faktime të shumta e të larmishme, jo rallë edhe që sillen për herë të parë nga autori dhe kjo, natyrisht, përbën një vlerë të shtuar të librit. Në mënyrë të veçantë për  Fishtën, të lëvduar për  së gjalli e të anatemuar për së vdekuri, pastaj edhe të “ringjallur”  e të lëvduar e përkujtuar, por, ndoshta, edhe deri sot, pa i shkuar deri në thellësi njohjes, pohimit dhe vlerësimit të gjithnduershëm, Bedri Islami gjakon të  sintetizojë në figurën e tij pamjen madhështore e burrërore, dijetarin erudit e atdhetarin e flaktë, i cili, natyrisht, si njeri i fesë do të punonte “për fe e Atdhe”, por që, si shqiptari më zemërzjarrtë mbas Gjergjit të Madh të Kastriotëve, ka vepruar për qenë ai që, si askush tjetër,  u ka dalë zot Shqipërisë, shqiptarisë e gjuhës shqipe. Zoti Bedri Islami, sjell, ndër të tjera, një dëshni shumë domethënëse.Në vitin 1914, kur në zyrat e Fuqive të Mëdha të Evropës, luhej me fatin e kombit e të vendit tonë, Gjergj Fishta arugmentonte duke u shprehur kështu: “Europa, që ka ndërtue Shqipninë pa Shqipni, s’ka për ta mbajtë Shqipninë pa Shqipni”. Në libër (f.89 e më tej) del në pah  se “Deviza”  e Fishtës  ishte “Nuk ka Shqypni pa gjuhë shqipe” dhe, risjell në vëmëndje të lexuesit të sotëm faktin se, qysh në vitin 1902, kur emërohet drejtor i shkollës fretnore në Shkodër, ndërmerr njërin ndër aktet më të rendësishme për arsimin dhe kulturën shqiptare.Vendos gjuhën shqipe si gjuhë mësimi. Po ashtu, me të drejtë, zoti Islami shkruan: “Historiografia shqiptare, edhe sot e kësaj dite, ka heshtur ndaj të vërtetës se shkolla e parë shqipe është hapur nga Urdhri Françeskan, pranë Gjadrit, në vitin 1861. Po ashtu, është heshtur ndaj faktit se Fishta dhe Gjeçovi, dy korifenjtë e mëdhenj të letrave dhe përkushtimit kombëtar, themeluan të parën bibliotekë shkollore në vitin 1907.” (f.90)

    Fishta dhe madhështia  e tij në faqet e “Kryqëzimi i letërsisë” jepen shpesh në një kundrim krahasues dyjar (a binar), herë duke e parë figurën e tij krahas Mjedës, herë krahas Naim Frashërit dhe, kështu, me një qartësi të mahnitshme jep mundësi të shihet se Ai ishte, duke e thënë me një parafrazim Nolian, “lisi më i gjatë e më degëmadh në pyllin e letrave shqipe të kohës”. Por, le ta shohim si e ka thënë këtë zoti Islami:

    “Fshta është i pazakontë, ndryshe nga  kolegu i tij, Mjeda që mund të përfytyrohet me parmendë, Fishta mbante  në njërën penën, në tjetrën shpatën.” Po ashtu edhe për Kadarenë, krahas rrymës së gjerë të atyre që ia duan e ia vlerësojnë shkrimarinë dhe tehun atdhetar të gjithmonshëm të tij, nuk mungojnë edhe një zogori asish që  ia marrin për të madhe e nuk lënë pa ia kujtuar edhe ndonjë poezi a prozë që ka gjurmët e trysnisë së kohës kur i ka shkruar.

    Mendoj se për këdo që dëshiron të dijë më shumë për figura të tilla, esetë, shënimet dhe kujtimet e librit  të Bedri Myftarit “Kryqëzimet e letërsisë”  japin prurje të tilla që vlejnë pikërisht për t’i hyrë sa më thellë e me shqyrtime konkrete asaj çfarë kanë lënë në veprat e tyre autorët përkatës.  

    Së dyti, mendoj se libri  “Kryqëzimet e letërsisë”, përpos sa sjellë me kundrimet që përmban, ka edhe vlerë si gjedhe (model) trajtimi të vlerave letrare të krijuesve në kundruallësi, Fishtën e Mjedën (f.90), për Fishtën e Naimin (f.91), sikundër ka bërë për Eseninin e Majakovskin, apo si horizonte e mënyrë trajtimi për pjesë të caktuara të veprave të një krijuesi. Sikundër ka bërë ai në pjesën “Kadareja dhe Kosova”. Jam marrë gjerë edhe unë me Fishtën e lidhjen e tij të ngushtë me Malësinë e Madhe, por mbas leximit të kësaj pjese në librin e Bedri Islamit, në paça jetë e frymëzim për të shkruar prapë për Fishtën, titulli më i parë që do të më vinte në mendje do të ishte pikërisht “Atë Gjergj Fishta dhe Malësia e Madhe”, si dhe sytha a krerë të tjerë të trajtimit si ”Fishta dhe gjuha shqipe” apo ”Fishta dhe Kongresi i Manastirit”. Po ashtu, me vlerë modeli për trajtime të ardhshme nga studiues të përkushtuar mund të jenë edhe kundrime binare për disa prej autorëve të një moshe e epoke të përbashkët, si  “Gjergj Fishta dhe Ndre Mjeda”, “Dritëro Agolli e Ismail Kadareja”, apo “Azem Shkreli e Ali Podrimja”. Dhe, në këtë hulli, besoj se edhe temat e studimeve për gradat “Master”e “Doktor” , si dhe studimet monografike për autorë a periudha të caktuara letrare, do të jenë më të vlefshme e me prurje të mbështetura në paraqitje të kundruara në mënyrë krahasimtare.

    Së mbrami, ndonëse pa pasur mundësi të ndalem gjatë, dëshiroj të them se autori shkruan jo vetëm bukur, po edhe mirë, ka përkujdesje të dukshme për të qenë kurdoherë zbatues i rregullave e normave të shqipes së njësuar, duke zbatuar edhe kërkesën e duhur për çdo botim, redaktimin letrar dhe organizimin grafik të librit në atë mënyrë që ta ka ënda kur e lexon.

     2.Për romanin ”Gruaja në të zeza”, Tiranë, 2023

    Romani ”Gruaja në të zeza”, me sa rrëfen e me atë gdhendje të personazheve, (që kanë mbjellë të zeza në shpirtin e jetën e shumë shqiptarëve), sjell në mënyrë shumë origjinale, metaforën e hershme e gati të përhershme të zisë (veshjes me të zeza e të shamisë së zezë në krye) nga nënat që u janë vrarë bijtë në luftë, të motrave që kanë bjerrë vëllezërit në lulen e rinisë, të nuseve që u janë vrarë burrat në javën e parë të martesës e kanë mbetur veja. Na sjell në mendje, ndër të tjera, atë vargun e pakundshoq të folklorit shqiptar, të fiksuar në vargun nistor të “Vajit të gruas nga Gruda”, që nis me pyetjen e famshme “Kur asht kenë mirë me ndjellun zi?” Ai vaj, sikundër ka vënë në dukje me të drejtë edhe poeti Sokol Zekaj, nuk është mbajtur në ditën e varrimit, si një improvizim, sikundër janë tradicionalisht vajtimet e grave e vaji i burrave në Malësinë e Madhe. Gruaja nga Gruda, para se t’i thotë fjalët në vajtimin e saj, për shumë kohë i ka përpunuar vargjet e dhimbjes së vet. Ajo ishte një elegji dhe, si e tillë, dilte nga një laborator krijues më i ndërlikuar se vaji  që improvizohet në ditën e varrimit të dikujt. “Fjalë dhimbjeje mund të rreshtojë shumëkush, po pakkush ka arritur ta kthejë dhimbjen në art, t’i ngrejë përmendore asaj, duke edukuar dhe duke vënë gishtin në plagë, duke trokitur në ndërgjegjen njërëzore dhe kombëtare. (Shih: Sokol Zekaj, Malësia e Madhe vatër e pashura e artit të fjalës”, në “Malësia e Madhe një visar shqipotarie”, Materiale të Sesionit shkencor “Sofra e letërsisë dhe e artit, Koplik, 23-24 shtator 1996), Logoreci,Tiranë,1997, f.105).

     ”M’u kujtua ky vlerësim (dhe krejt argumentimi, pak të thuash i plotvlershëm, i poetit Sokol Zekaj për “Vajin e gruas nga Gruda”), kur mora në dorë e nisa të lexoj romanin “Gruaja në të zeza” të Bedri Islamit, që çelet me këto fjalë: “Nëse disa nga ngjarjet dhe personazhet e këtij romani u kujtojnë ngjarje dhe persona realë, asgjë nuk është e rastësishme.Ndodh që realiteti ka më shumë fantazi për t’ia komplikuar jetën dhe historinë edhe njerëzve më të afërt të shkrimtarit.Heminguej thotë diku se “në luftë më të mirët vriten”. Natyrisht, sepse më të mirët janë në brezin e parë të betejës për progres. Brishtësia dhe drama e jetës së nënave me të zeza, ndriçuar nga një vetmi e fisme.Atyre u dedikohet ky libër.Ato bëjnë pjesë në riardhjen e ëndrrës më të vjetër njerëzore, janë kthyer nga terri, humnera, megjithse përballja e tyre me shtetin ishte thuajse e skëterrshme…Në luftë apo në pasluftë, kur djemtë vriten, nënat vdesin.” Po, shumë e goditur kjo thënie.  Kur u vriten djemtë, nënat vdesin për së gjalli dhe nuk jetojnë, por thahen si pema kur e godet rrufeja, e vishen në të zeza dhe zezojnë. E kam shënuar dhe shpjeguar këtë folje edhe në Fjalorin tim të Malësisë së Madhe. ZEZOJ, -VA, -UA jokal. Nëna që shtyn jetën me mërzi ose me pikëllim të thellë pasi ka humbur njerëzit më të dashur. Ti nanloke çka po m’ thua, sa po e man jazin për mua? Sa t’ jet jeta me zezua. E ka edhe Fishta te Lahuta: “Armë e petka tue t’shkretnue, /Nanë e motër tue t’zezue…”(Fishta, LM, f. 33).”Bini, burra, bre! Ku u kam?/Se ne shkau na ka marrue, / Armë e fytyrë na i ka zezue, /Sadri Çunë për pa e pague/ Dy për një, si e kem ‘kanue!” (Fishta, LM, f. 256).

    Para meje, romanin “Guaja në të zeza” e lexoi ime shoqe, Leonora, ish-mësuese  e gjuhës dhe e letërsisë shqipe. E pëlqeu dhe ua ka këshilluar edhe shoqeve të saj ta lexojnë, sepse është  jo vetëm një roman i shkruar bukur, po edhe me një temë shumë prekëse e që ka  si heroinë pikërisht figurën e “gruas në të zeza” dhe është, pa dyshim, një vepër me nëntekste të fuqishme. Ashtu si e thotë vetë autori “është jeta e gruas në të zeza. Cilado qoftë ajo.” Pritet që për këtë roman të shkruajnë në radhë të pare kritikët letarë dhe studiuesit e mirëfiltë të letërsisë. Unë, sikundër kam bërë edhe në raste të tjera, e lexova duke mbajtur shënime kryesisht për prurjet ligjërimore, për fjalët e mënyrën e të thënit, për pasurinë dhe punën e autorit edhe për pastrimin e pasurimin e shqipes, ashtu si i ka hije një shkrimtari e gazetari të shquar. Kam shënuar plot fjalë e togfjalësha të bukur nga romani dhe, mbi të gjitha, më ka mbetur si shija e ëmbël e qershive të pjekura, kujdesi i shkrimtarit Bedri Islami  për disa thënie të urta të krahinave veriore, si p.sh “Puka, burrat dhe mjaltin i ka shumë të mirë”. Më pëlqyen dhe disa fjalë të reja që i ka krijuar vetë autori për të shmangur fjalë të huaja, si “ndërmjetëse” në vend të interlud a intermezo dhe “fillesë “ në vend të prelud e prolog. Dhe shumë të tjera, që më pëlqyen e uroj t’i përdorin edhe të tjerë. Sa shumë fjalë të shqipes, të hershme e të bukura, i lëmë në harresë e në vend të tyre përdorim fjalë të huazuara! Sa mirë ka bërë Bedri Islami që ka ndjekur udhën e mbarë të gjuhëruajtësit e gjuhëpastruesit, i cili sa here gjen rastin përzgjedh duke parapëlqyer e shtënë në punë dysorë  me prapashtesë shqiptare e jo me prapashtesë të huaj. Po jap vetëm një shembull.U kënaqa kur te “Gruaja me të zeza”kishte përdorurr fjalën rrugëza (e jo rrugica). “Rrugëza ishte ende e lagur nga shirat dhe gjethet që binin e bënin edhe më tërheqëse”(f.196). Disa herë ndesha fjalën  njëjtë  ( në vend të identik, njësoj). Dhe jo pak raste të tilla, me gurrë nga krahinat, por të këndshme e të lidhura me natyrshmëri në indin e rrëfimit e të ngjyresave stilistike të romanit. Sa mirë do të ishte, sikur në mendjen e të gjithë shkruesve të jetësohej ideja që sa herë të kemi dysorë të tillë: fjalë shqipe, qoftë edhe krahinore, të parapëlqehen e të përdoren në vend të të huazuarave përkatëse. Natyrisht, nuk duhet të presim vetëm ndikimin e shkrimtarëve. Duhet patjetër të ndërgjegjësohet e gjithë shoqëria shqiptare që, sa herë është e mundshme, t’u jepet përparësia fjalëve burimore shqipe, qoftë edhe kur vijnë nga krahina a malësitë e largëta. Romani “Gruaja në të zeza”, ashtu si dhe përgjithësisht proza e Bedri Islamit, është një krijimtari pa “poza”, pa shtiratje e “artifice”. Ai shkruan qartë e thjeshtë, lakmon dhe ia del me zotësi të lëvdueshme të ketë stilin e vet të rrjedhshëm e me vetjakësi, po edhe ndjek në një farë mënyre pararendësit e bashkëkohësit, sidomos Kadarenë, jo vetëm në përzgjedhjen e përdormin me ëndje të disa prej fjalëve të përdorura së pari nga Kadareja, si arkmort, zezonë etj. po edhe fjalët e formuara me prapashtesën -(n)ajë (qelqnajë “Pas qelqnajës së madhe të godinës massive nuk lëvizte asgjë’(f.14), me prapashtesën –inë (terrinë, ngrehinë), me prapashetsën –ojë (rrethojë “Gjithë natën ra shi dhe rrethojat e qytetit ende nën pushtetin e ujërave”(f.38). Bedri Islami ecën në atë hulli të mbarë gjuhëruajtëse e, sa herë gjen rastin, edhe gjuhëpastruese. Me denduri, ashtu sit e brezi i sotëm i prozatorëve shqiptarë, paraplëqen edhe fjalët e përbëra të titpi fundverë (në vend të togfjalëshit të lirë fundi i verës), fatkob, hijedritë (krahas më të njohurës dritëhije), që i shkon më këndshëm stilit përkatës. Përngjashmim (reminishencë) Kadareane është edhe paraqitje e ndarjes në “kampe” të njerëzve sipas ndarjes në qëndrimin gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe mbas saj, duke shtënë në punë ndajfoljet me kuptim  antonimik “andej” dhe “këndej”. “Thuajse në çdo rivarrim, në ditët e para, gjysma e fisit mungonte. Një pjesë qenë “andej”, me të Ballit, pjesa tjetër, ishte “këndej”, me të Nacional-Çlirimtares.”(f.46)  Gjithandej, si lulet në livadhin e gjelbër në pranverë, në prozën e Bedri  Islamit, kryesisht me fjali e fraza jo të gjata, të pambingarkuara, shfaqen edhe fjalë të rralla, që i ka marrë në gjuhën e krahinave të ndryshme, shpesh  të Pukës e më gjerë të Veriut, po edhe jugore, si dhe fjalë e terma të fushave speciale që sillen si mjete të ngjyresës a të indidualizimit të personazheve me anën e gjuhës.Të tilla janë, ndër të tjera, ujësore (muranë e një burimi uji). “Në ngrehinën e vogël, anash çezmës, në të dy anët qe shkruar “Nënë Buleja”. Si i thanë, njëri nga djemtë e saj, ngriti një ujësore në nderim të gruas me të zeza”(f.32) Edhe në ngjyresat e prurjet për individualizim autori tregohet mjaft i kursyer, por jep me shumë efekt ndonjë nga termat që lidhen me zbulimin e karakteteve përkatëse e të frymëssë epokës përkatës.Kështu, ai sjell disa prej termave të policisë sekrete, si përpunim  “që do të thoshte venie nën përgjim të vazhdueshëm, krijim dosjesh, ndjekje dhe marrje informacioni të detajuar. (f.16) vend-internim. (f.211)Romani “Gruaja me të zeza” është një libër që duhet lexuar jo vetëm për të qëmtuar e gjetur aty fjalë e mënyra të thëni të atilla që e begatojnë dhe e hijeshojnë ligjërimin e letërsisë sonë të re. Kjo është vetëm një anë, madje, ajo që nuk është kryesorja. “Gruaja me të zeza”  është një libër që meriton të lexohet  me nge e me dëshirën e mirë për t’ia nxjerrë në dukje e duke ia vlerësuar kryekreje vlerat e mëtimet e tij brendiore, duke hyrë në qerthullin e atij rrëfimi që ne shpie lexuesin në të fshehtat e njohjen e një ferri edhe më të tmerrshëm se rrathët e “Ferrit” të Dante Aligierit. Natyrisht, kjo është punë e kritikëve dhe e studiuesve  të mirëfilltë letërsisë.

    Tiranë, 4 shkurt 2025 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË