– Shënime dhe përftesa për librin “Përse iriqin nuk e përkëdhel askush?”, autori: Andrey Kurkov, ilustrimet: Tania Goryushina, Shtëpia Botuese “Onufri”, Tiranë, 2024
Fillimisht për jetën dhe veprimtarinë letrare të Andrey Kurkov…
Andrey Yuryevich Kurkov lindi, më 23 prill 1961. Është autor ukrainas. Shkruan në rusisht dhe në ukraunisht. Është autor i 19 romaneve, duke përfshirë linrin më të shitur: “Vdekja dhe pinguini”, nëntë libra për fëmijë dhe rreth 20 skenarë dokumentarë, një pjesë më subjekt trillimesh, dhe filma televizivë. Puna e tij krijuese është përkthyer, aktualisht, në 37 gjuhë (anglisht, spanisht, japonisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, kinezisht, suedisht, hebraisht… etj., dhe është botuar në 65 vende të botës).
Babai i Kurkov-it ishte pilot dhe nëna mjeke. Kur Kurkov-i ishte afro dy vjeç, familja e tij u zhvendos në Kiev; kjo e lidhur me profesionin e babait të tij.
Filloi të shkruante në moshën shtatë vjeçare. U diplomua në vitin 1983 në Institutin e Gjuhëve të huaja (Kiev). Gjatë kësaj periudhe Kurkov shkroi shumë tregime për fëmijë. Në vitin 2018, u zgjodh President i PEN i Ukrainës. Romani “Bletët gri” i Kurkov-it, i cili ka “elementë të fabulës të njohur dhe eposit me përmasa hapësinore”, pasqyron konfliktin në vendin e tij përmes aventurave të një bletari. Realja e një realiteti tragjik mbetet optikë kryesore dhe shkrimore e autorit Kurkov.” Romani u përkthye në frëngjisht dhe në anglisht. U nderua me disa çmime.
Kurkov ka në proces pune dhe vepra të tjera.
Kodet e tregimit – përrallë “Përse iriqin nuk e përkëdhel askush?”
Nga nëntë librat për fëmijë, Onufri zgjodhi që lexuesve të vegjël dhe bibliotekës shqiptare t’i bëjë të njohur librin “Përse iriqin nuk e përkëdhel akush?” të autorit ukrainas Andrey Kurkov, me ilustrimet fine dhe plot elegancë e botë fëminore të Tonia Goryushina.
Është një tregim i rrëfyer sipas strukturës së përrallave popullore. Një strukturë e tillë është e njohur në përrallat tona popullore. Është një rrëfim i magjishëm, ku flet dhe rrëfen autori Krukov, por më shumë flasin ilustrimet e piktores Tania Goryushina.
Është historia e një iriqi që po shkonte rrugës së fshatit. Gjatë rrugës së tij shikon një djalë që po përkëdhelte një kone. Vazhdon rrugën, dhe pranë një stoli afër një deriçkeje shikon një vajzë që po përkëdhel një kotele. Duke vazhduar rrugën sheh një kalë, e, pranë tij një djalosh që po përkëdhelte kalin. Në të gjitha këto sekuenca mikrongjarjesh, tek iriqi shtohet zilia. Iriqi mendon: “Po mua, përse nuk më përkëdhel askush?” Mendon… dhe është i vetëm në një fushë të pafund. (Një moment i gjetur, ku personazhin tonë, iriqin, e paraqet të vetmuar dhe “duke bashkëbiseduar me vetveten”). Kemi të bëjmë me marrëdhënien mes iriqit të vetmuar dhe zilisë së tij, e cila e ka pushtuar totalisht.
Takimi me miushin, për iriqin ziliqar është një rreze shprese dhe njëkohësisht për të marrë një përgjigje të vërtetë për të vërtetën që e mundonte. Është një udhëtim i bukur me miushin, ndryshe nga ato pamje që pa për konen, kotelen, kalin që i përkëdhelnin. Miushi i afron një model të vërtetë të përkëdheljes, që ndodhet në brendësinë e shpirtit të tij, dhe iriqin e bën të ndihet i jetueshëm, lumtur dhe përkëdhelës. Iriqi është një mësues i mirë, i cili me veprimet e tij ia hoqi zili dhe i shtoi përkëdhelitë.
Është e rëndësishme të themi që në fillim, se përkthyesi njeh gjer në imtësitë veçoritë dhe tipologjinë e shkrimtarit Kurkov. Përse e themi? E ka “kornizuar” tregimin – përrallë në dialogun fëminor dhe me një numër të caktuar fjalësh duke rritur intensitetin e përrallës, kuriozitetin e saj dhe ç’po ndodh me rrugëtimin e zilisë së iriqit. Të gjitha këto përkthyesi i ka mishëruar dhe e ka shpirtëzuar krijimin e Krukov-it. Dhe në përfundim, kjo përrallë – tregim e ka një adresë moshore që lexohet me ëndje.
Në përfundim, të tekstit tonë, është e vlerësueshme të themi se, ardhja e tipologjisë së këtij krijimi, njohja me mjeshtërinë e Krukov-it, të konceptit dhe trajtimit të një teme siç është zilia, (dhe nuk është ë lehtë) përbën një model që duhet njohur, edhe nga fëmijët shqiptarë. Ndaj, bibliotekës së librave shqip i shtohet një libër i çmuar, i përkthyer me seriozitet dhe mjeshtëri nga Bujar Hudhri. Përkthyesi e ka bërë përrallën të dashur, sepse ka kuptuar në rrënjë mesazhin dhe misionin e saj universal.
Libri me personazh iriqin – simpatik e real të titulluar: “Përse iriqin nuk e përkëdhel askush?”, e kupton, se nga faqja në faqe, ngadalë-ngadalë njeh fjalën përkëdhelje dhe e përkëdheli, që rritet para lexuesve si gur i çmuar. Një libër që duhet të jetë i mirëpritur në duart e vogëlushëve dhe i vendosur në raftet e bibliotekave, për t’u lexuar…
Shkodër, më, 25.01.2025