More
    KreuLetërsiBotime të rejaQendra e Studimit të Arteve prezantoi “Vjetarin artistik shqiptar”

    Qendra e Studimit të Arteve prezantoi “Vjetarin artistik shqiptar”

    Qendra e Studimit të Arteve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, prezanton “Vjetarin artistik shqiptar”, VASH.

    Veprimtaria u zhvillua në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me praninë e kryetarit të këtij institucioni, akad. Skënder Gjinushi; zëvendëskryetarit, akad. Vasil Tole, drejtorit të Qendrës së Studimit të Arteve pranë ASHSH-së, akad. Stefan Çapaliku, studiuesve e artistëve të njohur, si dhe specialistëve të arkivave nga institucionet e artit.

    VASH-i është një projekt i Qendrës së Studimit të Arteve, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e cila konsiderohet si vepra e parë në llojin e saj në ndihmë të kërkuesve shkencorë, pedagogëve, studentëve dhe publikut më të gjerë.

    Akad. Stefan Çapaliku, drejtor i QSA-së, çeli veprimtarinë dhe pas fjalës përshëndetëse u ndal së pari në përcaktimin e objektit të punës, mbështetur në pesë aksione bazë, prej nga do të nisë një kontribut sistematik: krijimi i VASH-it; krijimi i Qendrës së Dokumentacionit Artistik; i bibliografisë retrospektive e studimeve mbi artin shqiptar, i enciklopedisë së artit shqiptar, historitë e fushave specifike të artit.

    “Të gjitha këto detyra promovojnë idenë e restaurimit të memories dhe rifunksionalizimin e arkivave kulturore.”- theksoi akad. Çapaliku. 

    Ai përmendi rëndësinë e arkivave në ruajtjen e historisë, kulturës dhe identitetit kombëtar, duke përfshirë në mënyrë të veçantë ato të institucioneve artistike, të cilat shërbejnë si një burim i pazëvendësueshëm për studime, dokumentim dhe krijimin e lidhjeve ndërmjet të shkuarës, së tashmes dhe të ardhmes.

    Akad. Çapaliku theksoi se dokumentet arkivore ndihmojnë në ruajtjen e një kulture të llogaridhënies, duke siguruar që institucionet dhe individët të jenë të përgjegjshëm për veprimet e tyre.

    Së fundi, akad. Çapaliku e vlerësoi krijimin e arkivave si një proces jetik. Ai theksoi se “Arkivat ndihmojnë që historia e artit dhe kulturës të përcillet në mënyrë të saktë dhe autentike, duke shmangur deformimet ose harrimin e kontributit të figurave dhe periudhave të caktuara. Pra, arkivat e institucioneve artistike janë jo vetëm një kujtesë historike dhe një burim edukativ, por edhe një urë që lidh gjeneratat përmes një trashëgimie të pasur dhe frymëzuese artistike.”

    Studiuesja e artit dr. Anxhela Çikopano tha se vjelja e arkivave të artit me një paraqitje kronologjike është një punë që duhej të kishte ekzistuar shumë më herët. Ajo vërejti se ndaj fondit arkivor është treguar pakujdesi dhe duhet të ringrihet dhe t’i rifitojmë arkivat. Dr. Cikopano prezantoi më pas rrugët që u ndoqën për realizimin e këtij projekti dhe kategoritë dhe burimet e zërave të vjetarit, kategoritë ndërdsiplinore dhe përfshirjen e personaliteteve.  Faza e parë e realizimit ka përfshirë grumbullimin e materialeve faktike mbi ngjarjet artistike, kryesisht nga burime arkivore pranë institucioneve qendrore të artit, si dhe të atyre vendore, nga kërkuesit shkencorë të QSA-së në fushat e tyre të studimit: art pamor, kinema, muzikë, teatër, përmes hulumtimeve të drejtpërdrejta, ekspeditave në terren dhe verifikimit të të dhënave me metodën e krahasimit të kryqëzuar të burimeve të ndryshme. Veç paraqitjes kronologjike të ngjarjeve artistike në format e mësipërme të artit, është menduar të shtohen edhe nënrubrika si në artet pamore: fotografi, pikturë, skulpturë, mix media, etj., apo kategori si studime, ndërdisiplinore, personalitete, që ndihmojnë edhe më shumë cilindo që ka interes për këto fusha. Pasi foli për vlerat e VASH-it, dr. Çikopano tha se nëpërmjet dhe në funksion të këtij projekti do të ndihmojmë komunitetin e artistëve për të ringritur arkivat dhe njëkohësisht u është bërë një ftesë artistëve dhe drejtuesve të institucioneve dhe ministrive për të nisur një projekt të madh. 

    Studiuesja dr. Jonida Gashi vuri në dukje se ka ekzistuar mungesa e disiplinës në mbledhjen e arkivave të artit, dhe kjo e bën VASH-in një projekt më potencial, i cili në kuadër të rrjetëzimit të arkivave, në rastin më të mirë ofron një pasqyrë më të plotë të jetës artistike dhe kulturore.

    Akad. Tole, duke vlerësuar punën e Qendrës, theksoi faktin që kjo vjen edhe si rezultat i reformës që është ndërmarrë vitet e fundit në Akademinë e Shkencave. Ai vuri në dukje vizionin programor afatshkurtër e afatgjatë të Qendrës së Studimit të Arteve, duke përfshirë projekte në të gjitha disiplinat e artit. Ai theksoi hapjen dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet vendore dhe ato drejtuese. Gjithashtu akad. Tole premtoi mbështetjen e Akademisë së Shkencave dhe bashkëpunim më të ngushtë me Komisionin e Arteve që ai drejton. Në fund akad. Tole shprehu vlerësimin për Vjetarin dhe shpresën që në vijim të marrë karakter enciklopedik.

    Drejtues të arkivave të teatrove kombëtarë në Shkodër, Elbasan, Vlorë, diskutuan për problematikat e institucioneve. 

    Pas diskutimeve, Durim Taçi foli për perspektivën e një botimi më të plotë të Vjetarit Artistik Shqiptar (VASH) në një fazë të dytë, duke e pasuruar me informacion drejt krijimit të fizionomisë së një vepre të natyrës enciklopedike në fushën e artit, por pa harruar edhe përmasën divulgative të saj, përmes ndërkalljes së teksteve të shkurtra analitike, të cilat ndërpresin kronologjinë për hir të thellësisë dhe bëjnë që vepra veç studiuesve t’i shërbejë edhe një publiku më të gjerë.

    Akad. Skënder Gjinushi, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e përgëzoi grupin e punës së këtij projekti për iniciativën dhe arritjet e deritanishme dhe u shpreh për perspektiven e lidhjes së marrëveshjeve institucionale  me qendrat arkivore. Ai theksoi se Qendra e Studimit të Arteve duhet të lidhet edhe me Qendrën  e Botimeve Enciklopedike, sepse në realizimin e plotë të këtij projekti Vjetari artistik shqiptar do të marrë karakterin e një vepre të drejtimit enciklopedik. Në mbyllje të fjalës së tij, akad. Gjinushi premtoi se bashkëpunimi me arkivat do të institucionalizohet dhe do t’i jepet qendrës një drejtim bashkëpunues në perspektivën e finalizimit të një projekti më madhor.

    VASH-i ka statusin e një udhëzuesi dinamik, që do të pasurohet në mënyrë sistematike nga kontributi i të gjithëve, duke i përfshirë të gjitha institucionet kulturore dhe artistike, kudo që të ndodhen: brenda kufijve të territorit të Shqipërisë, në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, por edhe në diasporë, me synimin për ta pasuruar me të dhëna të reja.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË