Për krijues si dom Nikollë Mazrreku, veprën e të cilit po e përcjellim me ribotimin e poetikës së tij, nëpërmjet poemave Dukla e Sapjana, duhet të flasim e shkruajmë sado shkurt për një dukuri të shfaqur në artin e kulturën tonë, pas vitit 1990; konkretisht, për atë që prej vitesh u quajt e vijon të quhet letërsi e burgjeve, një term që as ka lindur e as është ushqyer vetëm nga realiteti shqiptar, por ka origjinë të vjetër, që nga fillesat e artit në antikitetin grek e romak. Lidhet kjo me emrin e poetit romak Ovidi, i cili jetoi gjatë sundimit të perandorit August, dhe u internua larg Romës prej tij, në brigjet e Detit të Zi, në Tomis (Konstanca e sotme, Rumani) ku dhe vdiq, duke shkruar veprat e veta. [1]
Edhe gjatë Mesjetës ka pasur shkrimtarë e poetë, që janë burgosur dhe kanë shkruar në qelitë e tyre; në kohët më të vona e deri në shekujt modernë, janë dënuar artistë, si nga juntat ushtarake të Amerikës latine: Meksikë, Kili, Argjentinë; në kontinentin e vjetër, janë ndjekur e përndjekur figura të njohura në degë të ndryshme arti, jo vetëm në letërsi në Spanjën republikane dhe frankiste, në Itali e Gjermani, gjatë shekullit XX, ashtu si në perandorinë komuniste të Rusisë (BS). Mbrojtja e lirisë së njeriut, që gjendet në ADN-në e artistëve, u ka kushtuar jetën mjaft figurave të shquara.
Edhe në vendin tonë, brenda atij shekulli, ka gjeneruar, në ato kushte shypjeje e frike, një letërsi e burgjeve, i lidhur ky term me rrëzimin e diktaturës së rëndë e me emrat e P.Arbnorit, P. Kalakulës, V. Zhitit, H. Nelës, G. Lekës e V. Blloshmit, M. Kokalarit e B. Xhaferrit e të tjerë. U arrit të shkruhej kjo letërsi në kushte çnjerëzore të gulagëve, të shpëtonte e të nxirrej pjesë-pjesë në fshehtësi, shpesh, edhe të humbte. Pati ndonjë që, pas lirisë së fituar, rrnoi për me tregue dhe mori e shkroi kujtimet rrënqethëse të dënimeve e torturave në masë….Tek këta radhitet edhe dom Nikollë Mazrreku, që kishte shkruar letërsi atdhetare e polemike në të mirë të Atdheut, para Luftës II Botërore e gjatë saj, por që u shpërblye me vite vuajteje të gjata burgimi dhe fshatrave me punë të detyruar nga Maliqi, Tepelena deri në Lushnje. Veç burgjeve të Shkodrës, ai provoi edhe Burrelin e tmerrshëm. Këmbëngulja e tij dhe, ndoshta rastësia, e ndihmuan t’i nxirrte jashtë qelisë shkrimet e veta, mbështjellë në copa letre e rroba që i merrte e motra Marije, në takimet e rralla me të dhe që i ruajti, për të parë dritën e botimit, me kujdesin e P. Zef Pllumit, para 24 vjetësh.
***
Në këtë botim të ri të përmbledhjes që paraqesim sot, janë sjellë dy poemat e autorit: Dukla dhe Sapjana. E para, është një krijim romantik në vargje, që lidhet me temën e lirisë ku ngjarja vjen e zhvillohet në një principatë shqiptare mesjetare, diku në zemër të Shqipërisë, në një organizim mikroshteti të modelit Dukat, ku endet si kallëzim poetik qeverisja dhe drejtimi aq popullor dhe i drejtë i princit Llezhder Gjika me djemtë e vet, qëndresa deri në vdekje për mbrojtjen e principatës së tij nga armiqtë, dhe ngjarjet tragjike që ndodhin me princin e ri Vasë e vajzën e dashuruar prej tij: Dukla, me emrin e së cilës quhet edhe poema. Në të gjithë veprën autori i thur lavd lirisë dhe jetës së lirë të njerëzve, marrëdhënieve vëllazërore dhe harmonisë së një popullate brenda hapësirës që zotëron Dukati i Gjikës, por, krahas kësaj, lexuesi do të njohë edhe anën negative të jetës: prirjen për tradhti e puç sundimi e pabesi, sidomos pas vdekjes së Princit. Lexuesi do të gjejë tek Dukla përshkrimin plot dashuri që u bën autori njerëzve të varfër, njerëzve të punës, botës së madhe e të pasur shpirtërore të tyre, thjeshtësisë së jetës, pa kreni e mburrje; ai idealizon në thelb marrëdhëniet e shtresës së ulët me natyrën, në harmoni me bukurinë e saj. Përfundimi i ngjarjeve e bind lexuesin se dashuria midis njerëzve duhet të drejtojë e të mbushë me jetë njerëzimin. Në përmasat e këtij zhanri, si një poemë ekzotike në përmbajtjen e saj, Dukla është një vepër letrare e thurur me mjeshtëri arti, me gjuhë të zgjedhur, me strofikë të pasur e metër shumë të rregullt; përgjithësisht e frymëzuar e mund të radhitet ndër krijimet më të qëlluara të kohës kur u shkrua.
Poema Sapjana është një zgjedhje e rrallë, si motiv: autori merr përsipër të na sjellë në poezi jetën baritore e blegtorale të fshatrave të Zadrimës: nga krahu i majtë i derdhjes së vjetër të lumit Drin – prej Vaut të Dejës deri në qytetin e Lezhës, pra, hapësirën e një fushe aq të begatë, ku shtrihen edhe sot 30 fshatra dhe që, për nga juridiskioni fetar, i përkisnin (dhe i përkasin në vijim) Dioqezit të Sapës, që i jep edhe emrin vetë poemës. Nëse poema Dukla ka një vijë rrëfimi, dhe nis prej përshkrimit të një shtëpie të varfër (që na kujton përherë fillimin e poemës “Andrra e jetës e Ndre Mjedës), me dy pleq e një vajzë me bukuri të rrallë, të cilët rrojnë në shenjtërinë e tyre, me të vetmën pasuri- një tufë të vogël dhensh, Sapjana e dom Nikollit ka për objekt përshkrimin e gjallë me aq shumë detaje e ngjyra të një principate mesjetare, të kohës paraosmane. Edhe këtu kallëzimi poetik nis me përshkrimin e një banese të varfër, ku gjithçka vjen e drejtohet nga nënë Lezja, një grua e ve, që atë ekonomi e ka ngritur me thonjtë e duarve, me bashkëshortin Gjon, që nuk rrnon më. Gjithë jeta e saj tashmë mbushet me dashurinë që ka për dy djemtë, nuset e tyre dhe fëmijët; janë tre breza që punojnë e gëzojnë në harmoni e vullnet pune me njëri-tjetrin. Krijimi i autorit, ashtu siç ka mundur të dalë nga vendi i dënimit, ashtu pjesë-pjesë dhe i segmentuar na vjen në njësinë e poemës, e cila, në thelb, ësht pasqyrë e bukur e jetës së fshatrave zadrimorë, me tabllo të ravijëzuara nga lojërat e rritja e fëmijëve, tek prindërit e tyre, që mbjellin e korrin, vjelin dhe i gëzohen punës. Poeti ndërton disa rrëfime, të përshtatshme për edukimin e të vegjëlve për bindjen, dëgjesën, premtimin, respektin për të mëdhenjtë, fjalën e dhënë, sinqeritetin, dashurinë për mjedisin dhe për kafshët shtëpijake. Hartuar prej një meshtari, të gjitha na duken se marrin vlerën e ushtrimeve katekistike. Është shumë tërheqës kallëzimi i tatë Lekës për Cukun e Zinën, Marinin e Shaqen, Zanën dhe gjithë kafshët e pyllit: korbi e dhelpra, gushaspeci dhe grishëla, fazani e gjeli kokot, kaprolli e gomari, kukuvajka dhe orrli, pëllumbi dhe këlyshi laraman, që i japin “dënim” djalit kryegur me emrin Cuk, por edhe e ia falin gabimin, pasi ai premton të ndërrojë sjellje. Fabula për fëmijët përcillet me ngjarjen tragjike të mbytjes në valët e përroit të rrëmbyeshëm të një vajze të re. Po kështu, edukimi për punë ndiqet me aq interes edhe në tregimin Kolë dembeli, që nuk e donte as arën, as kopenë e dhenve; fëmijët bëhen dëgjues të rregullt të rrëfimit Princ Vidali, Kanga e Valjanës, kallëzimi i hallë Katrinës, historia e Kasildës, e të tjerë. Është për t’u shënuar që autori ka përshkruar me shumë vëmendje hallet dhe lëngimet e banorëve, e njerëzve në moshë dhe atyre pa mbështetje, duke bërë thirrje që ata të ndihmohen në të mbjella e të korra, në muajt e vapës dhe dimrit të ftohtë, siç veprojnë me grishjen e kushëririt, Gaspër që vuan nga astma e i duhet klimë fshati e jo në qyteti.
Sapjana nuk ka tituj as për rrëfimet e gjata që thur poeti, ne i kemi emërtuar ata, sepse na duken si poema të vërteta edhe në vështrimin sasior, si janë: Kanga e Ndre Gjekës, ajo e rapsodit Kokli që u bën jehonë luftërave për liri në kohën e Gjergj Kastriotit, ka tregime edhe për fatin përulës dhe diskriminimin e grave fshatare e malësore, si fati i rëndë i Dilës së Ndokës, e cila keqtrajtohej prej të shoqit; mbreti i Shorëve është ndër më të goditurit, intermezot e ndryshme, si pauza midis kallëzimeve të gjata, por fabula – poemë më e mira e penës së autorit është Sheta jetime dhe Lulokja, e cila edhe mbyll veprën poetike të dom N.Mazrrekut. Kjo vepër e fundit e tij është më e arrira, jo vetëm lidhur me përmbajtjen dhe vlerën edukative për fëmijë, por edhe në anë artistike, e shtruar në vargje monokolonë e me gjuhë të zgjedhur, figura të thjeshta dhe e kuptueshme për moshat e reja, një kallëzim i ndjeshëm, me skena të dhimbshme e pak gëzime, siç ndodh e ngjan në jetën e gjithë brezave njerëzorë. Një synim më vete ka pasur dhe ka arrirë autori, kur sjell brenda veprës së tij ngjarje që evokojnë Motin e shkuar, kohën kur populli ynë i vogël, u përball me sulmet e mëdha e të gjata të një perandorie, siç ishin pushtimet e falangave turke, që u futën deri thellë Europës.
Poetika e dom Nikollë Mazrrekut në letërsinë tonë është e panjohur, sepse kështu mbeten, të mënjanuar jo pak shkrimtarë e poetë përgjatë disa dhjetëvjeçarëve, por kur i hyn brenda saj, tërhiqesh jo vetëm prej përmbajtjes së shpirtit shqiptar, por edhe nga forma e saj, që të shtyn ta perceptosh si vepër arti. Ai nuk pati kohë t’u kthehej shkrimeve të veta,
nuk kishte mundësi të bashkëpunonte me redaktorë dhe poetë, por trashëgimia e tij, na vjen ashtu e pastër dhe pa artifice, me gjuhë të shtruar të rrëfimit, me vargje ashtu siç i ka ndjerë ai, pa përsëritur sekuenca narrative, por me një vijë të qartë, për t’u përvetësuar e për t’u mbajtur mend. Vetë koha prej më tepër se gjysmë shekulli e gjenerimit të veprës së dom Nikollë Mazrrekut, tregon se ai ishte një talent i lindur, që doli mbi vështirësitë e jetës edhe në artin krijues në poezi e prozë, duke mbetur një bari shpirtëror i devotshëm dhe i paharruar për të gjitha ata që e kanë njohur në sherbimet meshtarake e më gjerë, në Malësi, Tiranë dhe në Dioqezin e Sapës, këtzu në famullinë e Vaut të Dejës.
***
Përveç romanit dhe dy poemave, bashkë me shkrime të tjera në periodikë të kohës, para e gjatë Luftës II Botërore, në veprat e dom N.Mazrrekut, alias Nikë Barcollës, lexuesi ka mundësinë të njihet edhe me një traktat polemike të jashtëzakonshëm, ndryshe një ligjëratë shkencore e historike, gjuhësore dhe etnografike, me titull “Skandali Cordignano”, shkruar prej këtij autori, midis 4 broshurave të tilla, hartuar si reagim inelektual e aq atdhetar që u bënë në vitin 1941, kundër revistës italiane “Albania”, botuar në Milano prej misionarit të njohur në vendin tonë, Fuvlio Corgignano. Ai erdhi e sherbeu në Shqipëri vite të gjata si profesor në Kolegjen Saveriane dhe me Misionin Shtetitës, hartoi gramatika e fjalorë dhe u njoh me identitetin dhe etnografinë shqiptare, por, se ç’ra në pozita ahistorike dhe një moment, në pranverën e vitit 1941, botoi një artikull jo shkencor për historinë, vijimësinë e shqiptarëve, gjuhës sonë të vjetër dhe racës epike të prejardhjes ilire! Ai shkoi përtej të papriturës, kur e paraqet Skenderbeun si vasal të mbretit të Napolit dhe zbeh qendresën e një populli kundër Perandorisë Osmane! Ishin nga Shkodra ata intelektualë që iu kundërvunë me fakte e prova, shembuj dhe studime europiane: së pari prof. Filip Fishta, i dyti dom Nikollë Mazrreku, të tretët: gjithë profesorët e Gjimnazit të Shkodrës dhe, në fund, polemikën më të hidhur, në vargje madje, e shkroi dom Ndre Zadeja ! Kush ka mundësinë t’i njohë të gjithë kto traktate apologjike, do të dallojë çfarë horizonti shkencor dhe me literaturë historike, na sjell në argumente të vetat Nikë Barcolla; logjika e tij e veçantë na kujton veprën e madhe të Imzot Frang Bardhit – Ipeshkëv i këtij Dioqezi, para 4 shekujsh, kur merr e mbron shqiptarësinë e Gjergj Kastriotit, kundër një frati boshnjak që e nxirrte Heroin tonë Kombëtar, me origjinë serbo-boshnjake! Polemika e bazuar në burime të cituara e vë dom Nikollin ndër intelektualët më të përgatitur të kohës në fushë të njohjes albanistike, për periudhën e gjysmës së parë të shekullit XX.
***
Gjatë mbylljes së librit dhe dërgimit në shtyp, prifti i ri, dom Emiljano Paloka, famullitar i sotëm në Blinisht të Dioqezit të Sapës, na njofton se po kërkon dhe po gjen edhe disa krijime poetike e në prozë, shkruar nga dom N.Mazrreku në vitet kur ishte student
Teologjie në Romë e më vonë, deri në vitet 1944. Po u lëmë vend në këtë vëllim, edhe këtyre poezive të autorit, ku gjenden edhe dy sonete të bukura për dy stinë të motit “Vjeshta” dhe “Dimni”, një lloj letrar në vargje, kur tingëllima aq të mrekullueshme, në ato vite, shkruante vetëm Ndre Mjeda e fort pak të tjerë. Gjithashtu, me to, le të shtojmë edhe dy novelëzat “Neper hije të Skanderbegut” dhe “Sogje”. Ai ka pasur bashkëpunime botimi me rvistat e njohura “L.E.K.A.”, “Hylli i Dritës” dhe më vonë me disa shkrime te “Kumbona e së Dielles”. Dëshiroj ta falënderoj dom Emiljanon për kujdesin dhe zellin që po tregon, për të nxjerrë në dritë figura me rëndësi e tregues të vërtetë të kulturës sonë, jo vetëm për trevën e Zadrimës, por edhe në rrafshin kombëtar, kur të njihen e të promovohen si Opera omnia e shkrimtarëve, poetëve dhe pëprkthyesve si: dom Jak Zekaj, dom Nikollë Mazrreku dhe dom Ndue Suma. Trashëgimia e tyre, që krijuan letërsi në kushtet e burgosjes, internimit dhe salvimit të gjatë, vetëm e vetëm se ishin klerikë katolikë, na bën thirrje ta publikojmë jo veç në planin shpirtëror e të merituar, por, në radhë të parë, edhe për ndihmesën që ata kanë dhënë për ruajtjen, lëvrimin dhe pasurinë e gjuhës amtare. Vepra voluminoze e dom Nikollit na shfaqet si prozë romanore, drejtuar historisë sonë kombëtare, ndryshe, figurës së Gjergj Kastriotit, hartuar në kushtet e qelive të burgut, dhe e botuar postume. Këtë roman po e sjell për lexuesin, sot, dom Emiljanoja, me kërkesë të përhershme të tij te ky institucion i lartë shkencor i vendit !!!
Më jepet ta përgëzoj përsëri, famullitarin e censhëm në lëmë të vlerave kulturore e gjuhësore, letrare e dokumentare, një klerik i ri, që po ndjek traditën e shkrimtarëve të vjetër të Sapës, si: Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Zarishi, Leonardo de Martini, Gasper Gurakuqi, Vincens Prendushi e të tjerë, që kanë shërbyer në fshatrat e Zadrimës e më gjerë, me vepra baritore në Malësinë e Veriut. Le të përkulemi me nderim ndaj këtyre figurave të shquara, duke iu publikuar veprat e hartuara dhe kujtuar herë pas here në përvjetorë, siç po bëjmë këtë vit me ish-famullitarin të kësaj kishe, poetin e historianin, publicistin e polemikun, përkthyesin dhe oratorin, poliglotin dom Nikollë Mazrreku.
Asgjë nuk ndryshuam në gjuhën e autorit, me qëllimin e mirë që lexuesit apo edhe studiues të mundshëm, të njohin verbin e përdorur të shkrimit të asaj kohe, kur shkrimtarët shqiptarë dhe rendi i intelektualëve përparimtarë, bënin përpjekje për njësimin e gjuhës letrare, jo veç si gjuhë administrate, por edhe variant i përparuar e i lëvruar në shkencë e letërsi….
Vau-Dejës, 28 dhjetor 2024
[1] Publius Ovidius Naso (20 mars 43, para Krishtit – 17/18), i njohur si Ovidi, ishte një poet romak, bashkëkohës i Virgjilit të vjetër dhe Horacit, me të cilët shpesh renditet si një nga tre poetët kanonikë të letërsisë latine. Vepra e tij kryesore është poema epike “Metamorphoses”, shkruar në heksametra, në 15 libra, pasuar me Heroidet, Medicamina Faciei, Ars Amatoria etj.